Kulturë
Dy poezi nga Vullnet Mato
E diele, 07.08.2011, 05:35 PM
Vullnet Mato
SYTË GODITËS TË FEMRAVE
Kur isha dikur paksa më tepër djalosh,
njëra ndalej shpesh përballë dritares sime.
Më kthente krahët mes shoqesh përposh,
dhe më injoronte krejt me shpërfillje shpine.
Pyeta një shok me përvojë në këto punë,
pse më fyente asisoj kjo femër pa edukatë.
Përkundrazi, tha ai, ajo të ka brenda në tru,
por ashtu të sheh me sytë e mendjes më gjatë;
Se femrat, veç syve të zakonshëm në ballë,
kanë dhe sytë e zemrës përbrenda trurit.
Shohin fare mirë me një rrezatim të rrallë,
çdo shikim përqark nga përgjimet e burrit.
Dhe ndryshe sa thuhet për shejtan në shishe,
ato kanë nga i paudhi ndoshta vetëm gisht,
se edhe me sytë e ballit të shikojnë ndryshe,
të joshin si luaneshat, të godasin me bisht.
Pas ca kohësh, kur ajo gjeti çastin e përshtatur,
më dha goditje të forta me bisht syri te zemra
dhe më bëri të kuptoj se isha qorr me sy hapur...
GJUHA PA FRENA
Lagjja ime
ka dhe gjuhën të shkathët e të pasur me spica.
Femra merr për gjoksin e saj lëvdatën tipike:
“Sa të bukur e paske mi, të raftë ujku në cica!”
Burrat lakmojnë me oreks bukurinë zezake:
“O mi të hangsha lapën e syrit për meze!
Eja mi rrospi të puth nji herë lala në faqe,
se me zjarr furrnalte trupin ma ndeze! “
Gratë ia shprehin xhelozinë njëra-tjetrës,
me sharje ku burrat e tyre falin dhuratë:
“O mi të shtriftë burri im ke pragu i derës,
moj by...tenxhere me llapën sa një lopatë!
Pijanecët e dehur ngacmohen pas darke:
“Ku je, mre barkalec nandë muajsh me barrë,
që ke përla tanë fuçitë e birrave në mejhane,
dhe ke hang mish macesh të pjekme në zgarë”.
Djemtë u hedhin romuze vajzave çokollatë:
“Eja, mi goce, bajmë qejf sonte për voni,
mos e ço atë derr trupi haram përnatë,
tuj ba naze, si me qen e bija e Klintonit!...
Kjo gjuhë pa frena dhe pa hunj në gardh,
që i fluturon batutat në lagje si lakuriq nate,
më bën të ndjehem rom me lëkurë të bardhë,
dhe të hap sy e vesh për qyfyret në pallate...