Mendime
Avdi Gjata: Demonstratat e vitit 1981 në Besianë, kthesë e madhe historike për tërë Kosovën
E shtune, 25.06.2011, 07:58 PM
Demonstratat e vitit 1981 në Besianë, kthesë e madhe historike për tërë Kosovën
Nga Mr. Avdi Gjata
Demonstratat janë manifestime të masave të gjëra popullore nëpër rrugë e sheshe për të shprehur haptas një ose më shumë kërkesa politike, ekonomike apo shoqërore, po edhe kërkesa kombëtare nëpër ato shtete ku është mohuar apo shkelur e drejta kombëtare, e një populli për vetëvendosje e bashkim kombëtarë që është ndarë me dhunë e pa vullnetin e tij, nga një vend. Demonstratat bëhen edhe për të kundërshtuar e për t’u çliruar nga një padrejtësi apo ndonjë veprim tjetër që është në kundërshtim me të drejtat njerëzore e ndërkombëtare që është e përcaktuar me normat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Gjithashtu ajo ka për qëllim të tregoj edhe forcën kombëtare, organizative e politike të popullit dhe udhëheqësve të saj. Për këtë qëllim në rastin e popullit shqiptar të Kosovës, është tepër e natyrshme që pushteti serb të ishte kundër kërkesave të shqiptarëve me qëllim për të penguar realizimin dhe sendërtimin e kërkesave të tyre shekullore po që nuk arritën t’i realizojnë për shumë shkaqe e faktor.
Për këtë arsye, rreth ngjarjeve të këtij viti është edhe vlerësimi zyrtar se ato ishin kundërrevolucionare dhe tani është vetë koha dëshmitare e asaj se një vlerësim i tillë ishte një gabim i tejkaluar. Për këtë qëllim, po e citoj profesorin e intelektualin e njohur mr. Ukshin Hotin i cili në vitin 1981 i mbështeti kërkesat e studentëve dhe e popullit shqiptar që e sqaroi shumë mirë fjalën kundërrevolucion. Sipas tij, fjala kundërrevolucion definohet si aksion i organizuar politik i drejtuar kundër sistemit shoqëror të krijuar me revolucion, kundër fryteve revolucionare të shoqërisë. Si dukuri shoqërore e kundërt me revolucionin, kundërrevolucioni shënon ndryshimin pozitiv të një gjendjeje shoqërore ose sistemi, në drejtim të restaurimit të raporteve të lëkundura dhe të mënjanuara politike dhe ekonomike-prodhuese.
Shqiptarët gjatë demonstratave të vitit 1981, shtruan kërkesa për çlirim kombëtar, liri e pavarësi nga shteti i Serbisë i cili i ka robëruar dhe i ka pushtuar tokat e shqiptarëve nga viti 1912 e që kërkohet çlirimi i tyre i cili merr karakter krejtësisht tjetër e të kundërt me kërkesat e demonstruesve po edhe me vlerësimet zyrtare të qeverisë. Ndonëse me kërkesën Republikë nuk synohej as shkëputja e as përmbysja e raporteve shoqërore në Jugosllavi, prapëseprapë u theksuan këto shpjegime sipas prof Hotit.
- Se republika do të shfrytëzonte të drejtën për vetëvendosje dhe do t’i bashkëngjitet Shqipërisë.
- Se republika provokonte luftën qytetare dhe përmbysjen e rendit (komunist e socialist, plotësim i imi), shoqërorë të Jugosllavisë.
- Se ajo do të provokonte revidimin e kufijve në Ballkan dhe më gjerë në Evropë.
Nëse ngjarjet e vitit 1981 vlerësohen si kundërrevolucionare, atëherë këto forca duhet t’i vlerësojmë si revolucionare pasi nuk është e logjikshme që forcat kundërrevolucionare t’i kundërviheshin qëllimeve kundërrevolucionare. Për këtë qëllim forcat revolucionare në këtë pikë na del se ruanin njërën nga frytet e revolucionit, rregullimin federativ e socialist të Jugosllavisë.
Për këtë shkak, kërkesa për Republikë do të thotë vetëm vënien e raporteve kualitativisht të reja, evitimin e ndikimeve negative të huaja dhe shpërthimin e energjive të reja për popullin shqiptar po edhe për at serb thotë Hoti.
Demonstratat e popullit të Kosovës të viti 1981, kërkesat i kishte të mbështetura në të drejtën ndërkombëtare, pasi vetëvendosja nënkupton parimin e të drejtës së popujve për vet përcaktim, për të drejtën e shtetit të vet dhe për bashkim me shtetin amë siç e bëri në vitin 1990 Gjermania. Mirëpo, shumë shtete të drejtën për vetëvendosje, gjatë historisë për qëllime koloniale e ‘rezervuan vetëm për veten e tyre’ duke ia mohuar popujve të tjerë këtë të drejtë, thotë E Stavileci, pikërisht siç vazhdon edhe sot e kësaj dite të kontestojë pavarësinë e Kosovës, me gjithë shpalljen e pavarësisë me 17 shkurt, që sot e kanë njohur mbi 75 shtete anë e mbanë rruzullit tokësor.
Për këtë arsye, demonstratat filluan në Prishtinë por që shumë shpejt u përhapën edhe në rajonin e Llapit e që qendra e tyre ishte qyteza e Besianës e cila kishte përafërsisht 20-25 mijë banorë. Vetëm pesë ditë më vonë me 1 e 2 prill 1981 demonstrata filloi edhe në Besianë që është argumenti më i mirë se grupet dhe organizatat ilegale kombëtare kishin punuar e vepruar pandërprerë e në kontinuitet qysh nga vitet 1945-ta e deri më 1981. Pas masave që kishte marrë sigurimi shtetëror Jugosllav në bashkëpunim me atë të Kosovës për burgosjen e organizatave ilegale në Llap e veçanërisht organizatës së Adem Demaçit ‘Lëvizja Revolucionare për Bashkim’, gjatë vitit 1974-75, e cila quhej nga pushteti si ‘veprimtari subversive shqiptare’, filloj të forcohej edhe më shumë e veçanërisht gjatë viteve 1979-1980. Lëvizja në rajonin e Llapit kishte edhe një përvojë të mirë pasi që edhe për organizimin demonstratave të vitit 1968 në fshatin Bajçinë në odën familjes së madhe të Gjatajve e cila gjendet në këtë rajon, ku edhe ishte marrë vendimi për fillimin e demonstratave të 27 nëntorit të vitit 1968 në Kosovë. Gjithashtu edhe gjatë viteve 1979-80 në Llap u zbulua organizata tjetër ilegale e cila drejtohej nga Rifat Jupolli, nga fshati Shajkovc i Besianës dhe Avdyl E. Lahu nga Gllamniku (Vendenisi), që ishte referent në shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë. Kjo organizatë kishte lidhje edhe me organizatën e Jusuf Gërvallës dhe me atë të Sabri Novosellës që pikërisht edhe gjatë këtij vit kanë shpërndarë trakte dhe parulla edhe në rajonin e Llapit. Veprimtaria ilegale e organizatave në Llap gjatë viteve 1980-1981 luajti një rrol shumë të rëndësishëm në organizimin dhe konsolidimin e organizatave tjera dhe në anëtarësimin e një numri shumë të madh të anëtarëve. Lëvizja Ilegale Kombëtare Shqiptare në Llap nuk do të kishte kurrfarë kuptimi pa: Shaban B Shala, Sabit Kapitin, Adem Demaçin, Mulla Ramë Govorin, Ibrahim Demollin, Xhafer Metën, Xheladin Rekaliun, Ilaz Pirevën, Salih Salihun, Ismet Begollin, Afrim Zhitiun, Fahri Fazliun, Hasan Ramadanin, Ali Ajetin, Gjyla Krasniqin(Shota e Llapit)-Gaca, Zahir Pajazitin, Agron Rrahmanin, Jetullah Islamin, Mustafë Llapashticën, Avdi Latifin, Bahri Fazliun, Ilir Konushevcin, Avdi Gjatën, e shumë e shumë atdhetar të tjerë. Në vazhdim do t’i paraqesë edhe emrat e disa organizatave që luajtën rol të madh gjatë demonstratave të vitit 1981 në Llap.
1. Organizata Ilegale ‘Përsëri në Këmbë’ nën drejtimin e Salih Salihut e Gjyla Krasniqit e formuar gjatë vitit në Besianë.
2. Organizata Revolucionare për Bashkimin Kombëtar, nën drejtimin e Fehmi Berishës e Ramadan Dibranit e formua në Besianë.
3. Organizata Lëvizja Nacional Çlirimtare e Kosovës e drejtuar nga Isuf Gërvalla, dega në Besianë e drejtuar nga Beqir Hajrizi më vonë LPRK-ja.
4. Grupi Ilegal ‘Liria’ i krijuar nga Bajrush Behrami nga fshati Gegaj e Kadri Llugaliu –Surkish i themeluar në Besian, .më vonë i bashkohet LPRK-së.
5. Organizata, Fronti Nacional Çlirimtar-dega në Llap i drejtuar nga Afrim Zhitiu nga fshati Llugaj i vrarë më 2 nëntor 1989.
6. Organizata, marksiste Leniniste e Kosovës(OMLK)-ja nën drejtimin e Bajram Ajetit e Sabri Kiçmarit, nga f. sh. Ballsh, më vonë iu bashkua LPRK-së.
7. Organizata Komuniste për Bashkimin e Trojeve Shqiptare e formuar nga Naim Shala, Barilevë.
8. Organizata Ilegale e Llapit ‘8 Nëntori’, e formuar nga Hamit Hamiti, Fatime Gjata- Maliqi e Avdi Gjata në Besianë.
9 Organizata ‘Shaban Shala’ e formuar përsëri nga Salih Salihu dhe Gjylë Krasniqi në Besianë që ishte prezent edhe Avdi Latifi u formua në Besianë.
Është e rëndësishme të theksohet se Salih Salihu është njeriu i dytë në rajonin e Llapit pas A. Demaçit që ka mbajtur shumë burg mbi 14 vite dhe i cili asnjëherë nuk lëvizi nga rruga që ishte përcaktuar dhe ishte zëdhënës i idesë se liria nuk fitohet me formimin e partive politike po me kryengritje të armatosur gjithë popullore.
Gjatë kësaj kohe shumë të rëndësishme historike për Kosovën, ishte edhe një pjesë e inteligjencies dhe e njerëzve të tjerë ndër të cilët kishte edhe të atillë që nuk u mungonte sinqeriteti e që mendonin se demonstratat e kanë rrezikuar ‘Lirinë’ e Kosovës dhe se nuk ka qenë koha për rezistencë në formë të demonstratash, ngase më parë është dashur të pritet, pasi serbët patën me e lëshua vet Kosovën e që ishte një iluzion i vërtetë pasi që kishin harruar se Titoja tani veç kishte vdekur dhe se ishin krijuar rrethana dhe kushte krejtësisht të tjera politike gjatë vitit 1980-81 në Jugosllavi. Pastaj kishte edhe mendime nga një pjesë e madhe e politikës shqiptare që me qëndrimet e tyre shpreheshin dhe deklaronin se Kosova ishte e barabartë me Republikat e Jugosllavisë dhe se fajin e kemi vet ne që nuk ditëm t’i shfrytëzojmë mundësitë që na i kishte mundësuar Kushtetuta e Jugosllavisë e Kushtetuta Kosovës e vitit 1974. Edhe pse pjesa më e madhe e tyre i kishin kryer shërbimin ushtarak dhe ishin edhe me grada ushtarake që e kishin mësuar nga vet profesorët jugosllav se është thënia se: ‘Kriminel janë të gjithë ata që e fillojnë luftën, po edhe më kriminel janë ata që mundohen ta pengojnë luftën kur ajo veç ka filluar pasi që nëse nuk e ke fituar luftën do të biesh prapë në robëri edhe më të rëndë’.Mirëpo rinia studentore dhe populli ishin shumë të vetëdijshëm çka ishin duke vepruar andaj nuk u luhatën në asnjë çast në detyrën e shenjët që i kishin dhënë vetes për ta çuar detyrën deri në fund pa marrë parasysh dëmtimet dhe humbjet që mund të ndodhin pasi, ‘Liria nuk falet, po ajo fitohet me gjak’.
Për këtë arsye Demonstratat e vitit 1981 me plot të drejtë i quajmë se janë një, Kthesë e madhe historike e popullit të Kosovës.