Mendime
Tërnoci Press: Kush po i frynë ndarjeve etnike në komunën e Bujanocit?!
E premte, 10.06.2011, 07:04 PM
KUSH PO I FRYNË NDARJEVE ETNIKE
Këto tre gurë sinbolizojnë, tri bashkësi etnike, të cilat pinë ujë në një cezme
NË KOMUNËN E BUJANOCIT?!
Nga Tërnoci PRESS
Formimi i Këshillit Nacional serb për Komunën e Bujanocit, ka zgjuar reagimin e spektrit politik shqiptar, si diçka provokuese e primitive e që mund të sjell jostabilitet në këtë rajon.
Në shikim të parë ndoshta të duket kështu, por kur pak kthehesh prapa, një krijesë të tillë nuk duhet nënçmuar dhe shpërfillur. Sa do që të jetë sipas politikanëve shqiptarë një ide e vjetër, kësaj ideje dikush i ka kontribuar edhe prej shqiptarëve.
E nisim nga e para: gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2008, shqiptarët i fituan zgjedhjet dhe nuk pranuan t’i kyçin serbët në qeverisje me arsyetimin se ata po kërkojmë më shumë se sa kishin fituar gjatë fushatës zgjedhore. Krejt normale, por me kalimin e kohës dhe me ndihmën e Trupit Koordinues u pa se në këtë komunë multietnike, është e nevojshme jeta multietnike.
Këtë frymë të bashkëpunimit ndëretnik dhe projekteve multietnike, duke u nisur nga pushteti multietnik, policia dhe mediat multietnike, i favorizuan ndërkombëtarët, besa edhe vendorët.
Por gjërat e morën teposhtëzën, pikërisht, këto dy vitet e fundit. Ndonëse disa parti minore arritën të binden nga Trupi Koordinues të përfshihen në jetën e qeverisjes lokale në Bujanoc, pati edhe parti dhe grupacione serbe, të cilët nuk pranuan diçka të tillë.
Këto grupacione politike e apolitike serbe me ndihmën e disa qarqeve nga Beogradi, arritën t’i bllokojnë disa procese të privatizimit në Bujanoc si Banja e Bujanocit nga disa kompani Turke, pastaj edhe disa iniciativa të tjera të prira nga pushteti lokal në Bujanoc, i cili drejtohet nga shqiptarët.
Po kulminacionin e këtyre ndërskamcave politike e arriti formimi i Këshillit Nacional të shqiptarëve nga disa grupe në kuadër të Partisë për Veprim Demokratik dhe Unionit Demokratik Shqiptar.
Ky Këshill Nacional shqiptar nxiti Këshillin Nacional serb. Të dy këto Këshilla po bëjnë gara për të fituar legjitimitet nga Beogradi “njëri është themeluar nga disa parti dhe organizata serbe, ndërsa tjetri nga disa klane brenda partive politike shqiptare, të cilët e udhëheqin pushtetin lokal në Bujanoc”.
Të dy këto këshilla kanë në kuadër të tyre njerëz me logjikë të mbrapshtë komuniste, individë të caktuar nga qarqe të caktuara për të mbjell ndarje etnike në këto hapësira.
Kujt i ka rënë ta lexoj ose ta dëgjoj përmes mediume private një analizë politike të disa individëve që merren me informim në kudër të Këshillit Nacional shqiptar, për ndarjet e reja territoriale në Kosovën Lindore, të jep me kuptue se gjërat janë duke shkuar në një vijë me Këshillin Nacional serb.
Me këto ide për riorganizim rajonal gjatë vitit 1957, pësoi komuna e Sijarinës, tashti Komuna e Medvegjës. Dikur ajo ishte shqiptare, mirëpo në saje të rajonizimit disa fshatra serbe iu bashkuan Medvegjës, kështu u shua një komunë shqiptare.
Ngjashëm po veprohet edhe me Komunën e Bujanocit dhe një përgjegjësi e tillë nuk i takon vetëm serbëve lokalë, por edhe shqiptarëve e në radhë të parë deputetit jolegjitim Riza Halimi dhe Këshillit Nacional jolegjitim, të prirë nga Galip Beqiri.
Improvizimi i një Mitrovice në Komunën e Bujanocit, do të sjell pasoja të papara për shqiptarët e këtij rajoni. Kështu që në këtë anë do të kemi edhe një Medvegjë të dytë dhe një eksod shqiptar ashtu siç e kemi në Karadak të Presheës, Malësi të Bujanocit e fshatrat shqiptare të Komunës së Medvegjës.
Këto kalkulime politike të çojnë ujë në mulli të atyre, që i fryjnë ndarjeve etnike në këtë rajon e që lidhen me shprehjen e urtë popullore: “Qeni i keq ta bie ujkun në torishtë!”