Kulturë
Poezi nga Enkelejda Kondi-Masseboeuf
E diele, 07.08.2011, 07:22 PM
Enkelejda Kondi-Masseboeuf
HESHTJA E NATËS..
Jemi bashkë ti dhe unë sot në heshtje
Gjumi më ka ikur larg, drejt reve...mjegullës
Qerpikët më rëndojnë, gjumi më është vrarë
Nga lodhja, mërzitja...zhurma e ditës...
Ti qetësinë më ofron, pështjellime mendimesh
Ëndrrash të strukura diku në harresë
Shtrati ngeli i ftohtë dhe ti vetëm sonte
Nata me heshtjen e saj po më magjeps.
Mbase është heshtja jote që më tërheq
Ose e zeza errësirë ngjyrë tradhëtare
Të hap zemrën më tërheq, me ty të flas
Nëpër ëndrra me sy hapur, lajkatare...
Përkundmë më një ninullë të ëmbël nëne
Hënën dhe yjet leri qiellin të ndriçojë
Lëre gjumin të më marrë në krahët e butë
Nesër, ah nesër, dita plot gaz e Diell do më zgjojë....
NE PARK
Ku pranvera
Buzët e virgjëra
Ku me erën e barit të njomë
Dehej tërfili.....
Dhe e brishtë
Fletët e para manushaqja
Kështu ishin ato ditë Prilli
Me Ty.....
Aty....
DIMRIN
Më kërkove zemrën nga akulli ta nxirja
Nga dimri ku
M'u lute pranverës mes lulesh të vija
Aty ku dashuria derdh rrezen e ngrohtë.
Sa shumë vështirë e pata të shkoj
Të lija pas dimrin e akullt, ftohtësinë
Kisha mësuar zemrën në dimër ta shoh
Kurajë s'kisha ta ndërroja këtë stinë.
Eja, më the, ka dhe stinë të tjera
Aty ku Dielli buzëqesh e ngroh ç'do ditë
Lere zemrën të hazdiset, moj e mira
Mes dallgëzash të kaltra....të luajë me stuhitë.
Erdha e ndrojtur...në dritën e Hënës
Dimrin e lashë pas në kujtimet e harresës
Të pushtova.....dhe shkrinë akujt e viteve
U bënë lotë.....në lëndinën e kujtesës.
PERËNDIM DIELLI...
Në pasqyrën e lëmuar të detit
Thyhen reflekset e puthjes së horizontit
Puthitur deti dhe qielli
Si dy trupa lakuriq të përqafuar
Në shtratin e vagulluar të qiellit
Dielli është dëshmitar
Turpëruar fsheh syrin......
Me fanatizëm prezervon këtë intimitet
E mahnitshme ngjyra blu turkuaze e thellësive
Dhe e kuqe, portokalli përqafimi i horizonteve...
E magjepsur nga kjo tabllo natyre
Përkundem nga vala shushuritëse
Puhiza e jodtë-të përkëdhel mendimim tim
Ndjesi magjpse, meditim, admirim
Natyrë të jetë a mrekulli ky perendim!!
KUR MË SHFAQESH TI...
M'u shfaqe si agim mëngjesi
Me sytë e bukur .......lyer
Makijazhi i ylbertë i Hënës
Ngjyrat e dashurisë i ngjeu
Me penelin e ëndrrës...
M'u shfaqe skulpturë
e mermertë, e bardhë
Nga rrënojat antike
Kur dashuria brengosur
Kohërave ju qëndroi stoike.
M'u shfaqe si zanë
Nga bjeshkët e larta
Shqiponjave ju more shikimin
krahëve zemra ju dha forcën
Drejt meje nise fluturimin.
M'u shfaqe kur kisha etje
burimeve të shterpa
Gjinjëve të tua piva
e më s'u ndala
Dhe ja.....m'u përtëri jeta..
ËNDRRA E NJË VAJZE.
Në krahët e Morfeut gjeti prehje
Trupi me natën e ëmbël u shkri,
Prehjen e puthjes lehtësisht gjeti
Në shtratin e ëndërrt e ëmbla dashuri...
Sytë janë mbyllur, janë nisur larg..
Të shohin se di se ç'mrekulli,
Të vij dhe unë në atë botë
Në shtratin ëndërr të fle me ty?!....
PUTHMË
Merrma fytyrën ndër duart e tua
Dhe vështromë ëmbël drejt në sy
Flokët përkëdhelmi, gishtat bëji krëhër
Puthmë plot me ndjenjë, ashtu siç di ti...
Pëshpëritmë ëmbëlsisht tek veshi
Thuami të dashurat fjalë që pres
Dhuroma erën e trëndafilave të kuq
Puthmë, që Dielli të shkëlqejë mes resh....