Mendime
Shpat Bregu: «Ëndërr» gomari
E shtune, 09.07.2011, 07:59 PM
«Ëndërr» gomari
Nga Shpat Bregu
Gomarin e gjorë e kishte mbërthyer ujku dhe po e coptonte, ndërsa ai mendonte mos është ëndërr.
Edhe këtë, si shumë të tjera anegdota, përralla, etj., na i rrëfente nëna para se të flinim, kur unë ende isha fëmij. Unë, sikur edhe vëllezërit e motrat, kënaqeshim duke qeshur, kur dëgjonim për këtë «ëndërr» të gomarit, por njëkohësisht na vinte edhe shumë keq për të gjorin gomar. Unë mendoja «Eh, sikur ta kishim pasur ne atë gomar, në vend që ta coptonte ujku !»
Jetonim në një fshat malor, në varfëri të skajshme. Sa herë që na duhej të dërgonim një thes misër për ta bluar në mulli, detyroheshim të kërkonim nga një fqinj yni gomarin e tij për shërbim. Gomari për ne kishte një kuptim të veçantë, ai ishte dashuria jonë. Prindërit vuanin shumë që nuk e kishim një gomar, sidomas babai. «Eh, si nuk po mund ta bëjmë edhe ne një ! Do të mund ndonjëherë të dërgoja ndonjë gomar dru në qytet e me parat e fituara do të mund të blija kripë e ndonjë gjë tjetër », ofshante ai. Dhe, për ne fëmijët, gomari bëhej edhe më i dashur. Një fqinj tjetër kishte edhe kuaj, por ne nuk ëndërronim të kishim kuaj, dhe nuk kishim ndonjë dashuri të veçantë për ta.
Kur dikush i drejtohej tjetrit me «Ah, gomari që je!», nuk e dija nëse e fyente apo e lavdëronte. Vetëm në bazë të intonacionit e kuptoja se më tepër ishte fyerje, dhe habitesha pse ishte ashtu, ndërsa më vinte keq, jo për njeriun, por për gomarin. «Pse qenka puna kështu ?! », habitesha unë. Dhe nuk doja të dëgjoja krahasime (fyerje) të tilla. Vonë e pata kuptuar, pse fyhej njeri, kur krahasohej me gomarin.
Meqë fshati ku jetonim ishte një vend malor, siç e ceka edhe më lart, shpeshherë ndodhte të shihnim lart mbi kokat tona të fluturonte ndonjë «orl», siç i thoshim ne atëherë. Më vonë, kur e mësova gjuhën serbe, pra gjuhën e pushtuesit, kuptova se «orl» nga «orao» do të thotë shqiponjë. Dëgjoja të thoshin se «orli», është më i forti nga të gjithë shpendët, dhe se «Delen mund ta rrëmbejë e ta gre lart në qiell». Fluturimi dukej madhështor, por për mua më madhështor e bënte fuqia që kishte. « Eh, sikur të kisha fuqinë e saj (tash e tutje do ta përdor emrin shqip «shqiponjë») dhe të mund të fluturoja si ajo! Do të siguroja ushqime për vete e për familjen », mendoja unë. Megjithatë, kurrë nuk thosha «Sikur të kishim një shqiponjë në shtëpi». Çka do të na hynte në punë ajo?!
Pas disa vjetësh, kur fillova të kuptoj se çka është flamuri dhe si dukej flamuri ynë, dashuria ndaj shqiponjës më shtua. Edhe më shumë kënaqesha kur dëgjoja të thoshin « Shqipëria është vend i shqiponjave », sidomos kur këtë e thoshin të huajt, kënaqesha së tepermi. Më dukej sikur thoshin « Të gjithë shqiptarët janë shqiponja ». Dhe menjëherë më shkonte mendja te ajo fyerja që i bëhej njeriut «Ah, gomari që më je!», kërkoja dallimin në mes dy krahasimeve dhe sigurisht krahasimi me shqiponjën më pëlqente shumë më tepër. Nga atëherë më pati mbetur si mani që, po të ndodhte që dikush nga ne shqiptarët, edhe rastësisht të bënte ndonjë krahasim mes nesh dhe gomarit, pa një pa dy, do ta quaja «antishqiptar». Ndërsa, ndonjë i huaj, që do të merrte guximin të bënte ndonjë krahasim të tillë, për mua do të ishte « armik i përbetuar i popullit tonë ». Ishin kohë, kur megjithë varfërinë e vuajtjet e ndryshme, kishte diçka që na mbante, diçka shqiptare.
Ndërsa sot, ne shqiptarët, kudo që jemi, po kalojmë qaste të rënda ekonomike, politike e morale:
* Sot, gjendja e rëndë ekonomike, për shumkë, është bërë e padurueshme dhe shpëtimi kërkohet diku jashtë, larg atdheut, madje edhe me çmimin e heqjes dorë nga të qenit shqiptar (shembulli më konkret janë shqiptarët që ikin në Greqi).
*Kudo ku jetojnë shqiptarët lulëzon krimi i organizuar i të gjitha llojeve. Vrasjet, si ato për hakmarrje, por edhe ato për shkaqe tepër banale (për një fjalë goje), janë bërë përditshmëri ; Trafikimi me qenje njerëzore, si për prostitucion e për arsye të tjera, është bërë veprimtari e zakonshme dhe shumë fitimprurëse; Rruga e trafikantëve të narkotikëve, doemos çonë gjithandej trojeve shqiptare, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, Maqedoni Perëndimore, Kosovë Lindore e gjetiu. Shqiptarët janë bërë të njohur, madje edhe jashtë Europës, si trafikantë të narkotikëve, madje nga më të njohurit .
*Ndasitë krahinore e fetare janë më të mëdha se kurdoherë. Ne, që dikur krenoheshim me tolerancën fetare, sot jemi në rrezik që, pikërisht për shkak të jotolerancës, të zhbëhemi si komb ; Ekstremistët fetarë, sidomos ata nga radhët e fesë islame, janë bërë kërcnim i përditshëm për kombin tonë. Edhe ndasit krahinore janë më të dukshme se dikur, dhe pikërisht në kohën kur janë krijuar mundësitë të jemi më të bashkuar se kurdoherë tjetër.
*Historia shkruhet sipas dëshirës së dikujt, madje edhe sipas dëshirës së ish-pushtuesve ose pasardhësve të tyre. Tradhtari bëhet atdhetar e atdhetari tradhtar ; Fyhen e përbalten figura të mëdha të historisë e kulturës sonë, me në krye Heroin tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotin, sepse paskan qenë në anën «e gabuar ». Udhëqësit tanë shtetëror, për t’i bërë nder apo më mirë të them, për t’ia plotësuar dëshirat mysafirit nga ish-vendi pushtues, heqin nga muret fotografitë e Gjergj Kastriotit, ose, çka është më keq, marrin pjesë në manifestime, ku madhërohen figuarat e vrasësve të popullit tonë.
*Shqiptarët (kupto : një pjesë e madhe e shqiptarëve), dikur të njohur për besë e mikëpritje, sot janë bërë ndër më të pabesët. Sot shqiptari të vret në shtëpi «në bukën e e vet », siç thuhet, dhe i duket krejt normale; Mikun, që shqiptari dikur e konsideronte të shenjtë, sot e vret për pak interes, madje edhe për interes të të tjerëve (shembujt më të mirë : vrasja e ushtarëve amerikanë në Gjermani nga terroristi A. Uka dhe tentimet për të kryer vepra terroriste nga disa «shqiptarë» në SHBA etj.).
*Dikush hapur deklarohet kundër bashkimit të territoreve shqiptare në një shtet të vetëm edhe nëse na jepet rasti për një bashkim të tillë ; Pra, këta «dikush» deklarohen hapur kundër dëshirës së brezave të tërë për bashkim kombëtar ; Deklarohen hapur kundër luftërave të shumta që u bën për këtë qëllim. Madje, disa nga këta « dikush », për të na goditur edhe më keq, trumbetojnë një farë ideje për krijimin e një kombi të ri, një komb hibrit, një komb të përzier, që nuk do të dihej se çfarë është.
*Ata që do të duhej t’i luftonin këto dukuri të shëmtuara, udhëheqësit shtetëror, nuk e bëjnë këtë, përkundrazi, në shumë raste bëhen bashkëpunëtorë të së keqes, ose, çka është edhe më keq, janë në krye të së keqes. Madje, këta kanë shkuar aq larg sa që edhe pjesë të territoreve kombëtare u falin shteteve fqinje. Pra, e keqja është institucionalizuar.
Si ndodhi, dhe pse ndodhi, kjo përmbysje kaq e madhe?!
Ndryshimet e mëdha, të ashtuquajtura demokratike, që ndodhën, ne shqiptarët na gjetën «të pademokratizuar ». Të mësuar që çdo gjë të organizohet e kontrollohet nga shteti, u gjetëm në një udhëkryq të rrezikshëm. Shteti tashti, as nuk dëshironte, as nuk mundte të bënte diçka të tillë. Njeriu u la në mëshirën e fatit dhe kjo solli anarki. Këto ndryshime krijuan kushte ideale për të gjithë ata që janë kundër nesh, kundër kombit tonë. Pra, ne po na sulmojnë nga çdo anë , po na kafshojnë ujqër, çakej, hiena e korba, dhe, për çudi, dikush, sidomos politikanët tanë udhëheqës shtetëror, na thonë se jemi më mirë se kurdoherë. Dhe kjo më kujton «ëndrrën» e gomarit.
Nga natyra jam shumë sentimental dhe , kjo gjendje e krijuar sot po më bën paksa edhe nostalgjik për disa gjëra nga e kaluara.
Jam nostalgjik edhe për atë jetën e varfër në fshatin e lindjes. Ishte një fshat i bukur i ndarë në dy pjesë nga një përrua. «Te përroi», siç shpreheshim ne, në një vend përskaj tij, ishte një si shesh, ku grumbullohej bagëtia në mesditë, pinte ujë dhe pushonte, « mrizonte », thoshim ne. Aty mblidheshin edhe gomarët e fshatit, të cilët, kur u tekej fillonin veprimtarinë e tyre. Njëri nga ta fillonte pëllitjen e të tjerët i mbanin iso, pastaj fillonin edhe të shkarraviteshin aty në «shesh». Ne i shikononim dhe, si fëmijë që ishim, gajaseshim duke qeshur.
Nga ai fshat, në kërkim të një jete më të mirë qem shpërngulur dhe qem vendosur në një fshat tjetër, nga ku përsësri u shpërngulum dhe u vendosëm në Prishtinë. Me kalimin e kohës pata filluar ta horroj jetën e kaluar atje. Vetëm rrallëherë më kthente mendja në atë kohë dhe më kujtonte edhe vuajtjet edhe kënaqësitë. Pata harruar krejtësisht edhe atë «sheshin» pranë përroit, rrejdhimisht edhe të bëmat e gomarëve. Për çudi, këto ditë, disa ulurima dhe shkarravitje në Qendër të Prishtinës, më kthyen përsëri në atë kohë të fëmijërisë, ma kujtuan «sheshin» ku mrizonin kafshët e ku gomarët bënin lojën e tyre, dhe pa dashur faqeve më rodhën lotët. Thuhet se « Dashuria e parë nuk harrohet » dhe unë, aq shumë e pata dashur gomarin, sa që, po të pyetesha sot,atë do ta shpallja kafshë nacionale të kombit të ri që shpresojmë të krijohet. Sigurisht se, me krijimin e kombit të ri, na duhen edhe simbole të reja, prandaj gomari do të mund të zinte vendin e nderit, në flamurin e ri që do ta kemi. Si kafshë nacionale që do ta kishim, do të duhej të kujdeseshim për shumimin e tyre. Kjo do të ishte një nga detyrat kryesore, jo vetëm për ta mbrojtur nga zhdukja, por do të ishte edhe një zgjidhje e mire për transportin e „hanëve“ tona, të cilat nuk do të dëshironin të ngisnin makinat. Për to do të ishte nder, si «elitë » që do të ishin, nëse, në vend të deveve të preferuara, të cilat më tepër janë kafshë që jetojnë në shkretëtira, për transportin e tyre do të përdornim kafshën tonë nacionale.
Përpara gomarë, le të thotë kushdo çka të dojë!