Mendime
Faton Mehmetaj: Tri vjet pas pavarësimit të Kosovës Serbia vazhdon të jetë faktor destabilizues për Kosovën
E diele, 19.06.2011, 07:57 PM
TRI VJET PAS PAVARËSIMIT TË KOSOVËS SERBIA VAZHDON TË JETË FAKTOR DESTABILIZUES PËR KOSOVËN DHE RAJONIN
Nga Mr. Faton MEHMETAJ
Një pjesë e konsiderueshme e popullit shqiptar, që jeton në Kosovë, është e kërcënuar nga strukturat ilegale serbe, të ashtuquajturat strukturat paralele dhe organizatat paramilitare, të cilat operojnë jashtëligjshëm në Kosovë. Strukturat e xhandarmërisë, të policisë, BIA-s e organizatave ekstreme serbe, janë kudo në Kosovë. Shpesh zyrtarisht flitet se këto struktura nuk veprojnë në Kosovë, mirëpo realiteti është ndryshe. Këto struktura janë kudo, veprimet e tyre janë të përditshme, janë të dukshme dhe të dënueshme me ligj. Deshëm apo jo, këto struktura brenda territorit të Kosovës e kanë fituar një lloj legjitimiteti, ndonëse të përkohshëm, por që është evident.
Vrasjet, maltretimet, dëbimet me dhunë të popullatës shqiptare nga vendet e tyre, hedhja në erë e veturave dhe objekteve tjera të shqiptarëve nëpër enklava, por edhe gjetiu, vazhdojnë të jenë kronika të shpeshta në shtypin tonë të përditshëm.
Gjithnjë e më shumë po forcohet bindja se mentaliteti i politikëbërësve të sotëm në Serbi, nuk ndryshon fare nga mentaliteti serbomadh i politikës serbe të periudhës së Millosheviqit.
Rrjeti i policisë sekrete të Sllobodan Millosheviqit, të Radomir Markoviqit dhe të Millan Radonjiqit edhe sot e kësaj dite është më i fuqishëm sesa vetë shteti serb. Shumë nga bandat dhe kriminelët që kanë marrë pjesë në krime e masakra në Kosovë, por edhe në vende tjera të ish-Jugosllavisë janë bërë drejtues policie, drejtues shërbimesh, janë pjesëtarë të MPB-së, BIA-s, strukturave paralele dhe organizatave paraushtarake ilegale serbe, të cilat po e terrorizojnë popullatën shqiptare që jeton në Kosovë, dhe po tentojnë ta minojnë pavarësinë e Kosovës, që është në ndërtim e sipër dhe në zhvillim institucional të pjekurisë si shtet i ri.
Në preambulën e Kushtetutës së Serbisë decidivisht është e përcaktuar se “Krahina e Kosovës dhe e Metohisë është pjesë përbërëse e Serbisë” dhe se “nga kjo pozitë e Krahinës së Kosovës dhe Metohisë burojnë obligimet kushtetuese të të gjitha organeve shtetërore që të përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat e shtetit të Serbisë në Kosovë dhe Metohi në të gjitha marrëdhëniet e brendshme dhe të jashtme politike”.
Në Strategjinë e Sigurisë Nacionale të Serbisë, e miratuar nga Kuvendi i Serbisë, në tetor të vitit 2009, bëhet e qartë se për të pamundësuar formimin e shtetit të Kosovës, nuk përjashtohet edhe përdorimi i forcës. Në këtë strategji ndër të tjera nënvizohet qartë se “në mbrojtje të sovranitetit dhe tërësisë territoriale, Republika e Serbisë është e vendosur të përdorë mjete diplomatike, juridike si dhe të gjitha mjetet e tjera në përputhshmëri me përcaktimet kushtetuese se asnjëherë nuk do të pranohet vendimi i institucioneve të përkohshme të Kosovës për njëanshmërinë e shpalljes së pavarësisë”. Në shërbim të kësaj politike serbomadhe është edhe mbajtja nën okupim e veriut të Kosovës.
Kohëve të fundit, opinioni publik në Serbi dhe në vendet tjera ballkanike, gjithnjë e më shumë po heton ngjashmëri të gjendjes aktuale me atmosferën e krijuar para viteve të ’90-ta, pra para fillimit të luftërave të përgjakshme në ish-Jugosllavi. Janë gjithnjë e më shumë zëra që tërheqin vërejtjen për vazhdimësinë e politikës serbomadhe të Memorandumit të Akademisë Serbe të Shkencave. Në anën tjetër, ndonëse në njërën anë shumica e analistëve në Serbi thonë se aktualisht situata në Serbi është shumë më e ndryshme nga ajo kohë, në anën tjetër ata sinjalizojnë se Memorandumi dhe projekti serbomadh ende është aktual. Një gjë e tillë argumentohet me “angazhimin e shtuar” të Beogradit zyrtar për serbët që jetojnë jashtë Serbisë, dhe me rekomandimet që atyre u jepen para regjistrimit të popullsisë, sidomos pas publikimit të strategjisë së qeverisë serbe për serbët jashtë Serbisë, me të cilën kërkohet konstituitivitet i serbëve edhe në Kroaci dhe në Mal të Zi. Si gjithnjë, në propagandën shtetërore serbe vazhdon të jetë e përfshirë edhe Kisha Ortodokse serbe. Madje pretendimet serbomëdha tentojnë të shtrihen edhe jashtë kufijve të hapësirës së ish-Jugosllavisë. Në këtë prizëm duhet parë edhe përpjekjet e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë për të shkruar një histori serbe brenda kufijve të sotëm administrativë të Shqipërisë, duke kërkuar varre serbe në Shqipëri, gjë që po e bën në bashkëpunim me shoqatën serbo-malazeze me qendër në Shkodër “Moraça-Rozafa”. E tërë kjo po ndodh në kohën kur Shqipëria është përfshirë në një debat të gjerë për regjistrimin e popullsisë në këtë vend ku në bazë të ligjit kërkohet të deklarohet edhe kombësia. Dihet se me hapje varresh e lëvizje eshtrash në fillim të viteve ’90-të filloi gjenocidi serbomadh në ish-Jugosllavi.
Akademiku i njohur boshnjak Abdulah Sidran, në një intervistë, të botuar në gazetën “Zëri”, në vitin 2009, në pyetjen se “me shpalljen e pavarësisë së Kosovës a është varrosur përfundimisht projekti politik serbomadh?, është përgjigjur: – “Ndoshta, sa i përket Kosovës, po. Dashtë Zoti të jetë ashtu. Por a e dini se çfarë është trishtuese. Siç ka thënë trimi boshnjak, gjenerali Atif Dudakoviq: “Lufta ka mbaruar vetëm për ata të cilët në të janë vrarë”! Projekti serbomadh është shumë i gjallë, në të çdo ditë punojnë dhjetëra mijëra politikanë, informatorë ushtarakë e policorë, gazetarë, punëtorë kulturorë e publikë. Dhe do të jetë i gjallë ky projekt derisa, së paku, në bankën fiktive të të akuzuarit, nuk gjinden ata dhjetë ideologët më të rëndësishëm që nga Dobrica Qosiqi e Millorad Ekmeçiqi, deri te Vasilije Kërstiqi, Miroljub Jeftiqi dhe Veselin Gjuretiqi. Për shkak të të tillëve do duhej menduar për themelimin e diçkaje të ngjashme me Gjyqin e dikurshëm të Raselit. Urgjentisht.”
Lidhur me projektin serbomadh, që po rishfaqet gjithnjë e më fuqishëm në Serbi, Sonja Biserko, nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Beograd, thotë: “Sërish në plan të parë vihet projekti shtet-madh. Kjo dëshmon se në Serbi ekzistojnë qendrat formale dhe jo formale të forcës. Është evidente se qendrat jo formale janë më të fuqishme dhe më të organizuara, ndërsa çdo pushtet demokratik në Serbi shërben vetëm si mbulesë për këtë projekt”.
Njëmbëdhjetë vjet më parë, natën ndërmjet datës 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, në pjesën veriore të Mitrovicës, strukturat e organizuara serbe vranë 10 shqiptarë: Muharrem Sokoli, Nerimane Xhaka, Remzie Canhasi, bashkëshortët Nezir dhe Shqipe Voca, Niman Sejdiu, Bashkim Rrukeci, Sebiha Abrashi, Selim Berisha dhe 13-vjeçari Nderim Ajeti, ndërsa i plagosën me armë zjarri 25 të tjerë. Pos këtyre, gjatë atij operacioni në të cilin kishte dorë direkt Serbia, përkatësisht politikanë serbë që sot mbajnë pozita të larta shtetërore, qenë lënduar rëndë nga rrahjet edhe 93 persona të tjerë. “Koha Ditore” përmes një shkrimi rikujton se me këtë rast 1.564 familje shqiptare me gjithsej 11.364 persona u dëbuan dhunshëm përgjatë gjithë muajit shkurt të atij viti nga ajo pjesë e qytetit. Strukturat e organizuara serbe, të cilat janë aktive edhe sot e kësaj dite, brenda një nate u ishin vërsulur familjeve shqiptare që jetonin në pjesën veriore të Mitrovicës, duke ekzekutuar 10 shqiptarë në shtëpitë e tyre, në mesin e tyre edhe fëmijë, por për këto krime deri më tani askush nuk është nxjerrë para drejtësisë, edhe pse vrasësit dihen me emra e mbiemra.
Për këtë masakër dhe një varg ngjarjesh tjera që kanë të bëjnë me presionin, keqtrajtimet, vrasjet dhe spastrimin etnik ndaj shqiptarëve, ka qenë në dijeni policia e UNMIK-ut dhe zyrtarët tjerë përkatës, që punonin gjatë asaj kohe në administratën ndërkombëtare në Kosovë, por kanë heshtur për shkaqe deri tani të panjohura.
Siç dihet, pjesa dërmuese e kësaj administrate kanë qenë të afërt dhe në shërbim të strukturave ilegale serbe, që operonin dhe vazhdojnë të operojnë në Kosovë. Përkundër kësaj, kjo administratë ka disponuar me një varg dosjesh, në të cilat është pasqyruar veprimtaria kriminale e grupeve ekstreme serbe, organizatave paramilitare e militare, veprimtaria e MUP-it, xhandarmërisë e grupeve tjera, ndaj të cilëve asnjëherë nuk janë marrë as masat më të vogla parandaluese as ndëshkuese, edhe pse dihen aktorët e veprimtarive të tilla kriminale, ndër të cilët bëjnë pjesë edhe ish-kreu i MUP-it serb në veri, Dragan Delibashiç dhe ish-shefi i të ashtuquajturit Këshilli Kombëtar Serb, aktualisht sekretar shtetëror në të ashtuquajturën Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq.
Edhe sot e kësaj dite mbi 13 mijë shqiptarë të dëbuar nga Mitrovica jetojnë me qira, në shtëpi të vjetra e të braktisura apo në strehimore kolektive, nëpër bodrume e kushte shumë të këqija sociale, në shumicën e rasteve jashtë përkujdesjes së shtetit, me statusin e refugjatit tash e njëmbëdhjetë vite. Madje, banorët shqiptarë të dëbuar nga veriu i Mitrovicës edhe kur vdesin nuk lejohen të varrosen në varrezat e tyre.
Edhe pas tri vitesh, doganierët kosovarë nuk janë kthyer në pikat kufitare Kosovë-Serbi, në Leposaviq dhe Zubin Potok, të njohura si Pikat 1 dhe 31, që u dogjën nga serbët me rastin e shpalljes së pavarësisë. Si pasojë, shteti ynë humb qindra milionë euro nga kontrabanda që bëhet lirshëm, madje nën vështrimin e EULEX-it.
Doganierët e EULEX-it nuk mbledhin taksa. Shumica e mallrave që futen në vendkalimet kufitare në veri nuk zhdoganohen fare. Si pasojë, humbjet nga kontrabanda, sipas ekspertëve, vlerësohen të jenë mbi 200 milionë euro në vit. Mallrat e kontrabanduara mbesin në veri dhe nga aty futen brenda në pjesët tjera të Kosovës. Vetëm në dy muajt e parë të këtij viti rreth 10 milionë euro mallra janë regjistruar nga doganierët e EULEX-it, por të njëjtat nuk janë paraqitur për zhdoganim te Doganat e Kosovës në jug. Nga kjo vlerë e mallrave janë shmangur rreth një milion euro obligime doganore.
Sipas burimeve të konfirmuara edhe publikisht, kontrabanda më e madhe në veri zhvillohet nëpër rrugët dytësore, pa kaluar fare në pikat doganore 1 dhe 31. Rreth 100 metra afër pikës doganore 31 në Bërnjakë, kontrabandistët serbë kanë hapur dhe riparuar rrugën që shfrytëzohet çdo ditë për kalimin e kamionëve me të gjitha llojet e mallrave kontrabandë pa iu nënshtruar fare kontrollit. Edhe në afërsi të pikës kufitare 1 në Jarinë, funksionon rruga dytësore (“Vuqja Rupa”), e cila kalon nga pika e kontrollit serb në drejtim të Kopaonikut, nëpër fshatin Cirkoviq.
Tashmë nuk ka asnjë dyshim që krimi ekonomik në veri drejtohet nga zyrtarë të MUP-it serb. Siç është bërë e ditur edhe në media (Kosova Sot, Koha Ditore, Kosova Press, Infopress etj.), përgjegjësi kryesor i këtij rrjeti është Zvonko Veselinoviq, i njohur për të kaluarën e tij kriminale. Ka dosje të trasha edhe në UNMIK e në EULEX. Pa urdhrin e tij nuk hyn asnjë mall kontrabandë, por as nuk del nga depot në veri të Kosovës.
Biznesmeni shumë i fuqishëm në veri të Kosovës, Zvonko Veselinoviq, i cili i kontrollon apo i ka në pronësi të gjitha pompat e benzinës në veri të Kosovës, pasurinë e ka krijuar që nga viti 1999 e këndej dhe për veprimet e tija të kontrabandës, por edhe të ndikimit e ka mbështetjen e Qeverisë së Beogradit, madje thuhet të jetë i lidhur me biznesin e tij edhe me vet kryeministrin rus, Vladimir Putin, duke u angazhuar në krijimin e korridorit të furnizimit me gaz nga Rusia për këtë pjesë të Europës Juglindore.
Zvonko Veselinoviq në rrjetin e tij ka zyrtarë të MUP-it të Serbisë si dhe policë serbë të Policisë së Kosovës. Në gjithë këtë qarkullim, Veselinoviq ndan përqindjen e fitimit për MUP-in serb, por njëkohësisht edhe kontrollohet nga MUP-i. Po ashtu, Veselinoviq, kontrollon rreth 50 persona në Mitrovicë, të cilët MUP-i serb që vepron në veri të Kosovës, i përdorë për përshkallëzimin e situatës sa herë që të ketë nevojë.
Në vitin 2010, djali i Veselinoviqit ishte ndaluar nga Task Forca e Policisë së Kosovës që vepron në veri, por ishte liruar brenda natës, me ndërhyrjen e komandantit të stacionit të Policisë së Kosovës në veri, Milija Millosheviq, tashmë i përjashtuar nga radhët e Policisë së Kosovës.
Në këtë rrjet të kontrabandës rol të rëndësishëm kanë edhe Millan Radoiq dhe Aleksandër Rakiçeviq, pastaj, Lubomir Pantoviq, Mica Milojkoviq, Millan Radojçiq, Dako Gusmiq (ish-polic i SHPK-së), Serbolub Moisiq etj. Ndërkaq nga radhët e Policisë së Kosovës në veri në këtë rrjet veprojnë: nënkoloneli Ergin Mediq, Milija Millosheviq “Piksi” (i larguar në shkurt të këtij viti nga radhët e PK-së), policët: Predrag Bogosavleviq (Pegja), Vladan Bogosavleviq (Vlaiqi), Qamil Bajramliq, Zhelko Bojiq dhe Bratisllav Millojeviq, Rajko Shekularac – pjesëtar i MUP-it, por punon edhe në Policinë e Kosovës, etj. Po ashtu në këtë rrjet vepron edhe i ashtuquajturi shef i MUP-it serb në Kosovë, Dragolub Delibashiq. Padyshim se strukturat paralele serbe në veriun e Kosovës ushtrojnë kontroll të rreptë mbi rrjetin e kontrabandës dhe dy pikat doganore në kufi më Serbinë.Ky rrjet i kontrabandës dhe krimit të organizuar mbështetet edhe strukturat paralele të Milan Ivanoviqit dhe Marko Jakshiqit.
Aktivitet shumë të rëndësishëm në kontrollin e pikave doganore (1 dhe 31) dhe të rendit publik kryen edhe e ashtuquajtura “Mbrojtja Territoriale Civile”, e cila vepron pandërprerë gjatë 24 orëve. Struktura që merret më shumë me sigurinë e asaj pjesë të vendit janë të rinjtë serbë të rekrutuar, përderisa ish-policët serbë janë shumë më pak aktivë.
Dihet botërisht se rrjeti i kontrabandës në veri është multietnik, ku janë të përzier serbë e shqiptarë, madje dyshohet se janë të implikuar edhe zyrtarë ndërkombëtarë. Djegia e pikave doganore dhe mosfunksionimi i doganave në Jarinë dhe Bërnjakë i ka mobilizuar kontrabandistët e naftës, serbë dhe shqiptarë, dhe e ka bërë të rrezikshme edhe këtë “biznes”. Gjatë kësaj kohe, siç bëjnë të ditur mediet, pas djegieve të pikave kufitare, ka pasur raste të vrasjeve për shkak të kontrabandës së naftës, pastaj hedhje në erë të automjeteve dhe pikave të karburanteve nga grupet rivale të kontrabandistëve, si dhe sulme në objekte afariste. Një i ri serb, Marko Patriq (29), është vrarë në mes kufirit Serbi-Kosovë, në Bërnjakë gjatë rivalitetit për kontrollimin e kontrabandës. Ndërkaq në qendër të veriut të Mitrovicës është hedhur në erë një automjet i tipit “Audi
Kohë më parë, “Koha Ditore” (më 20 shkurt 2011) ka publikuar përmbajtjen e një dokumenti, të cilin shkruan se e posedojnë edhe institucionet vendëse dhe ndërkombëtare, me emrat e personave që merren me kontrabandë nafte në veri të Kosovës nga Serbia. Sipas këtij dokumenti, 95 për qind e naftës, euro dizel, benzinës dhe benzinës pa plumb e blejnë personat serbë nga firma “Nafta” A. D., Beograd, që e sjellin në veri të Kosovës. Personat që “importojnë” këtë lloj nafte janë: M. Radisavleviq nga Zubin Potoku, V. Gjorgjeviq nga Zubin Potoku, S. Jaksiq nga Zubin Potoku, N. Markoviq nga Zubin Potoku, J. Drobnjak nga Zubin Potoku, B. Prodanoviq nga Zubin Potoku, por ndërmarrjet e tyre nuk dihen me emër. Po ashtu, “importojnë” vëllezërit Vuloviq nga Leposaviqi, D. Stojanoviq nga Leshaku, pronar i firmës “Oktan Petrol”, B. Antonijeviq nga Leposaviqi, Zh. Milovanoviq nga Mitrovica, B. Fikoviq nga Zveçani, R. Pavloviq nga Zveçani, R. Miliçeviq nga Zveçani, B. Radenkoviq nga Zveçani, Aleksandër Rakiçeviq nga Mitrovica, Rade Cekrliq nga Leposaviqi, C. Vukiq nga Leposaviqi, B. Nedelkoviq nga Mitrovica, N. Zdravkoviq nga Mitrovica, Z. Veselinoviq nga Mitrovica, N. Miliçeviq nga Rashka e Serbisë, Z. Milojeviq nga Leposaviqi etj.
Sipas dokumentit në fjalë, firmat të cilat e importojnë naftën nga Serbia dhe e sjellin në Kosovë janë: “Raskos”, “Bono Sistem”, “Bisina Komerc”, “Slap Kd”, “Msn doo”, “Sdl”, “Str As”, “M&S”, “Trade doo”, “Sokolica”, “Sekos”, “Deraltion”, “Str Petro-Oil”, “Paki doo”, “Oaza Petrol doo”, “Rasno Komerc doo”, “Tronod”, “Ceki Neca doo”, “Klopotnik doo”, “Min-Prom doo”, “Radenkoviq doo”. Dokumenti qartëson se një pjesë e këtyre firmave sjellin naftë edhe nga Bosnja dhe Iraku, ku blejnë “vaj bazik”, të cilin në Kosovë e përziejnë me benzinë, tretës të ngjyrave dhe me disa kemikale të tjera dhe e kthejnë në naftë. Këtë punë e bëjnë 75 për qind të këtyre firmave e jo të gjitha. Nafta e tillë, me standarde ndërkombëtare është e ndaluar rreptësisht të tregtohet, për arsye së është shumë kancerogjene, pasi që liron sasi të mëdha të sulfurit në atmosferë, bëhet e ditur në këtë dokument.
Veprimet e tilla në veri të vendit janë vazhdimësi e skenarëve okupues të vitit 1998-1999, që kishin kaluar me vrasjet masive të shqiptarëve, duke i shfrytëzuar mekanizmat shtetërorë (edhe APJ-në) për të realizuar spastrimin etnik për qëllime politike.
Loja me mekanizma të tillë po vazhdon edhe sot e kësaj dite. Strukturat e BIA-s, MUP-it, xhandarmërisë, policisë së Serbisë e struktura të tjera të dukshme e të padukshme po veprojnë në Kosovë. Ka kohë që më nuk flitet për ekzistencën apo mosekzistencën e këtyre grupeve, të cilat, kohëve të fundit, disi e kanë fituar një lloj legalizimi në disa pjesë të Kosovës, edhe përkundër përpjekjeve për zhbërjen e këtyre strukturave nga organet qeveritare të Kosovës dhe ato ndërkombëtare. Madje, në një raport të hartuar nga hetuesit e ish-administratës së OKB-së në Kosovë jepen shumë detaje për funksionimin e këtyre strukturave dhe për ekzistimin menjëherë pas luftës të të ashtuquajturave “grupe luftuese” në veri të Kosovës.
Serbia dhe kreu i saj politik dhe ushtarak edhe sot e kësaj dite nuk ka lëvizur fare nga logjika ekspansioniste dhe logjika e rrezikshme politike që edhe me luftë të realizojnë qëllimet e parashtruara politike, përfshirë këtu edhe Kishën Ortodokse Serbe, e cila gjithnjë ka qenë frymëzuese shpirtërore e krimeve të vazhdueshme në Ballkan, konkretisht edhe në Kosovë.
Strukturat ilegale paralele serbe, pos financimit të rregullt nga buxheti i Serbisë, financohen edhe nga vijat alternative. Një burim tjetër i rëndësishëm i të ardhurave për këto struktura janë edhe paratë që rrjedhin nga shmangia e taksave doganore, pra nga kontrabandimi i mallrave që konsiderohet burim i përhershëm i të ardhurave për këto struktura.
Gjatë vitit 2006, Serbia i ka shkaktuar Kosovës një evazion fiskal, rreth 100 milionë euro në vit. Që nga ajo periudhë e gjer në ditët e sotme ajo shifër varion diku më shumë e diku më pak, ndërsa prej vitit 2008, u janë krijuar kushte edhe më të përshtatshme për shtrirjen e rrjetit të kontrabandës dhe krimit të organizuar.
Pos kësaj, shumica e minoritarëve serbë në Kosovë as që i përfillin institucionet e dala nga vota e popullit. Ata nuk i paguajnë kurrfarë tatimi shtetit të Kosovës. Shumëçka që ndodhë brenda enklavave serbe, as që bëhet publike, por është vazhdimësi e një logjike konspirative, e instaluar tash një kohë të gjatë në ndërdijen e serbëve.
Mitrovica (pjesa veriore) dhe shumica e enklavave nuk i përgjigjen Administratës Tatimore të Kosovës (ATK). Sipas të dhënave të këtij institucioni del se borxhi total i serbëve ndaj ATK-së sillet rreth 7.5 milionë euro. E përmendëm këtë fakt jo pse serbët e Kosovës i kanë borxh ATK-së, por për faktin se nuk e njohin si institucion.
Po t’i kthehemi për një çast historisë shohim se shërbimet sekrete serbe, me theks të veçantë që nga viti 1945 e deri në ditët e sotme kanë eliminuar fizikisht një pjesë të krerëve të emigracionit politik shqiptar, por kanë arrestuar dhe burgosur mijëra shqiptarë, që i kanë kërkuar të drejtat e veta gjatë kësaj periudhe. Eliminimi fizik i personaliteteve të emigracionit politik shqiptar por edhe të atij kroat, ka qenë njëra prej formave të veprimit konspirativ të shërbimit të zbulimit jugosllav. Kurse arrestimet, burgosjet dhe vrasjet e shqiptarëve, të mbetur nën ish-Jugosllavi pas Luftës së Dytë Botërore (në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e Kosovë Lindore), që kërkonin të drejtat e tyre, mekanizmat shtetërorë serbo-jugosllavë i përdornin si metodë për ta shtypur popullin shqiptar.
Prej vitit 1860, qarqet politiko-ushtarake serbo-greke, të udhëhequra nga M. Obradoviqi përcaktuan pikëpamjet e tyre për copëtimin e tokave shqiptare, ku shqiptarët quheshin si fise amorfe, siç po quhen edhe sot nga diplomacia serbe. Më 23 shtator 1866, Serbia e Mali i Zi, të mbështetura nga Rusia nënshkruan marrëveshjen që Serbia të merrte Kosovën. Mu për këtë qëllim menjëherë për në Shqipëri dërguan njërin prej agjentëve më të spikatur, Stojan Vezenkoviq. Serbia në vitin 1876 për në Kosovë mobilizoi 124.000 veta dhe i mblodhi 5000 çetnikë të njohur si “Sokolashi” në krye me gjeneralin Ranko Alempiq, i cili pos vrasjeve dhe terrorit masiv mbi popullatën shqiptare i detyroi mbi 150.000 shqiptarë të shpërngulen nga vatrat e tyre. Vala e asgjësimit të popullit shqiptar, e përgatitur qartë në planet politiko-ushtarake serbe vazhdon edhe më 1877-78, kur serbët vrisnin foshnja, pleq e popullatë të pambrojtur, duke shkretuar fshatra të tëra dhe duke i lënë pa njerëz. Vetëm prej 23 shtatorit të vitit 1904 deri në shkurt të vitit 1905, në Kosovë u dërguan nëntë çeta të komanduara nga kapiteni Dragolub Kosta Nikoliq. Të gjitha çetat që i komandonte kapiteni Nikoliq, përbëheshin nga serbë, që kishin marrë pjesë në masakra të ndryshme mbi popullin shqiptar. Pos kësaj, pjesëtarët e këtyre çetave serbe ishin të veshur me rroba kombëtare shqiptare për të mos u hetuar, por edhe për t’u kamufluar me qëllim që problemet dhe aktet kriminale që do të kryenin të mbeten brendashqiptare. Ekspeditat ushtarake serbe vazhduan edhe në vitin 1909, në Prizren, Lumë etj., ku shumë fshatra u dogjën e u bënë shkrumb e hi. Në fund të vitit 1910, kryeministri serb Nikolla Pashiqi, që njëherësh ishte edhe përfaqësues i organizatës panserbe “Narodna Odbrana”, filloi kolonizimin e serbëve në Kosovë. Në vitin 1911, ministri serb Millovanoviq dhe profesori Beliq thoshin se Serbia nëpërmjet Shqipërisë së Sipërme duhet të dalë në Durrës, siç po tentohet edhe sot.
Dihet botërisht se prej majit të vitit 1912, Serbia punoi për pushtimin e Shqipërisë. Organizatat sekrete serbe funksiononin me dijeninë dhe direktivat e shtetarëve serbë, siç është rasti me “Dorën e Zezë”, të cilën e udhëhiqte Dragutin Dimitrijeviqi – APIS-i. Qëllimi i saj ishte pushtimi i të gjitha krahinave shqiptare dhe vrasja e të gjithë atyre që do të guxonin ta kundërshtojnë këtë ide. Po ashtu, çetat terroriste të Vojisllav Tanaskoviqit, i cili ishte kuadër i fshehtë i organizatës sekrete serbe “Bashkim ose Vdekje” (“Dora e Zezë”), e cila komandohej nga gjenerali famëkeq Bozha Jankoviq, e terrorizuan popullatën e fshatrave të ndryshme të Kosovës për shumë vite me radhë. Në periudhën 1912-1915, masakruan 30.000 vetë, më tepër se 2000 prej tyre ishin gra, fëmijë e foshnje. Vetëm për dy orë janë shfarosur 500 shqiptarë, nga bandat dhe grupet çetnike të komanduara nga kapiteni Jerushiq dhe nënkoloneli Miliçeviq, kufomat e të cilëve u futën nëpër shtëpi, të cilat pastaj u dogjën për të humbur gjurmët. Vetëm në Kosovë, sipas gazetës “Shqipëria e Re” e vitit 1913, u zhdukën 13.000 shqiptarë.
Më 15 qershor të vitit 1915, ministri serb i asaj kohe, Lubo Jankoviqi, nënshkroi kontratën me agjentin serb Esat Pashë Toptanin, që Serbia ta marrë Podgoricën, rrethet e Golobërdës, Dibrën, Lumën, Hasin e deri në Spaç. Gazeta “Populli” e 24 gushtit 1919 njoftonte se vetëm në tetë krahina të Kosovës ishin vrarë 11.928 veta dhe ishin djegur 6.109 shtëpi. Më 13 korrik 1924, gjenerali Bozhidar Terziq, urdhëroi që të sulmohet dhe të zhduket tërësisht “Arbëria e Vogël” - Zona e lirë e Drenicës.
Shumicën e këtyre operacioneve i kishte organizuar Nikolla Pashiqi në bashkëpunim edhe me organizatat sekrete serbe që vepronin me lejen dhe dijeninë e shtetit serb, disa prej të cilave kanë qenë aktive edhe gjatë luftës së fundit, por vazhdojnë të jenë aktive edhe sot. Nga viti 1913-1915 janë shpërngulur në mënyrë sistematike në bazë të planeve dhe marrëveshjeve të qeverisë serbe mbi 120.000 shqiptarë, për në Turqi, Shqipëri e vende të Europës. Për shqiptarët është i njohur referati famëkeq i 7 marsit të vitit 1937 i Vasa Çubrilloviqit, që në mënyrë të organizuar kërkonte shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi, të 200.000 vetave, dhe kolonizimin e vendit me kolonë serbë, që do t’i zinin tokat dhe shtëpitë e të shpërngulurve. Në vitin 1941 numri i të shpërngulurve kishte arritur deri në 240.000 veta, ku çetnikët, Miliq Kërstiç, Kostë Peçanci, Sava Llazareviqi (Savë Batarja) etj., në krye të çetave çetnike i kryen masakrat më çnjerëzore mbi popullatën shqiptare, duke filluar nga shqiptarët në Mali të Zi, pastaj në Kosovë, në Maqedoni, Kosovën Lindore e kudo tjetër ku kishte shqiptarë.
Kurrë nuk do të harrohet ngjarja e hidhur e vitit 1944, ku strukturat e sigurimit me dijeninë e Titos dhe të Rankoviqit arrestuan në Kosovë 10.000 shqiptarë prej të cilëve 1.200 i pushkatoi pa gjyq kurse pjesa tjetër u burgosën pa kurrfarë procedure gjyqësore. Një pjesë e tyre vdiqën burgjeve pa mundur t’u përballojnë torturave dhe vuajtjeve të vazhdueshme që i shkaktonin strukturat e reja të pushtetit ushtarako-policor. Aso kohe gjenerali i Brigadës së parë maqedonase, Apostolovski, thoshte: “Kjo nuk është asgjë”, kurse Svetozar Vukmiroviq Tempo thoshte: “Ata që keni për t’i pastruar, qëroni shpejt”. Ndërkaq, në dimrin e vitit 1945, divizionet jugosllave nën pretekstin e pastrimit të elementëve armiqësorë, në Drenicë masakruan mbi 30.000 burra, gra, fëmijë e pleq. Në këtë periudhë, mbi 2000 vetë u vranë në Mitrovicë, mbi 1000 në Gjilan, e mijëra të tjerë që shkuan si partizanë gjoja për t’i luftuar fashistët u vranë me plumb pas koke. Në Tivar, strukturat e shërbimeve sekrete që operonin brenda vijës ushtarake serbo-jugosllave, në vitin 1945 masakruan mbi 3760 partizanë shqiptarë, kurse në Goricë të Triestes, më shumë se 2000 djem shqiptarë nga Maqedonia u mbytën me gaze helmuese shumë më ashpër se në kampet e Mat’hauzenit. Nga agjenturat e shërbimeve sekrete serbe nga viti 1944-1948 del se janë ekzekutuar më shumë se 40.000 vetë.
Në vitin 1955-1956, gjatë të ashtuquajturit Aksion i mbledhjes së armëve, i cili ishte pretekst për maltretimin e popullatës së pafajshme, burgosjen dhe vrasjen e tyre, nëpër duart e UDB-së kaluan mijëra shqiptarë, dhjetëra prej tyre vdiqën në tortura e qindra të tjerë u shkatërruan burgjeve.
Këto procese, të ngjashme me proceset e montuara të ditëve tona kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së, që zanafillën dhe zhvillimin e kanë në Beograd, janë vazhdimësi e proceseve të montuara të shtabit që përbëhej nga Dushan Mugosha, Gjokë Pajkoviqi, Çedo Mijatoviqi, Çedo Topalloviqi, Bogolub Radiqi, Dragan Okileviqi, Vllado Drazhiq, etj., pa i përmendur disa oficerë shqiptarë të kohës, që ishin përkrah tyre, të mbështetur nga Tito e Rankoviqi. Në këtë kohë burgjet ishin mbushur përplot shqiptarë, ndërkaq ishte amnistuar elementi çetnik e bandat kriminale serbe, që kishin bërë krime ndaj shqiptarëve mbi 20 vite me radhë. Duhet përmendur se gjatë vitit 1956, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, ishin bërë 70 kallëzime penale për lëndime trupore kundër zyrtarëve të UDB-së. Për lëndime të rënda trupore - të cilat kanë rezultuar me vdekje, janë bërë 44 kallëzime penale, 8 kallëzime penale ishin bërë për montim të dëshmive, 150 ishin bërë për privim të paligjshëm nga liria, kurse dy kallëzime të tjera ishin bërë për keqpërdorim të postit zyrtar, e të mos flasim për veprat penale të zyrtarëve të UDB-së gjatë atij viti, ndaj të cilëve janë bërë kallëzime penale kundër tyre në gjykatat tjera në Prishtinë, Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj, Pejë, Prizren e anekënd Kosovës. Kallëzimet penale për vrasje kanë të bëjnë me rastin e pushkatimeve në vitet 1947-1948, kryesisht nga pjesëtarët e njësive ushtarake të KNOJ-it, e ndonjë herë edhe nga pjesëtarët e milicisë së asaj kohe. Më vonë, ishin pikërisht inspektorët e UDB-së, Vladimir Shilegoviqi nga Beogradi (ish-punëtor në Sekretariatin e Prishtinës në bashkëpunim edhe me Lluka Tomoviqin (po ashtu punëtor i Sekretariatit të Punëve të Brendshme në Prishtinë), e kishin mbytur në tortura patriotin e devotshëm Fazli Greiçevcin, më 3 gusht të vitit 1964 në burg.
Këto që u thanë më lart ishin një ilustrim për të treguar llahtarinë që bëri UDB-ja dhe organet e sigurimit shtetëror ndaj shqiptarëve. Po sa vrasje, sa maltretime, burgosje, dëbime nga vendi e privime nga liria pa pikën e fajit janë bërë nga ajo kohë e deri në mbarim të luftës së fundit 1999?! - Padyshim se nuk kanë fund. Historia po përsëritet edhe sot e kësaj dite. Pothuajse, 12 vjet pas përfundimit të luftës, cak i sulmit, vrasjeve e burgosjeve masive janë bërë ish-pjesëtarët e UÇK-së kurse janë amnistuar e janë veshur me petkun e pushtetit shumica e kriminelëve serbë, duke mos e anashkaluar as elementin shqiptar, që ishte pjesë e aparatit okupues të Millosheviqit, të cilët edhe sot e kësaj dite kanë mbetur në të njëjtat linja, pra jo vetëm armiq të UÇK-së, por edhe të progresit të Kosovës. Numri i të dënuarve shqiptarë për krime lufte është shumë më i madh se sa i serbëve të dënuar për krime lufte, ani se serbët në Kosovë, i kanë vrarë mbi 15 mijë persona të pafajshëm. Që nga instalimi i EULEX-it në Kosovë në vitin 2008, prokurorët e këtij misioni, kanë shpallur 13 aktgjykime për krime lufte, 11 kundër shqiptarëve e dy kundër serbëve. Me këtë kuti ka vepruar edhe UNMIK-u.
Amnistimi i fajtorëve që kanë bërë krime lufte dhe fajësimi i atyre që janë mbrojtur nga shfarosja, gjenocidi dhe asimilimi total është një padrejtësi e madhe. Ky koncept përputhet me teoritë shoviniste të Çubrilloviqit, Andriqit e klaneve tjera të Akademisë Serbe, të cilët e elaboruan tezën se “shqiptari i mirë është vetëm shqiptari i vdekur”. Padrejtësitë ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe sjellja ndaj tyre me arrogancë e në mënyrë poshtëruese, po e vë në zbatim konceptin e Akademisë Serbe për shqiptarët.
Gjendja e krijuar në vend edhe tri vjet pas pavarësisë ka bërë që në Kosovë të mos ketë stabilitet politik. Në vend po mbretërojnë krizat e vazhdueshme sociale. Nganjëherë tensionimet, duke përfshirë edhe këto të fundit, afrohen buzë eskalimit të situatës. Konflikti shqiptaro-serb që ka zgjatur më shumë se njëqind vjet, vazhdon të jetë aktual edhe sot e kësaj dite, por me një intensitet më të ulët se sa viteve të kaluara, por me qasje dhe metoda të reja që i përkasin luftës speciale. Shtypi dhe televizionet serbe në vazhdimësi “edukojnë” dhe indoktrinojnë popullatën me urrejtje patologjike kundër shqiptarëve dhe popujve tjerë joserbë. Rezultatet tregojnë se serbët nuk janë të gatshëm të jetojnë në një shoqëri multietnike, që është kërkesë bazë e BE-së. Edhe më tutje në Serbi mbretëron një klimë luftënxitëse, meqë serbët ende madhërojnë kriminelët më të mëdhenj të pas Luftës së Dytë Botërore si dhe luftërave të fundit si heronj.
Në fillim të muajit prill (2011), Serbia vendosi t’i dekorojë me medalje ushtarët serbë, të cilët kanë marrë pjesë në luftërat e zhvilluara në hapësirat e ish-Jugosllavisë, kurse strukturat pushtetmbajtëse në Kosovë i kanë mbushur burgjet me ish-pjesëtarë të UÇK-së, madje me akuza të ngritura përgjithësisht në Serbi e nga Serbia.
Ditë më parë, Ministria serbe e Mbrojtjes ka miratuar rregulloren për medaljet ushtarake dhe përmendoret ushtarake, me të cilën parashihet ndarja e medaljeve për ushtarët serbë, të cilët kanë marrë pjesë në aksione luftarake në territoret e RSFJ-së, RFJ-së dhe Serbisë.
Kjo do të thotë se do të nderohen personat, të cilët me uniforma të APJ-së, kanë qenë të përfshirë në luftërat në Slloveni, Kroaci e Bosnjë. Me këtë ministria serbe e Mbrojtjes dhe qeveria serbe po pranojnë agresionin ndaj Kroacisë, Bosnjës, Sllovenisë dhe po konfirmojnë se ushtria e Serbisë është pasardhëse e APJ-së. Ky gradim po ndodhë kur prokuroria e Tribunalit të Hagës ka kërkuar dënimin me burg të përjetshëm të shefit të Shtatmadhorisë së ish-Ushtrisë Jugosllave, Momçillo Perishiq.
Pra, ministria serbe e mbrojtjes ka vendosur që t’u ndajë medalje përkujtimore ushtarëve nga Serbia, të cilët kanë marrë pjesë në luftërat e zhvilluara në hapësirat e ish-Jugosllavisë gjatë viteve të ‘90-ta, përfshirë edhe atyre që morën pjesë në luftë në Kosovë, ku kryen krime të tmerrshme, gjenocid e spastrim etnik. Dihet se Serbia, vazhdimisht e ka mohuar pjesëmarrjen e ushtrisë serbe (jugosllave) në luftë në Kosovë. Me këtë akt, sekretari i shtetit në ministrinë serbe të Mbrojtjes, Igor Joviçeviq, zyrtarisht pranon pjesëmarrjen e ushtrisë serbe në luftë në Kosovë dhe atë prej 23 marsit 1998 deri më 26 qershor 1999.
Pra, Serbia vazhdon t’i dekorojë ata që gjatë luftës në Kosovë terrorizuan, vranë e masakruan mbi 15 mijë shqiptarë, qindra të tjerë ende konsiderohen të zhdukur, as eshtrat e të cilëve Serbia edhe sot e kësaj nuk po i kthen në Kosovë, qindra mijëra të tjerë që u shpërngulën gjatë dëbimit masiv, nuk janë kthyer ende në vendin e tyre. Veç kësaj, i shkaktuan miliarda dollarë dëme materiale Kosovës. Kurse në Kosovë vazhdojnë të akuzohen e të burgosen deputetë, ish-kryeministra, komandantë të Policisë së Kosovës, ish-komandantë të UÇK-së e struktura të tjera, mbi bazën e akuzave të ngritura nga gjykatat e Serbisë që në kohën e regjimit gjenocidial të Millosheviqit, kinse për krime lufte! Madje, dyshimet dhe arrestimet ndaj kësaj shtrese, pothuajse në të gjitha rastet, kanë filluar mbi dëshmitë e disa dëshmitarëve të përpunuar në Beograd, nga organet e strukturave të sigurisë.
“Paaftësia” e Serbisë për ta arrestuar të shumëkërkuarin për krime lufte, Ratko Mlladiq dhe Goran Haxhiqin, i kushton asaj mbi një miliard euro në vit si rezultat i humbjes së investimeve dhe fondeve të Bashkimit Europian, u kishte deklaruar medieve në fund të vitit 2010, zëvendësprokurori serb për krime lufte. Ndërkaq, arrestimin e Mlladiqit, Serbia e ka kushtëzuar me hyrjen në BE. Edhe pse ky pazar është intern, në kuluaret diplomatike, është një e vërtetë publike.
Siç është bërë publike, një sektor i shërbimeve sekrete serbe qëndron në mbrojtje të Mlladiqit. Madje as presidenti serb, Boris Tadiq, nuk është treguar kurrë i vendosur që ta kapë atë. Në shkurt të këtij viti është marrë në pyetje nga organet e gjyqësisë serbe, Aca Tomiq, ish-shef i Shërbimit të Sigurimit Ushtarak të Jugosllavisë, nën dyshimin se e ka fshehur kriminelin e luftës, Ratko Mlladiq. Tomiq, një nga njerëzit me më ndikim në sistemin e sigurisë dikur, ka qenë udhëheqës i ish-KOS-it ushtarak, i cili gjatë vitit 2000 ishte graduar me titullin gjeneral, në kohën e ish-presidentit Vojisllav Koshtunica. Në vitin 2003, Tomiq shkarkohet nga kjo detyrë, pasi ishte arrestuar në aksionin e njohur si “Sablja”, që çoi në arrestimin e më shumë se 1000 vetave lidhur me vrasjen e ish-kryeministrit serb, Zoran Gjingjiq. Disa prej të arrestuarve ishin pjesëtarë të të ashtuquajturit Klani i Zemunit, por edhe udhëheqës të strukturave paralele. Tomiq ka qenë i përfshirë edhe në disa akuza të tjera në lidhje me Klanin e Zemunit, grupin mafioz që bënte pjesë edhe në strukturat e shtetit.
Bashkëpunimi i kriminelëve serbë të luftës me shërbimet sekrete serbe nuk është rastësi. Edhe ultranacionalisti serb Vojisllav Sheshel, ishte pjesëtar i shërbimeve të fshehta serbo-boshnjake, ku vepronte me nofkën “Magjistër”. Lidhur me këtë të dhënë ka folur edhe zyrtari i lartë i UDB-së, Zoran Mijatoviq, sipas të cilit shërbimi sekret i Bosnjës e kishte shfrytëzuar Sheshelin si bashkëpunëtor, i cili më pas ishte ndër urdhëruesit e krimeve të tmerrshme dhe spastrimet etnike në këtë pjesë.
Në shumicën e ish-republikave të Jugosllavisë, pas shpërbërjes dhe pavarësimit të tyre, në pushtet, sidomos në strukturat e sigurisë erdhën njerëz nga ish-shërbimet e regjimit jugosllav, ngase kishin një lloj ndikimi apo lidhje me një pjesë të strukturave që kishin ardhur në politikë pas përfundimit të luftërave në këto hapësira. Në këtë drejtim, as Kosova nuk bën përjashtim. Për shembull, me ardhjen në pushtet të nomenklaturës së Franjo Tugjmanit, në Kroaci u krijua një pakt mes shërbimit që e burgosën Tugjmanin në vitet e ‘80-ta. Ata i mundësuan Tugjmanit të vinte në pushtet, ndërsa ky bashkëpunim vazhdoi deri në vdekjen e tij. Njëri nga kryeministrat e parë kroatë ishte shef disavjeçar i shërbimeve sekrete kroate, Josip Manoliq. Forcat që iniciuan lëvizjen e HDZ-së, ishin majtistë të dikurshëm dhe disidentë, që në një moment të caktuar ishin prishur me politikën e Komitetit Qendror. Kjo ishte arsyeja pse në kryesi kishte komunistë të dikurshëm. Manoliq ishte ai që e solli Tugjmanin në pushtet në bashkëpunim me shërbimet sekrete ruse.
Meqenëse u përmendën, duhet kujtuar se shërbimet sekrete jugosllave, në kulmin e fuqisë së tyre, kishin filluar t’i zhvillonin dy procese: kontrollin e kontrabandimit me cigare dhe shpërfaqjen e kriminelëve për kryerjen e vrasjeve dhe operacioneve për nevoja të shërbimeve. Sipas udbashit Zoran Mijatoviq, për herë të parë në vitet e ‘80-ta, ishte bërë e ditur se kontrabanda me cigare i përmirëson çështjet shtetërore. Në këtë kontrabandë ishin të kyçur njerëz të shërbimit federativ. Njëra nga vrasjet që është kryer, siç u tha më lartë, për nevoja të shërbimeve jugosllave, është vrasja përmes një atentati e drejtorit të dikurshëm të INA-s (Kompanisë kroate të naftës), Stjepan Gjurekoviq, në vitin 1983, i cili për shkaqe politike kishte emigruar në Gjermani. Sipas rrëfimit të oficerit të shërbimit sekret jugosllav, Bozhidar Spasiq, urdhrin për likuidimin e Gjurekoviqit e kishte dhënë ministri i atëhershëm i policisë Stane Dollanci dhe kryeministrja e atëhershme e RSFJ-së, Milka Pllaninc. Sipas versionit zyrtar, të bërë publik nga udbashi Spasiq, me këtë operacion kishte udhëhequr Gjorgje Bozhoviq-Gishka, njëri ndër kriminelët më të njohur beogradas të viteve të 80-ta, ndonëse në variante të tjera është thënë që këtë vrasje ta ketë kryer Zhelko Razhnjatoviq – Arkan. Sidoqoftë, të dy i takonin të njëjtit njësit ekzekutues, ku bënin pjesë edhe Ratko Gjokiq e Dragan Malesheviq.
Strukturat e tilla, në shumicën e rasteve janë përkrahur nga Vojisllav Koshtunica, një ultranacionalist i përbetuar dhe ish-drejtues i qeverisë serbe, i cili u rreshtua pa ngurrim në radhën e anti-europianëve.
Aksionet e fshehta të Qeverisë serbe nuk kanë pushuar për asnjë çast pothuajse tash një shekull. Edhe në këtë kohë Serbia dhe qarqet e shërbimeve sekrete të saj (ushtarake e civile) po vazhdojnë me përdorimin e metodave të aksioneve të fshehta, sepse siç dihet si të tilla ato nuk kanë kosto të lartë, as politike as financiare. Nëse ato janë të suksesshme kanë kosto të vogël e përfitime të mëdha, e nëse dështojnë humbjet janë shumë më të vogla në krahasim me ato që do të shkaktoheshin nga ndërmarrja e aksioneve ushtarake. Dihet se në raste të tilla zakonisht ndodh të bëhen publike vetëm aksionet e dështuara, por assesi ato të realizuara me sukses.
Në fillim të viteve të ‘90-ta, Budimir Llonçar ishte shef i shërbimit sekret që funksiononte në kuadër të Ministrisë së Jashtme të ish-Jugosllavisë, i cili mbante takime edhe me struktura shumë të larta të vendeve të Europës. Llonçar ka qenë njëri nga këshilltarët kryesorë të Stipe Mesiqit në kohën sa ishte president. Për më të rinjtë është në interes të thuhet se ishte pikërisht ai që i dërgoi informacionet, deri në Moskë, që u shfrytëzuan si argument kryesor me të cilin Tito ekzekutoi politikisht kundërshtarin e tij më të madh, serbin Aleksandër Rankoviq.
Në këtë kontest duhet përmendur edhe atentati në Kiro Gligorovin (1995), president i atëhershëm i Maqedonisë, i cili edhe sot e kësaj dite ka mbetur enigmatik. Mirëpo, sipas hulumtimeve shumëvjeçare, që ka bërë Pavle Trajanov rreth atentatit ndaj Gligorovit, del se janë tri lidhje të dyshuara si aktorë kryesorë: Lidhja bullgare (që sipas Trajanovit nuk u vërtetuan si të vërteta), Lidhja e Bratisllavës (ku ishin të përzier edhe shqiptarët, në një kombinim me serbë e shqiptarë) dhe shërbimet e kundërzbulimit serb.
Një planifikim për një atentat qe bërë edhe ndaj Sllobodan Millosheviqit, i shifruar me siglën “Lisica” (“Dhelpra”), sipas të dhënave të publikuara nga oficeri i sigurimit Bozhidar Spasiq, i cili kishte infiltruar një person me pseudonimin “Ibar” në operacionin “Lisica”.
Lojërat e dyfishta me agjentë të dyfishtë, lojërat e rrezikshme me ish-agjentë, të cilët kanë punuar për shërbimin ushtarak serb dhe atë të inteligjencës serbe, por edhe ruse, etj., të cilët mbështeten nga grupime të caktuara politike të vendeve të ish-Jugosllavisë, kanë bërë që shtetin e Kosovës ta përcjellë një lloj anemie në fushën e zhvillimit të sigurisë dhe shërbimeve inteligjente në përgjithësi.
Shërbimet sekrete serbe kishin përpiluar strategjinë e tyre afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjatë në raport me Kosovën. Në aplikimin e kësaj strategjie kishin angazhuar njerëzit më të aftë dhe më me përvojë në fushën e sigurisë. Përmes sektorit të zbulimit, që funksiononte në kuadër të Ministrisë së Jashtme serbe, shërbimi inteligjent kishte rekrutuar njerëz me influencë në vendet përreth Kosovës, të cilët ishin të orkestruar në planet e lartpërmendura. P. sh.: Zoran Gjingjiqi, që në shkurt të vitit 2001, e kishte njoftuar kryeministrit maqedonas, Lubço Georgevski, se në Maqedoni, në rrethin e Tanushës, po përgatitet një kryengritje. Tanusha në atë kohë ishte bërë problem se një pjesë e saj gjendej në territorin e Kosovës. Kurse Nikolla Dimitrov, kishte përmendur se burim i këtij konflikti ishte bërë Kosova, edhe me logjistikë edhe strukturalisht, kurse i dërguari i NATO-s, Piter Feit (Pieter Feith), qe deklaruar se pjesa më e madhe e tensioneve dhe përkrahja për këto lëvizje vinte nga Kosova. Ndërsa komandanti i ushtrisë maqedonase, gjenerali Pande Petrovski, e kishte implikuar edhe TMK-në në këto procese ashtu siç agjitonte edhe Serbia në arenën ndërkombëtare.
Skenarët e tillë dhe skenarët tjerë me strukturat paralele serbe, ndihmohen apo janë në koordinim me disa struktura të caktuara që u takojnë qarqeve të caktuara të shoqërisë kosovare për ta sabotuar dhe neglizhuar progresin në Kosovë. Në shumicën e enklavave ku jeton minoriteti serb, vendi është i mbushur me foto të kriminelëve serbë të luftës. Kudo valojnë flamujt e Serbisë dhe parulla kundër shqiptarëve, dokumentet e identitetit dhe dokumentet tjera të shtetit të Kosovës nuk njihen dhe nuk pranohen nga shumica e minoritetit serb. E tërë kjo bëhet nën trysninë e Beogradit zyrtar. Strukturat paralele serbe, që veprojnë ilegalisht në veri të Mitrovicës, të cilat dirigjohen nga Qeveria e Serbisë, janë duke i përdorur edhe grafitet nacional-shoviniste, si një formë tjetër e provokimeve, nëpër lagjet me popullatë të përzier, si: “Vdekje Shqiptarëve”, “Kosova është Serbi”, “Duam ushtrinë ruse”, “Obraz”, etj, të shkruara nga pjesëtarët e organizatës “Obraz” që është organizatë ilegale edhe në Serbi, të “Lëvizjes Çetnike Serbe”, “Delije”, “Grobari” dhe disa të tjerave.
Posta serbe është e pranishme kudo në Kosovë, bankat serbe në veri janë funksionale, kurse Serbia e ndanë një pjesë të buxhetit të vet për Kosovën, ndërton dhe investon për minoritetin serb në Kosovë, pa i pyetur institucionet e vendit. Kjo çështje ishte njëra nga temat e diskutimit në takimin e dytë të dialogut Kosovë-Serbi, sepse përveç moskontrollit të transmisioneve të energjisë në nivel ndërkombëtar, autoritetet e energjisë elektrike në Kosovë që nga paslufta nuk kanë qasje në pjesën veriore të vendit dhe nuk mund t’i marrin paratë për energjinë e shpenzuar atje. Edhe sot e kësaj dite Sekretariati i Komitetit të Energjisë, me seli në Vjenë, vazhdon ta zvarritë marrjen e vendimit për zgjidhjen e kontestit në mes Kosovës dhe Serbisë për linjat e Transmisionit. Kjo mosmarrëveshje po i kushton Kosovës 15 milionë euro në vit, pasi Serbia që nga viti 2006 prezantohet si pronare e aseteve transmetuese të Kosovës.
Ka edhe pjesëtarë të minoritetit serb, të atillë që mbajnë funksione të larta në institucionet e Republikës së Kosovës, por nuk e pranojnë shtetësinë e Kosovës. Nemanja Vujoviq, zëvendësministër i Shëndetësisë në Qeverinë Thaçi, Slavisha Petkoviq, ish-ministër për Kthim dhe Komunitete dhe Branisllav Gërbiq, po ashtu ish-ministër i kësaj ministrie, kur janë pyetur për nacionalitetin e tyre nga gjyqtari i EULEX-it, nuk e kanë pranuar shtetësinë e Kosovës, ani pse jetojnë e punojnë në Kosovë, dhe atë në pozita të larta shtetërore.
Si pasojë e izolimit për shkak të mosliberalizimit të vizave, shumë qytetarë të Kosovës iu drejtohen institucioneve të Serbisë për të marrë pasaporta biometrike. Ky problem i ka detyruar shqiptarët që nga banorët e Kosovës të shndërrohen në banorë të Serbisë, vetëm që të pajisen me pasaporta biometrike për të udhëtuar pa viza. Shqiptarët i shtyn ta bëjnë këtë skamja e madhe, mosperspektiva dhe rritja e varfërisë që ka kaluar kufijtë ekstrem në vendin tonë. Pasaportat e Serbisë i marrin përmes ndërmjetësuesve shqiptarë, që janë të lidhur me strukturat e sigurisë në Serbi, ku gjenden edhe zyrat përkatëse për çdo qytet të Kosovës. Për Gjakovë drejtohen në Jagodinë ku edhe sot e kësaj dite gjendet zyra me mbishkrimin “Sup Djakovica”, për Pejën në Kragujevc, për Prishtinën në Nish, për Prizrenin në Krushevc e kështu me radhë. Personat që marrin shtetësinë serbe duhet të ç’lajmërohen si banorë të Kosovës në zyrat që gjenden për qytetet e Kosovës dhe të paraqiten si banues në ndonjë qytet serb, duke marrë kështu statusin e ri të banorit serb. Për t’u bërë banor serb ndërmjetësuesit kërkojnë afërsisht 7000 euro.
Lidhur me këtë, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, përmes një prononcimi publik, të botuar në shtypin ditor më 25.3.2011, kanë deklaruar se qeveria nuk ka informacione se qytetarët e Kosovës regjistrohen si shtetas të Serbisë dhe marrin pasaporta të tilla. Fillimisht zyrtarët e Qeverisë së Kosovës dhe zyrtarë të çështjeve të sigurisë e patën mohuar edhe praninë e strukturave ilegale paralele serbe, por ato tani janë bërë pothuajse legjitime në Kosovë, ndonëse veprojnë ilegalisht. Megjithatë, numri i qytetarëve shqiptarë të Kosovës, që kanë marrë dokumentacione serbe nuk është i vogël, sikurse nuk është i vogël as numri i qytetarëve shqiptarë që marrin pensione, por edhe paga nga Serbia.
Aktualisht, Mitrovica është e ndarë në dy pjesë, në atë shqiptare dhe në atë serbe. Kjo gjendje është krijuar artificialisht pas vitit 1999, edhe me mbështetjen e strukturave të caktuara ndërkombëtare. Secili prej nesh e di se pjesa veriore e Mitrovicës, aktualisht administrohet nga UNMIK-u dhe strukturat paralele të shtetit të Serbisë. Brenda enklavave përdoren targat e vjetra të Serbisë, por tash së fundi janë shtypur edhe targat e reja të Serbisë që i ka shpërndarë MUP-i serb, të cilat qarkullojnë nëpër Kosovë, veçanërisht në pjesën veriore të Mitrovicës. Aktualisht në territorin e Kosovës ka katër lloje të targave të automjeteve. Targat e reja të Republikës së Kosovës, (RKS), targat e vjetra (KS), targat e qytetarëve serbë (PR, KM, PE) dhe së fundi është shfaqur edhe një model targash të reja, të cilat i ka përgatitur Serbia për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Beogradi zyrtar i ka shpallur “memorandum” çështjes së prodhimit të targave të reja serbe edhe për Kosovën, me qëllim që këtë problematikë ta fusë në agjendën e bisedimeve teknike të radhës. Edhe autoritetet në Prishtinë nuk e kanë përjashtuar mundësinë që problemi i targave të dialogohet, ndonëse konfirmohet se Unioni Europian ka zhvilluar kontakte me Beogradin dhe Prishtinën zyrtare në lidhje me këtë çështje. Një kohë këto tabela në bazë të një urdhri të lëshuar nga MPB-ja e Kosovës janë konfiskuar, mirëpo edhe ky vendim hasi në rezistencë sa i përket zbatimit të tij. Lëshimi në qarkullim i tabelave të reja serbe në territorin e Kosovës dhe qarkullimi i tabelave të vjetra të Serbisë që nga paslufta e këndej, janë një shkelje tjetër e sovranitetit të vendit. Pos kësaj, komandanti i Policisë së Kosovës në Zveçan, Nenad Gjuriq, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ka qenë personi më i rebeluar i Policisë së Kosovës në veri, i cili e kishte vendosur flamurin shtetëror serb në Stacionin e Policisë së Kosovës në Zveçan. I njëjti nuk i është bindur urdhrit të ministrit Bajram Rexhepi për të konfiskuar targat serbe të lëshuara nga Serbia. Gjuriq këtë vendim e ka marrë pas takimeve që ka pasur me përfaqësuesit e MUP-it të Serbisë për veri, Gjorgje Dragoviq (Gjole), që konsiderohet kryeshef i MUP-it serb për rajonin e Mitrovicës, si dhe me shefin e Inteligjencës për Siguri të Serbisë (BIA), për këtë pjesë të Kosovës, Nenad Komatina.
Paraprakisht, bandat serbe në veri, të cilat koordinohen nga strukturat shtetërore serbe, ia dogjën veturën private (Citroën) në mbrëmjen e 17 marsit 2011, zëvendëskomandantit të policisë kufitare në Leposaviq, Zoran Radunoviqit, i cili në pikën kufitare në Jarinë i kishte konfiskuar një palë targa të reja të lëshuara nga Serbia për serbët e Kosovës.
Pas këtij rasti është suspenduar komandanti i Policisë së Kosovës në Zveçan, kapiteni Nenad Gjuriq, i cili posa është suspenduar është takuar me komandantët e Policisë së Kosovës për veri, në një takim të përbashkët me komandantin e MUP-it të Serbisë, Gjorgje Dragoviq (i njohur me nofkën Gjole), si dhe me shefin e BIA-s për këtë pjesë të Kosovës, Nenad Komatina. Komandantët e MUP-it të Serbisë me veprim në Kosovë, kanë kërkuar nëpërmes një shkrese nga komandantët e stacioneve të Policisë së Kosovës në veri të vendit që të mos i zbatojnë urdhrat e ministrit të Brendshëm të Kosovës, Bajram Rexhepi.
Në një takimin të jashtëzakonshëm të krerëve serbë për veriun, të mbajtur më 17 mars 2011, ku morën pjesë të ashtuquajturit kryetarë të komunave të veriut të Kosovës, përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, përfaqësues të të ashtuquajturës Mbrojtje Civile dhe liderë tjerë të serbëve lokalë, ishte biseduar rreth konfiskimit të targave serbe dhe rreth rastit të suspendimit të komandantit të Stacionit Policor në Zveçan, Nenad Gjuriq. I ashtuquajturi, kryetari i komunave paralele serbe, Kërstimir Pantiq, lidhur me këtë rast tërhoqi vërejtjen se veprimet e fundit të shqiptarëve, e kërcënojnë seriozisht situatën në veri, kurse Branko Niniq, kryetar i ashtuquajtur i komunës së Leposaviqit, kishte apeluar tek pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës, të mos i zbatojnë urdhrat për konfiskimin e tabelave të reja të Serbisë.
I ashtuquajturi ministër për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, më 20 prill 2011, në Zubin Potok, zhvilloi një takim me strukturat paralele serbe. Bogdanoviq u takua me të ashtuquajturit kryetarë të komunave serbe të veriut të Kosovës (Mitrovicës, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut). Po ashtu është takuar edhe me të ashtuquajturin kryetar të Qarkut të Mitrovicës Radenko Nedelkoviq, me shefin e MUP-it të Serbisë Gjorgje Dragoviqin si dhe me shefin e Mbrojtjes Civile. I pari Serbisë për Kosovën ka kërkuar nga këta liderë dhe nga strukturat e sigurisë së Serbisë në Kosovë, që të shtojnë presionin ndaj institucioneve ndërkombëtare dhe vendore, në mënyrë që atyre t’iu pamundësohet zhvillimi i aktiviteteve në veri. Bogdanoviq ka kërkuar nga këto institucione të Serbisë që në asnjë mënyrë të mos lejojnë zbatimin e ligjit nga ana e Policisë së Kosovës në veri si dhe mos të lejojnë punën e USAID-it dhe EULEX-it në veri.
Një ditë pas vizitës së Bogdanoviqit, pasoi një urdhër i të ashtuquajturit kryetar i Qarkut të Mitrovicës, Radenko Nedelkoviq, pas të cilit janë vendosur në mënyrë masive targa të reja të Serbisë, nëpër automjete të ndryshme në veri të Mitrovicës dhe Kosovës.
Në këto raste shihet ndikimi mobilizues dhe implikimi direkt i qeverisë së Serbisë në strukturat paralele, që veprojnë jashtëligjshëm në territorin e Republikës së Kosovës.
Në ditën e zgjedhjeve të 12 dhjetorit 2010, është rrahur për vdekje Marian Ljubic, vëzhgues i Partisë Socialdemokrate Serbe, nga kryetari i Komunës së Shtërpcës dhe truprojat e tij. Edhe pse rasti ishte lajmëruar në polici askush nuk ishte marrë në pyetje lidhur me këtë rast. Kjo tregon se shumica e drejtuesve të policisë, që vijnë nga radhët e minoritetit serb nuk e zbatojnë vijën komanduese, por në polici mbahen për të plotësuar një vakum politik. Edhe sot e kësaj dite në objektin e Kuvendit Komunal në Shtërpcë, janë disa zyre ku veprojnë strukturat paralele serbe, ndërkaq në hyrje të ndërtesës komunale gjendet flamuri i Serbisë dhe mbishkrimi “Republika Serbija”.
Në janar të vitit 2010, gazeta austriake “Money” (ribotuar në “LAJM”, më 5 janar 2010), shkruante se Qeveria e Serbisë do t’i mbështesë me 42 milionë euro strukturat paralele serbe në Kosovë, të cilat, nuk veprojnë vetëm në veri, por edhe në Kosovën qendrore dhe jugore. Sipas kësaj gazete, nacionalistët serbë i kanë mbledhur qëllimisht qytetarët serbë të Kosovës nëpër enklava, i kanë izoluar ata nga bota, me të vetmin qëllim për t’i mbajtur të lidhur me Beogradin dhe për t’i përdorur për interesa kur u duhen atyre. “Beogradi po ndjek një politikë të qëllimshme edhe me rastin e kthimit të serbëve në Kosovë. Kur flet për procesin e kthimit, Qeveria serbe në Beograd mendon gjithnjë, jo më për kthimin e qytetarëve serbë në vendbanimet e mëparshme të përziera me shqiptarë, por për koncentrimin e tyre në enklava, ku veprojnë strukturat paralele serbe”.
Sipas këtij mediumi austriak, ndarja etnike e Kosovës është sanksionuar edhe me Planin e Ahtisarit i cili 25 për qind të territorit të Kosovës e lë nën administrimin e serbëve, të cilët kanë të drejtën e lidhjeve speciale me Serbinë.
Sipas burimeve të kësaj gazete, Qeveria serbe po i financon edhe strukturat paralele serbe edhe për ato komuna të Kosovës ku nuk ka më fare serbë. Këto struktura, zyrat i kanë jo në Kosovë, po në Beograd. “Kështu ka ndodhur me strukturat paralele për qytetin e Pejës, të cilat zyrat i kanë në një banesë në Beograd. Për veprimtarinë e strukturave paralele në Pejë, Qeveria e Beogradit ka ndarë 13 milionë euro. Në listat e pagave të Qeverisë së Beogradit ndodhen 725 zyrtarë serbë nga nëntë komuna të Kosovës, të banuara vetëm me shqiptarë. Në këto nëntë komuna të Kosovës tani jetojnë vetëm 46 serbë”. Gazeta austriake “Money” shkruante se këta 725 zyrtarë, që paguhen nga Qeveria e Serbisë, për veprimtarinë e tyre në komunat e Kosovës ku nuk ka më serbë, nuk ka dyshim se janë pjesëtarë të Shërbimit Sekret Serb dhe shihet haptas se ata paguhen për shërbimet e tyre që i kryejnë në Kosovë.
Sipas kësaj përllogaritje, i bie se përafërsisht për secilën nga nëntë komunat “ku nuk ka më serbë”, janë nga 80-të pjesëtarë të Sigurimit sekret serb që paguhen zyrtarisht.
Arsimi në gjuhën serbe, sistemi shëndetësor dhe shërbimet administrative edhe më tutje konsiderohen pjesë e administratës shtetërore serbe nga serbët e Kosovës. Rreth 45 mijë serbë që punojnë në Kosovë, bazuar në disa statistika të palës serbe, shumica marrin paga të dyfishta. Serbia ndanë nga buxheti i saj 26 miliardë dinarë në muaj, vetëm për t’i paguar pagat e dyfishta për pagat e rreth e 45 mijë serbëve, që punojnë në Kosovë. Këtë veprim e mbështesin edhe serbët nëpër enklava.
Lidhur me këtë duhet përmendur se rreth 45 mijë punëtorë serbë të Kosovës, për 11 vjet, kanë marrë paga dhe shtesa nga fondi i Serbisë për Kosovën. Serbia për një kohë të gjatë e ka shfrytëzuar buxhetin për Kosovën dhe ka ndarë shumë para për të dërguar në Kosovë, siç është llogaritur rreth 200 milionë dollarë në vit, duke mos llogaritur donacionet që kalojnë përmes Serbisë, por shpesh ka pasur reagime për shpenzime të paarsyeshme dhe pa ndonjë justifikim. Vitin e kaluar Serbia e ka ndërprerë për një kohë të shkurtër këtë fond me qëllim që t’i bëjë presion komunitetit serb në Kosovë, mirëpo pas reagimeve të fuqishme të politikanëve serbë të Kosovës pagat u kthyen sërish.
Drejtuesit dhe zbatuesit e këtyre shërbimeve janë të ditur, kanë emra dhe mbiemra, kanë adresa dhe sillen vërdallë nëpër Kosovë pa kurrfarë hezitimi e nëse nuk i ngasin veturat mbi mesataren e lejuar që t’i kapë radari, kurrë nuk do të ndalohen nga Policia e Kosovës.
Kushtetuta e Kosovës shprehimisht e lejon Beogradin për t’i financuar shërbimet lokale për serbët, me kusht që ato të jenë të koordinuara me Prishtinën zyrtare, gjë që deri më tani nuk ka ndodhur. Në “Universitetin e Prishtinës, me seli të përkohshme në Mitrovicën e Kosovës”, siç e quajnë serbët universitetin paralel, vitin e kaluar ishin regjistruar 1.627 studentë të rinj.
Për funksionimin e strukturave paralele serbe dëshmon edhe një raport i publikuar në mediet serbe, i cili u referohet të punësuarve në institucionet paralele. Sipas këtij raporti, rreth 8 000 (tetë mijë) persona janë në skemën e pagave të Serbisë. Ndërkaq, sipas të dhënave zyrtare të të ashtuquajturës Ministri serbe për Kosovën, nga buxheti i Serbisë financohen rreth 5200 zyrtarë të administratës dhe 3500 punonjës të shëndetësisë në pjesën jugore të Kosovës. Në këtë numër nuk janë të përfshirë edhe 1200 punonjës arsimi dhe zyrtarët e institucioneve paralele komunale. Sipas të dhënave jo të kompletuara, numri i zyrtarëve dhe drejtorëve arrin shifrën rreth 400 persona. Në Kosovë janë strukturat komunale, kryetarët me kabinete të tjera, institucione publike, të cilat përveç disponimit të vulave dhe xhirollogarive të regjistruara në Gjykatën Ekonomike në Kragujevc nuk kanë asnjë kompetencë tjetër.
Funksionimin e strukturave paralele serbe në veri të Mitrovicës e dëshmon gjithashtu edhe emërimi i gjykatësve dhe prokurorëve serbë në gjykatën në veri të Mitrovicës. Këto emërime janë bërë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor në Beograd. Në mesin e të emëruarve ishte edhe Jelena Krivokapiq, e cila ka qenë anëtare e Këshillit Gjyqësor të Kosovës deri në shpalljen e pavarësisë dhe gjyqtare në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë.
Emërimi i gjykatësve i bërë nga Serbia nëpër territoret e Kosovës, si: Graçanicë, Mitrovicë, Shtërpcë, Ranillug etj., njëkohësisht është edhe zbatim i Planit famëkeq 6-pikësh të Ban Ki Moonit, i cili në letër ka ardhur në Kosovë gjatë vitit 2008. Para se të vinte kjo strukturë gjyqtarësh në Kosovë, pasi që e kishin bërë betimin në Beograd, ishte shpërndarë lajmi nga Presidenca jonë se po qe nevoja do të aktivizohet edhe policia për ta ndalur funksionimin e këtyre gjyqtarëve, por pasi ata erdhën një gjë e tillë ndodhi. Kjo është bërë në bazë të ligjit të Serbisë mbi shpërndarjen territoriale të gjykatësve dhe prokurorëve, sipas të cilit ata në Mitrovicë kanë kompetencë territoriale dhe lëndore për territorin, siç thuhet aty “të Krahinës Autonome të Kosovës e Metohisë”, dhe i kanë degët e tyre në Graçanicë dhe Ranillug (këto vendbanime dhe të tjerat si këto me procesin e decentralizimit kanë marrë statusin e komunave të reja, apo të “shtetit brenda shtetit” ngase këto njësi komunale kanë një shkallë të lartë të autonomisë, sa i përket administrimit të çështjeve lokale), si dhe në Gorazhdec të Pejës dhe në Shtërpcë. Në faqen 2 të dokumentit të emërimit, thuhet se po në këto lokalitete do të kenë degët e tyre edhe Gjykata për Kundërvajtje dhe Gjykata Themelore. Pra, bëhet fjalë që nga Mitrovica të mbulohet e tërë Kosova dhe të rikrijohen gjykata paralele, madje jo më larg se 5 kilometra nga Prishtina, gjë që bie në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe e sfidon sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Në fillim të muajit prill (2011), Ministria e Drejtësisë e Kosovës qe përgatitur për t’i kthyer gjyqtarët shqiptarë në gjykatat në pjesën veriore të Mitrovicës, mirëpo ky plan edhe kësaj here dështoi me arsyetimin se u dashka të arrihet një marrëveshje politike në dialogun Prishtinë-Beograd, që po zhvillohet në Bruksel.
Hapja e gjykatave në pjesën veriore të Mitrovicës, sipas paralajmërimeve zyrtare, parimisht është dashur të ndodh më 18 prill të këtij viti. Në anën tjetër, strukturat ilegale paralele serbe në veri, kishin hartuar një plan sekret rreth parandalimit të hapjes së këtyre gjykatave, madje ishte lënë aktiv edhe opsioni i armatosur dhe protestat e dhunshme. Sipas planit në fjalë, në këto operacione ishte paraparë që të marrin pjesë mijëra qytetarë serbë, në mesin e të cilëve edhe pjesëtarë të MUP-it serb.
Faktikisht, dështimi për rikthimin e gjykatësve dhe prokurorëve të Kosovës në veri të vendit, është dështim i misionit të Unionit Evropian dhe EULEX-it. Për çështjen e gjykatave po del se po vendosë vetëm Beogradi.
Institucionet e Kosovës nuk e kanë marrë përgjegjësinë për kthimin dhe funksionalizimin e institucioneve të shtetit në veri. Qeveritarë dhe analistë të çështjeve sigurisë kanë akuzuar EULEX-in se ai nuk dëshiron t’i shtyjë gjërat përpara dhe se për interesa të ditura po e mban peng situatën. Ç’është më keq, më 25 prill 2011, u bë uzurpimi i objekteve të gjykatave në veri të vendit nga strukturat paralele serbe.
Veç kësaj, banorët shqiptarë të pjesës veriore të Mitrovicës, e akuzojnë HABITAT-in se ua ka zhdukur dosjet e banesave në veri. Këta shqiptarë janë dëbuar me dhunë nga banesat e tyre nga grupe ekstremistësh serbë në mars të vitit 2004. Humbjen e rreth 30 dosjeve e kanë pohuar pronarët e këtyre banesave, të cilët kanë mbetur duke u sorollatur rrugëve të Mitrovicës dhe nëpër zyrat e UN-HABITAT-it (Programi i Kombeve të Bashkuara mbi Vendbanimet Njerëzore). Humbja e dosjeve të këtyre banesave dhe shtëpive të shqiptarëve në pjesën veriore të Mitrovicës, në këtë rast nga një organizatë ndërkombëtare, është bërë me qëllim që familjet shqiptare, të dëbuara me dhunë, të mos kthehen më në shtëpitë e veta.
Që nga viti 2000 e këndej për veriun e Mitrovicës dhe përgjithësisht për veriun e Kosovës, u hartuan strategji të ndryshme, projekte e plane të ndryshme, hapje zyrash ndërkombëtare e çka jo tjetër, që veriu i Kosovës të funksionojë si pjesë e kompaktësisë së Kosovës, por gjer më sot këto përpjekje kanë qenë të pasuksesshme, për të mos thënë se ishin vetëm nisma formale. Njëra ndër strategjitë e radhës ishte edhe Strategjia e Qeverisë së Kosovës dhe Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO) për integrimin e veriut, e bërë publike në janar të vitit 2010, në të cilën parashihej zhbërja përfundimtare e strukturave paralele. Lidhur me aplikimin e kësaj strategjie, qe nxitur një fjalim i ashpër dhe kërcënues ndaj sigurisë në Kosovë, nga ana e presidentit serb Boris Tadiq, në paraqitjen e tij para Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Shumica e medieve dhe gazetave në gjuhën shqipe e kishin botuar dokumentin e plotë në tri faqe, të përgatitur nga Zyra Civile Ndërkombëtare, në koordinim me qarqet diplomatike të Quinti-t dhe të mbështetur nga Qeveria e Kosovës, i njohur si “Strategjia për Veriun e Kosovës”, mirëpo ky projekt nuk funksionoi as nuk u zbatua kurrë. Ishte një projekt sa për ta justifikuar punën apo mospunën e dikujt.
Në shtator të vitit 2010, Zyra e Koordinatorit të Strategjisë për Veriun, publikoi raportin “Administrata e UNMIK-ut në Mitrovicë po e pengon integrimin e veriut”, i cili, siç u tha, u përpilua pas një pune shumëmujore, ku përveç burimeve të shumëllojshme përfshiheshin edhe një varg burimesh nga vetë UNMIK-u. Në këtë raport thuhet se administrata e UNMIK-ut (UAM) në veri të Mitrovicës, e themeluar nga misioni i OKB-së për të zëvendësuar strukturat paralele serbe, jo vetëm që nuk e ka kryer misionin e saj, por është shndërruar në një pengesë të integrimit të këtij qyteti dhe po e ndihmon mbijetesën e strukturave paralele të Serbisë në këtë pjesë të Kosovës. “Në disa raste, anëtarët e UAM-it janë të përzier me strukturat paralele. Për shkak të shkeljes së mandatit të tyre dhe veprimit në mënyrë jotransparente, UAM-i në fakt ka ndihmuar ndarjen ndërmjet komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera në veri të Mitrovicës. Duke e rritur mandatin e strukturave paralele atje, UAM-i në mënyrë direkte ose indirekte po i ndihmon strategjisë së Beogradit për kontrollimin e territorit në veri të lumit Ibër, duke e shkelur integritetin territorial të Kosovës”, thuhet ndër të tjera në raport.
Veç kësaj, sipas këtij raporti, del se “fondet që i merr Administrata e UNMIK-ut në Mitrovicë nga Qeveria e Kosovës, mund të transferohen në buxhetin e strukturave paralele, duke u shërbyer kështu interesave të Beogradit më shumë sesa qytetarëve”.
Faktikisht asnjë nga komunat e pjesës veriore të vendit, asnjëherë nuk japin llogari për mjetet që u ndahen nga buxheti i Kosovës dhe lirisht këto mjete mund të përfundojnë në financimin e strukturave paralele serbe.
Vetëm për vitin 2010, nga buxheti i Kosovës i janë dhënë administratës së UNMIK-ut për Mitrovicën rreth 3 milionë euro. Me këtë buxhet, kjo administratë, do të duhej të financonte projekte për të gjitha komunitetet, por, sipas këtij raporti, ka disa vite që fondet shkojnë vetëm për serbët, por jo edhe për komunitetet tjera.
Dihet publikisht se rusët janë ata që administrojnë me veriun e Kosovës, në kuadër të administratës ndërkombëtare të UNMIK-ut. Siç shkruante edhe “Koha Ditore”, më 24 shtator 2010, katër zyrtarët kryesorë të UNMIK-ut në veri të Kosovës, janë misionarë nga Rusia. Këta zyrtarë bashkë me një misionar nga Ukraina, një serb nga Kroacia dhe një zyrtare me nënshtetësi gjermane, janë zyrtarët e UNMIK-ut që administrojnë veriun e Kosovës. Vladimir Anokhin, nga Rusia është ushtrues i detyrës së shefit të administratës së UNMIK-ut në veri të Mitrovicës. Lilia Galieva, po ashtu nga Rusia, është përfaqësuese komunale e UNMIK-ut në Leposaviq. Zyrtari i tretë rus atje është Vladimir Gromov, përfaqësues komunal në Zveçan. Ndërkaq, këshilltar i lartë politik i UNMIK-ut në veri është Andrei Efimov, që vjen nga Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë.
Bashkë me rusët në veri të Kosovës punojnë edhe tre zyrtarë të tjerë. Përfaqësues komunal i UNMIK-ut në Zveçan, është Kozak Yaroslav nga Ukraina. Zyrtar për çështje civile në misionin e UNMIK-ut në veri të Kosovës është Mario Maglov, serb nga Kroacia. Zyrtarja e fundit që punon në UNMIK është Eva Maria Veliçkoviq, me nënshtetësi gjermane.
Të gjithë këta zyrtarë, dihet se kanë bashkëpunim të mirë me strukturat ilegale paralele të Serbisë në veri të Kosovës, por bashkëpunim edhe më të mirë me këto struktura ka stafi lokal i UNMIK-ut atje, që përbëhet nga 99 për qind serbë vendës. Shumica e stafit lokal, që në përgjithësi përbëhet prej 120 vetash, punojnë njëkohësisht edhe për strukturat paralele serbe. Edhe bordi këshillëdhënës i UNMIK-ut në veri të Kosovës, që do të duhej të përbëhej nga përfaqësues të komuniteteve përbëhet prej tetë personash: gjashtë serbë, një shqiptar dhe një boshnjak, dhe të gjitha projektet deri më tani i janë ndarë vetëm komunitetit serb në veri.
Në gusht të vitit 2010, në pjesën veriore të Mitrovicës ka qarkulluar një dokument zyrtar i strukturale ilegale paralele serbe që veprojnë atje, përmes të cilit e ashtuquajtura Bashkësi e Komunave të Kosovës dhe Metohisë shpallte pavarësinë nga Kosova. Kjo letër është cilësuar si Deklaratë e Lidhjes së Komunave të Krahinës Autonome të Kosovës e Metohisë (KAKM), e cila kishte gjithsejtë 8 pika dhe ishte përgatitur nga përfaqësues të DSS-së, Millan Ivanoviqi, Marko Jakshiqi dhe Slobodan Samargjiqi, të cilët, megjithatë, nuk e pranuan publikisht se janë përpilues të tekstit të kësaj letre, për t’i ikur zyrtarisht përgjegjësisë. Mirëpo, ishin disa burime që e pohuan se të lartpërmendurit qëndrojnë prapa shkresës.
Diku ka fundi i vitit të kaluar, pas mbledhjes së mbajtur nga i ashtuquajturi Kuvend Komunal në pjesën veriore të Mitrovicës, kishte rënë qeveria lokale, e dalë nga zgjedhjet ilegale serbe të 11 majit të vitit të kaluar, të cilat nuk u pranuan nga institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare. Partitë e tubuara rreth Partisë Demokratike të Tadiqit, në atë seancë humbën shumicën e këshilltarëve në të ashtuquajturën komunë veriore e Mitrovicës, pasi që nuk kishin përkrahjen e mëtutjeshme të dy këshilltarëve të Partisë Socialdemokrate serbe, kështu që shumicën e morën ultranacionalistët. Kjo ngjarje u konsiderua si “puç” paralel në veri. Marko Jakshiq u tha të ishte “truri” që qëndronte prapa këtyre ndërrimeve në strukturat paralele në pjesën veriore të Mitrovicës. Një situatë e tillë e vuri në pozitë të pafavorshme Beogradin zyrtar, i cili pas kësaj në disa raste i ashpërsoi masat ndaj linjave të padëgjueshme.
Disa herë janë arrestuar pjesëtarë të minoritetit serb për shkak se kishin kërcënuar struktura të caktuara brenda Policisë së Kosovës dhe strukturave politike që nuk i kishin përfillur strukturat ilegale paralele serbe në veri. Personat e arrestuar lidhur me këto kërcënime, në shumicën e rasteve, kanë rezultuar të jenë pjesëtarë të të ashtuquajturës “Mbrojtje Territoriale” të serbëve në veri të Kosovës. Pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës i ka kërcënuar edhe Nebojsha Radulloviqi, një kohë nënkryetar i Kuvendit Komunal të Leposaviqit.
Veprimet e tilla po ndodhin për shkak të anarkisë që po mbretëron në veri të Kosovës, prandaj qytetarët janë në konfuzion dhe nuk dinë kujt t’i drejtohen.
Deshëm apo jo veriu i Kosovës po e sfidon Kushtetutën tash e sa vjet. Policisë së Serbisë i ndalohet veprimi në territorin e Kosovës edhe me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, por ajo këtë e bën në formë të “fshehtë”.
Në prill të këtij viti u bë regjistrimi i popullsisë në Kosovë, por një gjë e tillë nuk ndodhi në pjesën veriore të vendit, megjithëse përgjegjësinë për regjistrimin e popullsisë në veri e kishte marrë Zyra për Shërbime Projektuese të Kombeve të Bashkuara (UNOPS), pas insistimeve zyrtare të Serbisë që këtë regjistrim ta zbatojë UNOPS.
Ndonëse, paraprakisht Komisioni Komunal për Regjistrim (KKR) në Mitrovicë i kishte bërë të gjitha përgatitjet që të fillojë regjistrimin e popullatës shqiptare edhe në fshatrat shqiptare dhe boshnjake të Leposaviqit, Zveçanit, Zubin-Potokut, si dhe në lagjet në veri të qytetit të Mitrovicës ku jetojnë shqiptarët, por në momentet e fundit situata kishte ndryshuar dhe një regjistrim i tillë nuk është lejuar nga UNOPS-i.
Kryetari i Komisionit Shtetëror për Regjistrimin e Popullsisë në Kosovë, Rifat Blaku, ka thënë se ende nuk ka ndonjë sinjal të qartë se çfarë do të ndodhë me regjistrimin në veri, ndonëse është paralajmëruar se regjistrimi i serbëve në veri të Kosovës mund të realizohet në vjeshtë të këtij viti, vetëm pasi për këtë të ketë dhënë pëlqimin Beogradi zyrtar. Sipas Radio Kosovës, ky është njëri prej opsioneve që kanë kërkuar nga autoritetet serbe zyrtarët e UNOPS-it. Gjithashtu dihet se në muajin tetor, Serbia do ta realizojë procesin e regjistrimit të popullsisë. Blaku nuk e ka përjashtuar mundësinë që çështja e regjistrimit në veri të Kosovës të jetë temë në tavolinën e bisedimeve që po vazhdojnë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të ashtuquajturat çështje teknike.
Operimi i shërbimeve sekrete serbe paraqet shqetësimin kryesor, por është edhe njëri ndër elementët kërcënues të sigurisë në vend, që secilën ditë e më tutje po i sfidon organet e rendit dhe të sigurisë në Kosovë. Funksionimi i strukturave ilegale paralele serbe, për një kohë nuk qe pranuar nga pushtetmbajtësit e kohës. Fshehja e këtij fakti për një kohë relativisht të gjatë iu dha hapësirë këtyre strukturave që të reformohen dhe të konsolidohen në shkallë më të gjerë. Strukturat paralele serbe, deshëm apo jo, janë mirë të konsoliduara dhe të mbështetura financiarisht dhe politikisht nga Beogradi. Veprimtaria 12-vjeçare e tyre është përcjellë me një ekstremizëm të dukshëm, e përcjellë herë pas here edhe me vrasje e akte terroriste. Është konstatuar për të satën herë se strukturat ilegale paralele serbe që veprojnë në Kosovë, kanë lidhje direkte me organizata të fshehta terroriste serbe, të cilat po ashtu veprojnë në Kosovë. Operimi i tyre po e thellon pasigurinë politike. Ato po shkaktojnë subversione, po i japin krah dhe mbështetje krimit të organizuar, por e kanë zbehur dukshëm edhe funksionimin e ligjit - shtetit ligjor, sepse ligji për kriminelët serbë dhe strukturat paralele nuk funksionon.
Strukturat paralele serbe organizuan edhe një fushatë të ashpër kundër policëve të EULEX-it. Në fillim të janarit (2011), ishin rrahur tre policë të EULEX-it në veri të Mitrovicës nga një grup të rinjsh serbë. Pos kësaj, qarqet e caktuara serbe në Mitrovicë, por edhe në vendbanimet tjera ku dominon minoriteti serb kanë shpërndarë pamflete dhe kanë kërcënuar EULEX-in pothuajse çdo ditë. Madje, serbët në veri e kanë shpallur EULEX-in të padëshirueshëm.
Këto pamflete ishin shpërndarë nga e ashtuquajtura Shoqata e Bizneseve të Zubin Potokut, të cilat EULEX-in e shpallën “persona non grata”. Paraprakisht në Zubin Potok ishte mbajtur një takim i strukturave paralele serbe, nën drejtimin e të ashtuquajturit kryetar i Qarkut të Mitrovicës, Radenko Nedelkoviq, dhe të të ashtuquajturve udhëheqës të komunave serbe në veri të Mitrovicës dhe Kosovës, të cilët kishin kërkuar nga Shoqata e bizneseve të Zubin Potokut që të dalin me këto pamflete.
Në anën tjetër, EULEX-i jo që nuk ndërmori masa kundër këtyre strukturave të jashtëligjshme e kriminale, por e shpalli pjesën veriore të Mitrovicës zonë të rrezikshme. Këtë e ka bërë përmes një letre interne, e cila më pas u publikua edhe në media, ku pjesëtarët e EULEX-it urdhëroheshin të kenë shumë kujdes në këtë pjesë të Kosovës. Sipas kësaj letre, misioni europian dëshiron që policët e vet t’i mbajë nën kontroll dhe të dijë në çdo çast për ta dhe vendin e tyre.
Për disa ditë rresht, serbët kanë organizuar protesta në zona të ndryshme në pjesën veriore të vendit, duke e bllokuar rrugën dhe qarkullimin e lirë të qytetarëve, në shenjë të kundërshtimit të patrullimit të përbashkët të njësive të komunikacionit në këtë zonë si dhe që të mos ia paguajnë doganën shtetit të Kosovës. Protestat janë organizuar nga strukturat paralele, që veprojnë ilegalisht në hapësirat brenda territorit të Kosovës. Përpjekjeve të Policisë së Kosovës, që së paku të arrijnë ta shtrijnë patrullimin edhe në veriun e vendit, strukturat paralele u janë kundërvënë edhe me sulme ndaj policëve dhe automjeteve zyrtare të Policisë së Kosovës.
Po ashtu, grupet radikale në veri të vendit, në vazhdën e këtyre protestave, të nxitura nga Beogradi zyrtar, janë organizuar edhe nga kryetari i vetëquajtur i veriut të Mitrovicës, Kërstimir Pantiq. Në një protestë të tillë, Pantiq, para më shumë se 2 000 protestuesve është deklaruar se kurrë nuk do të pranojnë të jenë pjesë e institucioneve të Kosovës dhe se kurrë nuk do ta lejojnë hapjen e gjykatave në veri dhe realizimin e regjistrimit të popullatës. Pos tij, i ashtuquajturi rektor i Universitetit të Prishtinës në veri, Sllavisha Vitosheviq, është deklaruar para protestuesve se kurrë nuk do të inkuadrohen në institucionet e Kosovës dhe se serbët duhet ta presin kthimin e ushtrisë serbe.
Në fund të vitit 2010, ministri i brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, njëherësh edhe kryetar i Partisë Socialiste të Serbisë, të formuar nga Sllobodan Millosheviqi, kishte ardhur në Kosovë për t’u takuar me strukturat paralele serbe. Në takimin e mbajtur në Zveçan me të ashtuquajturat strukturat e sigurisë, të MUP-it serb, që vepron ilegalisht në Kosovë dhe të ashtuquajturit komandantë të Mbrojtjes Territoriale serbe në Kosovë, Daçiq, kishte kërkuar nga këto struktura që t’i ngjeshin radhët e tyre, në mënyrë që të mos lejohet në asnjë mënyrë shtrirja e institucioneve të Kosovës në veri të Mitrovicës dhe të Kosovës në përgjithësi.
Në takim me strukturat politike të Serbisë, që veprojnë ilegalisht në Kosovë, Daçiq, u kishte premtuar atyre se Serbia nuk do të heq dorë kurrë nga Kosova. Pos kësaj, Ivica Daçiq ishte takuar edhe me Gjorgje Dragoviqin, i njohur me nofkën “Gjole”, i cili njihet si komandant i përgjithshëm i strukturave të MUP-it serb në Kosovë. Daçiq është takuar edhe me komandantin e strukturave serbe për Mitrovicë Aleksandar Ivanov, për Leposaviq Sreçko Banoviq dhe atë për Zubin Potok Zhivojin Gjuriq.
Nuk duhet harruar se strukturat e MUP-it serb veprojnë edhe në pjesët tjera të Kosovës. Kështu, drejtuesi i MUP-it për Graçanicë për një kohë ishte Z. Radivojeviq, të cilin pas një kohe e zëvendësoi Aca Vuçetiq. Ndërkaq drejtues i këtyre strukturave në Fushë Kosovë për një kohë ka qenë Zoran Vasijeviq, i cili e kishte zëvendësuar një kohë Danillo Markoviqin.
Me një vendim të të ashtuquajturit Kuvend Komunal në veri të Mitrovicës, e ashtuquajtura “Mbrojtje Territoriale Civile” vendosi të hapë Kuzhinën Popullore për qytetarët me gjendje të rëndë sociale, një kuzhinë e cila do të jetë në kuadër të sistemit të kuzhinave popullore në Serbi, edhe pse tash tetë vjet në pjesën veriore të Mitrovicës funksionon Kuzhina Popullore, e cila drejtohet nga Shoqata e Grave “Sabor”, e cila ka vetëm 35 shfrytëzues të shujtës ditore nga 100 sa kishte kur e filloi punën. Në fakt “Mbrojtja Territoriale Civile” nënkupton ushtrinë serbe. Komandant i Mbrojtjes Civile serbe në veri të Mitrovicës, është majori i ushtrisë serbe Desimir Janiqijeviq, i njohur me nofkën “Diske”, ndërsa zëvendës i tij është Branislav Stojisavleviq, i njohur me nofkën “Bane”. Të gjithë pjesëtarët e të ashtuquajturës Mbrojtje Territoriale paguhen nga ushtria e Serbisë.
Këto ditë, disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës të nacionalitetit serb, që kanë qenë me shërbim në pikën kufitare 1 në Jarinë të Leposaviqit dhe në pikën kufitare 31 në Bërnjak të Zubin Potokut, kanë hyrë në grevë, duke refuzuar zbatimin e urdhrave të Policisë Qendrore të Kosovës. Dhjetë pjesëtarë serbë të Policisë së Kosovës që kanë punuar në pikat kufitare në veri, 6 në Leposaviq e 4 në Zubin-Potok, që nga 12 maji, janë duke e refuzuar urdhrin e Komandës Qendrore të Policisë në Prishtinë, që t’iu ndërrohen vendet e punës. Për moszbatimin e urdhrave të lëshuar nga Qeveria e Kosovës dhe Komanda e Policisë, policët e nacionalitetit serb kanë marrë përkrahje nga krerët e strukturave paralele që veprojnë në veri të Mitrovicës dhe të Kosovës. Sipas mediave, që u referohen burimeve nga veriu i vendit, i ashtuquajturi kryetar i qarkut të Mitrovicës, Radenko Nekelkoviq, dhe i ashtuquajturi shef i MUP-it për këtë pjesë të Kosovës, Gjorgje Dragoviq, në një takim me policët e Kosovës, kanë kërkuar nga ata që të mos pranojnë transferimin e tyre në detyra të tjera dhe të mos respektojnë urdhrin e Komandës Qendrore të Policisë së Kosovës. Njëkohësisht, strukturat paralele iu kanë thënë këtyre policëve se transferimi i tyre mund të bëhet vetëm në bashkëpunim me të ashtuquajturin kryetar i komunave në veri të Kosovës, e jo kurrsesi nga Prishtina.
Mosbindja, që pjesëtarët serbë në Policisë së Kosovës të stacioneve në veri të vendit kanë ndaj hierarkisë komanduese të Policisë së Kosovës, duhet të jetë shqetësuese dhe duhet të pasojnë reagime konkrete, sidomos të EULEX-it.
Ish-komandanti i stacionit policor në veri, Milija Millosheviq dhe kolegët e tij të stacioneve në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq ishin takuar në pjesën veriore të Mitrovicës, në maj të vitit 2010, me krerët e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP) të Serbisë për veriun e Kosovës, nga të cilët edhe kishin marrë një varg urdhrash.
Shpeshherë janë kërcënuar dhe sulmuar edhe policët e minoritetit serb të Policisë së Kosovës nga grupet dhe bandat radikale të strukturave paralele. Ka pas raste kur policët e MUP-it serb i kanë rrahur pjesëtarët e Policisë së Kosovës (të kombësisë serbe) për mosdëgjueshmëri. Milijan Miliqeviq dhe Stanimir Jovanoviq, të dy policë të Kosovës, në tetor të vitit 2010 ishin rrahur në rajonin e Leposaviqit nga pjesëtari i MUP-it të Serbisë, Vlladimir Miletiq. Ndonëse ata e kishin paraqitur rastin tek njësia e hetimeve në stacionin e policisë në Leposaviq, rasti i rrahjes së këtyre dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, ishte tentuar të mbyllet në heshtje nga dy policë të tjerë serb të stacionit policor në Leposaviq. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës, Dalibor Filipoviq dhe Marijan Gvozdiq, kishin insistuar që rasti të heshtet dhe të mbyllet krejtësisht, ndërkohë që e kishin ftuar përmes telefonit Miletiqin të paraqitet në stacion. Pas kësaj, pjesëtari i MUP-it serb, Vlladimir Miletiq, është paraqitur në stacionin policor në Leposaviq në shoqëri të shefit të xhandarmërisë serbe për veri, Mihajloviq, i njohur me nofkën “Pop”, i cili ka kërkuar heshtjen e rastit. Në të kundërtën, nëse rasti nuk mbyllet atëherë do të ketë probleme i gjithë Leposaviqi, ka kërcënuar “Pop”.
Ka një varg provash dhe faktesh se pjesëtarë serbë në Policisë së Kosovës, veçanërisht ata me veprim në veri të Kosovës, i kanë zbuluar sekretet e policisë, pra kanë bërë zbulimin e fshehtësisë zyrtare. Një pjesë e tyre punojnë në Policinë e Kosovës, por i kryejnë shërbime MUP-it serb dhe zyrtarisht marrin paga të dyfishta. Nga ata rrjedhin informatat e hetimeve sepse shumë prej tyre janë pjesë e strukturave paralele. Operacione të shumta kanë dështuar vetëm për faktin se të dyshimtët e kanë kuptuar se janë duke u hetuar dhe duke u përgjuar nga policia. Disa prej tyre madje kanë dalë para gjyqit për shkak se kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare.
Vitin e kaluar, pesë policëve të Policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb, u janë ndërprerë pagat nga Serbia, vetëm pse kanë marrë pjesë në një trajnim në Qendrën për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim në Vushtrri. Ata krahas punës në Policisë në Kosovës, punonin edhe për MUP-in serb. Paraprakisht, policët që vijnë nga radhët e minoritetit serb kanë qenë të paralajmëruar që të mos shkojnë në trajnime të tilla, të cilat janë obligative për zyrtarët policorë, nëse duan ta marrin edhe nga një pagë nga Serbia, përveç asaj që marrin nga Kosova. Kjo praktikë vazhdon edhe sot e kësaj dite me një strukturë të policëve nga radhët e minoritetit serb, të cilët marrin paga të dyfishta: nga buxheti i Kosovës dhe nga MUP-i serb.
Për arsye të tilla, pas shkeljeve të shumta disavjeçare, është shkarkuar nga detyra ish-komandanti i Policisë së Kosovës në stacionin në veri, Milija Millosheviq, i njohur me nofkën “Piksi”, i cili ka qenë i dyshuar për ndërhyrje në punë dhe pengim në zbatimin e ligjit. Millosheviq kishte bërë shkelje të rënda ligjore, dhe konsiderohet njëri ndër njerëzit shumë të afërt të strukturave paralele në veri.
Veprimtarinë e MUP-it serb në veri e ilustron edhe ky rast: në mbrëmjen e 6 majit (2011), rreth 20 persona të nacionalitetit serb nga disa banda të ndryshme, janë përfshirë në një rrahje masive në veri të Mitrovicës. Policia e Kosovës nga stacioni në veri, në pamundësi që të kontrollojë situatën në këtë pjesë të qytetit, ka kërkuar ndihmën nga komponenta policore e EULEX-it. Mirëpo, siç bëjnë të ditur burimet e Kosovapress-it në veri, në këtë rast, përkundër prezencës të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe të EULEX-it, është dashur të vijnë pjesëtarët e MUP-it serb për të qetësuar situatën dhe për ta vënë atë nën kontroll. “Një automjet “Mercedes” me ngjyrë të zezë dhe me targa të Serbisë KM - 002 SZ, pastaj xhipi “BMË X5” me ngjyrë të bardhë, si dhe një xhip “Hyundai” ngjyrë e zezë, këto të fundit pa targa, kanë arritur me pjesëtarë të MUP-it të Serbisë rreth orës 23:00 në vendin e ngjarjes me ç’rast kanë arrestuar katër persona dhe e kanë vënë situatën nën kontroll”, kanë thënë burimet, duke shtuar se pjesëtarët e Policisë të Kosovës dhe asaj të EULEX-it kanë qenë vetëm spektatorë.
Në vazhdën e aksioneve, presioneve dhe kërcënimeve nga strukturat paralele është edhe rasti i plagosjes së deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e pakicës serbe, Petar Miletiq, sekretar i përgjithshëm i Partisë së Pavarur Liberale Serbe (SLS), që ndodhi në mëngjesin e 5 korrikut të vitit 2010, derisa po dilte nga banesa e tij në veri të Mitrovicës. Miletiq ishte plagosur rëndë në të dy këmbët, por i kishte shpëtuar vdekjes. Partia Liberale Serbe (SLS) e cilësoi si akt terrorist plagosjen e shefit të grupit parlamentar të kësaj partie.
Sulmuesit e Miletiqit dihen, po ashtu dihet se sulmuesi është i moshës 25-30 vjeçare dhe se u takon grupeve ekstremiste serbe. Sulmi ndaj tij, u cilësua si sulm ndaj institucioneve të Kosovës dhe ndaj votës së lirë. Dorasi para se ta plagoste Miletiqin i kishte thënë: “Këtë e ke për tradhti”.
Drejtuesi i SLS-së, Slobodan Petroviqi, deklaroi se kërcënime dhe sulme të ngjashme, siç është rasti me sulmin ndaj deputetit Miletiq, ka pasur ndaj përfaqësuesve të SLS-së edhe gjatë vitit 2007. Ai bëri me dije se edhe gjatë fushatës për zgjedhjet nacionale të 2007-ës, emri i tij, i Miletiqit dhe i dhjetëra politikanëve të tjerë nga partia SLS, kanë qenë të vendosur në vende publike në mjediset serbe, ku ishte kërkuar të likuidohen.
Lidhur me këtë rast, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kërkoi publikisht nga Beogradi, që të distancohet nga veprimet e dhunshme që po ndodhin në Mitrovicë, të distancohet nga sulmet kundër deputetëve dhe atyre njerëzve që punojnë për vënien e ligjshmërisë në këtë pjesë të Kosovës, gjë që tregon hapur se qeveria dhe organet e ndjekjes e dinë fare mirë se si ka ndodhur dhe përse ka ndodhur plagosja e deputetit Miletiq.
Ndërkohë, i ashtuquajturi ministër për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, deklaroi se sulmin e armatosur kundër Miletiqit e kanë nxitur ekstremistët, qëllimi i të cilëve është frikësimi i qytetarëve dhe pengimi i dialogut, me të cilin do të sigurohej paqja e vazhdueshme në Kosovë. Ky sulm ndodhi vetëm tri ditë pas incidentit të 2 korrikut 2010, në veri të Mitrovicës, kur një mjek i kombësisë boshnjake (Mesud Xhekoviq) u vra, ndërsa u plagosën dhjetë pjesëtarë të komunitetit serb, si pasojë e një shpërthimi që ndodhi (mbase aksidentalisht, nga vet strukturat paralele serbe) gjatë një proteste të serbëve, e organizuar kundër hapjes së Qendrës për Regjistrim Civil të Qeverisë së Kosovës. Dihet botërisht se protesta në fjalë ishte organizuar nga organizata paramilitare “Obraz” dhe se protestuesit që morën pjesë në këtë protestë ishin të armatosur. Paraprakisht, i ashtuquajturi ministër për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, hapjen e zyrës për dhënien e dokumenteve personale e quajti provokim të haptë ndaj elementit serb që jeton në Kosovë.
Menjëherë pas këtij rasti presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, kishte kërkuar me urgjencë një mbledhje të jashtëzakonshme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së (e mbajtur më 6 korrik), duke bërë përpjekje që nëpërmjet Këshillit të Sigurimit ta paraqesë Kosovën si vend të paqëndrueshëm dhe me siguri të brishtë.
Me të njëjtat motive, në korrik të vitit 2010, në Zveçan, është sulmuar me granata dore shtëpia e kryeredaktorit të Radio-Mitrovicës, Çasllav Milisavleviqit, i cili deklaroi se është i sigurt se sulmi ka motiv politik ngase është sulmuar djali i tij, me pretekst se ka qenë anëtar i bordit për formimin e komunës së veriut në Mitrovicë.
Gjatë vitit 2010, gazetarët me pikëpamje demokratike janë sulmuar edhe në Beograd, siç është rasti me gazetarin e javores “Vreme”, i cili ishte edhe kolumnist i Radios Europa e Lirë, Teofil Pantiq, i cili në një prononcim publik deklaroi se sulmi ndaj tij nuk ishte i rastësishëm, por i planifikuar.
Në mbrëmjen e 28 gushtit 2010, pas një zënke që kishte ndodhur rreth mosmarrëveshjes së organizimit të festës së “Zojës së Madhe”, që njihet si dita e banorëve të fshatit Bostan të Novobërdës, serbi Sreten Periq (25), banor i të njëjtit fshat, kishte hedhur dy granata dore në mesin e njerëzve të tubuar, njëra prej të cilave kishte shpërthyer, me ç’rast ishin plagosur të paktën gjashtë qytetarë, pjesëmarrës në këtë kremte. Personi që kreu këtë akt u largua me gjakftohtësi nga vendi i ngjarjes. Njëri prej të plagosurve, Qazim Jashari, i komunitetit rom, vdiq dhjetë ditë më vonë nga plagët e marra. Një ditë më vonë (më 29 gusht 2010) kishte shpërthyer një granatë në oborrin e stacionit të policisë në Zubin Potok, ku ishin dëmtuar dy automjete të Policisë së Kosovës.
Në fund të janarit të vitit 2010, në “Lagjen e Boshnjakëve” në Mitrovicë, ishin sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës në pjesën matanë Ibrit. Lidhur me këtë rast PK-ja i kishte arrestuar 6 persona, dy prej tyre kishin qenë pjesëtar të Policisë së Kosovës, të stacionit policor të veriut. Afërsisht dhjetë ditë më vonë është sulmuar shtëpia e një eprori të Policisë së Kosovës me dy shishe (koktej molotovi), në qendër të Leshakut, të komunës së Leposaviqit.
Problemet e tilla kanë ndodhur në vazhdimësi, pasi që shumica e kryesve të këtyre akteve nuk janë zbuluar as nuk janë ndjekur kurrë. Në këto raste kanë munguar hetimet e mirëfillta nga PK-ja dhe EULEX-i.
Provokimet e ekstremistëve serbë ndaj banorëve shqiptarë dhe boshnjakë në lagjen “Kodra e Minatorëve” e në vendbanime të tjera në pjesën veriore të vendit, janë përditshmëri. Shpeshherë banorët e këtyre lagjeve ishin detyruar t’u shkruanin peticione organeve qeveritare dhe KMLDNJ-së për sjelljet padurueshme të grupeve të caktuara të serbëve ndaj këtyre banorëve.
Vitin e kaluar, i ashtuquajturi kreu i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, Gjorgje Dragoviq “Gjolle”, në një takim urgjent kishte kërkuar nga komandantët e policisë së Kosovës në veri të Kosovës, që të mos asistojnë në fushatën zgjedhore e as ditën e votimit të zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë të 12 dhjetorit 2010. Në këtë takim kishin marrë pjesë edhe kryetarët e komunave serbe në veri të Kosovës, si dhe i ashtuquajturi kryetar i Qarkut të Mitrovicës, Radenko Nedelkoviq, që konsiderohet edhe kryeshef i policisë serbe për Qarkun e Mitrovicës.
Në këtë takim kishte marrë pjesë edhe komandanti i stacionit të Policisë së Kosovës për Zubin Potok, Drazha Bozhoviq, komandanti i stacionit të veriut të Mitrovicës, Kragoviq, komandanti i stacionit të policisë së Leposaviqit, Dragan Stefanoviq. Komandanti i MUP-it të Serbisë, Gjorgje Dragoviq dhe i ashtuquajturi kryetar i Qarkut të Mitrovicës, Radenko Nedelkoviq, kanë kërkuar nga komandantët e stacioneve të Policisë së Kosovës në veri, që të mos asistojnë në mbështetje të fushatës elektorale në veri të Kosovës si dhe në ditën e zgjedhjeve. Asistimi i policëve serbë të Kosovës në fushatë dhe në ditën e zgjedhjeve është tradhti kombëtare dhe do të bartë pasoja për policinë dhe familjen e tij, u ka thënë në takim kreu i policisë së Serbisë si dhe kreu i Qarkut të Mitrovicës.
Kjo është një luftë speciale që Serbia dhe shërbimet sekrete serbe po e përdorin si metodë për arritjen e qëllimeve në Kosovë. Serbia, në momente të caktuara, e ka aplikuar luftën speciale në Kosovë, për ta fshehur rolin dhe praninë e Serbisë në Kosovë. Shërbimet sekrete serbe kanë krijuar grupime dhe rrjete të caktuara brenda territorit të Kosovës, për të shkaktuar pakënaqësi te popullata, për të kryer veprime që Kosova të krijojë një imazh të keq në arenën ndërkombëtare, duke nxitur dhe përkrahur aksionet terroriste, duke përhapur propagandë ndaj liderëve dhe qarqeve të caktuara të shoqërisë, duke nxitur dhe duke investuar në përhapjen e korrupsionit, duke sulmuar sistemet monetare, duke mbështetur biznesmenët e pa pastër që ndërlidhen me strukturat serbe, duke mbështetur krimin e organizuar, e shantazhime të tjera, të nxitura nga këto shërbime.
Shërbimet sekrete serbe kanë arritur të krijojnë linja zinxhirore me Kosovën në dhjetëra forma, si nëpërmjet dhënies së pasaportave e dokumenteve tjera personale, që pos tjerash ka qenë vijë mjaft profitabile, por edhe qytetarët që kanë pranuar të marrin dokumentacionin e Serbisë është dashur të nënshkruhen si shtetas të Serbisë; pastaj nëpërmjet linjave të biznesit, shitblerjeve të pasurive dhe falsifikimit të dokumentacioneve për toka e pasuri shtetërore të Kosovës që i kanë kaluar në duart e kontrabanduesve; nëpërmjet bizneseve të përbashkëta, linjave të “miqësisë së vjetër”, nëpërmjet klaneve mafioze të kontrolluara nga shteti serb, nëpërmjet strukturave që kanë qenë në shërbim të qeverisë okupuese serbe deri në momentin kur forcat serbe u detyruan të tërhiqen nga Kosova në përfundim të luftës. Dihet se një pjesë e konsiderueshme e personelit ishin shqiptarë, që u tërhoqën bashkë me forcat okupuese serbe dhe u dislokuan në Serbi për t’u kthyer më pas nëpërmjet linjave të caktuara të UNMIK-ut e linjave të tjera. Sot, kjo shtresë kanë pozita dhe ndikim të mjaftueshëm në Kosovë, përmes formave tashmë të njohura për shërbimet dhe vijat zyrtare të shtetit të Kosovës. Natyrisht, duhet vënë në dukje se veprimet e kësaj natyre janë realizuar nëpërmjet qendrave koordinuese të shërbimeve sekrete serbe në Serbi. Ndër to është edhe e ashtuquajtura Qendra e Resorit të Sigurimit Shtetëror (CRDB) për Kosovën, e vendosur në Nish.
Një rol të ngjashëm e ka luajtur edhe një grup kundërinformativ, i njohur si KOG, me qendër në Prishtinë. Pos këtyre, janë të koordinuara mirë veprimet e BIA-s dhe të Policisë së Serbisë në Kosovë, nëpërmjet zyrave të Sekretarisë së Punëve të Brendshme (SUP). Për veprimtarinë e theksuar të shërbimeve sekrete serbe në Kosovë, tashmë nuk ka dilema askush, por dilema është se si të paralizohet dhe të neutralizohet veprimtaria e tyre në Kosovë. Pothuajse në të gjitha qytetet e Kosovës, Serbia e ka pranuar publikisht se i ka celulat dhe bazat e shërbimit sekret serb, me një ndikim diku më shumë e diku më pak. Këtë e di edhe EULEX-i, edhe MPB-ja dhe organet tjera. Struktura e BIA-s që operon në Prishtinë i raporton SUP-it në Nish, që është përgjegjës për Prishtinë, njësiti i BIA-s që operon për Mitrovicë i raporton SUP-it në Kralevë që është përgjegjës për Mitrovicë e kështu me radhë për të gjitha komunat.
Në Kosovë, MUP-i serb funksionon i ndarë në gjashtë rajone, ndërkaq funksionimi i tij, ndahet në stacione dhe stacionet sektorë. Sipas burimeve gjysmëinterne, MUP-i serb ka të aktivizuar 180 zyrtarë në Kosovë, të cilët i paguan rregullisht, ndër ta janë: Sllavisha Radoviq, Predrag Jevtiq, Jovan Radosavljeviq, Radosav Zubac, Nedeljko Spasojeviq, Sergjan Spasojeviq, Gjorgje Vukoviq, Sasha Gjorgjeviq, Bojan Jankoviq, Radolub Obradoviq etj.
Në një prononcim për media të udhëheqësit të KMLDNJ-së për Mitrovicë, Halit Barani, është thënë se nuk duhet të kemi asnjë dyshim, se krejt çka ndodhë në pjesën e okupuar të qytetit, përkatësisht në Albanik, Zubin Potok, Zveçan etj, janë të organizuara nga MUP-i serb i Beogradit. Sipas tij, pikërisht pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës, “kanë gisht” në shpërthime dhe tensione në veri. “Aty është policia serbe me uniforma të Policisë së Kosovës e që punojnë për MUP-in serb, atyre u japin llogari”, thotë Barani. Edhe zyrtarët e NATO-s janë shprehur të shqetësuar me praninë e MUP-it serb në veri.
MUP-i serb për raste emergjente e mban funksional edhe të ashtuquajturin Shtab i Emergjencës për MUP-in në Kosovë, i cili për shkaqe sigurie ndodhet në pjesën veriore të Mitrovicës. Një kohë pjesë e këtij shtabi kanë qenë Maja Ignjatoviq me gradën e majores në polici, Dragolub Delibashiq, Marjan Ilinçiq, Jançiq (Mbrojtja Territoriale) dhe Milan Ivanoviq (SNV).
E ashtuquajtura Mbrojtja Territoriale (TO) serbe, realisht si rrjet informativ më shumë sesa si organizim territorial operativ ndodhet nën kontroll të VBA-së (Vojno Bezbednosna Agencija – Agjencia e Sigurimit Ushtarak) trashëgimtare e KOS-it (Kontra Obaveštajna Služba – Shërbimi Kundërinformativ Ushtarak). Qendra e saj po ashtu ndodhet në Nish, në objektin e ish-komandës së Armatës së Tretë të RFSJ-së dhe Shërbimi Informativ Ushtarak (Vojno Obaveštajna Agencija - VOS), e cila vepron jashtë kufijve të Serbisë, duke përfshirë Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Turqinë, por edhe në vende të tjera ku janë të grumbulluar numër i madh i diasporës shqiptare. Kjo strukturë ka afërsisht 385 pjesëtarë, një pjesë prej tyre me funksion rezervë. Pjesëtarët e këtij formacioni në formë patrullash të pauniformuar patrullojnë nëpër Mitrovicë dhe pjesë tjera të Kosovës. Fillimisht komandant i kësaj njësie ka qenë Dobrivoje Miliçeviq, nga fshati Grabovc i Zveçanit, njëherësh biznesmen dhe pronar i një pompe benzine në veri. Dobrivoje Miliçeviq, jozyrtarisht, ka qenë i njohur edhe si njeri që ka kontrolluar biznesin e naftës në veri të Kosovës. Zëvendësi i tij ka qenë Vasilije Galak, i cili ishte i autorizuar që të bënte riorganizimin e të ashtuquajturës “mbrojtje territoriale”. Duhet përmendur se pas publikimit të emrave dhe strukturës së tyre qarqet e caktuara të shërbimeve sekrete serbe kanë ndërruar formën dhe qasjen në Kosovë.
Thelbi i një dileme sigurie qëndron në faktin se gjatë veprimit për të mbajtur të sigurt një qeveri prodhon reagime që ia pakësojnë asaj sigurinë, siç është në këtë rast Serbia dhe mekanizmat e saj. Një shtet duhet të sigurohet nga kërcënimet e jashtme. Duhet të garantojë sigurinë edhe përballë kërcënimeve të brendshme. Në rastin konkret, Serbia po e kërcënon Kosovën edhe në dimensionin e jashtëm, duke e shantazhuar në arenën ndërkombëtare, kuptohet duke i përdorur aleatët e saj dhe ndikimin e tyre si dhe në atë të brendshëm, duke instaluar ilegalisht sisteme paralele të sigurisë dhe struktura paralele, të cilat po ua zbehin aktivitetin strukturave të sigurisë së Kosovës, vendore e ndërkombëtare.
U bënë 12 vite që zyrtarë të lartë ndërkombëtarë të KFOR-it, por edhe zyrtarë tjerë të politikës ndërkombëtare dhe vendore, që kanë premtuar vazhdimisht se do ta çarmatosin veriun nga strukturat ilegale paralele, por kjo nuk po ndodhë as sot e kësaj dite.
Është e ditur publike për cilindo qytetar të interesuar, se ku janë bazat e BIA-s, MUP-it, Xhandarmërisë, Mbrojtjes Territoriale, gjykatave paralele, policisë së Serbisë, etj., me veprim në Kosovë, të cilat veprojnë në mënyrë të jashtëligjshme në brendi të territorit të Kosovës.
Xhandarmëria serbe, që nga viti 2001 vazhdimisht e ka cenuar kufirin e Kosovës dhe i ka maltretuar qytetarët shqiptarë në shtëpitë e veta dhe në pronën e vet. Madje ka pasur raste kur në brendi të territorit të Kosovës i ka arrestuar banorët e Kosovës dhe i ka dërguar dhe dënuar në gjykatat e Serbisë. Në rastet e tilla, burimet zyrtare serbe në Vrajë, për opinionin publik kanë deklaruar se nuk e kanë cenuar kufirin. Në shumë fshatra të brezit kufitar, për shkak të lëvizjes së kufizuar, si pasojë e pasigurisë, ka kohë që banorët e Kosovës i kanë shitur edhe bagëtitë, sepse nuk kanë ku t’i kullosin nga frika e xhandarmërisë serbe. Sipas prononcimeve të banorëve të këtyre anëve policia e Kosovës, nuk bën ndonjë patrullim në këtë zonë. Janë të evidencuara dhjetëra e dhjetëra raste të cenimit të integritetit territorial të Kosovës dhe të keqtrajtimit të banorëve shqiptarë përgjatë brezit kufitar me Serbinë. Çështjet në fjalë u janë paraqitur të gjitha niveleve shtetërore dhe ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë.
Veçanërisht që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës e gjerë më sot kufiri i Kosovës është kërcënuar nga xhandarmëria dhe strukturat tjera militare e paramilitare të Serbisë. Në shumicën e rasteve ka munguar reagimi institucional. Xhandarmëria serbe kohë pas kohe është futur në fshatrat shqiptare të Kosovës përgjatë brezit kufitar me Serbinë.
Xhandarmëria serbe herë pas here hyn në fshatin Karaçevë të Dardanës (ish-Kamenicës), por edhe në Lagjen e Zahirajve, në fshatin Sllubicë të Gjilanit. Banorët e kësaj lagjeje janë të frikësuar dhe të shqetësuar tej mase dhe e ndjejnë veten të rrezikuar, ngase bandat dhe grupet e armatosura kanë bërë vazhdimisht masakra në këto pjesë edhe në të kaluarën, dhe me të drejtë i frikësohen përsëritjes së historisë jo të largët. Fatkeqësisht, kompetentët po ia lejojnë xhandarmërisë serbe, që të patrullojnë të armatosur brenda territorit të Republikës së Kosovës.
Në fshatin Karaçevë të Poshtme të Dardanës, xhandarmëria serbe vazhdon të hyjë lirshëm nëpër territorin e Kosovës. Për këtë arsye, banorët e këtij lokaliteti, duke e ndjerë veten të rrezikuar, herë pas here i janë drejtuar udhëheqjes komunale, KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, duke kërkuar siguri për vete e sidomos për udhëheqësin e fshatit, Selver Lenjanin, të cilin xhandarmëria serbe e ka kërkuar ta arrestojë brenda territorit të Kosovës.
Bashkësia Lokale e Karaçevës së Poshtme e ka njoftuar me këtë problem edhe kryesuesin e Kuvendit Komunal të Dardanës, derisa banorët thonë se rrezikshmëria në këtë brez kufitar është gjithnjë e më e madh, sepse xhandarmëria serbe lëvizë brenda territorit të Bashkësisë Lokale të Karaçevës së Poshtme, ndërkohë që përmendin edhe pikat e caktuara ku forcat serbe të armatosura gjer në dhëmbë shëtisin brenda territorit të Kosovës, kur andej nuk ndodhet Policia e Kosovës dhe KFOR-i.
Siç mësohet nga burime të tjera, Selver Lenjani është person në kërkim dhe akuzohet sepse ndaj tij janë ngritur dyshime për veprimtari antishtetërore ndaj Serbisë dhe dezinformim të opinionit publik, lidhur me sjelljen e forcave serbe të kufirit. Kryetari i fshatit Karaçevë e Poshtme, Selver Lenjani, gjithnjë ka qenë ndër personat më të zëshëm, që ka kërkuar mbrojtjen e kufirit dhe ka alarmuar opinionin për shkeljet e vazhdueshme që kanë bërë forcat serbe, duke u futur herë pas here në brendi të territorit të Kosovës.
Një pjesë e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, nga radhët e minoritetit serb, siç u tha edhe më herët, bashkëpunojnë haptas me strukturat paralele serbe, madje punojnë sipas direktivave të tyre. Marrin edhe pagat e dyfishta nga MUP-i i Serbisë. Në këtë kontest, pos tjerash, duhet përmendur rastin e pjesëtarit të Shërbimit Policor të Kosovës (SHPK), Igor Juçinac, që ishte njëri nga tre agjentët e shërbimit sekret serb BIA, që u arrestuan në flagrancë në qershor të vitit 2009, në Çagllavicë, derisa po mblidhnin dëshmi të rrejshme për të materializuar aferën gjoja për trafikim të organeve të serbëve gjatë luftës nga UÇK-ja. Për sigurimin e dëshmive të tilla, agjentët e BIA-s (Igor Juçinac, Millutin Radanoviq dhe Predrag Zhelkoviq) u ofronin dëshmitarëve potencialë prej 100 – 300 mijë euro për një deklaratë, pa lënë anash as benificionet tjera, të gjitha të paguara nga shteti (Serbia). Në ndërkohë u arrestua edhe zyrtari i lartë i Policisë së Kosovës, me shërbim në stacionin policor në Shtime, Gligor Juçinac (vëllai i Igor Juçinacit), pasi që kishte kërcënuar me vdekje njërin nga dëshmitarët e këtij rasti.
Menjëherë pas arrestimit të këtyre agjentëve të BIA-s, njoftimi zyrtar i Policisë së Kosovës ishte se tre personave iu vunë prangat, ndërsa i katërti “është në arrati”. Personi i katërt, kapiten në Policinë e Kosovës, me inicialet Sh. K., siç shkruante edhe gazeta “Zëri” në janar të këtij viti, ndonëse nuk është serb, i takon një komuniteti minoritar të Kosovës dhe dyshohet se pas përfundimit të luftës ka qenë bashkëpunëtor i rëndësishëm i Agjencisë Informative të Sigurisë së Serbisë. Njëkohësisht kapiteni i policisë Sh. K., dyshohet të ketë qenë bashkëpunëtori kryesor i agjentëve të BIA-s (Juçinac, Radanoviq e Zhelkoviq), por megjithatë edhe sot e kësaj dite ai ende mban gradën e kapitenit dhe e vazhdon punën në stacionin kryesor të Policisë së Kosovës në njërin nga qytetet më të mëdha të vendit. Kapiteni i policisë shihet qartë në materialet filmike të siguruara nga Task Forca e Policisë së Kosovës, në bisedë me tre serbët e arrestuar. Shihen qartë edhe targat e veturës së policisë, të cilën e voziste kapiteni Sh. K., ndërsa pak sekonda më vonë shihet në bisedë e sipër me agjentët e BIA-s. Sipas “Zërit”, në Policinë e Kosovës thuhet se është sekret publik që gjatë takimit të regjistruar me kamerë, derisa qëndron prapa veturës së Policisë, kapiteni SH. K., serbëve të dyshuar si agjentë të BIA-s u ka dhënë një grumbull letrash të cilat nuk dihet as sot e kësaj dite se çka saktë kanë qenë.
Është interesant të përmendet fakti që dëgjohet dhe shihet në materialin filmik, kur Igor Juçinac, përmend një banor të rrethinës së Pejës, për të cilin thotë se “tashmë jeton në Beograd pasi i ka ofruar dëshmitë e veta dhe se i njëjti ka fituar 300 mijë euro, një apartament në qytetin e Beogradit dhe një veturë.”
Agjencia Informative dhe e Sigurisë së Serbisë (Bezbednosno Informativna Agencija – BIA) llogaritet të ketë një strukturë prej afro 150 pjesëtarëve, të cilët e koordinojnë punën e saj të përgjithshme rreth Kosovës, prej tyre më shumë se gjysma (80 sish) ndodhen në Kosovë. Një kohë udhëheqës i këtij ekipi ka qenë Zhelko Kosovac, i njohur në qarqet e zbulimit si shef i BIA-s për veriun e Kosovës.
Me çështje të organizimit dhe komandimit të strukturave ilegale paralele serbe në Kosovë janë marrë edhe Jovica Llazareviqi, Bozhoviq dhe Sergjan Spasojeviq. Pos tjerëve, me organizimin e këtyre strukturave në Mitrovicë është marrë edhe gjenerali serb në pension Bozhidar Djeliq (i njohur për krime lufte të kryera në Kosovë), koloneli Dimitrije Janiçeviq, i njohur me nofkën “Disko”, një kohë komandant i të ashtuquajturës Mbrojtje Territoriale për Veriun e Kosovës; pastaj Miodrag Jankoviq, përgjegjës për Prishtinë, ish-komandat i Stacionit të Dytë të policisë në Prishtinë, njësiti i të cilit dyshohet të ketë qenë përgjegjës për vrasjen e dhjetëra civilëve shqiptarë në fshatrat Llukar dhe Makoc, më 26 mars 1999. Baza e kësaj qendre rajonale po ashtu gjendet në Nish.
Strukturat paramilitare, ushtarake dhe ato të sigurisë së Serbisë në veriun e Kosovës janë mbështetur vazhdimisht nga Nebojsha Joviqeviq, Millan Ivanoviq dhe Marko Jakshiq. Strukturat në fjalë kanë planifikuar një varg problemesh, kundërshtimesh, demonstratash e deri tek vrasjet dhe aktet tjera terroriste në brendi të territorit të Kosovës, me qëllim të tensionimit të situatës dhe të eskalimit të gjendjes, për të fajësuar më pas shqiptarët. Shpeshherë ka ndodhur që Serbia ta akuzojë Kosovën për vepra të kryera dhe qërim hesapesh të grupeve të nëntokës së veriut të Mitrovicës dhe të mafies serbe që operon në Kosovë.
Sipas burimeve të mirinformuara, siç është përmendur edhe më herët, protestat në veri ku humbi jetën një person dhe u plagosën dhjetë të tjerë i ka organizuar organizata paramilitare serbe “OBRAZ”, të cilët janë të lidhur ngushtë me pjesëtarët e MUP-it serb në veri. “Obraz” është klasifikuar nga disa institucione në Serbi si organizatë ortodokse klero-fashiste e ekstremit të djathtë. Aktivistët e saj njihen për disa vepra ekstremiste edhe në Serbi. Organizatë tjetër e afërt me strukturat e shërbimit sekret serb që vepron në veri të Kosovës është edhe ajo e kompanisë për sigurimin e objekteve “SOKO”.
Në Mitrovicë, siç është thënë edhe më herët, veprojnë disa organizata ultranacionaliste të shpallura si ilegale edhe në Serbi, si: “Obraz” (“Fytyra”), “Srpski Çetniçki Pokret” (“Lëvizja Çetnike Serbe”), “Garda e Car Llazarit”. Kohëve të fundit kanë filluar ta shtojnë aktivitetin e tyre në veri të Kosovës edhe grupet tjera ekstreme, siç janë: “Delije” (“Trimat”) dhe “Grobari” (“Varrmihësit”). Pos këtyre organizatave, në veri operon edhe një e ashtuquajtur forcë mbrojtëse civile serbe, e cila është e përqendruar në pjesën e Zveçanit.
Kohë pas kohe, sidomos në protesta dhe tubime në pjesën veriore të Mitrovicës parakalojnë pjesëtarë të këtyre organizatave me uniforma të zeza dhe kokarda çetnike nëpër lagje të ndryshme, duke i shqetësuar seriozisht banorët e këtushëm, qoftë shqiptarë qofshin ata edhe serbë, boshnjakë, romë etj. Nganjëherë grupe prej 5-7 vetash, të uniformuar me uniforma të zeza çetnike shfaqen në Lagjen e Boshnjakëve por edhe në pjesë tjera të veriut të vendit. Pjesëtarët e këtyre grupeve janë familjarë të afërt por edhe vetë policë të Kosovës, të cilët kanë shkruar mbishkrime dhe parulla tejet kërcënuese për banorët e atjeshëm, veçanërisht duke bërë thirrje për vrasjen e shqiptarëve.
Të gjitha veprimet e këtyre organizatave koordinohen nga celula e shërbimit sekret serb, e cila vepron në kuadër të të ashtuquajturës Administratë e MUP-it për Kosovë, që është e vendosur në Kralevë.
Organizatat ekstreme serbe, në prill të vitit 2010, kishin organizuar që ta sjellin nga Serbia, për ta varrosur në Kosovë, kriminelin e luftës Dragan Jovanoviq, i njohur me nofkën “Qule”, i akuzuar për krime lufte në Kosovë. Jovanoviq ishte i dyshuar për krime lufte të kryera në rajonin e Mitrovicës. Me këtë akuzë ishte arrestuar, mirëpo nuk është gjykuar asnjëherë, sepse bashkë me mbi 20 të dyshuar të tjerë serbë për krime lufte, kishte ikur nga Burgu i Mitrovicës në vitin 2000.
Dragan Jovanoviq pasi kishte vdekur në shtëpinë e tij në Novi Sad është sjellë dhe është varrosur në varrezat e fshatit Rudare në Mitrovicë, ku pos tjerësh kishin marrë pjesë edhe disa paramilitarë të tjerë, të cilët kishin ikur nga burgu i Mitrovicës, ku mbaheshin në paraburgim si të dyshuar për krime lufte, në mesin e të cilave edhe për masakrën mbi 26 shqiptarët, të kryer më 14 prill 1999, në Mitrovicë, ku ishte pjesëmarrës edhe “Qule”. Në varrimin e tij në mënyrë të organizuar, të papenguar, morën pjesë edhe pjesëtarë të formacionit terrorist të ashtuquajturës “Garda e Car Llazarit”, të cilës i takonte krimineli Dragan Jovanoviq.
Pos kësaj, në fund të muajit prill 2010, kishin hyrë në Kosovë, në mënyrë të organizuar mbi 23 pjesëtarë të të ashtuquajturës “Garda e Car Llazarit”, për hyrjen e të cilëve ministri i brendshëm Rexhepi e pati fajësuar Policinë e Kosovës, gjegjësisht pjesëtarët e kësaj policie që vijnë nga radhët e komunitetit serb.
Policia e Kosovës edhe pse nuk ka dhënë detaje, kohë më parë i kishte arrestuar tre pjesëtarë të organizatës “Obraz”, të cilët kishin treguar disa prej planeve të kësaj organizate. Në këtë formacion bëjnë pjesë edhe familjarë të afërt të ish-komandantit të Policisë së Kosovës në veri, përkatësisht djali i Milija Millosheviqit. Po ashtu në këtë grup janë të implikuar edhe fëmijët e përfaqësuesve të Këshillit Nacional Serb. Grupit “Obraz” i takon djali i sekretarit shtetëror në të ashtuquajturën Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviqit, kurse vet Oliver Ivanoviqi më herët ka qenë themelues dhe komandant i formacionit shumë të rrezikshëm paramilitar serb “Rojet e Urës”.
Drejtuesit të organizatës nacionaliste serbe “Otadžbina” (“Atdheu”), me seli në Mitrovicë, Igor Vujinoviq, disa herë i është bastisur shtëpia nën dyshimin e shpërndarjes dhe përhapjes të materialeve të ndryshme propagandistike kundër institucioneve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare, përfshirë edhe individë të tjerë të përkatësisë etnike serbe. Gjatë bastisjes së kryer më 5 janar 2011, janë gjetur materiale propaganduese, dokumente nacionaliste, vula kompjuterë dhe telefona celularë. Në mesin e materialeve të gjetura është edhe libreza e anëtarësisë në organizatën nacionaliste serbe “Otadžbina”, dhe rregullorja e organizatës, sipas të cilave Igor Vujinoviq është udhëheqës i kësaj organizate.
Vujinoviq njëherësh është edhe pjesëtar i Lëvizjes Çetnike Serbe të Ravna Gorës, e cila bazën kryesore e ka në Bosnjë por që vepron edhe në Kosovë. Ndaj Vujinoviqit nuk janë marrë masa arresti. Dihet se disa herë janë shpërndarë pamflete në veriun e Mitrovicës që bënin thirrje për t’u rekrutuar në të ashtuquajturën “Garda Çetnike e Lëvizjes Serbe të Ravna Gorës”, e cila po ashtu është një nga grupet e radhës që kërcënon banorët e Mitrovicës, që janë pjesë e “grupeve të luftuese” në veri të Kosovës.
Në fillim të janarit 2011, në Zveçan, ishte arrestuar pjesëtari i të ashtuquajturës “Mbrojtje Territoriale Serbe”, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, Stanisha Miletiq, i cili njëkohësisht është edhe anëtar i organizatës ekstreme serbe “Çetniçki Pokret”, për arsye se muaj më parë kishte kërcënuar priftin e manastirit ortodoks serb “Devine Vode” në Zubin Potok, kur në atë manastir ishte barrikaduar ish- patriarku serb Artemije.
Një grup i të rinjve të organizatës së ashtuquajtur “Nova Nada Mitrovice”, në fillim të vitit 2011, brenda dy javësh, në dy raste të ndara, në veri të Mitrovicës i sulmuan pjesëtarët e EULEX-it dhe të OSBE-së. Në rastin e parë, janë sulmuar fizikisht një pjesëtar i EULEX-it dhe një tjetër i OSBE-së, ndërsa në rastin e dytë ishin sulmuar dhe rrahur rëndë tre pjesëtarë të EULEX-it.
Organizata e të rinjve serbë “Nova Nada Mitrovice”, me veprim në veri të Mitrovicës, është formuar nga MUP-i i Serbisë me qëllim që “të rrahin dhe të maltretojnë të gjithë joserbët që mësyjnë për të kaluar në veri të Mitrovicës”. Ky grup i të rinjve serbë është formuar me qëllim që edhe nëse kapen nga organet e rendit, për shkak të moshës jomadhore nuk do të mund të gjykoheshin, ndërsa në opinion do të cilësohet si punë kalamajsh. Këto dy raste të rrahjeve nga “kalamajtë” serbë, bënë që Misioni Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë – EULEX, veriun e Mitrovicës dhe përgjithësisht veriun e Kosovës, ta shpallë “zonë rreziku”, duke ua kufizuar, për të mos thënë duke ua ndaluar qarkullimin në atë pjesë pjesëtarëve të vet.
Grupe të bandave serbe të strukturuara për të kryer veprime të këtyre natyrave (kriminale e terroriste), që veprojnë në veri të Kosovës, në shkurt të këtij viti (2011), të motivuar etnikisht, kishin sulmuar fizikisht tre të rinj shqiptarë në veri. Sulmet e tilla, të mos themi se janë të përditshme, janë të shpeshta ndaj qytetarëve shqiptarë të asaj pjese.
Në Mitrovicë veprojnë një varg strukturash të sigurisë që kanë rivalitet mes tyre të cilat shpesh janë ndeshur mes veti dhe kanë shkëmbyer rafale armësh.
Të gjitha grupet që i përbëjnë strukturat paralele në Kosovë e kanë Qendrën Koordinuese në Serbinë Qendrore për t’i përcjellë aktivitetet e këtyre grupeve dhe për ta koordinuar aktivitetin e këtyre grupeve në Kosovë. Një pjesë e njerëzve që janë rekrutuar në strukturat paralele që veprojnë në Kosovë, janë njerëz që kanë shërbyer në ish-armatën jugosllave, në njësitë elite të “Beretave të Kuqe”, Njësinë për Operacione Speciale (JSO) të cilat kanë qenë njësi ekzekutive të sigurimit shtetëror serb RDB (Resor Državne Bezbednosti), njësi këto që nga viti 1999-2003 nuk i kishin shkëputur marrëdhëniet me Kosovën.
Për një kohë strukturat e shërbimit sekret serb në Gjilan i ka drejtuar Dragan (Stanko) Gjikiq (1959), ish-inspektor i sigurimit serb (RDB), Qendra në Gjilan. Gjikiq ka mbajtur lidhje të vazhdueshme edhe me strukturat e UNMIK-ut, nëpërmjet të cilave ka hyrë në Kosovë sa herë ka pasë dëshirë. Gjikiq ka bashkëpunuar ngushtë me bazën-shtabin sigurimit të MUP-it serb në Shillovë dhe vende tjera në afërsi të kufirit Kosovë-Serbi, dhe ka qenë njëri ndër projektuesit e legalizimit të strukturave të BIA-s në Kosovë.
Një ndihmesë të madhe Gjikiqit dhe të tjerëve për “legalizimin” e strukturave të shërbimit sekret serb në disa pjesë të Kosovës ia ka dhënë edhe UNMIK-u, nëpërmjet një “komiteti” të formuar me qëllim të bashkëpunimit mes policisë së UNMIK-ut dhe MUP-it të Serbisë, i cili ka heshtur në të gjitha rastet edhe kur ka pasur fakte konkrete për operimin ilegal të strukturave sekrete serbe në Kosovë.
Koordinimin e punëve me strukturat e ish-SPB-ve serbe, në shumicën e rasteve e ka bërë i ashtuquajturi “Shtab i Krizës dhe Sigurisë”, brenda të cilit kishte të instaluara struktura të SPB-së, të cilat janë të lidhura me bazat e sekretariateve ku është dokumentacioni i komunave. Një strukturë tjetër, që është e rëndësishme për strukturat e shërbimit sekret serb në Kosovë, janë edhe ish-strukturat e dikurshme operative që kanë qenë pjesë e shërbimit sekret serb që nga vitet e ‘90-ta e këndej.
Ka ndodhur disa herë që të arrestohen bosët e krimit në veriun e Mitrovicës, të cilët konsideroheshin përgjegjës për shpërthime me eksploziv, djegie dhe kontrabandë. Mirëpo në shumicën e rasteve janë liruar menjëherë pas marrjes në pyetje. Në shumicën e rasteve ata janë mbështetur nga Këshilli Nacional Serb.
Edhe pse Millan Ivanoviqi ka qenë nën hetime për një varg veprash penale, ish-komandanti i stacionit të PK-së në veri, Milija Millosheviqi, i njohur me nofkën “Piksi”, nuk ka lejuar që të hapet asnjë rast ndaj Millan Ivanoviqit.
Vazhdimisht janë mbajtur takimet për koordinimin e veprimeve të mëtutjeshme të strukturave paralele dhe kreut të policisë në veri, ku Milija Millosheviqi, Milan Ivanoviqi, ish-polici famëkeq Dragan Delibashiq, Sasha Arsiq, që njihet po ashtu si pjesëtar ekstrem i klerit të Kishës Ortodokse Serbe kanë qenë më të zëshëm ndaj strukturave ndërkombëtare dhe ndaj elementit serb që ka bashkëpunuar me institucionet e Kosovës.
Ka pasur raste kur përfaqësuesit e UNMIK-ut i kanë kërcënuar banorët shqiptarë në pjesën veriore të Mitrovicës që t’i lëshojnë shtëpitë e tyre, apo edhe kur kanë filluar për të ndërtuar apo rindërtuar shtëpitë e tyre, i kanë urdhëruar që t’i rrënojnë. – Mirëpo, qytetarët në shumicën e rasteve nuk i kanë zbatuar vendimet e administratës së UNMIK-ut pasi kjo administratë është pjellë e ndikimit të serbëve të Suhadollit, është shprehur Musa Brahimi nga Vidmiriqi. Por ka pasë edhe shumë raste kur UNMIK-u i ka dëbuar nga shtëpitë e tyre shqiptarët e kësaj pjese, disa vendime të tilla janë të lëshuara nga Anil Vasisht, zyrtar i UNMIK-ut në Mitrovicë. Po ashtu, Administratori i Kombeve të Bashkuara (UN) për komunën veriore të Mitrovicës, kohë pas kohe ka udhëhequr takimet me strukturat paralele, kurse EULEX-i nuk është ftuar fare në takime.
Ditë më parë (më 11.4.2011), bandat serbe dogjën objektet e sigurimeve kufitare në Bërnjak (Porta 31) në vendkalimin kufitar me Serbinë. Kompania e sigurimeve që iu dogjën lokalet ishte e licencuar nga institucionet e Kosovës. Objekti është djegur nga hedhja e një mjeti shpërthyes. Zyra e sigurimeve në portën kufitare 31 është djegur edhe vitin e kaluar. Ndërkaq, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në shkurt të vitit 2008, serbët i dogjën tërësisht portën kufitare 31 në Bërnjak të Zubin Potokut dhe portën 1 në Jarinë të Leposaviqit, të cilat edhe sot e kësaj dite nuk i janë rikthyer si duhet funksionimit. Ndërkaq më 17 mars 2008, serbët vrarë me armë zjarri një ukrainas, pjesëtar i policisë speciale të UNMIK-ut, vrasja e të cilit nuk është zbardhur as sot e kësaj dite. Pos vrasjes së policit ukrainas, qenë lënduar rëndë e lehtë edhe mbi 100 pjesëtarë të KFOR-it dhe të policisë së UNMIK-ut, që po ashtu kanë mbetur si raste të heshtura edhe përkundër faktit se të gjitha rastet janë të evidentuara në kamera, duke mos i përjashtuar edhe provat tjera gjyqësore. Sulmi ishte kryer me granata dore, armë zjarri AK-47, pushkë gjysmëautomatike, snajperë e mjete tjera që kanë qenë të drejtuara kundër KFOR-it.
Por, mbase për t’u dënuar kërkohet si prioritet të jesh ish-pjesëtar i UÇK-së, e në këtë rast ata që vranë dhe plagosën pjesëtarët e forcave paqeruajtëse në Kosovë janë serbë. Si të tillë ndoshta konsiderohen edhe palë e dëmtuar, për arsye se në atë kohë qe shpallur Pavarësia e Kosovës dhe kanë qenë “të frustruar”. Në atë kohë, sipas raportimeve të policisë, ishin arrestuar 53 persona serbë brenda objekteve të gjykatës, por më vonë nën pranga kishin mbetur 32, pasi serbët kishin ndalur konvojin e automjeteve me të paraburgosur dhe i kishin liruar 21 bashkëkombësit e tyre. Në këtë përleshje që ishte organizuar kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në mars të vitit 2008, në anën e protestuesve ishte lënduar rëndë edhe një pjesëtar i SHPK-së në rroba civile, Nebojsha Vukomanoviq, i cili pas disa ditëve kishte vdekur në spitalin e Kragujevcit. Protestuesit kishin shkatërruar tërësisht dy automjete të KFOR-it dhe dy tjera të UNMIK-ut.
Për të përforcuar qëndrimet dhe veprimet e tilla, dy liderët e të ashtuquajturit Këshilli Nacional Serb, Millan Ivanoviqi dhe Marko Jakshiqi, në një protestë të serbëve në shkurt të vitit 2009, kishin bërë thirrje publike që të digjen përsëri pikat kufitare Kosovë-Serbi (1 dhe 31 në Leposaviq dhe Zubin Potok), pas vendosjes së EULEX-it në këto dy pika.
Që nga ajo kohë problemet në veri të vendit secilën ditë janë ngritur. Akterët janë të njëjtë dhe askush nuk i pengon.
Kohëve të fundit, serbët e veriut i kanë ftohur marrëdhëniet edhe ashtu të ftohura me EULEX-in, KFOR-in, Agjencinë e SHBA-ve për Zhvillim Ndërkombëtar. Ndërprerjen e bashkëpunimit ata e kanë arsyetuar me faktin se këto misione ndërkombëtare po i mbështesin autoritetet shqiptare në rajonin e mbizotëruar nga serbët. Burime të hapëta kanë konstatuar se vendimi për ndërprerjen e këtij bashkëpunimi është iniciuar nga partia e Vojisllav Koshtunicës (Partia Demokratike e Serbisë) në bashkëpunim me pushtetin lokal të veriut.
VRASJA E SHEFKO SALLKOVIQIT
Familja Sallkoviq, nga fshati Rvatska i komunës së Albanikut (ish-Leposaviqit), i populluar kryesisht me pjesëtarë të komunitetit boshnjak, është familje e njohur për përcaktimin e saj pro shtetit të Kosovës, për çka ka pasë presione të vazhdueshme nga qarqet e strukturave ilegale paralele serbe, duke qenë njkohësisht edhe cak i sulmit të grupeve kriminale dhe i policisë së Serbisë. Pjesëtari i kësaj familje, Fikret Sallkoviqi, në shtator të vitit 2010, kishte humbur pa asnjë gjurmë për një muaj rresht. Siç u deklaroi medieve atëherë vëllai i tij, Shefko Sallkoviq (i vrarë në muajin dhjetor, vrasjen e të cilit e mori përsipër organizata paramilitare serbe “Beli Orlovi”), vetëm pas një muaji, përmes kanaleve të ndryshme, familja e kuptoi se biri i tyre Fikreti, gjendej në burgun e Novi Pazarit, pasi ishte kidnapuar nga policia e Serbisë diku në rrugët e rrethinës së Albanikut, dhe nga aty në kanale ilegale është dërguar në burgun e Novi Pazarit në Serbi, por as familja e as avokati nuk u lejuan të kontaktojnë me të burgosurin.
Rreth rastit të kidnapimit dhe burgosjes së Fikret Sallkoviqit nga policia e Serbisë në brendi të territorit të Kosovës ishin njoftuar institucionet më të larta të Kosovës në Prishtinë si dhe ambasadat e vendeve të Quintit.
Dy muaj më vonë, ndodhi edhe vrasja e të vëllait të Fikretit, Shefko Sallkoviqit.
Vrasjen e Shefko Sallkoviqit dhe plagosjen e Edin Islamoviqit, që ndodhi më 8 dhjetor 2010, në një pritë të organizuar në fshatin Postenje të Albanikut (ish-Leposaviqit) e mori përsipër organizata serbe “Beli Orlovi” (“Shqiponjat e Bardha”), që vetëquhet terroriste. Vrasja e Shefkos ndodhi pikërisht në ditën kur strukturat paralele serbe filluan fushatën kundër pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhjet e Kosovës.
Shefko Sallkoviq, njihej për përkrahjen e tij dhënë institucioneve të Kosovës. Në zgjedhjet lokale të vitit 2009, ishte zgjedhur këshilltar në Asamblenë Komunale të Albanikut (ish-Leposaviqit), si përfaqësues i banorëve boshnjakë të fshatrave Rvatska, Zaseok Muminoviq, Vrba, Beberishte dhe Kalin të komunës së Albanikut. Në kohën e vizitës së Sekretares Amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, në Kosovë, ai kishte vendosur në çatinë e shtëpisë e tij flamujt e Kosovës dhe të SHBA-ve. Shefko Sallkoviq gjatë zgjedhjeve të viteve 2007-2009 e kishte kthyer shtëpinë e tij në qendër votimi për zgjedhjet e Kosovës. Ka qenë edhe aktivist i njërës prej partive boshnjake, koalicionit VAKAT, që drejtohet nga Sadik Idriz.
Sallkoviq dhe Islamoviq, ishin punëtorë të KQZ-së (Komisionit Qendror të Zgjedhjeve) për atë rajon.
Mediet dhe policia e Serbisë shpejt e zbuluan vrasjen e Sallkoviqit, por po aq shpejt u përpoqën të fshehin faktin e aktit terrorist, të cilin e kryen serbët nga Serbia, Jugosllav Petroviq e Radomir Deliq dhe serbi i Kosovës Sergjan Petroviq.
Organizata terroriste serbe “Beli Orlovi”, përmes një letre me përmbajtje kërcënuese, drejtuar trupave paqeruajtëse të NATO-s, EULEX-it dhe Policisë së Kosovës, mori përsipër vrasjen e Sallkoviqit. Gjithashtu mori përsipër edhe sulmin në natën ndërmjet datës 11 e 12 dhjetor 2010 kundër zyrës së KFOR-it danez në Zubin Potok dhe pengimin e procesit zgjedhor në veri të Kosovës. Sulmi kundër zyrës së KFOR-it danez rezultoi me dëme materiale dhe me lënien e letrës me përmbajtje kërcënuese. Letra kërcënuese, sipas policisë, është e shkruar në gjuhën serbe dhe mban emrin e organizatës “Beli Orlovi” (“Shqiponjat e Bardha”), sqaron se kjo organizatë ka kryer vrasjen e Shefko Sallkoviqit.
Kjo është hera e parë që në Kosovë, kryerjen e një vrasjeje e merr përsipër një organizatë që veten e konsideron terroriste. “Nëse të dielën bëni përpjekje t’i sillni kutitë e votimit në Zubin Potok, do të bëjmë çmos t’ua vështirësojmë jetën dhe kësaj radhe nuk do të shtijmë në ajër…”, nis kështu përmbajtja e letrës kërcënuese e shkruar mirë me kompjuter. “…Dhe, do të shihni se ajo që ndodhi në Leposaviq (vrasja e Shefko Salkoviqit) nuk është asgjë në krahasim me atë që do të ndodhë këtu…”, vazhdon përmbajtja e letrës. “…Ne jemi organizatë terroriste serbe dhe me këtë krenohemi. Ortodoksizëm ose Vdekje! Kështu i jemi betuar Zotit”, shkruan në letrën e nënshkruar nga organizata terroriste “Beli Orlovi”.
Drejtësia në rastin e vrasjes së Shefko Sallkoviqit dhe plagosjen e Edin Islamoviqit, duhet të shtrihet edhe ndaj zyrtarëve të UNMIK-ut, të cilët e kishin kërcënuar para se të vritej.
Familjarët e tyre dyshojnë se sulmi ka të bëjë me vizitën e përfaqësueses së UNMIK-ut për Leposaviq, rusen Lilia Galieva, shkruan “Koha Ditore”. Njëri nga familjarët e Shefkos ka treguar për media, me kusht anonimiteti, rrjedhën e incidentit me përfaqësuesit e UNMIK-ut dhe të OSBE-së, që i kishin shkuar në shtëpi, dhe sipas tyre ua kishin tërhequr vërejtjen se pse po e ndihmojnë mbajtjen e zgjedhjeve.
Shefko nuk kishte dashur që t’i takonte. “Shefko nuk doli nga shtëpia që të bisedonte me administratoren. Ajo u interesua rreth zgjedhjeve, duke na pyetur se për çka po doni të dilni në zgjedhje”, ka thënë ai. Sipas këtij familjari, që thotë se ka biseduar me përfaqësuesen e UNMIK-ut, ajo i kishte kritikuar Shefkon dhe Edinin, madje duke hedhur akuza se këta dy persona po merrnin para nga Prishtina. “Me këtë rast Shefko iu ka drejtuar administratores së UNMIK-ut me fjalët se çka jeni duke dashur këtu në Rvatska, ju e dini që jeni të padëshiruar, ikni nga këtu, nuk dua më t’ju shoh këtu”.
E tërë kjo, sipas këtij të afërmi të viktimës, ka ndodhur rreth orës 13:30, të datës 8 dhjetor 2010. “Makina e UNMIK-ut ka filluar të shkojë për në Leposaviq dhe pas 15 minutave në atë drejtim janë nisur edhe Shefko me Edinin. Derisa unë u ktheva në shtëpi, diku rreth 5 minuta më vonë, më kanë thirrur në telefon dhe më kanë thënë se në urën mbi Ibër, në fshatin Postenje është një makinë me targa KS dhe ka një person të vrarë”, ka treguar ai. “E kam ditur se ishte Shefko”, ka deklaruar me dëshpërim i afërmi i Shefkos. “Ne dyshojmë se personi në makinë (personi që nuk doli fare nga makina e UN-it derisa shoqëronte rusen Lilia Galieva në Rvatska) ka qenë ai që ka dhënë informacione për vrasësit”, ka deklaruar ai. Sallkoviqët theksojnë se prita ishte organizuar në cepin lindor të urës, e kur makina ka arritur në fund të urës, vrasësi apo vrasësit kanë dalë dhe kanë qëlluar shoferin, që në atë rast ishte Edini, i cili ka mbetur i plagosur rëndë. Makina ishte ndalur, ndërsa Shefko dhe Edini, të paarmatosur, kanë filluar që të fshiheshin duke u zvarritur poshtë urës në lumin Ibër, dhe nga aty janë qëlluar me gjakftohtësi. Pak minuta më vonë, në vendin e ngjarjes kishte qëlluar të shkonte rastësisht edhe nëna e Shefkos, mirëpo ishte shumë vonë për t’i ardhur në ndihmë. “Shefkon e ka nxjerrë nga uji nëna e tij, e cila ishte duke shkuar tek një i afërm i saj në fshatin Leshak”, ka thënë më tutje ky dëshmitar.
Thënë të drejtën, familja Sallkoviq, nuk e gëzoi përkrahjen e nevojshme institucionale në përballje me kërcënimet dhe sulmet e organizuara të grupeve kriminale dhe të policisë së Serbisë. Këtë përkrahje nuk e gëzoi as pas vrasjes kriminale të Shefkos. Është tejet e çuditshme heshtja e mekanizmave ndërkombëtarë e vendorë të Kosovës lidhur me këtë vrasje, kur dihet se Shefko Sallkoviqi, u vra vetëm pse e ka mbështetur dhe e ka mbrojtur shtetin e Kosovës, vetëm pse u ka qëndruar besnik institucioneve të Republikës së Kosovës. Këtë besnikëri e pagoi me jetë. Prandaj, pa vonesë, me një vendim përkatës, Shefko Sallkoviqit, institucionet e shtetit të Kosovës duhet t’ia kthejnë borxhin, të tregojnë se dinë t’u jenë mirënjohës qytetarëve të vet që sakrifikojnë gjithçka për shtetin e vet. Sa më parë, Shefko Sallkoviqi duhet të shpallet dëshmor i Kosovës, t’i ngritet një pllakë përkujtimore, pse jo të mbajë emrin e tij edhe ndonjë rrugë a institucion dhe urgjentisht të zbardhet vrasja e tij.
Organizata terroriste “Beli Orlovi” (“Shqiponjat e Bardha”) si organizatë paramilitare në luftërat e zhvilluara në hapësirat e ish-Jugosllavisë, përfshirë edhe luftën e Kosovës, ka qenë e drejtuar nga njerëzit e Sheshelit. U formua në vitin 1990, nga krahu militar i Partisë së Ripërtëritjes Serbe (SPO), që në këtë parti udhëhiqej nga regjisori Dragosllav Bokan, që tani është në krye të revistës “Rusia Danas” (“Rusia Sot”) që botohet në Beograd.
Organizata “Beli Orlovi” i kishte hapur kampet e veta të stërvitjes në disa vende të Serbisë, mirëpo asnjëherë nuk ju lejua asaj të përfshihet në veprime luftarake në Kroaci, derisa shërbimi sekret serb i asaj kohe (SDB) nuk e futi nën kontroll. Kjo u bë kur pjesë udhëheqëse e njësisë u bë Gjorgje Bozhoviq – “Gishka”, i njohur si pjesëtar i grupit terrorist të SDB-së federative dhe si njëri ndër vrasësit e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës më 1982 si dhe të Enver Hadrit më 1990. Në vitin 1991, kjo njësi fillimisht u përfshi në luftime në Kroaci, për të vazhduar më tutje.
VRASJA E 13-VJEÇARIT LEUTRIM MUSLIU
Kur bëhet fjalë për strukturat ilegale serbe, grupimet paramilitare e militare, padyshim se nuk mund të lihet pa u trajtuar rasti i vrasjes së 13-vjeçarit Leutrim Musliu, nga fshati Uglar i Gjilanit, i cili u vra pasditen e 5 marsit të këtij viti, derisa me babanë e tij dhe disa bashkëfshatarë të tjerë po ktheheshin nga mali me qerre kuajsh të ngarkuar me dru.
Babai i tij, Rrahimi, tha se djalin ia vranë serbët e Pasjanit para syve nga një pritë e organizuar prej tyre, kur po ktheheshin prej malit. Të këtij mendimi janë edhe banorët e Uglarit, të cilët mendojnë se sulmi ishte i organizuar dhe përpos armëve automatike, aty janë përdorur edhe bomba dore. Sulmuesit kishin zënë pritën nga të dy anët, duke shtënë në drejtim të tyre. Nga breshëritë e plumbave që kishin ardhur nga të dy anët ku serbët kishin zënë pusi, ishte vrarë edhe njëri nga dy kuajt me të cilët kishin shkuar për të marrë dru.
Familja e Leutrimit jeton në një gjendje të rëndë ekonomike. Babai i Leutrimit ka edhe shtatë fëmijë të tjerë, dhe i vetmi burim i jetesës për familjen e tij është bartja e druve me kuaj.
Në prononcimet për media, që bëri menjëherë pas vrasjes së të birit babai i Leutrimit, Rrahim Musliu dhe bashkëfshatarët e tjerë që kanë qenë për dru bashkë me të, kanë thënë se të shtëna ka pas nga të dy anët. Sipas Rrahimit, djali i është vrarë nga të shtënat që kanë ardhur nga ana e majtë kurse kuajt i janë vrarë nga të shtënat që kanë ardhur nga ana e djathtë. Rrahimi ka thënë se ka pasur edhe shpërthime të bombave. Policia në vendin e ngjarjes ka gjetur një dorezë të granatës dhe gëzhoja të kalibrit 7.62 milimetra.
Policia e Kosovës kishte arrestuar një person të dyshuar për vrasjen e Leutrim Musliut. Ai ishte Zhivojin Stojkoviq, 43-vjeçar nga Pasjani, i cili ishte liruar në “mungesë provash” pas një kohe të shkurtër. Familja Stojkoviq arrestimin e Zhivojinit e quajti politik, i cili sipas tyre, ka të bëjë me vrasjen e babait të tij, Dobrija, në vitin 1999, në fshatin Lipovicë. Aso kohe në pyetje u morën shumë shqiptarë “dhe tash e ka drejtuar dikush gishtin kah ai”, kanë thënë ata.
Në kërkim të vrasësit të Leutrimit, dy ditë pas vrasjes (më 7 mars) ishin bastisur dy shtëpi në fshatin Pasjan, i banuar me serbë, me ç’rast në shtëpinë e të dyshuarit kryesor, serbit të njohur me inicialet M. K. (1967), i dyshuar se është pjesëtar i Shërbimit të Kundërzbulimit të Ushtrisë së Serbisë - KOS (përkatësisht VBA-së, si pasardhëse e KOS-it), sipas njoftimeve zyrtare të policisë, është gjetur dhe konfiskuar sasi e madhe armatimi kalibrash të ndryshëm, si: një pushkë “M/48”, një revole “Zastava”
Ndonëse, u tha se njësitë speciale “blinduan” kufirin me Serbinë për të kapur këtë dyshuar, një gjë e tillë nuk ndodhi sot e kësaj dite. Ndërkaq, i dyshuari tjetër, i njohur me inicialet S. A. (1964), serb po nga fshati Pasjan, pasi që në shtëpinë e tij nuk u gjet armatim, një ditë pas bastisjes, iu përgjigj ftesës së policisë, duke u dorëzuar në Stacionin Policor në Gjilan, ku pasi u mor në pyetje u lirua.
Fshati Pasjan prej vitit të kaluar i takon komunës së re të Parteshit. Duhet kujtuar se në vitin 2000, menjëherë pas luftës në Kosovë, mbi këtë fshat ishin vrarë katër shqiptarë.
Banorët shqiptarë të Uglarit në vazhdimësi janë sulmuar nga banorët serbë të fshatit Pasjan, veçanërisht gjatë shkuarje-ardhjeve për të marrë dru në pyllin e fshatit, i cili është burim jetese për shumë banorë të këtij fshati.
Sipas versionit zyrtar të Policisë së Kosovës, u mësua se Leutrimi ishte vrarë nga një pritë e organizuar, por që nuk dihen akterët e organizimit të kësaj prite. Fillimisht për vrasjen e Leutrim Musliut nuk reagoi askush. Në ditën e varrimit nuk u dërgua ndonjë telegram ngushëllimi. Nuk thanë asnjë fjalë as zyrtarët e Komunës së Gjilanit e lere më Qeveria e Presidenca, gjë që nuk ndodhë kur janë në pyetje serbët. Po ato ditë, vetëm pse disa fëmijë e kanë gjuajtur me gurë një autobus që bartte serbë të zhvendosur në Gjakovë, në mesin e të cilëve kishte edhe të dyshuar për krime të kryera gjatë luftës në Gjakovë, akti u dënua nga të gjitha institucionet me shpejtësi rrufeje.
Reagimet e para erdhën vetëm tri ditë pas vrasjes së Leutrimit, nga Presidenca dhe Kuvendi, kurse prononcimet e Qeverisë janë vonuar edhe më shumë mbi pesë ditë, me ç’rast familjes Musliu iu ndanë 5000 euro.
Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, vrasjen e Leutrimit e ka quajtur akt të rëndë kriminal dhe të shëmtuar. Ka reaguar (me vonesë) edhe kryetari i komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa.
Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut (KMLDNJ) me këtë rast, përmes një deklarate, ka tërhequr vërejtjen se siguria në Kosovë është duke u cenuar rëndë si pasojë e neglizhencës së organeve që duhet të merren me sigurinë e qytetarëve. KMLDNJ nëpërmes kësaj deklarate ka thënë se vrasja është kryer nga pusia, gjë që edhe një herë dëshmon pasigurinë në Kosovë. KMLDNJ, ka deklaruar se vrasja e ndodhur në këto rrethana del se ka motive etnike. Një gjë e tillë duhet të jetë alarm për institucionet e Kosovës dhe moszbardhja e këtij rasti dhe e rasteve tjera është një sinjal i keq për sigurinë dhe rendin në Kosovë.
Rasti i vrasjes së Leutrim Musliut ishte debatuar edhe në një seancë të Kuvendit të Kosovës, ku është kritikuar kryeministri Thaçi për heshtje në rastin e vrasjes së Leutrim Musliut, kurse lëvizja “Vetëvendosje” për këtë vrasje, i akuzoi strukturat ilegale të shërbimeve sekrete serbe në Kosovë.
Më vonë mësohet nga Policia Rajonale e Gjilanit, se lidhur me rastin e vrasjes së Leutrimit, ishte arrestuar edhe Sejdi Shaqir Zeqiri nga Uglari i Gjilanit, i lindur në vitin 1961, të cilit i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, pasi që i është gjetur një pushkë gjysëmautomatike. Serbët e dyshuar, me gjithë atë arsenal armësh që u është gjetur janë liruar, ndërsa Sejdi Zeqirit, i është dhënë masa e paraburgimit për armëmbajtje pa leje dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm. Sipas avokatit mbrojtës, Sejdi Zeqiri i ka mohuar te dy veprat që i vihen në barrë.
Burime nga terreni dëshmojnë se ditën kritike Sejdi Zeqiri po kthehej nga mali bashkë me bashkëfshatarët e tjerë. Pasi i ka dëgjuar të shtënat, kur mbi ta po qëllonin serbët e fshatit Pasjan, në vendin e ngjarjes, u është kundërvënë serbëve që kishin zënë pritën në të dy anët, ku që në të shtënat e para ishte qëlluar Leutrimi.
Madje, falë kundërvënies së Sejdiut, thuhet se në vendin e ngjarjes është plagosur pjesëtari i KOS-it ushtarak serb (M. K.) dhe se kjo është arsyeja e mosparaqitjes së tij në polici.
Burime të tjera, të afërta me familjen Musliu, kanë thënë se disa ditë pas vrasjes së të birit, babai i Leutrimit, Rrahimi, është kërcënuar që të mos e flasë të vërtetën rreth rastit dhe është shantazhuar që të thotë se vrasës të Leutrimit nuk janë serbët, por se vrasësi i Leutrimit është Sejdi Zeqiri, person ky që sipas këtyre burimeve, me familjen Musliu nuk ka pas kurrë diçka të keqe dhe se ditën kritike ka qenë në mal bashkë me djemtë e tij dhe me Rrahimin, Leutrimin e ndjerë, familjarët e vet e njerëz tjerë të fshatit, që kishin shkuar për të marrë dru në malin e fshatit.
Arrestimi i Sejdi Zeqirit lidhur me vrasjen e Leutrim Musliut e ka bërë ngjarjen shumë konfuze. Madje, vazhdimi i paraburgimit të tij dhe dërgimi i armës për ekspertizë jashtë vendit, janë tregues se dikujt po i intereson që vrasësi me çdo kusht të jetë shqiptar, e të amnistohen vrasësit e vërtetë, serbët të cilët ishin në pritë dhe që e vranë 13-vjeçarin Leutrim Musliu.
Duhet përmendur se ishte pikërisht rasti kur disa të dyshuar serbë, i ndoqën me qenë fëmijët shqiptarë të Çabrës, në marsin e vitit 2004, derisa i detyruan të hidhen e të mbyten në ujërat e Ibrit. Ky akt ishte shkaktar i shpërthimit të protestave dhe trazirave në mbarë vendin, të cilat përfunduan me dëme dhe vrasje të disa njerëzve. Çuditërisht, ende pa u gjetur trupi i njërit nga fëmijët e mbytur në lumin Ibër, hetimet u mbyllën. Edhe helmimi i mëvonshëm i nxënësve shqiptarë në shkollat e Fushë Kosovës, disi kaloi po ashtu në heshtje, me ekspertiza që nuk e sqaruan kurrë për opinionin realitetin e helmimit.
Një shqetësim tjetër i cili po ashtu ka lidhshmëri historike me ngjarjet që po ndodhin në pjesën veriore të Kosovës, është fakti i përzierjes së heshtur të Rusisë në këto organizata paramilitare e terroriste serbe. Këtë e dëshmon edhe fakti i përplasjes së Shefko Sallkoviqit me administratoren e UNMIK-ut, ndër të tjera edhe vetëm disa minuta para se të vritej. Po ashtu prania e Kishës Ortodoks Serbe (KOS) duke mbështetur, financuar dhe dirigjuar organizatat ekstreme serbe, që është në traditën e KOS-it, po ashtu vazhdon të ndihmohet nga qarqe të caktuara ruse.
Kjo traditë filloi diku rreth vitit 1880 me grupe të vogla çetnike, të cilat operonin në territorin e Bosnjë e Hercegovinës, Kosovës dhe të Maqedonisë. Më vonë këto grupe do të rikonsolidohen në organizatën “Ja vdekje, Ja liri” e ngjashme me organizatën “Beli Orlovi” e njohur si “Crna Ruka” (“Dora e Zezë”). Kjo organizatë famëkeqe, e formuar më 1903, fillimisht organizoi atentatin kundër mbretit serb Aleksandër Obrenoviq dhe bashkëshortes së tij, që politikisht ishte i orientuar kah Austro-Hungaria dhe Europa. Kjo vrasje padyshim se i hapi rrugë që të kthehej në fron dinastia e Karagjorgjeviqëve e në vitin 1904, pushtetin e mori krahu prorus i udhëhequr nga Nikolla Pashiqi, klani i të cilit më 1914 organizoi atentatin e famshëm të Sarajevës, që u mor si shkas për fillimin e Luftës së Parë Botërore.
Në këtë drejtim, shkojnë tendencat gjithnjë në rritje për rikthimin e Rusisë në Ballkan. Sipas një analize të Agjencisë Amerikane për Hulumtime Strategjike – STRATFOR, (botuar në “Epoka e Re”, më 10 maj 2011), “pozicioni neutral ushtarak i Serbisë në afat të gjatë është i paqëndrueshëm, veçanërisht pas lajmit që e ka emituar agjencia shtetërore ruse Itar-tas, se funksionarët e Rusisë dhe të Serbisë po bisedojnë për anëtarësimin e Serbisë në Organizatën e Rusisë për Siguri Ushtarake CSTO (Collective Security Treaty Organisation)”.
Në këtë analizë të agjencisë STRATFOR, thuhet se CSTO, anëtare të të cilës janë Rusia, Armenia, Bjellorusia, Kazakistani, Taxhikistani dhe Uzbekistani, është krijuar në mënyrë që Moska ta zgjerojë ndikimin e saj në Europë, si dhe që Rusia me tërheqjen e Serbisë në këtë aleancë, dëshiron që t’i kundërvihet zgjerimit të ndikimit amerikan në Ballkan.
Njëkohësisht Rusia paralajmëron se vitin e ardhshëm, do të formojë Aleancën e re me emrin Unioni Euro-Aziatik me seli në Shën Petërsburg. Kjo aleancë planifikohet t’i ketë tri kryeqytete: Almatan, Kievin dhe Beogradin. Në këtë rast, bëhet fjalë për një aleancë politike dhe ekonomike, në të cilën në fillim do të bëjnë pjesë shtete të ish-Federatës Sovjetike, por deri në vitin 2020 ajo do të zgjerohet dhe në gjirin e saj do të ketë edhe disa shtete europiane, ndër to edhe Serbia.
Ideja për formimin e këtij unioni euro-aziatik vjen nga akademiku rus Igor Panarin, i cili konsiderohet baba i diplomacisë moderne ruse. Formimin e aleancës e ka paralajmëruar edhe Igor Suvarov, zëvendësi i kryeministrit rus Vladimir Putin, i cili ka thënë se Rusia së shpejti mund të heqë valutën e vet rublën dhe të fusë një valutë të re të përbashkët me Kazakistanin e Bjellorusinë. Të tri shtetet vitin e ardhshëm do të formojnë tregun unik. Aleanca e ardhshme tashmë është pagëzuar “Unioni i gazit”, meqë do të përfshijë të gjitha vendet me burimet dhe rrjedhat kryesore për transportin e burimeve energjetike.
Thirrjet gjithnjë në rritje që vijnë nga Beogradi për ndarjen e Kosovës, duhen kuptuar si thirrje për një luftë të re, apo siç quhet zakonisht me gjuhën e diplomacisë, thirrje për një konflikt të ri. Është tejet e qartë se me kufijtë ekzistues në Ballkan, populli shqiptar është më i dëmtuari, prandaj në rast të thirrjeve për copëtim të territorit të Kosovës, gjithsecili duhet ta dijë, se ky është një proces i rrezikshëm dhe nuk do të përfundojë vetëm me ndarjen e Kosovës, por do të jetë proces zinxhiror ku do të përfshihen kufijtë e shumë vendeve të rajonit. Ky është edhe qëndrimi i Prishtinës zyrtare.
(Ky hulumtim është bërë në kuadër të Institutit për Studime Gjeopolitike dhe Siguri (ISGJS) me seli në Prishtinë)
Ky studim u botua te gazeta "Kosova Sot", në disa vazhdime. Përgatitur për "Zemra Shqiptare" nga Isuf B. Bajrami