E diele, 19.05.2024, 04:36 PM (GMT+1)

Mendime

Selvije Bajrami: Edhe Marnhac përgjegjës për fyerjet

E marte, 14.06.2011, 07:22 PM


Racizmi

 

Edhe Marnhac përgjegjës për fyerjet

 

Nga Selvije Bajrami

 

Shefi i Misionit të BE-së në Kosovë për Sundim të Ligjit (EULEX), Xavier Bout de Marnhac, thotë se e mban një pjesë të fajit nëse zyrtarët e këtij misioni e shkelin rendin dhe ligjin, por nuk pranon t’i ndëshkojë zyrtarët derisa nuk vërtetohet se ata janë pjesë e fajit. Gjenerali francez i kthyer në politikë, Marnhac, i bëri këto komente pas takimit të radhës të Bordit për Sundim të Ligjit.

Reagimi i shefit të EULEX-it pason lajmin se një zyrtar i këtij misioni ka shkelur kodin e mirësjelljes duke fyer shqiptarët dhe simbolet shtetërore. Ky zyrtar, që është shef i rojave të Marnhac-ut, është suspenduar nga detyra, ndërsa ndaj tij EULEX-i i ka filluar hetimet e brendshme.

Por, reagimet nuk janë ndalur, edhe pse është bërë suspendimi. Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar ndaj vendimit të EULEX-it, duke e quajtur suspendimin si tentim për të penguar hetimet.

Vetë Marnhac thotë se nuk e largon veten nga përgjegjësia, edhe pse tha se nuk mund të kontrollojë sjelljen e secilit në EULEX.

“Meqë jam shef i misionit, nuk mund të them se nuk jam përgjegjës, sepse jam përgjegjës për tërë misionin, por nuk mund të kontrolloj sjelljen e secilit. Ne po flasim për pohime. Nuk dua që dikush të dënohet para se të ketë përfundime të sakta se çfarë ka ndodhur”, ka thënë të martën Marnhac.

Shefi i EULEX-it zotohet se do të ndërmarrë të gjithë hapat që të vërtetohet e tëra dhe në fund edhe do të marrë masa nëse është e nevojshme.

“Nëse duhet të ndërmerren hapa të fuqishëm, nuk do të hezitoj ta bëj këtë. Nuk ka dyshim për këtë”, ka thënë ai.

Marnhac ka shtuar se rasti në fjalë, i cili është raportuar në media si keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe ofendim ndaj stafit lokal, është në fazën e hetimit të brendshëm. Mirëpo, sipas tij, nuk mund të akuzohet askush apo edhe të gjykohet vetëm duke u bazuar në thënie.

“Sapo kemi marrë vesh për këtë, e kemi marrë me shumë seriozitet. Menjëherë kam nxitur një hetim të brendshëm, i cili është duke vazhduar. Unë po pres konkluzionet e këtij hetimi të brendshëm për të marrë vendimet e nevojshme”, ka shtuar më tej ai.

“Dua të theksoj se edhe rrjedhja e informacionit jashtë misionit është po ashtu shkelje e kodit të sjelljes. Secili duhet të jetë korrekt”, ka shtuar ai.

Suspendimi i zyrtarit të EULEX-it me një vendim të shefit të këtij misioni është vlerësuar edhe nga zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi. Veprimet individuale sikur rasti i fundit, Kuçi ka thënë se nuk dëmtojnë relacionet e Qeverisë së Kosovës me misionin evropian.

“Mendoj se vendimi që e ka marrë Marnhac është në përputhje me rregullat e brendshme, por edhe me parimet e përgjithshme demokratike. Ne e kemi të qartë se veprimet eventuale nuk i prishin raportet mes Qeverisë dhe EULEX-it, sikur që e kemi të qartë se veprimet e tilla duhet të jenë të përgjegjshme dhe në përpurthje me ligjin t’i kenë edhe përgjegjësitë e tyre”, është shprehur Kuçi.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora