Mendime
Lavdrim Lita: Rikthimi i beftë i Ramush Haradinajt
E diele, 17.07.2011, 08:02 PM
Rikthimi i beftë i Ramush Haradinajt
Nga Lavdrim Lita
Ramush Haradinaj është kthyer në Kosovë. Sigurisht jo fizikisht sepse gjendet ende i arrestuar dhe në pritje për t’u rigjykuar në Gjykatën e Hagës, për akuza të vjetra në ngarkim të tij. Por publikisht ai ishte prezent në data të ndryshme gjatës javës së fundit në Prishtinë. Së pari me datë 14 korrik fakti që një letër e firmosur nga 300 intelektualë të Kosovës i është dërguar të mërkurën kryetarit të Gjykatës së Hagës, Patrik Robinson, në të cilën i jepet mbështetje liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z. Ramush Haradinaj përbën të dukshëm prezencën disi të harruar të luftëtarit të lirisë. Shefi i Departamentit të Historisë në Fakultetin Filozofik, profesori Muhamet Mala, ka thënë se nga kryetari z. Robinson është kërkuar që rigjykimi i pjesshëm i z. Haradinajt, i cili pritet të fillojë më 17 gusht, të jetë i shpejtë, i drejtë dhe i paanshëm. Ne profesorët e UP-së, akademikët dhe intelektualët nuk mund ta kuptojmë sesi është e mundur që një njeri i liruar një herë nga gjyqi i Hagës, të gjykohet përsëri për të njëjtat vepra për të cilat më parë është shpallur i pafajshëm. Ku është drejtësia pas kësaj”, ka thënë Mala, duke cituar pjesë të përmbajtjes së letrës që i është dërguar kryetarit të Gjykatës.
Dhe së dyti, me datë 15 korrik një dokument përmbledhës të para seancave gjyqësore të paraqitur nga mbrojtja e z. Haradinajt, bëhet e ditur se dy dëshmitarët kryesorë sërish do të refuzojnë të dëshmojnë kundër z. Haradinajt, njofton radio Dukagjini. Nga ana tjetër, avokati mbrojtës z. Michael O’Reilly thekson se për shkak të procedurave i gjithë procesi ndaj z. Haradinajt mund të zgjas disa muaj.
***
Sidozot luftëtari i lirisë po përballet për herë të dytë me heqjen e lirisë. Natyrisht si një prej simboleve të rezistencës kosovare, bir i njërës prej fiseve më patriotike të Kosovës (ndoshta e dyta në renditje pas legjendarëve Jashari), i cili filloi dhe drejtoi luftën në njërën prej zonave operative më sensitive, për themeluesin e një partie politike që theu mitin e PDK-së dhe që e para hyri në aleancë me rivalin tjetër të spektrit politik, LDK-së, nuk mbaron me kaq.
Me sinqeritet shumë kosovarë thonë se kemi të bëjmë me Kryeministrin më të suksesshëm dhe më efikas që ka pasur Kosova, pas konfliktit të armatosur. E, ndërsa qeveria serbe e cilësoi si terrorist, funksionarë të lartë ndërkombëtarë i shprehen atij zyrtarisht dhe jo zyrtarisht se ai është edhe sot e kësaj dite tepër i rëndësishëm për ekuilibrat politikë dhe strategjikë. Afërmendsh akuzat që janë ringritur ndaj z. Ramush Haradinaj – sipas deklaratave të vetë Gjykatës së Hagës – janë të rënda, janë gjithsej 37 dhe përbëhen nga 17 akuza për krime kundër njerëzimit dhe 20 të tjera për krime lufte.
Sido që të jetë është shumë e vështirë të gjenden prova reale që e dëshmojnë fajësinë e z. Haradinaj në këtë rast, sepse prova të tilla nuk ekzistojnë. Bile një raport i para do kohësh i BBC ka gjetur mbështetje të konsiderueshme për z.Haradinajn, edhe midis popullatës serbe. Një serb nga veriu i Mitrovicës para do kohësh i tha kanalit televiziv britanik se “vetëm dy qeveritë e Kosovës, një nga Bajram Rexhepi, dhe sidomos një e z. Ramush Haradinaj kanë arritur të bëjnë diçka për minoritetin serb ... e fundit ka arritur të sjellë më pranë pakicës serbe, si dhe institucionalizimin e gjuhës serbe në Kosovë”.
Në përfundim nuk duhet harruar për asnjë moment se, gjatë trazirave më të rënda etnike që përjetoi Kosova e pas konfliktit, pra ato të Marsit të 2004, sipas vetë Kishës Ortodokse Serbe ai ishte personi, që frenoi vandalët të cilët synimin shkatërrimin e manastireve shumë vjeçare. Në këtë ai tregoi largpamësi si politike ashtu dhe kulturore, pasi ishte ndër të vetmin fill konfliktit kuptoi se serbët e Kosovës, në çfarëdolloj llogarie, do të ishin pjesë e Kosovës së pavarur, kurse me frenimin e akteve vandale ai përshëndeti shpirtin humanist të shqiptarëve.