Mendime
Arbana Xharra: Thaçi i bishtnoi drejtësisë
E merkure, 13.07.2011, 07:49 PM
Thaçi i bishtnoi drejtësisë
Nga Arbana Xharra
Dikush shprehet pro heqjes së imunitetit, dikush është kundër, disa të tjerë s’kanë qëndrim, megjithatë ata që e dinë se janë duke u hetuar apo që kanë pse të hetohen, duhet të jenë në siklet të madh. Heqja e imunitetit ua heq privilegjin, shumë prej atyre të cilët kanë qenë të bindur se janë të paprekshëm dhe kanë vazhduar me kapadaillëk pa iu trembur syri me të veten. Por, kanë harruar një fakt se jo gjithmonë mund të fshehesh pas imunitetit, herëdo kur gjërat dalin në shesh.
Mund të jenë mashtruar edhe nga vonesat e EULEX-it në veprime duke besuar se këtij misioni i ka humbur kredibiliteti. Kanë deklaruar zyrtarisht se EULEX-i duhet kryer punën e tij, në të njëjtën kohë i janë gëzuar faktit se praktikisht nuk po arrestohet askush. Por, kërkesa e këtij misioni drejtuar Kuvendit të Kosovës për ta nxjerrë një rezolutë për heqjen e imunitetit tregon se gjërat janë duke lëvizur.
Në të njëjtën kohë me këtë kërkesë mësohet se EULEX-it i duhen duart e lira për të vepruar ndaj atyre që është duke zhvilluar hetime, shumë prej të cilëve janë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), por të mos rrinë të qetë edhe ata të partive të tjera, sepse një fjalë e urtë thotë: “Kur të vjen te fqinjët, prite se të vjen edhe ty te dera”.
Në shtetet tjera demokratike thjesht imuniteti hiqet nëse bie në konflikt me ligjin një zyrtar, i cili përfaqëson votat e popullit, por edhe nëse vetëm hetimet nisin ndaj tij ende pa u dëshmuar fajësia apo e kundërta ata largohen nga pozita që mbajnë.
Ish- ministri i Transportit dhe Post-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, pati thënë në një nga intervistat e tij: “S’kam mundur të jap dorëheqje në fillim se në Kosovë një veprim i tillë merret si dështim”.
Por, në Kosovë gjërat bëhen me paramendim, duke kujtuar se e kaluara futet lehtë “nën urë”. Duke qenë se janë të “zënë” dhe të “shkepur” me shumë punë, shumë hesape duhet të bëjnë, kanë rënë si miza në mjaltë, dhe kanë besuar se janë të paprekshëm. E gjithë kjo skenë politike dhe aktorët e saj nuk janë gjë tjetër pos një grup njerëzish që po veprojnë në hapësirë në të cilën vizuelisht është e lehtë të veprohet e të manipulohet dhe për pasojë ata nisin të mishërohen me skandale.
Gjithçka kalon në normalitet, secili e ka nga një më të fortë në krah sa për të frikësuar të fortin e tjetrit, dhe kanë harruar se dikush është duke i vëzhguar dhe duke mbajtur shënime me shumë vëmendje për secilin prej tyre.
Ndonëse janë profesionalizuar në përvetësime, keqpërdorime, haraçe e banditizma, bile edhe u është dhënë shansi të bëhen ministra, zëvendësministra e deputetë, atyre këto ditë u është dridhur toka nën këmbë. Por, një gjë është shqetësuese, vetë fakti se kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi e ka ditur fare mirë se cilët prej kandidatëve të partisë së tij do të kërkohen nga drejtësia dhe pikërisht ai i ka futur në parlament për t’i bishtnuar drejtësisë.
Këto ditë është mësuar se një pjesë e anëtarëve të grupit parlamentar të partisë më të madhe në vend është duke kaluar “ditë të vështira”, meqenëse heqja e imunitetit të disa ligjvënësve mund të përfundojë me arrestimin e ndonjë bashkëpartiaku të tyre.
Por, do t’iu sugjeroja edhe deputetëve të partive të tjera që të mos ndihen shumë të sigurt, sepse EULEX nuk ka përcaktuar partitë, ata nuk njohin kush është më i forti, por kush është më hajn.
Zëri