E enjte, 01.05.2025, 02:37 PM (GMT+1)

Mendime

Fadil Lushi: Dorëheqje apo dezertim politik

E marte, 21.06.2011, 07:59 PM


DORËHEQJE  APO  DEZERTIM   POLITIK

 

Nga Fadil LUSHI

 

Të nderuar lexues, më duhet ta filloj këtë shkrim me ca fakte historike, fakte që në vijimësi flasin për historinë e institucionit të dorëheqjes politike shqiptare, pavarësisht se këto prova do t’u shërbejnë a do t’u hyjnë në punë atyre që do ta lexojnë këtë vështrim. 

            Njohësit e shkëlqyeshëm të retrospektivës së Ismail bej Qemalit do të thonë se ai është i pari politikan shqiptar i cili ndërtoi dhe respektoi ashtu thjeshtë dhe skajshëm institucionin e dorëheqjes politike shqiptare. Thonë se ajo dorëheqje ishte sa historike, trimëruese, morale, po aq dhe institucionale. Një dorëheqje politike do të paraqesë edhe Mit’hat Frashëri në vitin 1913 në cilësi të ministrit të Punëve Botore në qeverinë e parë shqiptare. Këtë e bëri nga fakti se ishte i zhgënjyer tej mase nga zhvillimet politike në Shqipëri. Që nga koha e Ismail bej Qemalit, Mit’hat Frashërit, Sulejman Delvinës, Hasan Prishtinës, Ahmed Zogollit dhe të tjerëve të tillë si ata, institucioni i dorëheqjes në hapësirat politike shqiptare do t’i futet një gjumi të vdekjes. Ajo do të zgjohet në momentin kur Fatmir Sejdiu, duke u gjendur para alternativës mes postit të presidentit të shtetit dhe kryetarit të partisë politike-Lidhjes Demokratike të Kosovës, ai zgjodhi institucionin e dorëheqjes, logjikës, institucionin e përgjegjësisë dhe parimet e Kushtetutës së Kosovës. Këto dorëheqje të të lartpërmendurve ishin kryekreje shprehje a reflektim i riartikulimit të filozofisë së politikëbërjes gjithandej hapësirave shqiptare, nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, s’do mend se ishin gjykime të matura, të guximshme, të rëndësishme dhe, së fundi, ishin shprehje e një akti të lartë politik, etik, human dhe emancipues. Nuk do të ishte e tepërt sikur kësaj t’i shtohet edhe mendimi se dorëheqjet e tyre politike thjeshtë ishin leksione të avancuara, të qarta, të thella dhe morale e që mund t’u dedikohen  politikanëve gjegjësisht lidershipëve aktualë, të cilët sot e gjithë ditën mëtojnë të ndërtojnë politikë parimore, të urtë, largpamëse, të drejtë, po qoftë edhe politikë të pavarur dhe veçmas për ata që duan ta humanizojnë, emancipojnë a edhe të ndërtojnë një filozofi tjetër politikëbërjeje! 

            Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni kësaj radhe kishin ca karakteristika dalluese. Ato u organizuan duke u bazuar në fjalën e dhënë, në besën e bashkuar të dy lidershipëve, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, u organizuan në një atmosferë politike të shëndoshë demokratike dhe miqësore. Ajo që ishte themelore për këto zgjedhje ishte fakti se u ndërtuan edhe ca jo vlera politike sidomos në avllinë shqiptare. E kemi fjalën për keqpërdorimin dhe denigrimin e historisë së institucionit të dorëheqjes si nocion themelor politik, etik a edhe filozofik, dorëheqje këto të paraqitura nga politikanë axhami (politikanë të cilëve ua ka qejfi të jenë kryeparë partish të reja politike), politikanë të vegjël që gjithmonë padrejtësisht mëtojnë të merren me politikë madhore..., të cilët duke garuar në këto zgjedhje ngelën mu në mes të rrugës politikisht lakuriq ose dikush edhe gjysmëlakuriq.

            Që në fillim për partitë e vogla politike që garuan në procesin zgjedhor pati komente a edhe analiza politike nga më të ndryshmet. Disa (që i kanë hipur kalit së prapthi) thonë se, sot, të formosh parti të re politike (gjithsesi shqiptare) këtu në Maqedoni, Mal të Zi dhe në Luginë të Preshevës (përjashto Republikën e Kosovës dhe të Shqipërisë), na qenka më shumë se patriotizëm, intelektualizëm a edhe një filozofi e veçantë politike. Disa të tjerë, qofshin ata intelektualë, analistë dhe njohës të shkëlqyeshëm të gjeografisë politike thanë të kundërtën, se formimi i një subjekti të ri politik (të rremë) s’është kurrgjë tjetër pos megalomani, nihilizëm, folkpatriotizëm dhe, në instancë të fundit, formimi i tyre do të duhet të kishte qëllime djallëzore!?

            Në këtë proces zgjedhor garuan dy partitë politike shqiptare më të mëdha, ajo e BDI-së dhe e PDSh-së. Në to garuan edhe parti të reja politike (përjashto PPD-në) në krye të të cilave do jenë edhe ish-ikanakë (tregtarë, artistë e të tjerë) të PDSh-së, të cilët fillimisht, si për inat, do ta keqpërdorin votën deliberative të  sovranit, që pastaj ta  shkapërderdhin  atë  në mënyrën më idiotike, si ajo “as unë, as ti”, as BDI,  as PDSh, as PPD, as mëhalla e as sovrani i gënjyer!?? Nëse në vaktin e Ismail bej Qemalit dhe të  tjerëve si ai dorëheqja politike ishte një pragmatizëm sa i përket zgjidhjes së problemeve të akumuluara politike, sot në kohën e pluralizmit politik dhe të tranzicionit, dorëheqjet e politikanëve rebelë dhe narcisoidë, nuk janë kurrgjë tjetër pos shprehje e paqartë dhe e paqëndrueshme politike, një shprehje proverbiale e politikanëve provincialë e të vonuar, të njerëzve të cilët për të zbutur zemërimin nga humbja e rëndë që pësuan në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, me paraqitjen e dorëheqjeve edhe ashtu të paarsyeshme dhe të vonuara do mundohen që t’i nxjerrin hundët prej aty ku kohë më parë i kishin futur gabimisht!?  Nëse dorëheqjet e Ismailit, Mit’hatit dhe të tjerëve ishin shprehje e një standardi të lartë politik, dorëheqjet apo ndryshe thënë, largimet me “hir a me pahir nga posti i kryeparit të  partisë politike” gjithsesi se ishin pjellë e një reagimi emocional, demagogjik, shund politik, çallëm provincial dhe arrogancë politike. Për këto dorëheqje disa madje thanë se ishin thjeshtë personale sepse vetë partitë politike ishin personale. E keqja e këtyre dorëheqjeve që ndodhën varg njëri pas tjetrit, qëndron në faktin se ato assesi nuk mund t’i kthejnë katër a ndoshta edhe pesë mandatet e humbura, qofshin ato dedikuar BDI-së apo edhe PDSh-së. Të gjitha këto dorëheqje të politikanëve të dështuar janë njësoj si ato ilaçet me afate të skaduara që i jepen të sëmurit që vuan një sëmundje që nuk shërohet kollaj. Kur toptan i koncepton kështu, hiç fare nuk mund të jenë kategori politike, filozofike, kategori qytetare, etike dhe së fundi kategori që nuk përkojnë me kohën dhe hapësirën. Ato mund të përgjithësohen vetëm si “dezertime politike” dhe kurrgjë tjetër. Gjymtimi moral i këtyre dorëheqjeve të kryeparëve të partive politike mëhallash a provincash shqiptare, konsiston në faktin se rezultonin si të sikletosura, qaramane, personale dhe pak konstruktive nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, ato dorëheqje nuk kishte njeri a edhe institucion që do t’i pranonte, aminonte dhe “t’i amnistojë” si të tilla. Dorëheqjet në fjalë as për së afërmi nuk mund të përputhen ose edhe të krahasohen me dorëheqjet akademike të Ismail bej Qemalit, Mit’hat Frashërit dhe ish-presidentit të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiut.

            Kur këta politikanë të dorëhequr nuk do ta jetojnë atë historinë e dorëheqjes të Ismailit, Mit’hatit e të Fatmirit, atëherë ata me të drejtë do mbeten në harresë, të nxjerrë jashtë asaj historie. Këtyre dorëheqjeve u mbetet shpjegimi i vetëm, siç i ndodhte dikur Jake La Mottos: “Familja ime ishte e varfër sa çdo Vit të Ri, im atë dilte nga shtëpia dhe shtinte disa herë në ajër me pistoletë. Pastaj kthehej dhe neve, fëmijëve (pa sherr) na thoshte se Babagjyshi i Vitit të Ri kishte vrarë veten”!. Ndoshta kryeparit të asaj familje të varfër, gënjeshtra mund t’i arsyetohej, por këtyre që paraqitën dorëheqjet, çfarë xhevapi politik mund t’u jepet!? Dhe kështu siç ligjërohen ato nuk mund ta justifikojnë disfatën e tyre në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të organizuara në Maqedoni më 6 Qershor.

            Për dorëheqjet që pasuan pas debaklit zgjedhor, të gjithë kanë të drejtë të shtrojnë argumente, prova edhe arsyetime, por ama asnjeri nuk ka të drejtë të mos e thotë se ç’ishte prapavija politike dhe ç’ishte ngjyra e mesazhit të tyre.

            Është mirë që partitë e vogla politike shqiptare humbën, sepse nesër me një apo me dy mandate të fituara do të bënin pazare të ndyra, të dyshimta dhe të pashembullta me mandatarin për formimin e qeverisë, zotin Nikollë.



(Vota: 2 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx