E marte, 11.06.2024, 03:47 AM (GMT+1)

Mendime

Arben Komani: Debati për kombin? Po, por realist

E merkure, 15.06.2011, 07:57 PM


Debati për kombin? Po, por realist

 

Nga Arben Komani

 

Duhet të jemi dakord se trajtimi akademik dhe mediatik i njëjësisë apo i diversitetit kombëtar të shqiptarëve nuk është në favor dhe as në të mirë të të sotmes dhe të së ardhmes së shtetit të Kosovës e të mbarë shqiptarëve. Debati për kombin, mbase i panevojshëm, megjithatë nxitet menjëherë, pasi që ideja për mospasje nevoje të debatit përderisa kombi paska një strukturë të qëndrueshme, ngrihet duke u mbështetur në momente historike thellësisht të diskutueshme.

Si pikënisje, të fillimit të konsolidimit të kombit, merret edhe e ashtuquajtura Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e vitit 1878. Nëse do t’i referoheshim kësaj ngjarjeje, atëherë, vërtet jo që do ta shtrinim debatin në fusha të ndryshme, por për më tepër e vë në pikëpyetje të mëdha elementet thelbësore që përbëjnë nocionin komb shqiptar.

Ngjarja për të cilën flitet, nuk është quajtur “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”, nuk është quajtur as Lidhja e Prizrenit, dhe aq më keq nuk është quajtur fare as “Lidhja”. Kjo ngjarje ka të bëjë me një tubim të zhvilluar mes një komuniteti të cilin ata e quajtën Itikaf.

Në kushtetutën e tyre të quajtur “Karanama”, ata vendosin për qëllimin e tyre më të lartë, i cili ishte mbrojtja e të drejtave Perandorake të Personit të Papërlyeshëm, Madhërisë së tij Sulltanit, Sundimtarit të tyre.

Për të përforcuar më tej ndjenjën e tyre të përkatësisë së një bashkësie, marrin një nismë të tillë pasi që sipas tyre, bashkëvendësit e bashkëfetarët e tyre vuajnë ne Ballkan, duke përfshirë edhe ata të Bosnjës.

Itikafi do të kalonte brez pas brezi te fëmijët e fëmijëve të tyre, dhe ai që do të shkëputej prej saj, ose do ta kundërshtonte, do të konsiderohej si "tradhtar i fesë islame”, do të mallkohej dhe përbuzej nga ana e tyre.

Megjithatë, ata në lidhje të ngushtë me ligjet e larta të besimit mysliman (sheriatit), kishin vënë në mbrojtje jetën, pasurinë dhe nderin e shokëve besnikë (siç i quajnë ata) të besimit jomysliman.

Nga aspekti gjuhësor, edhe pse etnia shqiptare përcaktohet nga gjuha shqipe, unikale dhe e njohur si e tillë në gjuhët indoevropiane, sikurse edhe shekuj më herët është folur, shkruar, dhe shtypur, akti final i Itikafit është shkruar në osmanishten e atëhershme, me shkronja arabe dhe gjuhën turke, duke mos shprehur as edhe në një fjali të vetme ndjenjën e përkatësisë kombëtare shqiptare.

Aspak i rastësishëm nuk ishte edhe tubimi i organizuar shpejt, me përkrahjen e Komitetit të Stambollit, i mbështetur dhe i inkurajuar nga Sulltani. Vetëm tre ditë para se të fillonte punimet Kongresi i Berlinit, Itikafi, duke pretenduar edhe më tutje qeverisjen në hapësirat e disa vilajeteve ballkanase, arrin të shfaqë publikisht dhe formalisht synimet për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Perandorisë Osmane.

Ky tubim përbëhej vetëm nga njerëz të cilët përfaqësonin autoritet me mbështetjen e hapur të Sulltanit, të cilët trashëgonin pushtet, tituj dhe të mira të mëdha materiale dhe pronësore nga Perandoria tashmë e shkatërruar. Krejt kjo nën organizimin e delegatëve të ashtuquajtur Komiteti i Stambollit, duke u ndier si një bashkësi njerëzore e caktuar që dëshironte dhe do të luftonte të jetonte bashkërisht në kuadër të Perandorisë Osmane.

Kjo ngjarje zhvillohej në të njëjtën kohë ku popujt joturq zhvillonin haptas beteja kundër shfrytëzimit feudal dhe për pavarësim nga ana e Perandorit, përfshirë edhe vetë shqiptarët, zhvillime të cilat e kishin dobësuar tej mase perandorinë, krahas luftës austrohungareze.

Edhe pse shpejt i dështuar, qëllimi i kësaj ngjarjeje ishte mjaft i kuptueshëm, në kundërshtim të plotë me parimet e lirisë, dhe mëvetësisë së çdo populli, rrjedhimisht edhe të popullit shqiptar që kishte shumë nevojë dhe synim edhe në atë kohë, pas sprapsjes se Osmanëve.

Pra, është mjaft i pavend qëllimi, plotësisht i pabazuar dhe absurd, që sot kjo ngjarje të konvertohet tërësisht në kundërshtim me synimet e saj të qarta, duke u vënë në shërbim të teorisë, ku konsiderohet si pikë lidhjeje me rëndësi për formësimin e kombit shqiptar.

Tradita dhe kultura; arsimi dhe shkenca; fitoret dhe humbjet; rëniet dhe zhvillimi; qytetaria dhe civilizimi; dhe e gjithë historia, janë përplot data dhe ngjarje, fakte dhe argumente; procese të gjata, të cilat janë të pastra si loti mbi bazën e të cilave është e ndërtuar struktura e qartë e të quajturit komb shqiptar.

Natyrisht, nëse për këtë çështje, ekziston vullneti i sinqertë perceptues, realist dhe absolutisht shkencor i pranueshëm, edhe pse jo domosdoshmërisht i nevojshëm.

 

(Autori është jurist me profesion)

 



(Vota: 5 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora