E enjte, 01.05.2025, 12:19 AM (GMT+1)

Mendime

Lavdrim Lita: Kur qërojmë qepën...

E premte, 01.07.2011, 07:59 PM


Kur qërojmë qepën...

 

Nga Lavdrim Lita

 

Gjysmë shekulli më parë, në datën 1 dhe 2 korrik largoheshin nga kjo botë, me pak orë distancë nga njeri-tjetri dy shkrimtarë të mëdhenj të letërsisë së shekullit të XX-të. Dy shkrimtarë që më të kundërt, por komplementarë nuk mund t’i bënte nëna, Ernest Heminguej dhe Luis-Ferdinant Celine vdesin mes datës 1 dhe 2 korrik të 1961: i pari rrethuar nga lavdia dhe i mbushur me pije rum vetëvritet në fermën e tij, kurse tjetri, i poshtëruar publikisht sepse i përlyer me anti-semitizëm e për rrjedhojë me nazizmin shuhet në një shtëpi në perëndim të Parisit, pasi aty është kthyer në një gjysmë ilegalitet që nga vitin 51, pas një burgosje në Danimarkë.

Sakaq të nesërmen gazetat pasqyruan gjerësisht vetëvrasjen e atij që më mirë se kushdo tjetër arriti të përkthente ekzistencën në një shpejtësi daktilografie, duke mishëruar kështu rrugën amerikane drejt republikës së letërsisë. Heminguej ishte kthyer prej asaj dite një mit. Kurse për Celine pati ndoca reshta telegrafike, të ftohta, dhe ndonjë shkrim biografik që e cilësonte një bishë kolaboracioniste.

Mirëpo fiks 50 vite më vonë, raporti duket se është përmbysur dhe i kundërt: emri i Heminguej është mbyllur në një tingull që duket sikur vjen nga larg, kurse muzika e francezit të papranueshëm duket se është më e pranishme, me “Udhëtim në fund të natës”, apo “Vdekje me kredi”, si një pentagram që luhet me jermin e individit dhe turmës, (në epokën e luftës botërore, kolonializmit, etj), që duket se është tonaliteti i vetëm në gjendje për të pasur një ide rreth çnjerëzores. Shembull për gjendjen çnjerëzore të njeriu është vetë Louis-Ferdinand Destouches, për të gjithë Celine - shkrimtar "gjenial", autor i "Udhëtim në fund të natës", një vepër madhore e shekullit XX. Shkruar në vitin 1932. Në këtë kohë, Celine ishte ende një njeri krejt normal, humanist, etj. Pikëpamjet e tij politike s'ishin gjëkundi. Romani, një mrekulli. Mirëpo, pas ardhjes së nazizmit dhe duhet thënë figurës së Hitlerit, shkrimtari Celine u shndërrua në një kalbësirë morale. U kthye në një antisemit të tërbuar, kolaboracionist, etj. Dhe çfarë erdhi më pas? Erdhi kjo që shkrimet e tij u mbushën me sharje dhe pështyma, me racizma dhe antisemitizma që studiohen për efekte të ideologjisë mbi njeriun. Sidoqoftë për të bërë pak aktualitet mund të marrim rastin e shpërthimit me vonesë të shkrimtarit Fatos Kongoli, që në romanin e fundit "Iluzione në sirtar. Pothuajse roman për vetveten" thotë se jam përlyer në dënimin e një kolegu në vitin 1981, dhe s’mund të jem i larë. Këtë njeri të butë dhe të sinqertë për nga natyra e brente pak nga pak brenga e një firme, të marrë në kushte psikologjike aspak natyrore, kundër Hysenil Dumes, një kolegu në kombinatin letrar 8 nëntori. Sigurisht më mirë vonë se kurrë pranimi i fajit, ose mospajtimi me një gjest që i ka kushtuar heqje lirie dikujt duhet respektuar. Fatos Kongoli ka shkruar shumë dhe jo keq një pjesë të romaneve të tij. Shkrimtarët nuk mund të mbajnë pesha të rënda emocionale për gjithë jetën. Tentoi ta bënte agjentja Shigjeta, por humbi toruan sepse e keqja është degraduese. E pathëna nuk ekziston për njerëzit e letrave. Shih për shembull rastin e nobelistit Gunter Gras, i cili pas 60 vitesh deklaron se kur ishte 17 vjeç, ishte vullnetar ne famëkeqin “SS”. Pastaj është rasti i heshtjes së Milan Kunderës. Historia është kështu: Kundera njeh një Miroslav Dlask. E dashura e këtij të fundit quhet Eva Militka. Dhe është kjo Eva që e kishte të njohur fatkeqin në fjalë, Dvoracek. Kush ka spiunuar në këtë rast? Eva ka takuar Dvoracekun (i arratisur në Gjermani dhe i futur ilegalisht në Çeki). I dashuri i Evës (Dlask), duke pasur frikë se mos e ha e dashura, shkon dhe i tregon Kunderës që e dashura e tij ka takuar zotërinë në fjalë. E ç’bën Kundera? Me vrap e në polici. Dhe miku kapet pa një pa dy. Prokurori kërkon dënim me vdekje. Gjykata vendos 22 vjet burg. I dënuari bën 14 vjet punë të detyruar në një minierë uraniumi. Dlask ka vdekur. I vetmi që e di të vërtetën është Kundera.

Mirëpo përpos faktit që Kundera ka përgjegjësi të paktën morale, na del edhe një fakt tjetër. Sipas Suddeutsche Zeitung, ky Dvoracek kishte qenë edhe agjent i shërbimit çek para 1947, domethënë para se ta merrnin komunistët regjimin, domethënë ka qenë tip desanti. Aty thuhet se shoku i Kunderës kishte rënë në dashuri me këtë vajzën, Dvoracek ndërkohë donte të rrinte me këtë vajzën se nuk kishte ku të flinte, atëherë Kundera për t’i bërë favor mikut të tij, iku dhe e tradhtoi. Ka qenë 20 vjeç. Po kështu, përpos faktit që Kongoli ka apo s’ka përgjegjësi morale, analiza koklavitet me Hysenil Dumen, pasionin e tij të parë për regjimin, apo shndërrimin e tij në viktimë vetëm pasi shkoi në Itali për të takuar të motrën, dhe më pas vijoi me kritika të nëndheshme mbi gjendjen ekonomike të Shqipërisë. E sapo iu hapën sytë Hysenilit, ishte sigurimi që nëpërmjet shigjetës së bashkëshortes së një shkrimtari, ia mbylli ato.

Sigurisht gjërat duhen parë në kontekstin e kohës. Kur kishte një monopol informimi, të centralizuar dhe të kontrolluar nga partia në pushtet, mbetej veç izolimi i plotë, trushpëlarja dhe frika. Individi, si qenie, duhet të ishte shumë largpamës e shumë trim t’i bënte ballë gjithë asaj furie e çmendurie. Ata që ishin fisnikë dhe guximtarë, sot nuk janë më, dhe lista e tyre nuk është e shkurtër. E s’mund të mos e themi edhe se të nënshtruarit gjallojnë sot e gjithë ditën në një mediokret të paparë.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx