E enjte, 01.05.2025, 08:34 AM (GMT+1)

Mendime

Fadil Lushi: Sheshi ''Shkupi 2014'' - trafik lapidarësh

E hene, 27.06.2011, 08:03 PM


SHESHI “SHKUPI 2014” - TRAFIK LAPIDARËSH

 

Nga Fadil LUSHI

 

Përmendoret e vendosura (dhe ato që së shpejti do të vendosen) në sheshin e kryeqytetit të Maqedonisë kanë krijuar thjesht një pështjellim të madh në komunikimin diplomatik në relacion Shkup-Athinë! Nuk mund të thuash se figurat që u vendosën në atë shesh nuk janë një realitet i një irealiteti, nuk mund të thuash se kishin një selektim apo ndonjë përzgjedhje (jo) cilësore, si në aspektin historik, kulturor, po edhe politik, përkundrazi, gjymtimi i vetëm i kësaj përzgjedhjeje konsiston në faktin se disa prej tyre nuk janë pjellë a pjesë e trashëgimisë shpirtërore dhe shkencore të vetë maqedonasve të Republikës së Maqedonisë. E gjithë kjo katrahurë, tek historianët e vendit, po edhe te diplomatët e huaj, pa dyshim se krijon përshtypjen se ideatorëve të këtij “projekti të çmendur”, madje edhe megaloman (në aspekt financiar), ose u kanë munguar informacionet rreth ekzistencës së figurave “vendore” maqedonase, qofshin ato nga lëmi i shkencës, kulturës dhe historisë ose qëllimisht e kanë favorizuar “institucionin” e plagjiaturës, respektivisht përvetësimit të palejueshëm të pronës së huaj shpirtërore, në këtë rast të pronës greke a edhe bullgare. Tekefundit, disa lapidarë që u dedikohen figurave antike e që u vendosën në sheshin e kryeqytetit, as për së afërmi nuk mund të jenë të barasvlershëm me ato të vendosura në hapësirat greke. Unë, këtë nuk mund ta di, por edhe nuk më takon ta di. Këtë mund ta dinë vetëm historianët që e studiojnë pa tarafe periudhën antike.

      Njerëzit, gjegjësisht politikanët që nuk janë mësuar të jetojnë pa telashe dhe pa “turbullira” politike, sot do të thonë se grekët me gjithë problemet ekonomike me të cilat ballafaqohen, edhe kësaj radhe nuk do ta heshtin këtë nënçmim të së kaluarës së tyre dhe për këtë dhe shumë arsye të tjera, nuk do heqin dorë kollaj nga vazhdimi i ndërtimit të kështjellës së qortimit diplomatik. Sot Maqedonia dhe maqedonasit (mos dhëntë Zoti t’u bashkëngjiten edhe bashkëqytetarët e tyre, shqiptarët), nuk mund ta bëjnë historinë e tyre me vendosje lapidarësh në Sheshin “Shkupi 2014” dhe njëkohësisht të lumturohen me ta, në veçanti me asi lapidarësh që pa dyshim përcjellin mesazhe, po qofshin ato të jenë edhe “miqësore”!?

      Me vendosjen dhe “riatdhesimin” e lapidarit “Kalorësi mbi kalë” gjegjësisht “Aleksandrit të Madh”, maqedonasit as që e kanë ndërmend fare të çajnë kokën se ç’do jetë perspektiva e reputacionit të politikës së tyre të jashtme, nuk e kanë ndërmend “të sikletosen” ndaj pavendosmërisë lidhur me përcaktimin e tyre politik për zgjidhjen e kontekstit rreth emrit dhe, sa herë që nuk “do të sikletosen”, aq herë do të vendosin nga një lapidar të ri!?... dhe prapë, sa herë që do të shtrohet pyetja rreth vazhdimit të bisedimeve (negociatave edhe ashtu të stërgjata dhe të bezdisshme, pavarësisht se ato negociata ishin ose edhe do të jenë jopublike, së paku për qytetarët e rëndomtë të Maqedonisë), po aq herë do të vendosin një tjetër kalë!?..., sa herë që do prolongohen (shtyhen) bisedimet, aq herë fajësinë do ta kërkojnë në avllinë e diplomacisë “djallëzore dhe inatçore” greke. Së fundi, ata nuk do bëjnë as një të vetme përpjekje sa i përket ndërgjegjësimit të tyre se kështu si veprojnë nuk mund ta fisnikërojnë dhe humanizojnë politikën e tyre, në veçanti atë të jashtmen.

      Sheshi “Shkupi 2014” me gjithë atë trafik të stërngarkuar me lapidarë i ngjan asaj meseleje me “Gomarin e Buridanit”, i cili duke qenë tej mase i uritur, “kishte ngordhur” midis dy togjeve të barabarta me sanë, sepse nuk vendoste dot cilën të fillonte të hante. Ky “gomar” (jo kali) në politikë dhe në psikologji merret si shembull i konfliktit të trefishtë: atij emocional, historik dhe gjeopolitik, gjegjësisht i një ambivalence (ndasie) patologjike e paradoksale që zakonisht gjen shprehje te popujt me histori të “inatosur”, të varfër dhe ty, lexues i nderuar, të jepet e drejta të thuash edhe histori e sajuar! Analistët “gojëkëqij”, sot e gjithë ditën e Perëndisë, me të drejtë parashtrojnë dilemën: a mos vallë këta lapidarë, kështu siç janë vendosur, një ditë do të ngelin pa histori dhe pa identitet. Të gjithë ata që sot do të mëtojnë të mësojnë diç më shumë për këtë “trafik lapidarësh”, me gjithë qasjen e tyre neutrale, nuk do të dinë se cilës histori t’i besojnë: asaj greke, bullgare ose  maqedonase. Do të parashtrohet edhe një pyetje se cili është thelbi a qëllimi i vendosjes së “Aleksandrit të Madh” në sheshin e kryeqytetit si dhe babait të tij, Filipit të Dytë, në qytetin e Alfabetit shqip!? A mos vallë është një (ri) rrëmbim i radhës i një pjese të historisë greke, bullgare dhe asaj shqiptare, ose është edhe romantizëm, sentimentalizëm, ideologji, shovinizëm provincial, irredentizëm, a në instancë të fundit mos vallë është një projekt provokues ndaj faktit se kur flitet për maqedonasit e “Maqedonisë” (përjashto të tjerët që jetojnë në Gadishullin Ilirik), atëherë, sipas tyre, vetëm ata kanë të drejtë për këtë “histori” edhe ashtu të ngatërruar!?? Tekefundit, nuk është me rëndësi se si do të duket nesër ai shesh apo ai trafik lapidarësh, për maqedonasit me relevancë do të jetë se ai shesh, duhet të pasqyrohet si një “KËRTHIZË e DYNJASË” rreth së cilës do vërtitet koncepti ndaj një vendi biblik dhe një kombi (me histori të sajuar) një hapësirë ku kanë lindur historitë të cilat më vonë janë sajuar, janë këmbyer, kontrabanduar dhe janë bërë si ai leshi i arapit, një hapësirë ku edhe kanë lindur religjionet, hapësirë ku kanë lindur alfabetet si ai latin dhe cirilik e të tjera alfabete!???

      Pas gjithë kësaj katrahure dhe pështjellimi ideologjik (kolektiv), ideatorëve të “Projektit të çmendur” dhe megaloman “Shkupi 2014”, tashti (sot, nesër, pasnesër apo ndoshta edhe asnjëherë) nuk u ngelet kurrgjë tjetër pos të vendosin përmendoret dedikuar figurave shqiptare, qofshin ato historike, politike a edhe kulturore. (nëse nuk gaboj, bëhet fjalë për tri të tilla) Është e “drejtë” e tyre ta bëjnë këtë!?..., por ama jo t’i vendosin ato mbi kalë!? Nuk i shkon Pjetër Bogdanit kali, po as Nexhat Agollit nuk i ngjan t’i ngjitet një kafshe shtëpiake!? Për këtë dhe një mijë e një arsye tjera, nëse shqiptarët dikur nuk e kishin forcën që ta pengonin gjallërimin e projektit nacional maqedonas “Shkupi 2014”, atëherë atyre sot u ngel i vetmi shpjegim: nuk duhet të pajtohen që hisja e tyre (në atë trafik) të shtrembërohet. Nëse do të pajtohen, atëherë gjeneratave të tjera këta lapidarë do t’u duken tmerrësisht të bezdisshme dhe të mërzitshme, hajt të mos themi si ajo përmendorja e Skënderbeut në Dibër!??

         Ky shesh, me gjithë këtë trafik të ngarkuar e të stërngarkuar (me lloj-lloj lapidarësh) nuk mund të jetë një preferencë e qëndrueshme dhe politikisht e qartë në zgjedhjen e rrugëve më të përshtatshme, rrugë këto që të degdisin drejt vendit në NATO dhe në Bashkimin Europian. Të gjithë ata që mëtojnë t’i referohen kësaj rruge gjithsesi duhet ta kenë parasysh faktin se “Harta rrugore e eurointegrimeve”, nuk është në duart e ballkanasve (përjashto turqit, grekët dhe shqiptarët e Shqipërisë politike, aludoj në pjesëmarrjen e tyre në NATO), por në duart e fuqive të mëdha respektivisht në pronësi të Shteteve të Bashkuara të Amerikës! Të gjithë ata që do të mëtojnë të bëjnë histori, me kësi sheshesh (me shumë lapidarë), me kësi “grafikësh dhe parodish politike” dhe me kësi standardesh dhe nivelesh (të ulëta) ekonomike, të mos pandehin se ashtu lehtë do të marrin udhë Evrope, sepse po ta bëjnë edhe një hap të vockël le ta dinë se do ngelin në mes të rrugës së madhe!?

      Askujt nuk i jepet e drejta që të anashkalojë, të nëpërkëmbë dhe të cenojë të vërtetat historike të një populli tjetër, pavarësisht sa është e afërt ajo me atë histori. Nëse një popull bën përpjekje që të ndërtojë lapidarë për kalorës, po qoftë ai dedikuar Lekës së Madh, atëherë vaj halli për atë popull. 

      Reformat ekonomike, ndryshimi i filozofisë së politikëbërjes, politika parimore, qoftë e brendshme a e jashtme, janë të vetmet rrugë që të çojnë drejt në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Vetëm atje mund ta gjejnë dhe ta rigjejnë dhe më pastaj ta ndërtojnë identitetin politik dhe atë shpirtëror. As është parë e as është dëgjuar hem europianizëm, hem antieuropianizëm njëkohësisht. Pra, pikërisht sipas logjikës së asaj urtie latine “Principium exclusi tertii sive medii”!



(Vota: 2 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx