E merkure, 30.04.2025, 02:26 PM (GMT+1)

Mendime

Amendimet e PDIU ndalojnë regjistrimin me vetëdeklarim dhe fjala e Shpëtim Idrizit në Parlament

E premte, 08.07.2011, 08:51 PM


Qëllimi i PDIU-së për ndalimin e censusit mbi baza etnike dhe fetare arriti një sukses sot, me miratimin e dy nga tre amendamenteve në ligjin për censusin. Amendamentet e propozuara sot nga Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë ndalojnë censusit mbi baza etnike dhe fetare me vetëdeklarim. Edhe në rast se Komisioni Qëndror i Censusit do të vendosi në kundërshtim me vullnetin e shoqërisë shqiptare, që të përfshijë pyetje mbi kombësinë, statistikat që do të rezultojnë nuk do të preken nga abuzimet e mundshme. Kjo pasi amendamentet e PDIU-së detyrojnë INSTAT-in që jo vetëm të hetojë çdo deklaratë për kombësinë, por edhe ti ballafaqojë ato me regjistrin për gjendjen civile. Kështu, nëse dikush gënjen për kombësinë e tij, në pyetësor, jo vetëm që ai do të dënohet me gjobën 100 mijë lekë të reja, por INSTAT do të jetë i detyruar që të përfshijë në statistikat zyrtare të dhënat e sakta, pra ato që gjenden në regjistrin kombëtar të gjendjes civile. Amendamenti i PDIU-së që nuk u miratua nga Kuvendi, ndalonte në mënyrë taksative censusin mbi baza fetare, duke kufizuar mundësinë e pyetjeve të pyetësorit të censusit. Mosmiratimi i këtij amendamenti, që do t'i jepte fund debatit mbi regjistrimin, bëri që PDIU të abstenojë në votim. Gjithsesi suksesi i arritur, duke hequr mundësinë e abuzimit me këtë census, përbën një hap të rëndësishëm në drejtimin e duhur, që është ndalimi i këtij lloj censusi. PDIU do të bëjë çmos që censusi të mos bëhet mbi baza etnike dhe fetare, por kjo është në kompetencë të Komisionit Qëndror të Censusit, mbi të cilin do të ushtrohet presioni i nevojshëm pozitiv që të mos fus pyetje mbi etninë dhe fenë, të cilat në mendimin tonë janë në kundërshtim me interesat e qytetarëve, kombit dhe shtetit shqiptar.

 

_________

 

Fjala e Shpëtim Idrizit në Parlament dhe Amendamentet e shtuara

 

E  nderuara zonja kryetare,

 

Të nderuar deputetë,

 

Projektligji që po diskutojmë sot, synon të rregullojë një moment mjaft të rëndësishëm që lidhet me shtetin, siç është popullsia, element thelbësor i ekzistencës së shtetit.

 

 Në këtë kuptim, ai ka domosdoshmërisht implikime politike, kushtetuese, etj.

 

Në të vërtetë, siç do të mundohem t’ju argumentoj ai është dhe duhet të jetë vetëm një hallkë në një proces kaq të rëndësishëm siç është identifikimi i përbërësve të popullsisë sonë kombëtare.

 

 Procesi identifikues në të vërtetë do duhet të parashikojë dhe ligje dhe akte të tjerë rregullativë, që të konsiderohet i plotë.

 

Para se të hyj në këto momente, më duhet të them diçka që lidhet me nënprocesin që i ka paraprirë diskutimit të këtij ligji që po bëjmë sot.

 

 Për shkak të rëndësisë që ka momenti që synohet të rregullohet me këtë ligj, edhe periudha që i ka paraprirë i miratimit të projektligjit, ka rëndësi të jashtëzakonshme.

 

Më duhet të them me keqardhje se ky proces realisht ka qenë i paqartë, jo transparent, dhe ndonjëherë  provokativ:ka patur batuta joserioze prej ministrit të ngarkuar me këtë  çështje.

 

 Procesi në fjalë duhet të kishte përfshirjen e grupeve të interesit, dhe do të duhej të merrte më seriozisht  vërejtjet e bëra nga intelektualë apo figura të rëndësishme të jetës publike në vend.

 

Thënë këtë, duhet të nënvizoj se dhe ndonjë grup interesi që duhet vlerësuar për iniciativën për t’u përfshirë në këtë proces, mund ta kishte bërë më transparent qëndrimin e vet, dmth ne do duhej ta dinim prej kohësh pozicionin e tij në lidhje me këtë ligj.

 

Dikush këtu, përfshirë dhe titullarin e procesit, do të më thoshte se projektligji që po diskutojmë sot nuk përmban asgjëkundi referenca etnike dhe fetare.

 

 Për këtë shkak, do duhet supozuar- po ndjek logjikën e tij- se dhe reagimet kanë qenë të papërshtatshme. Të shpërpjesëtuara!?

 

Do doja të shtroja pyetjen: nëse do ishte kështu, cila është arsyeja pse zyrtarë të rëndësishëm të qeverisë greke kanë reaguar pa asnjëlloj kompleksi, duke ju imponuar qeverisë shqiptare, që ta kryejë këtë proces duke etiketuar faktorë të shoqërisë sonë, në një mënyrë ose në një tjetër?

 

Përgjigja është se ky projektligj, censusi, që synon të realizohet nëpërmjet tij, megjithë përpjekjet që bëhen prej ideatorit, ka implikime ndërkombëtare.

 

 Dmth, rezultati i censusit, sado me natyrë statistikore të jetë, sado të nënvlerësohet prej propozuesit të këtij ligji, do të prodhonte implikime ndërkombëtare.

 

 Shteti fqinj, apo shtete të tjerë të rajonit e kanë shprehur interesimin për këtë proces, dhe me të drejtë dhe intelektualë të shquar, PDIU-ja, prej kohësh kanë tërhequr vëmendjen në nevojën e një procesi të drejtë, transparent, kushtetues, etj.

 

Më duhet të them se ky projektligj në formën si është paraqitur ka probleme të mëdha të krijuar prej mungesës së qartësisë që i ka paraprirë miratimit të tij, apo shqyrtimit të tij në kuvend. 

 

 Në gjykimin tonë si PDIU, projektligji do duhej t’a sqaronte konceptin e vetëdeklarimit. Nga ndonjë parti që nuk guxon të identifikohet si parti e minoritetit grek, apo ndonjë përfaqsues i këtij minoriteti në mënyrë spekulative flitet për “të drejtë të vetëdeklarimit”, si e drejtë kushtetuese e parashikuar në nenin 20 të Kushtetutës sonë.

 

 Jo të nderuar zotërinj. Ai nen duhet lexuar integralisht. 

 

Në paragrafin e parë ai flet për elementë objektivë të një grupi etnik, apo një pakice.

 

 Pra flet për ato grupe etnike të njohur objektivisht, të vërtetuar shtetërisht se janë të tillë.

 

 Dhe në paragrafin dy të nenit 20 flitet për “shprehjen e lirë të përkatësisë etnike”, si element subjektiv.

 

 Por dhe koncepti “shprehje”, nuk është baraz me vetëdeklarimin e thjeshtë të dikujt në arbitraritet të plotë: unë jam amerikan, apo francez.

 

Shprehje,edhe në fjalorin e gjuhës shqipe, është pasqyrim i diçkaje reale, objektive.

 

Me shpjegimin e këtij koncepti, hyra në atë që është realisht thelbi i vërejtjeve tona për projektligjin në fjalë.

 

Jo subjektivitet, jo arbitraritet i dikujt që për arsye ekonomike dëshiron të deklarohet se i përket një kombësie, apo një tjetre.

 

Për më shumë  nuk mund të legjitimojmë deklarimin subjektiv, apo arbitrar, para dikujt, një personi sidokudo të trajnuar prej INSTAT-it, dhe jo para autoritetit të gjendjes civile që mban përgjegjësi ligjore për deklarime të rreme apo pranim deklarimesh të rreme.

 

Ne mund ta pranojmë se regjistrimi civil ka probleme saktësie për shkak se shumë njerëz në kohën e regjimit të Enver Hoxhës, nuk kanë patur kurajë të deklarojnë origjinën e tyre etnike dhe aq më tepër fetare.

 

 Por sot të gjithë e pranojnë se kjo frikë nuk duhet të ekzistojë.

 

 Atëherë regjistrimi i vërtetë duhet të kryhet tek autoriteti i gjendjes civile.

 

 Faktet e deklaruara dhe të vërtetuara prej tij i mbesin të vërtetës.

 

Ne duam të objektivizojmë procesin. Për këtë arsye, ne kërkojmë:

 

1.Miratimin e këtij ligji me amendamentet që ne paraqesim.

 

2. Transparencë të procesit në hallkën tjetër të tij- puna e Komisionit Qendror të Regjistrimit.

 

3. Miratimin e një ligji tjetër që përcakton se ç’është “përkatësia etnike”, apo kombësia, apo etnia.

 

 Ne s’mund të përdorim një koncept si përkatësia etnike, kombësia apo etnia, që realisht është status prej të cilit rrjedhin të drejta, pa e përkufizuar juridikisht këtë koncept.

 

 E di që sot bota e ka të vështirë të arrijë në një përkufizim universalisht të pranuar të konceptit të përkatësisë etnike, por ne mund të arrijmë në një përkufizim konsensual të këtij koncepti.

 

Për të gjitha këto momente ne kërkojmë një interpelancë të ministrit të ngarkuar me procesin e censusit.

 

Ne duam ta bëjmë kushtetues procesin.

 

Për të gjithë këto arsye, amendamentet tona,  puna e Komisionit Qendror të regjistrimit, një ligj eventual mbi përkatësinë etnike apo kombësinë- nëse doni shkojmë e marrim modelin grek të Ligjit të kombësisë që është miratuar vetëm në vitin 2001,-synojnë dhe duhet të synojnë kah përputhja e bazës ligjore me Kushtetutën.

 

Më konkretisht ne duhet të përputhim ligjin në fjalë apo dhe ligjet e tjera të korpusit që ne propozojmë me këto nene të Kushtetutës:

 

me nenin 3, pjesë e parimeve themelore mbi nevojën e ruajtjes së bashkëjetesës fetare dhe asaj me pakicat;

 

me nenin 10 që sanksionon laicitetin e shtetit dhe pavarësinë e komuniteteve fetare nga shteti;

 

me nenin 20 që sanksionon të drejtat e pakicave objektivisht të pranuara si të tilla për të zhvilluar identitetin e vet;

 

me nenin 24, paragrafi 3, që ndalon detyrimin e dikujt për të bërë publik besimin e tij,

 

etj.

 

A e shikoni të nderuar deputetë, sesa delikat është miratimi i një ligji të tillë, dhe pse ne nuk duhet të ngutemi në procese të cilat në fund të fundit kërcënojnë në afat të gjatë dhe unitaritetin e shtetit, një parim i rëndësishëm kushtetues ky, i parashikuar në nenin 1?

 

Të nderuar deputetë,

 

Procesi i regjistrimit të popullsisë, apo i censusit, ta quajmë si të duam, është funksion i kohës dhe i hapësirës.

 

 Në kohë të ndryshme kur popuj të caktuar i nënshtrohen proceseve të caktuar historikë, zhvillohen procese sipas parimesh të ndryshëm.

 

 Tjetër është procesi i 1989, tjetër i 2001, tjetër ky i 2011.

 

Në hapësira të ndryshme gjeografike kemi parime të ndryshme të zhvillimit të procesit.

 

 Ndryshe e zhvillojnë vende lindore që vijnë prej prishjes së federatave, ndryshe vende që mbeten federata, ndryshe vende që janë monoetnikë. Ky është shkaku pse sot nuk kemi parime të njëjta të procesit të regjistrimit, i cili është zhvilluar dhe zhvillohet ndryshe në kohë të ndryshme dhe në vende të ndryshme.

 

 Ne s’mund të ndjekim modele të papërshtatshëm vendesh multietnike dhe multifetare.

 

 Ne thjesht duhet në përputhje me parimet universale- e përsëris- universale, të mbrojmë interesin tonë kombëtar.

 

 Është spekulim dhe i ashquajturi detyrim evropian për procesin e regjistrimit.

 

 Nuk ka asnjë detyrim, nuk ka asnjë fjali që të mund të na imponojë ne për artifice që do të na krijonin probleme të mëdha, sot dhe nesër.

 

Relacion

 

Për amendamentet e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8669, datë 26.10.2000 “Për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë dhe banesave”, të ndryshuar”

 

Amendamentet e propozuara për projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8669, datë 26.10.2000 “Për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë dhe banesave”, të ndryshuar” (më poshtë projektligji) kanë për qëllim përmirësimin e kuadrit ligjor që rregullon zhvillimin e regjistrimit të popullsisë, që zhvillohet në bazë të ligjit “Për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë dhe banesave”, të ndryshuar” (më poshtë ligji), si dhe shmangien e mundësive të abuzimit me këtë regjistrim.

 

Amendamenti i parë kërkon riformulimin e nenit 4 të projektligjit, i cili ndryshon nenin 4 të ligjit.

 

Ligji në fuqi në nenin 4 përcakton detyrimin për t’u përgjigjur, duke e përkufizuar:

 

“Të gjithë shtetasit, shqiptarë dhe të huaj, me përjashtim të personelit diplomatik të akredituar në Shqipëri, të cilët në çastin e regjistrimit ndodhen brenda territorit të Republikës, janë të detyruar të japin saktësisht të dhënat e kërkuara për regjistrimin, për vete dhe për të afërmit e tyre.”

 

Projektligji i paraqitur nga Këshilli i Ministrave ndryshon këtë nen, duke riformuluar tekstin si më poshtë:

 

“Të gjithë personat, me shtetësi shqiptare apo të huaj, si dhe personat pa shtetësi, me përjashtim të personelit diplomatik të akredituar në Shqipëri, të cilët në momentin e censusit ndodhen brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, janë të detyruar të japin informacionin të përcaktuar si të detyrueshëm në pyet?sorët e censusit të popullsisë dhe t? banesave të miratuar nga Komisioni Qendror i Censusit, në përputhje me shkronj?n “e” t? nenit 12, t? këtij ligji:

 

a)                  në mënyrë të plotë;

b)                  në mënyrë të saktë dhe të besueshme.”

  

Riformulimi i tekstit sjell dy veçori, së pari shton në kategorinë e personave që janë të detyruar për t’u përgjigjur edhe personat pa shtetësi, si edhe e kufizon këtë detyrim vetëm për pyetjet që janë të përcaktuara si të detyrueshme në pyetësorët e censusit, sipas formulimit se personat në fjalë “janë të detyruar të japin informacionin të përcaktuar si të detyrueshëm në pyet?sorët e censusit të popullsisë”.

 

Në këndvështrimin e propozuesve të amendamenteve, pjesa e parë e riformulimit të nenit, në lidhje me shtimin e personave pa shtetësi në kategorinë e personave që janë të detyruar për t’u përgjigjur, qëndron.

 

Pjesa e dytë e riformulimit, që kufizon detyrimin për t’u përgjigjur “në mënyrë të plotë” dhe “në mënyrë të saktë dhe të besueshme” vetëm te pyetjet e përcaktuara “si të detyruara” nuk qëndron. Pavarësisht nëse pyetjet janë të detyrueshme, apo fakultative, detyrimi për t’u përgjigjur përbën një parim thelbësor të censusit të popullsisë dhe të frymës së ligjit në fuqi, sikurse dhe të projektligjit. Është pikërisht kjo arsye, pse pyetjet fakultative, kanë si mundësi përgjigjeje “nuk preferoj të përgjigjem”. Nëse pyetjet fakultative nuk do të ishin pjesë e dispozitës së detyrimit të përgjigjes, atëherë mundësia e përgjigjes “nuk preferoj të përgjigjem” do të ishte non-sens. Detyrimi për t’u përgjigjur nuk qëndron në faktin se cila është përgjigja e dhënë nga personi i pyetur, e cila mund të jetë edhe “nuk preferoj të përgjigjem”, por në faktin se ai e ka shprehur mendimin, besimin, përshtypjen apo faktin për të cilin pyetet.

 

Për më tepër, në rastin se pyetja fakultative, i kërkon individit një fakt objektiv, dhe jo një mendim, përshtypje apo besim, ky fakt objektiv duhet të jetë i shprehur “në mënyrë të plotë” dhe “në mënyrë të saktë dhe të besueshme”, në mënyrë që statistikat që do të prodhohen të jenë të besueshme. Formulimi i projektligjit bie ndesh me nenin 1 të ligjit, që përbën edhe “Qëllimin e regjistrimit”, që përcakton se regjistrimi synon të ofrojë “të dhëna të besueshme statistikore”.

 

Gjithashtu, mosdhënia e një përgjigjeje nga ana e të pyeturit dhe lënia bosh e pyetjeve fakultative të pyetësorit, krijon mundësinë e abuzimit me përgjigjen e tij nga personat që marrin pjesë në proces. Mungesa e një përgjigjeje të shprehur nga personi i pyetur, qoftë duke iu përgjigjur thelbit të pyetjes, apo duke iu përgjigjur me anë të opsionit “nuk preferoj të përgjigjem”, krijon hapësirë që mbi këtë pyetje të shënohet një përgjigje që nuk respekton mendimin, vullnetin, apo faktin e të pyeturit. Kështu, detyrimi për t’iu përgjigjur pyetjes përbën një mbrojtje e sistemit të censusit.

 

Amendamenti i propozuar konkretisht përcakton:

 

“Të gjithë personat, me shtetësi shqiptare apo të huaj, si dhe personat pa shtetësi, me përjashtim të personelit diplomatik të akredituar në Shqipëri, të cilët në momentin e censusit ndodhen brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, janë të detyruar të japin informacionin e kërkuar në pyet?sorët e censusit të popullsisë dhe t? banesave të miratuar nga Komisioni Qendror i Censusit, në përputhje me shkronj?n “e” t? nenit 12, t? këtij ligji:

 

a)      në mënyrë të plotë;

 

b)      në mënyrë të saktë dhe të besueshme.”

 

Ky formulim, përfshin personat pa shtetësi, si pjesë e detyrimit për t’u përgjigjur dhe nga ana tjetër adreson edhe çështjen e detyrimit për t’u përgjigjur në të gjithë pyetësorin e censusit. Me anë të formulimit se personat “janë të detyruar të japin informacionin e kërkuar” shmanget mundësia e keqkuptimit se personat janë të detyruar t’i përgjigjen thelbit të pyetjes, dhe mundësohet që ata të shënojnë mundësinë e përgjigjes “nuk preferoj të përgjigjem”. Kjo plotëson për ta detyrimin ligjor që të japin “informacionin e kërkuar” teksa vetë mundësia e mos-përgjigjes është e dhënë si opsion në formular. Përzgjedhja e mundësisë “nuk preferoj të përgjigjem” në vetvete është një përgjigje “në mënyrë të plotë” ndaj pyetjes, teksa ajo përbën një mundësi përgjigjeje dhe është “në mënyrë të saktë dhe e besueshme”, teksa ajo i përgjigjet pyetjes me një fakt subjektiv, të mundësuar paraprakisht si opsion. Në këtë mënyrë, ky formulim ruan karakterin e pyetjes si pyetje fakultative, duke adresuar edhe detyrimin e përgjigjes.

 

Gjithashtu, formulimi në fjalë bën personin që do të përgjigjet, që nëse nuk përzgjedh opsionin “nuk preferoj të përgjigjem”, por i adresohet thelbit të pyetjes, të detyrohet të japë një përgjigje të plotë, të saktë dhe të besueshme, për aq sa pyetja fakultative është një fakt objektiv. Kjo mundëson që statistikat e përpunuara nga censusi i popullsisë, të jenë në përputhje me “qëllimin e regjistrimit” që përbën nenin 1 të ligjit.

 

Amendamenti i dytë kërkon riformulimin e nenit 6 të projektligjit, i cili ndryshon nenin 8 të ligjit.

 

Ligji në fuqi në nenin 8 përcakton kategorizimin e të dhënave të mbledhura, si më poshtë:

 

“Të dhënat e mbledhura gjatë regjistrimit ndahen në dy kategori: a) Të dhënat individuale, identifikuese të personave që janë: emri atësia, mbiemri, adresa dhe identifikuesit topografikë. b) Të dhënat strukturore për karakteristikat e ndërtesave, të banesave, grupeve të personave që jetojnë së bashku, si dhe të individëve, të kërkuara për qëllime vetëm statistikore, në përputhje me udhëzimet ndërkombëtare.”

 

Projektligji i paraqitur nga Këshilli i Ministrave ndryshon këtë nen, duke riformuluar tekstin si më poshtë:

 

“1. Të dhënat e mbledhura nga censusi kategorizohen në:

 

a)      identifikuese dhe personale të individëve;

 

b)  identifikuese dhe strukturore të ndërtesave, banesave, banesave të jetesës kolektive.

 

2. Të dhënat e mbledhura nga censusi do të përdoren vetëm për qëllime statistikore, në përputhje me ligjin nr.9180, datë 5.2.2004, “Për statistikat zyrtare”, dhe me standardet e rekomandimet ndërkombëtare.

 

3. Të dhënat e mbledhura nga censusi nuk do të përdoren për asnjë listë elektorale ose për p?rdit?simin e asnjë regjistri të gjendjes civile dhe të asnjë regjistri tjetër administrativ.”

  

Ndryshimi i këtij neni sjell këto veçori: së pari, heq nga kategoria e parë se cilat janë të dhënat identifikuese të personave dhe shton termit “të dhëna personale”, duke e zhvendosur nga kategoria e dytë, ku mbeten vetëm të dhënat e ndërtesave, banesave dhe banesave kolektive. Së dyti, shton pikën 2 dhe 3 të nenit, mbi qëllimin dhe përdorimin e të dhënave.

 

Pikat 2 dhe 3 të nenit janë korrekte në këndvështrimin e propozuesve të amendamentit. Ndarja në dy kategori bie ndesh me ligjin në fuqi si edhe vetë projektligjin. Në nenin 7 të projektligjit që amendon nenin 9 të ligjit, pika 5 parashikon se “INSTAT-i, pasi të ketë marrë masat e duhura për të siguruar saktësinë dhe q?ndrueshmërinë e të dhënave, i bën ato anonime, pas fshirjes nga dosjet elektronike të çdo elementi identifikues, të përcaktuar në  shkronj?n “a”, t? pik?s 1, t? nenit 8, t? këtij ligji.”

 

Mospërcaktimi i elementëve “identifikues” në “shkronj?n “a”, t? pik?s 1, t? nenit 8, t? këtij ligji” krijon boshllëk ligjor, që mund të sjellë shkeljen e nenit 9 të ligjit që ka të bëjë me “mbrojtjen e të dhënave dhe sekretin profesional”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx