E premte, 19.04.2024, 10:04 PM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Aleanca e çuditshme e analistëve, për regjistrimin etnik dhe fetar të popullsisë...

E merkure, 06.07.2011, 08:00 PM


Aleanca e çuditshme e analistëve, për regjistrimin etnik dhe fetar të popullsisë, nga Panajot Barka tek Olsi Jazexhi, me Artan Fugën në mes

 

Nga Kastriot MYFTARAJ

 

Një aleancë e çuditshme është krijuar në mes të një grupi analistësh të medias,  gazetave dhe televizioneve, të cilët që janë bërë avokatët e regjistrimit etnik dhe fetar të popullsisë. Në këtë aleancë të analistëve, janë bashkuar njerëz të cilët duket se nuk kanë asgjë të përbashkët mes tyre, që nga Fatos Lubonja tek Olsi Jazexhi, që nga Artan Fuga tek Stavri Marko, që nga Monika Stafa (Shoshori) tek Panajot Barka, që nga Mentor Kikia tek Mentor Nazarko, nga Ermal Hasimja tek Eduard Zaloshnja. Kjo aleancë e çuditshme në mbështetje të një procesi për të cilin janë të gjitha gjasat se do të degradojë nga një proces i rëndomtë administrativ, në një agresion tejet destruktiv kundër kombit shqiptar, të ndërmarrë nga shtetet përreth, jo vetëm nga qarqet nacionaliste, siç thuhet në përgjithësi, është tejet kompromentuese, dhe i bën argumentet e tyre të vetëasgjesueshme. Shenjat më të qarta paraprake të degradimit të procesit të regjistrimit të popullsisë, na vijnë nga vetë avokatët e tij mediatikë, të llojit që përmenda më lart. Kur profesor doktor Artan Fuga, mësimdhënës në një universitet parizian, njëkohësisht edhe shef i Departamentit të Gazetarisë, në Universitetin Publik të Tiranës, flet, ashtu siç bëri para disa kohësh në emisionin “Zonë e Lirë”, në Vizion Plus se, ndonëse e ka dëgjuar shumë herë argumentin se regjistrim etnik dhe fetar të popullsisë nuk kanë bërë vende të Bashkimit Europian, si Franca apo Greqia, ai nuk është dakord me të, se vendet e Bashkimit Europian na thënkan që jeni ju që po na kërkoni ne të anëtarësoheni në BE, dhe jo ne që po kërkojmë diçka nga ju, atëherë profesor Fugës nuk mund të mos i thuash:I dashur profesor, çfarë të shtyu të hysh deri në fyt në këtë moçal pseudointelektual, të gjetjes së argumenteve pro regjistrimit etnik dhe fetar? I dashur profesor, përderisa fute dorën në “moçal” nuk mund të nxirrje veçse ndonjë “bretkosë” dhe argumenti që na solle është i tillë. Se tani, mor i dashur filozof Fuga, jeni i detyruar që t’ i përgjigjeni pyetjes se a janë vërtet standarde, apo diçka tjetër, këto që i kërkohen një vendi që aspiron të hyjë në BE, kur ato nuk nuk zbatohen nga vende të rëndësishme të BE? Është e qartë se këtu nuk bëhet fjalë për standarde. “Standard”, nga vetë fjala, do të thotë se vlen për të gjithë. Profesor Fuga e di mirë se Franca nuk e bën regjistrimin etnik dhe fetar të popullsisë, jo se ka frikë se shtetet fqinje mund t’ ua blenë identitetin francezëve, por se ka frikë se shumë qytetarë francezë, do të deklarohen gjermanë (Alzasë Lorenë), italianë (Korsikë, Nisë), baskë (jugperëndim), katalonjas (jug) etj. Pra, Franca nuk e kryen regjistrimin etno-fetar, jo se ka frikë se mos deformohet procesi, por se ka frikë të zbatojë standardet europiane. E njëjta gjë vlen edhe për Greqinë. Kur drejtuesi i emisionit, Arian Çani, e pyeti profesor Fugën, se çfarë do të ndodhë nëse në Shqipëri pas regjistrimit dalin 500 mijë grekë, ai tha se nuk e dinte dhe nuk bënte parashikime. Por analisti, o z. profesor, është pikërisht për të bërë parashikime. P.sh., unë nuk hezitoj që të bëj parashikimin se çfarë do të bëjë Fuga nëse bëhet regjistrimi etnik dhe fetar i popullsisë, që synon ta shndërrojë Shqipërinë në një Bosnjë-Herzegovinë të re. Profesor Fuga do të rrijë në shtëpinë e vet në Paris, ulur në divan, duke parë në televizor se si Shqipëria ka hyrë në një luftë civile për shkak të rezultateve të regjistrimit të popullsisë. Në të njëjtin emision, Ermal Hasimja, përsëriti për të kushedisatën herë nëpër ekrane, atë që i duket si një ide shumë e mençur, se duke kundërshtuar regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare, ne del se nuk paskemi kaq besim te shqiptarët, duke pasur frikë se do ta shesin për 300 euro identitetin. Ermali bën mirë që t’ ju thotë shqiptarëve se kjo ide atij i ka ardhur qëkurse është bërë rrogtar i grekut Kostandin Xhakumis, rektorit të së ashtuquajturit Universiteti i New York në Tiranë, i cili në fakt është një shkollë greko-amerikane. Ky Kostandini i Ermalit ka qenë mësues në një shkollë fillore greke në Britaninë e Madhe dhe prej andej e sollën në Tiranë si rektor. Kjo duket si e pabesueshme për lexuesin, por ata që e njohin Kostën e dinë mirë se kjo është e vërtetë.Mbrojtësit e regjistrimit etnik dhe fetar të popullsisë, pavarësisht nga argumentet e kundërta që sjellin, të gjithë bashkohen në një pikë, duke i ironizuar kundërshtarët e regjistrimit me një argument që ata e mendojnë si asgjësues. Pak a shumë, të gjithë ata thonë se tekefundit nuk paskemi ne besim tek shqiptarët, se në këtë proces do të deklarohen shqiptarë dhe jo grekë, bullgarë, serbë, duke shitur identitetin e tyre nacional! Nënteksti është se kështu kritikët e regjistrimit po pohojnë tërthorazi se nuk ekziston kombi shqiptar, dhe këtë fakt duan që ta fshehin, duke mos lejuar kryerjen e regjistrimit të popullsisë mbi bazë etnike dhe fetare.Kështu, mbrojtësit e regjistrimit të popullsisë duan që t’ ua kthejnë në boomerang të gjitha argumentet e tyre, kritikëve të regjistrimit të popullsisë. Në të vërtetë, kjo logjikë e mbrojtësve të regjistrimit të popullsisë nuk bën gjë tjetër veçse zbulon prapamendimin e tyre për shpërbërjen artificiale të kombit shqiptar, të cilën e presin me padurim që të ndodhë nëpërmjet regjistrimit të popullsisë. Kundërpyetja asgjësuese për mbështetësit e regjistrimit të popullsisë mbi bazë etnike dhe fetare është se, përse vendet përreth Shqipërisë, posaçërisht Greqia, nuk kanë besim tek bashkëkombasit e tyre të supozuar të cilët jetojnë në Shqipëri, të cilëve supozohet t’ u jetë mohuar kombësia deri më tash, saqë kërkojnë që ta përforcojnë shprehjen e lirë të të identitetit grek të tyre me pagimin e pensioneve të cilat janë disa herë më të mëdha se ato që paguhen në Shqipëri, dhe që në fakt janë rroga edhe për fëmijët e tyre? A nuk është më e besueshme të thuhet se Greqia, Bullgaria, Serbia, duke qenë të bindura në ekzistencën e kombit shqiptar, kërkojnë që ta shpërbëjnë atë artificialisht me anë të atij që mund të quhet trafiku i identitetit, dhe që në analizë të fundit është një aspekt i trafikut të qenieve njerëzore.Nga të gjitha vendet që kanë bërë regjistrim etnik dhe fetar të popullsisë, nuk ka asnjë shembull që ndonjëri të ketë kryer një proces të tillë duke u ndodhur në trysninë e vendeve fqinje më të pasura, të cilat investojnë që ta manipulojnë procesin. I vetmi vend që do ta eksperimentojë këtë gjë është Shqipëria. Dhe ironia është se vendi më i interesuar dhe që ka investuar më shumë për të deformuar procesin në Shqipëri, Greqia, nuk kryen vetë një regjistrim të popullsisë mbi bazë etike dhe fetare, ndonëse është disa herë më e pasur se të gjitha vendet fqinje, që mund të jenë të interesuara për ta influencuar procesin në Greqi? Derisa Shqipëria ndodhet nën kërcënimin real që vende më të pasura se ajo si Greqia, Serbia, Bullgaria të investojnë për të deformuar procesin e regjistrimit, Greqia nuk e ka pasur këtë kërcënim. As Shqipëria, as Maqedonia, as Bullgaria, as Turqia nuk kanë qenë dhe nuk janë më të pasura se Greqia. Greqia nuk guxoi që të bënte një regjistrim të popullsisë mbi bazë etnike dhe fetare, as kur grekët jetonin si në Eldorado, falë borxheve që kishin marrë qeveritë greke. Kjo tregon se qeveritë greke kanë pasur një mosbesim të thellë tek qytetarët e tyre. Kështu që sot për sot ne shqiptarët mund të kënaqemi duke thënë se kombi shqiptar është më real se kombi grek, pasiqë, nëse Shqipëria do të kishte qenë me vendet fqinje në atë raport mirëqenieje që është Greqia me to, ne nuk do të kishim asnjë hezitim që ta kryenim regjistrimin e popullsisë mbi bazë etnike dhe fetare.Kështu do të evitohen viktimat e trafikut të identitetit, si Stavri Marko. Ky njeri me origjinë nga një familje himariote nacionaliste shqiptare, pati fatin që për shumë vite të kishte në dorë mikrofonin e korrespondentit të BBC në Shqip për Vlorën. Sa kohë që Stavri merrte një rrogë nga BBC nuk bëri deklarimin e lirë të kombësisë e të thoshte se ishte grek. Kur humbi rrogën në BBC, atëherë filloi të thotë se ishte grek. Një viktimë e trafikut të identiteti pra.Sa për argumentin se regjistrimi i popullsisë mbi baza etnike dhe fetare është një standard europian, të cilin Shqipëria është e detyruar që ta përmbushë, përgjigjia është e thjeshtë. Përmbushja e standardeve europiane është një proces me detyrime të dyanshme, një gjë kjo që Shqipëria nuk e praktikon, por që fqinjët tanë e njohin dhe e përdorin rregullisht. Kur shikon listën e vendeve europiane që kanë bërë regjistrimin etnik dhe fetar të popullsisë, konstaton se në asnjë rast nuk ka ndodhur që një vend të ketë lejuar që të përfitojë një minoritet i cili i përket një kombi, shteti i të cilit nuk e ka kryer, apo nuk ka planifikuar që të kryejë një regjistrim, ku të përfitojë dhe minoriteti i kombit të vendit tjetër. Shkurt, Shqipëria nuk mund të lejojë që të shënohet fjala grek në regjistrim, përderisa Greqia nuk kryen një regjistrim të tillë. Në çdo rast, para se Shqipëria ta përmbushë këtë standard të supozuar europian, regjistrimin etno-fetar, Europa ka detyrimin që të garantojë se procesi nuk do të deformohet nga vendet fqinje, nga të cilat dy janë anëtare të Bashkimit Europian, Greqia dhe Bullgaria. Provat e deformimit paraprak të procesit janë evidente dhe të pamohueshme. Kështu, mjaft që të bëhet një hetim i thjeshtë për të parë se në sa rast shqiptarët kanë marrë lejen e qëndrimit në Greqi para se të marrin fenë ortodokse të ritit grek (ka shumë rëndësi saktësimi, jo thjesht fenë ortodokse), si dhe para se të deklarohen si grekë etnikë? Përderisa në të gjitha rastet, çka nuk është e vështirë që të evidentohet, më parë është bërë pagëzimi në fenë ortodokse të ritit grek, si dhe deklarimi si grek etnik, dhe pastaj është marrë leja e qëndrimit në Greqi, atëherë çdo gjë është e qartë. E njëjta gjë vlen edhe për ata shtetas shqiptarë të cilët janë pajisur me pasaporta bullgare, për të përfituar lëvizjen e lirë me hyrjen e Bullgarisë në Bashkimin Europian.Pagimi i pensioneve për shtetasit shqiptarë, me kombësi shqiptare, të deklaruar si grekë dhe bullgarë është bërë kryesisht me para të dhëna nga ana e Bashkimi Europian, të cilat para janë keqpërdorur nga qeveritë e këtyre vendeve në dobi të agjendës së tyre nacionaliste. Bashkimi Europian nuk mund t’ i ikë përgjegjësisë për këtë gjë. Prandaj Bashkimi Europian ka detyrimin që të ndërmarrë një hetim të thellë për keqpërdorimin e fondeve të tij, për atë që mund të quhet trafiku i identitetit, një lloj trafiku i ri kriminal në Ballkan ky. Vetëm pasi të jetë kryer ky hetim, të jenë evidentuar keqpërdorimet e fondeve të Bashkimit Europian në këtë lloj trafiku, të jenë dhënë garancitë nga Bashkimi Europian se procesi nuk rrezikohet nga deformime të tilla, atëherë mund të kryhet regjistrimi i popullsisë mbi bazë etnike dhe fetare.Ndryshe rrezikojmë që të bëhemi dëshmitarë të shpërbërjes artificiale të kombit shqiptar. Se, nëse Greqia dhe vendet e tjera përreth deri më tash kanë bërë X-investime për të deformuar procesin e regjistrimit të popullsisë, në momentin që do të nisë regjistrimi do ta shumëfishojnë këtë investim, dhe ne do të bëhemi dëshmitarë që në muajin para regjistrimit do të paguhen e premtohen pensione në shuma kolosale. Natyrisht se të nesërmen e deklarimit asnjë nga shtetet përreth nuk do të ketë interes që të vazhdojë të paguajë, se do të ketë marrë statistikat që dëshiron. Kështu që pas tragjedisë do të jemi dëshmitarë të komedisë, kur media, televizionet e gazetat do të mbushen me të penduar, të cilët do të ankohen se i mashtruan trafikantët e identitetit dhe nuk po i paguajnë më. Por sikur kjo histori të mbyllej si komedi do të ishte gjysma e së keqes. Në fakt, ajo me shumë gjasë do të rezultojë një tragjedi me disa akte, me ndonjë skenë komike në mes. Se nesër mbi bazën e atyre statistikave të rreme do të kërkohet një “Plan Ahtisaari” për Shqipërinë, një version i EULEX në Shqipëri e kështu me rradhë.Ndër analistët e kolonës së pestë të regjistrimit etnik dhe fetar të popullsisë, të tillë si Artan Fuga, Mentor Nazarko, Fatos Lubonja, nuk mund të mos pyesin se përse gjenden në shoqërinë e Panajot Barkës dhe Olsi Jazexhiut? Se Panajot Barka sigurisht që nuk e kërkon regjistrimin etnik dhe fetar të popullsisë që të mund të shprehin identitetin minoritarët realë grekë, por që të regjistrohen si grekë produktet e trafikut të identitetit të realizuar falë investimeve greke gjatë këtyre 20 vjetëve. Por Fuga, Nazarko dhe Lubonja nuk mund të mos mendojnë se përse në krah të Panajot Barkës dhe atyre vetë, është edhe Olsi Jazexhiu, fundamentalisti islamik më në zë në median shqiptare. Pra, përse krahu më radikal i islamikëve në Shqipëri e kërkon regjistrimin etnik dhe fetar të popullsisë. Kjo qartësisht ndodh për arsye se fundamentalistët islamikë mendojnë se kur Shqipëria të federalizohet si pasojë e deformimimit të procesit të regjistrimit të popullsisë, atëherë bashkësia islame në Shqipëri do të fitojë status shtetformues brenda shtetit federal shqiptar, i cili do të jetë hapi i parë drejt shpërbërjes.Ndër avokatët medialë të regjistrimit etno-fetar të popullsisë, ka disa që shtiren sikur u qajnë hallin romëve dhe thonë se kështu shkelen të drejtat e romëve dhe egjiptianëve, të cilët nuk kanë mundësi që të vetëdeklarohen për identitetin. Në fakt një nga arsyet për të cilat nuk duhet të kryhet tani regjistrimi i popullsisë mbi bazë etnike dhe fetare, është se nga ky regjistrim do të dalë se Shqipëria nuk ka asnjë rom apo egjiptian të vetëm. Të gjithë këta do të vetëdeklarohen “lirisht” grekë dhe serbë!Shtetet përreth kërkojnë që censusi etnik dhe fetar të popullsisë të bëhet me ngut në Shqipëri, se shikojnë rrezikun e humbjes së investimeve të tyre 20-vjeçare. Kjo është arsyeja për të cilën një census i tillë duhet që të shtyhet e pakta 10 vjet dhe të bëhet vetëm pasi Bashkimi Europian t’ i ketë dhënë Shqipërisë ndihma ekonomike në një masë të përafërt me atë të vendeve përreth, që të mos ketë rrezik për trafikun e identitetit.

 



(Vota: 8 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora