E enjte, 01.05.2025, 03:23 PM (GMT+1)

Mendime

Ibrahim D. Hoxha: Ata që sulmojnë atdhetarët çamë

E diele, 19.06.2011, 07:58 PM


Ata që sulmojnë atdhetarët çamë

 

13/06/2011  Gjykimit PPSH-ist-Asfali-st zyrtar i dhamë munxët, por ushtruesit e tij ende turfullojnë!

 

Nga Ibrahim D. Hoxha, luftëtar veteran, historian dhe folklorist

 

Nënëshítësit (matrapazët),  mjerisht janë shfaqur kur e kur edhe ndërmjet himarasve, sidomos që nga Spiro Milo Zania e këndej. Vitet në vijim po tund flamurin e tij një tjetër i ngjashëm me të: Vasil Bollànua. Ndër prapësitë e tjera, ky dhe ca si ky tani së fundi  përdorën vrasjen e Aristotel Gumës për të shkaktuar gurgulenë e aq zhurmëshme, pa dashur të prisnin shpalljen nga organet përkatëse të shkaqeve të vrasjes. Me atë rast televizionet -veç pasqyrimit të asaj gurguleje të shëmtuar- paraqitën edhe një shkarravinë të shkruar greqisht prej një dore analfabete. Në vijim të mirëngopurit me dhrahmi varrimin e të ndjerit e shoqëruan edhe me flam

Që prej kohë e kohë më parë, sidomos historiano-shkrimtaro-vjershëtarët atdhetarë: Asdreni, Çajùpi, Jani Vrùho, Fan Noli, Gjergj Panarìti, Petro Nini Luarasi etj., etj., kanë bërë tërësisht të ditur rrezikshmërinë gëlltitëse, përpìrëse e amëshuese kryqtare athino-fanarite ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve; dhe kjo jo vetëm për shkak të grykësisë së pangìnjshme gjithnjë e më gllabëruese të vetë sundimtarëve krerë e jokrerë të shtetit grek, por edhe më tepër për shkak të rrezikshmërisë së shtrepave e uríthëve të tyre të futur cubërisht në trungun shqiptar në lëngatë e sipër, të sëmurur po nga ata që plëndësin e mbajnë në Shqipëri e mendjen në Athinë. Këta “dorën e Greqisë në Shqipëri e kanë bërë shumë të gjatë”. (Shih: I. D. H., “Daut Hoxha”, “Çamëria dhe Janina në vitet 1912-1922”, “Çaparenjtë –Refo Çapari”, “Viset Kombëtare shqiptare në shtetin

grek”, “Enciklopedi Jugshqipatare”, sidomos vëll. II.) Nga sa është bërë botërisht e njohur prej vetë atyre, i fundit që guxoi tani me shumë zhurmë përvjellëse ishte Kristo Frashëri. Në shkarravinën e vet të botuar në faqet 14-15 te “Gazeta Shqiptare”, dt. 20.9.2010 ai, duke përfituar nga vrasja e rastësishme e Aristotel Gumës, me ligësi e urrejtje të dukshme turret tërbimthi kundër Daut Hoxhës, kryeluftëtarit që flijoi gjithçka të tij - edhe veten - për mbrojtjen e vatrës e atdheut të vet. K. F. stërpërtërit dufin dhe mllefin e vet - tërësisht të ngjashëm me atë të grekëve asfaliano-korofillakjàn - që prej tij dhe disave si ai kanë qenë bërë të njohur botërisht nëpër librat e ndryshme të sundimit të papërgjegjshëm PPSH-ist, kur atij me shokë u priste palla nga të dy tehet. Dhe ky na qenka “historiani” dhe “akademiku”, i shumëmburruri K. F. Po vallë çfarë mund të mbetet

për të thënë, kur ai vetërreshtohet përkrah kr. a-f., të cilët trungut tokësor shqiptar - ku kishte vatrën e gjërin e vet edhe D. H. - i shkëputën përgjakësisht pjesën më me vlerë?! Çfarë mund të thuhet nga çdokush që ka qoftë edhe një fije ndjenje atdhetarie e kombëtarie për K. F, kur ai vetërenditet përkrah kr. a-f., gjakosës të disahershëm të gati krejt jugut shqiptar?! Ku ia bën vendin vetes ai, kur vërsulet kundër atyre që Çamërinë e mbrojtën deri edhe në pikën e fundit të gjakut?! Me mbajtjen përherë në shënjestër dhe me sulmet e pandërprera kundër D. H. - që u flijua për shpëtimin e vatrës dhe truallit të vet amtar shqiptar - K. F. dhe ca si ai kanë vetëdëshmuar se ata i ka bluar gjithnjë ankthi ahmarrës për pushtuesit grekë, të cilët u vranë duke vrarë në vatrat e veta D. Hoxhën dhe mijëra mbrojtës të tjerë të vendit.

Në “Gazeta Shqiptare”, dt. 20.9.2010 ai thotë: “Kjo ngjarje na kujtoi një situatë analoge që ndodhi 70 vjet më parë, pikërisht në gusht 1940 në kufirin shqiptaro-grek. Në atë kohë Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia fashiste dhe Roma po përgatitej t’i shpallte luftë Greqisë. Romës i duhej një casus belli”: {përsëritje e thënies së Enver Hoxhës në Kongr. I të PPSH-së, në fq. 27 të “Dy popuj miq” (?!), në fq. 491 të “Gjithmonë vigjilencë” si dhe në fq. 66 të ashtuquajturës „Historia e Shqipërisë“ (1964), në fq. 491 të “Historia e Shqipërisë” III, në “Material studimi për historinë e PPSH” I (1965) etj., të shkarravitura nga përunjakët e tij, të cilëve u qante zemra për Greqinë, shuarse të çamëve, pra edhe të D. H.}. E gjeti. Një bari çam, Daut Hoxha, u gjet i vrarë në një pyll të Konispolit. Se kush e vrau, deri sot ende nuk është vërtetuar, por vazhdimisht

është dyshuar se porositësi i vrasjes ishte Musolini. Fill pas vrasjes, Roma menjëherë vuri ulërimën. Sipas saj, bandat greke kishin vrarë me thikë patriotin shqiptar Daut Hoxhën. Fashistët shqiptarë filluan fushatën: Duam hakmarrje për këtë patriot të madh që u vra për çështjen shqiptare! Kështu dy muaj më vonë (28 tetor 1940) filloi lufta italo-greke. Sapo filloi lufta, viktima fatkeqe u harrua. Nuk e zuri më njeri në gojë. Shpresojmë sinqerisht që analogjia e Aristotel Gumës me Daut Hoxhën të jetë një rastësi pa pasoja. Sigurisht, Greqia nuk ka ndër mend t’i shpallë luftë Shqipërisë për shkak të A. Gumës”.

I rivënë para të tilla llomotitjesh - që të kallin krupën - qysh prej 1945-s e në vazhdim, ridetyrohem t’i shkoqit një nga një. Të ishte për K. F., s’e kisha marrë fare mundimin - sepse zërin e tij të huaj, grek, ia kam dëgjuar që këtu e rreth 40 e ca vjet më parë - por e bëj vetëm e vetëm për të ritheksuar të vërtetën para atdhetarëve shqiptarë se “ujët fle, hasmi s’fle”, po paraqitet me lloj-lloj fjalësh, fytyrash e mënyrash.

Së pari, vrasja e A. Gumës nga çdo pikëpamje s’ka se si të ketë kurrfarë ngjasimi me vrasjen e D. Hoxhës; mbi të gjitha, sepse A. G. u vra fare rastësisht - doemos padashje - nga një njëkombas i tij. Kurse vrasja e D. H. ishte e qëllimshme, e organizuar dhe e parapërgatitur nga një qeveri e huaj, nga ajo e Greqisë, armike amëshuese e stërnjohur e atdhetarisë shqiptare dhe e Shqipërisë. Vrasja e D. H. u arrit të bëhej nga gjakësorë të njohur grekë - të paguar nga qeveria greke - pas aq e aq vite pritash dhe përndjekjesh. Pushtetarët grekë të Çamërisë, gjakësorë e zgjedhëvënës, që prej shumë vjetësh, pa ndërprerje ngulmonin me çdo mjet e mënyrë që ndaj D. H. të zbatonin vendimet e gjykatave të veta. Pra, ndërsa vrasja e A. Gumës ndodhi ndërmjet bashkatdhetarësh, ajo e D. Hoxhës ndodhi ndërmjet dy kombesh, për vdekje armiq të përjetshëm. Rrjedhimisht këto dy vrasje assesi s’mund të krijonin

gjendje të ngjashme. Vetëm K. F. dhe atyre me botëkuptim të njëjtë me të u “kujtoi një situatë analoge”; vetëm mendja e tij dhe e të njëjtëve me të mund të bëjnë krahasime e baraspeshime të tilla.

Është vendi për të përmendur se sundimtarët grekë në Çamëri me njësite të armatosura ushtarako-civile, të drejtuara prej tyre, kryenin gjithfarë ligësish në dëm të çamëve islamikë. Që me një gur të vrisnin dy zogj, ligësitë e kryera me porosi të tyre nga ato njësite, i shpallnin si të bëra nga D. H. me çetën e tij. Kështu, mbi paditë e tjetërsuara nga vetë ata, makina e tyre shtypëse e ndëshkuese, e quajtur gjyqësore, shpallte dënime pas dënimesh në mungesë ndaj D. H. Mirëpo atdhetari durrsak Harilla Bakalli, kur me emrin “Krivóva” e kur me emrin “Ushtimi i Durrësit”, me shkrimet e veta të botuara në fletoret “Drita” dhe “Shqiptari i Amerikës”, nxori në shesh fajtorët e vërtetë: “korofillakët, oficerët dhe tërë nëpunësit”. (“Daut Hoxha”, fq. 38.)

Së dyti, gjakësorët grekë D. Hoxhën e vranë më 14 qershor 1940 dhe jo “pikërisht në gusht 1940”; kjo e vërtetë është gjithësisht e ditur, duket me përjashtim të K. F. Para së gjithash kjo gjakësi dëshmohet fare shkoqur në dokumentet përkatëse të Arkivit Qendror të Shtetit. (“Daut Hoxha”, fq. 111, 112 etj.)

Së treti, D. Hoxhën nuk e vranë “në kufirin shqiptaro-grek” - si i pëlqen K. F. e ndonjë tjetrit si ai - po 8 km brenda kufirit të shtetit shqiptar; kjo e vërtetë dihet fare mirë nga i madh e i vogël i atyre anëve.

 

Së katërti, K. F. thotë: “Në atë kohë Romës i duhej një casus belli” (shkak lufte – I. D. Hoxha). Nga sa thotë, dëshmon se K. F. asokohe paska qenë në lidhje me vendimmarrësit e shtabmadhorive greke apo italiane.

Së pesti, me bindje të plotë K. F. vëren: “E gjeti”. Po shpërthimi i luftës italo-greke nuk u gjet tek vrasja e Daut Hoxhës, siç përrallis K.. F.; nga rrjedha e ngjarjeve të vite e viteve më parë dihet se ajo luftë nuk ishte e rastësishme, por e parapërgatitur dyanshmërish që prej shumë kohësh. Këtë e bën të ditur edhe përfaqësuesi i qeverisë greke në Tiranë, Shqéfari, në njoftimin me dt. 27.4.1939, dërguar MPJGr. Po kështu edhe Marjo Çervi në “Storia della guerra di Grecia”, fq. 21, 23, 26, 44 etj. Ai vëren edhe: “Më 16.8.1939 Badolio, atëherë kryetar i shtabmadhorisë së përgjithshme italiane urdhëroi të përgatitej një plan lufte kundër Greqisë. Guxoni (asokohe komandant i njësive ushtarake italiane në Shqipëri – I. D. Hoxha) atë e bëri gati brenda 3 ditëve. Në të vërtetë ai paraqiti një studim të tij të mbaruar që nga fundi i korrikut të atij viti”. Dhe më tej: “Ditët e

para të majit 1940, MPJ, G. Çianua, gjeneralit Karlo Xhelozo (Komandant i asokohëm i njësive ushtarake italiane në Shqipëri – I. D. Hoxha) i njoftoi se brenda 2-3 javësh” qe paraparë “një mësymje në thellësi të Greqisë”. (“Daut Hoxha”, fq. 145, 146, 147 etj.) Dhe kjo për shkak se e para donte të shtrihej edhe në tokat shqiptare të grabitura nga Greqia, kurse e dyta të përpinte edhe pjesën tjetër të jugut shqiptar, prej saj të quajtur “Veriepir”. Kryegjakësori Aleksandër Papagos, në librin e vet “Greqia në luftë”, që shumë muaj para shpërthimit të luftë, parashikonte “përqendrim (të ushtrisë greke) në tokën shqiptare”. Në fund të fundit, si historian që hiqet, K. F. duhet t’i kishte thirrur qoftë dhe sadopak mendjes se për shpërthimin e një lufte ndërmjet dy shtetesh për “një bari”, asnjë drejtues shteti - qoftë dhe më torollaku - nuk mund të guxonte të merrte

përgjegjësinë. Të paktën deri sot nga askush dhe askund në mbarë botën s’është bërë; kurdoherë kanë qenë shkaqe të tjera shumë-shumë të thella, që kanë bërë të domosdoshëm derdhjen e gjakut të mijëra e mijëra njerëzve. Dhe është e ditur që D. H., si kapedan i një grupi luftëtarësh lirie kombëtare që ishte, s’kishte të bënte jo vetëm me pushtetin fashist, - që jo se jo - por me asnjë pushtet tjetër shtetëror. Emrat dhe nënshkrimet e atyre që kanë ngulur hundët në grazhdet dhe sahanët e pushteteve, kanë mbetur një për një në dokumentet e shkruara, të grumbulluara sidomos në AQSH. dhe në A. e Inst. të Hist. po të kishte qenë, K. F. doemos që do ta kishte hasur. Nëse emri i D. H. u trumbetua aq shumë në shtypin e kohës, kjo ndodhi pas vrasjes e jo para saj; u bë për shkak të ndikimit veçanërisht të madh që ai kishte në Çamëri dhe më tej. Po mburrje e trumbetime të tilla pas

vdekjes iu bënë edhe Naim Frashërit dhe gati tërë atdhetarëve të dëgjuar në kohë të mëparshme. Njerëzit me vlerë përmenden në çdo kohë nga cilido pushtet.

Së gjashti, me përçmim asfaliano-horofillak K. F. shënon: “Një bari çam”, pa dashur t’i thërresë rradakes së vet se nga ishte ky “bari çam”, kush ia kishte grabitur vatrën dhe mallin dhe kush e kishte përzënë nga atdheu i vet stërgjyshor. Megjithëkëtë, edhe pse i zbuar prej vendlindjes me ç’kishte veshur, prapë se prapë atë askush dhe askund s’e kishte parë “barí” me kurrfarë bagëtish. D. Hoxha ka qenë i kamur jo vetëm në Çamërinë e robëruar - që po se po - por ishte në gjendje të kënaqshme ekonomike edhe në rrethin e Sarandës. Kjo dëshmohet edhe në dokumentin 661/X të AQSH (“Daut Hoxha”, fq… 97), edhe nga pronat e blera të gjitha me florinj në Konispol e Vrinë, përfshi dhe brezin buzë lumit të Butrintit ku gjendet Kalaja e Vivàrit apo Kalaja e Ali Pashàit. Mjerisht në to - si në pronat e gjithkujt tjetër - vunë dorë pushtetarët, na i rrëmbyen dhe së fundi, pjesërisht ua

falën vendësve që deshën, e ç’mbeti ua shitën të huajve. Shkurt, ai kishte zanat pushkën e jo kërrabën. Dihet botërisht pa mëdyshje se D. H. ishte një kapedan shqiptar i dëgjuar, prijës në zë i një çete luftëtarësh legjendarë lirie kombëtare; ai tok me bashkëluftëtarët e tij për disa vjet rresht u përfyt grykë më grykë me pushtuesit përbindësha grekë, robërues të vatrës së tij. Kjo e vërtetë dëshmohet jo vetëm në dokumentet e asokohshme zyrtare, por edhe në dëshmitë e shumëkujt. Ndër të tjerë këtë të vërtetë e bën të ditur edhe atdhetari i mirënjohur, “Mësuesi i Popullit” Nuçi DH. Naçi, ish-n/prefekt i Leskovikut, në shkresën e vet me dt. 4.7.1921, dërguar prefektit të Korçës. (“Daut Hoxha”, fq. 32); ajo pasqyrohet sidomos në faksimilet e 14 dokumenteve diplomatike shqiptare, të botuara në 15 faqet pa numër ndërmjet faqeve 49-50 të librit “Daut Hoxha”. Me D. H.

është marrë edhe historiania e mirënjohur angleze, Miranda Vickers. Ajo nuk e quan “bari” - si K. F. - po “udhëheqësi çam Daut Hoxha”; dhe më tej: “Hoxha ishte një komandant ushtarak i çamëve në periudhën ndërmjet dy luftërave”, d.m.th., ndërmjet Luftës I dhe të II Botërore. (Fletorja “Ballkan”, dt. 25. XI. 2004, fq. 20.) Po qenia e tij në krye të një çete luftëtarësh pohohet edhe në burime të shkruara greke: në shkresën e guvernatorit të Janinës me dt. 11.7.1923, dërguar M.P.B.Gr. - botuar në “Helenizimi i Voriepirit dhe marrëdhëniet greko-shqiptare 1922-1929”, (“Daut Hoxha”, fq. 34) dhe në fletoren “Thesprotia” (shih “Daut Hoxha”, fq. 49). Që s’ishte bari, po luftëtar në duk, dëshmohet edhe nga fotografia e tij e vitit 1937.

Por, edhe sikur ta shtrëngonte këpuca që ky agà të detyrohej të bëhej barí, kjo do të ndodhte për faj të sundimtarëve pushtues grekë, të cilët i grabitën përdhunshëm vatrën stërgjyshore e pasurinë e vet dhe e shtrënguan që mal më mal të mërgohej nga vendlindja. Mjerisht K. F. dhe të njëgjykueshmit me të s’kanë dashur kurrën e kurrës - dhe s’duan ende - të dinë se ç’gjëma pushtuesit i shkaktuan jo vetëm D. H., po tërë çamëve në Çamëri. Gjatë disa 10-vjeçarëve K. F. me shokë, të lënduar sa ç’e dëshmojnë vetë me shkrimet e tyre, rreken vetëm për ç’ka i ndodhi Greqisë - që e kanë aq shumë për zemër - prej Italisë.

Edhe diçka, K. F. me përçmim të dukshëm përmend fjalën “bari çam”, pa dashur të mbajë parasysh se fuqinë kryesore në mbrojtjen e Çamërisë dhe të mbarë Shqipërisë në çdo luftë e kanë përbërë pikërisht barinjtë dhe bujqit e jo ata si ai. Kur K. F për ca ditë a pak javë e mori trimëria zvarrë dhe e shpuri tek partizanët, doemos që i pa se shumica dërrmuese barinj e bujq ishin; tek ata gjeti strehë e tek ata u ushqye. Dhe ishin pikërisht ata që e filluan dhe e përfunduan me fitore luftën A-F Nacionalçlirimtare e jo ai që u rikthye atje ku hidhnin shkelma pushtuesit.

Së shtati, D. H. nuk “u gjet i vrarë në një pyll të Konispolit”, po në vend krejtësisht të hapur, të quajtur Sheshi i Rràhut, në rrugën Konispol-Sarandë, vend gati barazlarg nga ato dy qytete.

Së teti, K. F., vazhdon në të vetën: “Se kush e vrau, deri sot ende nuk është vërtetuar”. Përkundrazi, është vërtetuar me përpikëri që D. H. e vranë mercenarët e qeverisë greke; kjo - mbi të gjitha - ngase kokën që D. H. i prenë, gjakësorët pikërisht pushtetarëve grekë ua shpunë. Me të ata dëshmuan zbatimin e porosisë asfaliano-korofillake dhe si shpërblim gëlltitën shumën tejskajshmërisht të majme dhrahmiane, të blatuar nga qeveria greke që shumë vjet më parë. Kjo e vërtetë është e ngulitur në aq e aq dokumente e vepra, ndër to edhe në fq. 6, të dosjes 99 (F. 252) të AQSH (Shih I. D. H., “Daut Hoxha”, fq. 113) është theksuar, njëzëri gjithashtu, nga 69 bashkëvendës bashkëkohës, disa prej tyre edhe bashkëluftëtarë e bashkëveprues; 34 prej dëshmive të tyre ndodhen të arkivuara në AQSH. Po K. F. - që pa u gabuar them se D. Hoxhës s’i kishte dëgjuar as emrin, duke mos qenë as

dhe brumë i ngjashëm me të - s’do që të mbajë parasysh se ç’thuhet në to, ngase duket sheshit që ia ka ënda t’i bjerë vrangallës asfaliano-korofillake. Për fshehjen me dashje të fajtorëve, thotë: “por vazhdimisht është dyshuar se porositësi i vrasjes ishte Musolini...”. Nga kush është “dyshuar”? Pa pikë dyshimi: nga hamendësuesit e sidomos nga të vërtetëfshehësit. Kjo u ngjan atyre që me gënjeshtra synojnë të fshehin minaren në thes, apo bishtin e tiganit nën kamillafin e priftit. Aq sa s’ka si të arrihen këto të dyja, aq s’ka si të fshihen as vrasësit grekë, e rrjedhimisht as përgjegjësia e drejtpërdrejtë e qeverisë së asokohshme greke, e kryesuar nga Metaksà. Shkurt, si K. F. edhe të njësojshmit me të, me shkarravinat e tyre kanë bërë dhe po bëjnë gjithçka munden për fshehjen dhe shfajësimin e Greqisë - aq shumë përzemërtën e tyre - për të cilën që asokohe e në

vazhdim iu është hapur barku për sa ajo hoqi nga “Italia fashiste”.

Së nënti, shtypi i kohës atë vrasje të kryer brenda shtetit shqiptar prej cubash grekë e zuri në gojë plot dy muaj më vonë e jo siç gënjen K. F.: “Fill pas vrasjes, Roma menjëherë vuri ulërimën”.

Së dhjeti, K. F., si përherë, kryekëput në kundërshtim me të vërtetën, ndaj D. H. vazhdon të përsëritë përçmimet e neveritshme të zëdhënësve asfalianë: “…Sipas saj, (Romës) bandat greke kishin vrarë me thikë patriotin shqiptar Daut Hoxhën. Fashistët shqiptarë filluan fushatën: ‘Duam hakmarrje për këtë patriot të madh që u vra për çështjen shqiptare’”. Një fshat që duket, s’do kallauz; pra, K. F. e tregon fare çiltazi nga sa thotë vetë. Me keqdashje të papërmbajtur e ligësi tërësisht greke ai përqesh të vërtetënjohësit dhe drejtësidashësit e kohës e po me frymë asfaliani synon t’i mohojë D. H. atdhetari-kombëtarinë e tij, pa dashur të mbajë parasysh se “dielli nuk mund të mbulohet me shoshë”, sidomos me atë greke, të njëjtë me rrjetën e peshkimit. Atdhetarët që e përjetuan veprimtarinë atdhetare e kombëtare të D, H. e dëshmuan saktësisht në dokumentet e lëna prej

tyre; shumë nga ato janë paraqitur në librin “Daut Hoxha”. Po duket sheshit se K. F. s’ka ndër mend apo s’do që vetes t’i hedhë një sy të imtë dhe të pyesë: “Kush kam qenë dhe jam unë në krahasim me D. H. dhe ata që e kanë vlerësuar atë?”, “Ç’u kam kushtuar unë vetëdashësisht atdheut dhe kombit?”, “Ç’kam flijuar unë vetë për atdheun dhe kombin shqiptar?

Së njëmbëdhjeti, lufta italo-greke shpërtheu gati 5 muaj pas vrasjes së D. H. e jo siç K. F. sheshit gënjen: “…dy muaj më vonë”.

Së dymbëdhjeti, Daut Hoxha mbeti i gdhendur në kujtesën e bashkëvendësve atdhetarë, të cilët e ngulitën përjetësisht edhe në vargje e nuk “u harrua”, siç shkarravit K. F. Mbarë atdhetarët e mbajtën dhe e mbajnë si shembull për përkushtimin atdhetar deri në flijim të vetin dhe të të 13 burrave nga dera e tij; pa kurrfarë dobie vetjake, tërë ata ranë në fushën e nderit për shpëtimin e vendit të vet nga robëria e Greqisë. Shkurt, K. F. gënjen, kur thotë: “Nuk e zuri më njeri në gojë”.

Së trembëdhjeti, K. F. thotë: “Shpresojmë sinqerisht që analogjia e Aristotel Gumës me Daut Hoxhën të jetë një rastësi pa pasoja. Sigurisht, Greqia nuk ka ndër mend t’i shpallë luftë Shqipërisë për shkak të A. Gumës...”.

 

Siç e theksova më lart, D. H. ishte një kapedan i shquar, legjendar, prijës luftëtarësh të paepur për shpëtimin e Çamërisë nga zgjedha e urryer shfarosëse greke; pra kryeluftëtar në ndëshkueshmërikërkim dhe në shënjestërmbajtje të përjetshme nga sundimtarët grekë. Ndërsa A. G. ishte një qytetar si tërë masa tjetër, i paurryer dhe i pandjekur prej askujt, sepse s’kishte se përse. Megjithatë, K. F. shprehet i bindur se Greqia e aqshumëmarrë në mbrojtje prej tij flet me bindje se ajo “nuk ka ndër mend t’i shpallë luftë Shqipërisë për shkak të A. Gumës”. Se nga e di këtë, kjo është puna e tij, por unë dua t’i them atij që të mos i dridhen leqet e këmbëve e të mos e zënë ethet e Maltës. Përballë mësyesve të Greqisë - si çdo herë - do të renditen ata dhe bijtë e atyre që kurrë s’u ka bërë syri “tërr” e jo K. F. me shokë; sepse, vetëm skifteri s’i shmanget shtrëngatës

dhe se vetëm “dardha bie ndënë dardhë”.

K. F., njëri prej të zgjedhurve nga eprorët PPSH-istë në unazën qendrore të ngjarjepërshkrimeve - Institutin e Historisë - duke qenë në monopolin e botimeve të kësisojshme, në këtë rast ka shërbyer si avokati më i përbetuar i Greqisë metaksaìste, ku e ku më fashiste se “Italia Fashiste”. Që Greqia e aqshumëmbrojtur prej tij ishte e tillë, vërtetohet edhe në vargjet popullore greke të vet grekëve të asokohshëm: “To metàksi- to metàksi,/ to psomí pài dhekàksi;/ qe to llàdhi tha petàksi!” (metàksi- metàksi,/ buka shkoi gjashtëmbëdhjetë:/ (po) dhe vaji do të shterojë). Metàksi quhet pambuku, po këtu ishte fjala për neolíst (neofashist) Metaksanë, i cili kundërshtarëve u derdhte në gurmaz një vëllim aq të madh vaj recini, sa ata i grinte barku me javë e muaj. Pra, K. F. e pati dorën dhe sheshin tërësisht të lirë që me urrejtje të sulmonte dhe tjetërsonte D. H., armikun më të papajtueshëm - dhe më të rrezikshëm - të Greqisë së aq shumëmëshiruar të tij. Rrjedhimisht K. F. jetësisht i përcëllojnë timbret e veshëve nga përmendja e emrit të D. H., udhëheqësit legjendar të luftëtarëve çamë, që me vetëmohim shembullor iu kundërvunë sundimit gjakatar kryqtar athino-fanarit në Çamëri. Siç thashë, shumica e atyre burrave, duke mbrojtur truallin e vet amtar, ranë në fushën e atdhetarisë dhe të lirisë kombëtare, të grirë nga plumbat, thikat dhe sëpatat e skllavëruesve gjakatarë grekë.

Brenda shtetit shqiptar që asokohe e në vazhdim janë shfaqur ngjasues zëdhënësish asfalianë - mjerisht që nga shkalla më e lartë shtetërore e deri tek më e ulëta - të cilët ndaj D. H. me shumë zell përtëritën shpifjet e gjithfarshme. Dhe dihet që mënyra më e përzgjedhur për shfajësimin e keqbërësit është hedhja e fajeve të tij mbi kurrizin e viktimës, mbi atë të të pafajshmit. Prandaj me vetëdije të plotë e ndërgjegje kombëtare kush të mykur e kush të tjetërsuar, bënë çmos që lavdinë e tij ta fshehin nën retë e veta çatdhesuese e çkombëtarizuese në dobi të Greqisë metaksaìste. Nga sa ka ndodhur - dhe po ndodh ende - sa t’u marrë lopata ujë, për vazhdimin e veprimtarisë së tyre të mbrapshtë, ata do të bëjnë gjithçka që t’u vijë për dore. Mjerisht kjo prapësi kombëtare është miratuar - madje edhe vlerësuar - prej pushtetarësh të ndryshëm fuqiplotë. Ndryshe nuk do të ishin

lejuar përçmime dhe tjetërsime si ato të botuara në të quajturën “Historia e Shqipërisë” dhe në libra e shtypshkrime të tjera të deritashme. Besimin për këtë e fuqizon palëkundshmërisht shkarravina e fundit e K. F. në “G. Sh.” të dt. 20.9.2010. Ndodh kështu, ngase jeta ka vërtetuar qind përqind thënien: “Gjarpri lëkurën vit për vit ndërron, po zakonin (helmatisjen) s’e harron”. Edhe sikur të dojë, s’ka se si të ndryshojë; i tillë lindet, i tillë mbruhet e rritet dhe ashtu e kalon kohën, deri sa vjen një çast që harron të marrë frymë.

 

Përfundimisht: nuk ishte D. H. që i rrëmbeu Greqisë ndonjë pjesë të sajën - që avokatët e saj “shqiptarë”: pushtetarë, akademikë, historianë, shkrimtarë, gazetarë (!!!) prej disa 10-vjeçarësh e këndej po përplasin fundet me aq tërsëllëm - por ishte pikërisht e dashura e tyre Greqi, që D. Hoxhës e disa mijëra çamëve të tjerë, me të vënë këmbë në vatrat e tyre, ua përpiu ato tok me mallin dhe u dha arratinë; ishte pikërisht ajo Greqi, që me atë rast trungut tokësor shqiptar i gëlltiti gati tërë Çamërinë, pjesën që nga çdo pikëpamje është më e vlefshme se çdo pjesë tjetër e vendit. Megjithëkëtë, në Shqipërinë (vetëm në shtetin shqiptar) e aq shumëvuajtur, të gjymtuar aq keqas, të shëmtuar përçudmërisht dhe të mësyrë pandërprerë prej Greqisë - doemos qëllimisht - qaramanëve grekdashës iu lejua që si kashta mbi ujë të dilnin dhe të vërsuleshin kundër D. H. me shokë,

të cilët atdhetarisht, kombëtarisht e burrërisht u përballën me Greqinë. Si mundet të qortosh, përçmosh e fyesh, si mund të tjetërsosh D. H. që vetë i 14-të me vëllezër e kushërinj (Shih Albert Kotini, “Çamëria denoncon”) u flijua për vetëmbrojtje dhe shpëtimin e vatrës dhe të mallit të vet stërgjyshor dhe të rënkosh e vajtosh për atë që ia grabiti dhe e përzuri?! Po ku duan të dinë shtriganët dhe zuzarët “shqiptarë” të Greqisë polifemike për gjëra të tilla?! S’ka pikë dyshimi se kaq poshtë mund të bien vetëm gjakprishurit, truthartuarit dhe ngjyrandërruesit; të tillët në shtetin shqiptar gjetën sheshin e përshtatshëm, prej tyre aq shumë të dëshiruar. Me prof. dr.-rëritë e tyre PPSH-íste e asfaliane ende vazhdojnë këngën e Mukës për shtrembërimin e të vërtetës dhe trullosjen e ndërgjegjes kombëtare. Botëkuptimin e çoroditës të trashëguar nga paravijuesit e tyre,

oshënar Gjergj Panariti e ka pasë nëmur me vargjet: “E duan me elinikà,/ ç’pret, moj mortje që s’i ha?!”. (Kalendari Kombiàr 1912.)

Në mbyllje të këtij punimthi vlen të përmendet përgjigjja e sime mëje në gusht 1940 dhënë Rejnaldes Packardit, drejtor i zyrës së agjencisë telegrafike londineze “United Pres” në Romë. “...edhe në i vrau (grekërit), në vendin e tî i vrau, nuk vate t’i vrit në vendin e ture...”. (Shih, I. D. H., “Daut Hoxha”, fq. 124 e 125). Dhe duhet mbajtur parasysh se nëna ime ishte më shumë fshatare se qytetare, e cila merrej vetëm me punë shtëpiake dhe s’dinte të shkruante as emrin e saj, sepse s’kishte parë derë shkolle me sy. Por ajo ishte e vetëpajisur me ndjenja dhe vetëdije shqiptare, të cilat K. Frashërit me shokë - me sa shkruajnë - vetëshpallin se u mungojnë.

 

Tiranë, më dt. 25.3.2011

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx