E merkure, 30.04.2025, 08:31 PM (GMT+1)

Mendime

Melihate Tërmkolli: Diçka po zihet!

E diele, 03.07.2011, 07:58 PM


Diçka po zihet!

 

Nga Melihate Tërmkolli

 

Këto javë pamë shfaqjen në rrugë të faljes të së premtes, afër xhamisë në Prishtinë, falje që u shndërrua në protestë. Kushdo të kenë qenë ideatorët e kësaj shfaqjeje është e padrejtë dhe e patolerueshme që të keqpërdoren besimtarët në mënyrë të tillë për qëllime qofshin ato edhe më të mirat, siç është kërkesa për xhami

Ka do kohë që në BIK (Bashkësinë Islame të Kosovës) diçka po zihet.

 

Diçka që mund të jetë me pasoja të rrezikshme për shtetin dhe shoqërinë tonë. Thuajse ky vend ka pak probleme dhe tani duhet të ballafaqohet edhe me një tjetër problem që do të shënonte precedent historik, së paku bazuar në ato që kemi mësuar deri tani nga historia për një tolerancë fetare të admirueshme ndër shqiptarët.

 

Ka kohë që po dëgjohen disa plasaritje në këtë fushë e të cilat shpejt mund të marrin karakter të asaj që pakkush do ta donte, mostolerancën fetare. Kemi parë para më se një viti një protestë me kërkesën për përdorimin e mbulesave (shamive) nëpër shkolla për pjesëtaret e besimit islam. Këto javë pamë shfaqjen në rrugë të faljes të së premtes (të xhumasë), afër xhamisë në Prishtinë, falje që u shndërrua në protestë, në njërën prej të cilës pati edhe ndërhyrje të policisë. Kjo u bë, siç transmetuan mediat nga një shoqatë e quajtur “Bashkimi”, e udhëhequr nga z. Fuad Ramiqi, në shenjë proteste pse nuk po ndërtohet një xhami e madhe.

 

Kushdo të kenë qenë ideatorët e kësaj shfaqjeje është e padrejtë dhe e patolerueshme që të keqpërdoren besimtarët në mënyrë të tillë për qëllime qofshin ato edhe më të mirat, siç është kërkesa për xhami. Nuk di çka ka dashur të provojë me këtë Fuad Ramiqi, por e di se të bësh lojë me shenjtërinë e besimit është e padrejtë dhe e palejueshme. Ajo ose do të duhej të ishte falja e xhumasë, ose të ishte protestë, gjë që është krejt e ligjshme sipas normave që parasheh ligji.

 

Kërkesa për xhami në vetvete nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi është shumë e ligjshme, por edhe për këtë janë rregullat se si të arrihet deri në realizimin e kërkesës.

 

Besimi në Zot dhe feja islame nuk kanë asgjë të përbashkët me shfaqjet e këtyre ditëve para xhamisë në Prishtinë. Përndryshe të gjithë fjalët e tjera që po dëgjohen në kohët e fundit janë me elemente të përplasjes ndërfetare. Në veçanti është shumë e dëmshme që kërkesa për xhami të jetë pasojë e faktit pse është ndërtuar katedralja në Prishtinë.

 

Katedralja 

 

Në verën e viti 2005, ishte vënë gur themeli i ndërtimit të Katedrales në Prishtinë nga institucionet më të larta shtetërore e fetare. Kleri katolik kishte bërë të gjitha kërkesat dhe procedurat e nevojshme administrative për ndërtimin e saj. Pati disa mosmarrëveshje, por u tejkaluan. Më shumë se një faltore, katedralja i duhej Kosovës edhe për të promovuar shtetësinë e saj dhe vlerat qytetëruese e kulturore evropiane, të cilat shqiptarët i bartin me shekuj që nga antika e këndej. Aq më tepër katedralja mori emrin e të Lumturueshmes Nënës Tereze, duke i dhënë një dimension universal të së mirës njerëzore.

 

Katedralja është në përfundim e sipër të punimeve dhe besojmë se do të shërbejë për ngritjen dhe avancimin e vlerave shpirtërore, humanitare, kulturore, por edhe kombëtare të vendit dhe popullit tonë.

 

Xhamia

 

A i duhet Prishtinës një xhami më e madhe sesa ato ekzistuese? Sigurisht se po, ani pse ka disa xhami në Prishtinë, të cilat rrallë mbushen, përveç ndonjërës të premteve. Nuk besoj të ketë ndokush ta kontestojë nevojën për një kërkesë të tillë. Por jam e sigurt se shumëkush do ta kontestojë dhe nuk do ta pranojë mënyrën se si po shprehet kjo kërkesë. Politizimi dhe protestat e paligjshme do ta dëmtojnë rëndë kërkesën legjitime, do ta dëmtojnë rëndë imazhin e vendit, tolerancën, e mbi të gjitha do t’i dëmtojnë rëndë interesat e qytetarëve dhe anën shpirtërore të besimtarëve të vërtetë islamë.

 

Që në fillet e saj kjo kërkesë është nisur mbrapsht, me protestë, me zor dhe ç’është më e keqja si pandan Katedrales, që thënë më së buti, sikur shpërfaq një garë se kush është më i forti dhe kush ka këtu më shumë besimtarë. Kjo qasje është tepër e dëmshme në veçanti kur ajo thuhet nga i pari i BIK-ut. Në meshën solemne dhe inauguruese të kërshëndellave të këtij viti z. Naim Tërnava, kryetar i BIK-ut, hiç më pak se në vetë katedralen u shpreh pak a shumë kështu kur doli të përshëndesë të pranishmit se ‘ne duhet që për të treguar tolerancë fetare, përballë katedrales duhet të ndërtojmë një xhami”. Së pari, a duhet ndërtuar xhami sepse është ndërtuar katedralja apo duhet ndërtuar xhami sepse është nevojë e besimtarëve. Besoj se arsyeja do të duhej të ishte kjo e dyta. Është e turpshme për të mos thënë shumë e rrezikshme nëse kërkesa për xhami bëhet për shkak të katedrales. Së dyti a tregohet toleranca nëse patjetër përballë katedrales duhet të ketë xhami. Mendoj që jo.

 

Ka shumë mënyra të tjera për të treguar tolerancën. Në fakt kjo mund të jetë gjithçka, por vetëm jo tolerancë. Përgjegjësia për këto lëvizje nuk bie as mbi shoqatën “Bashkimi”, as mbi ndonjërin zyrtar të BIK-ut që fyen personalitetin e Nënës Terezë, por ajo bie mbi kryesinë e BIK-ut, e në veçanti të kryetarit të saj.

 

Madje nga kleri katolik këto ditë kemi dëgjuar një shprehje shqetësimi për disa zhvillime në fushën e disa veprimeve në emër të fesë, shqetësime që do të duhej të preknin si pushtetarët ashtu edhe qytetarët.

 

Shqiptaria

 

Një nga rilindësit tanë para shumë kohësh pati shkruar: “Mos shikoni kisha e xhamia se feja e shqiptarit është shqiptaria”. Kjo për shumë kohë ka qenë frymëzim për tolerancë fetare, por edhe për aktivitet të shtuar kombëtar edhe nga kleri fetar, sepse me shekuj në veçanti ishte e rrezikuar para së gjithash qenia jonë kombëtare.

 

Fakti se tashmë jemi shtet i pavarur si Kosovë, nuk i jep askujt të drejtë të shkelë mbi vlerat kombëtare një nga të cilat me rëndësi të veçantë është edhe toleranca fetare. Kosova është shtet laik si të gjitha shtetet demokratike duke respektuar besimet fetare dhe bashkësitë fetare.

 

Ani pse kjo po cenohet sot në Kosovë. Sipas disa informacioneve, ministri i Shëndetësisë po mban rite fetare në objektin e ministrisë me gjithë kabinetin e tij. Në një vend të ndërtuar e të konsoliduar demokratik ky ministër do të duhej të shkonte në shtëpi, jo për faktin se ushtron fenë, por për faktin se atë e bën në institucion shtetëror duke shkelur kështu kushtetutën e vendit. Askush nuk ia ndalon ministrit të shkojë të falet në xhami. Ose ministri i Kulturës punën e parë që bën në ministri ia heq portretin e Nënës Tereze?! Dikush mund të ketë harruar mbase se një nga armët më të forta e më të shpeshta që i ka përdorur Serbia në luftën dhe propagandën e saj kundër shqiptarëve ka qenë përpjekja e saj për t’i paraqitur shqiptarët si fundamentalistë islamikë. Ata që mbajnë mend po ashtu. Jo shumë kohë më parë, gjatë kohës së okupimit klasik serb në Kosovë në vitet ‘90, Serbia bashkë me Ambasadën iraniane në Beograd kanë dhënë mjete të mëdha për të rekrutuar në mesin e shqiptarëve pjesëtarë të sekteve të ndryshme fundamentaliste. Serbia madje u përpoq ta cilësonte si të tillë edhe luftën e UÇK duke pretenduar të përfitojë nga Perëndimi. Nuk besoj që është interes yni as kombëtar, as fetar që ta konfirmojmë propagandën serbe, njësoj siç mendoj se nuk është interes që të heqim dorë nga përkatësia fetare ose ushtrimi normal i fesë për shkak të propagandës serbe.

 

Kosova ka kulturën e saj fetare që duhet ta kultivojë e ta çmojë edhe më shumë, qoftë ajo islame apo katolike, duke mos lënë vend që në këtë kulturë të manipulojnë sekte të caktuara të cilat më së paku kanë të bëjnë me vlerat kulturore e shpirtërore. Prandaj thënia e rilindësit tonë do të mund të përkthehej lehtë “shikoni edhe kisha, edhe xhamia, por mos harroni se më e para është shqiptaria”.



(Vota: 9 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx