Mendime
Kardinal Martini: ‘’Një koncil për divorcin’’
E marte, 07.06.2011, 06:58 PM
KARDINAL MARTINI:
"NJË KONCIL PËR DIVORCIN"
Intervistë e Eugenio Scalfari
Shënim: Që kur bota e internetit asht ba lehtësisht e shfrytëzueshme prej të gjithëve, doktrinarë fallso, shpesh të fshehun mbas një emni organizate të krishtenë po ashtu fallso, po çorjentojnë besimtarët dhe jo besimtarët me problemet e mirëfillta doktrinore me të cilët ndeshet koha jonë.
E pashë me vend të sillja një fragment nga intervista e dhanë nga njeni prej teologëve ma të mëdhej të kohës sonë, kardinal Martini, gazetarit Eugenio Scalfari me datë 18 qershor 2009. Qartësia dhe thjeshtësia e përgjegjeve e bajnë lehtësisht të kuptueshme për besimtarë e jo besimtarë.
Ky përkthim ka thjeshtë qellim informacioni për të interesuemit, jo karakter propagande.
Përkthyesi
Pyetje: Cilët janë problemet sot në radhë simbas randësisë?
Përgjegje: Në radhë të parë qendrimi i Kishës ndaj të divorcuemëve, mandej emnimi apo zgjedhja e Ipeshkvijëve, beqarija e priftënve, roli i laikut katolik, marëdhanjet ndërmjet hierarkisë ekleziastike dhe politikës. Mos ju duken probleme që mund të zgjidhen lehtë?
Pyetje: Do të doja të dëgjoja mendimin tuej fetar e shpresëdhanës në një shoqni gjithmonë e ma pak kristiane e gjithnjë ma indiferente. Indiferente ndaj çfarë?
Përgjegje: Nuk egziston ma i njejti kandvështrim për të mirën e përbashkët. Ndjenja dominuese asht ajo e mbrojtjes së interesave të veta të veçanta e ato të grupit. Ndoshta mendojnë se janë kristianë të mirë sepse shkojnë ndonjëherë në meshë e kujdesen për afrimin e fëmijëve ndaj sakramenteve. Po krishtënimi nuk asht ky, nuk asht vetëm ky. Sakaramentet jane të randësishme nëse kunorzohen me një jetë kristiane. Feja asht e randësishme nëse ajo ecen me të njëjtin hap me dhimbshuninë. Pa dhimbshuninë feja asht e verbët. Pa dhimbshuninë nuk ka shpresë e nuk ka drejtësi.
Pyetje: Ju, Kardinal, keni pohue në shumë raste randësinë e dhimbshunisë, por ndoshta duhet me e përcaktue me saktësi çfarë duhet të kuptojmë me këte fjalë? Nuk besoj se kufizohet me ate që me i ba mirë të afërmit.
Përgjegje: Me ba mirë, me ndihmue të afërmin asht sigurisht një aspekt i randësishëm, por nuk asht esenca e dhimbshunisë. Lipset me i dëgjue të tjerët, me i kuptue, me i përfshi në dashuninë tonë, me i pranue, me thye vetminë e tyne e me u ba shoqni. Me një fjalë, me i dashtë. Dhimbshunia nuk asht mëshirë. Dhimbshunia e predikueme prej Jezusit asht pjesëmarrje e plotë në fatin e të tjerëve. Bashkim i shpirtnave, luftë kundër padrejtësisë.
Pyetje: Në librin tuej “Biseda nate” ju thoni se mëkatet janë të shumtë e se Kisha numron plot, por, simbas pikëpamjes suej, mëkati i vërtetë i botës janë padrejtësia dhe pabarazia. Nëse i kam kuptue mirë fjalët tueja, dhimbshuni do të thotë me luftue kundër padrejtësisë?
Përgjegje: Jezusi thotë se mbretnia e Zotit do të jetë e të vorfënve, e të dobtëve, e të shpërfillunve. Thotë se Kisha do të kishte si mision të vetin të gjendet pranë tyne. Kjo asht dhimbshunia e popullit të Zotit e predikueme nga Biri i tij i kthyem në njeri për shpëtimin tonë.
Pyetje: Kardianl, çfarë duhet të kuptojmë me popull i Zotit? A asht katoliku laik popull i Zotit?
Përgjegje: E gjithë Kisha asht popull i Zotit, hierarkët, kleri, besimtarët. Besimtarët kanë një rol aktiv në qeverisjen e Kishës, në pjesëmarrje, në administrim të sakramenteve, në zgjedhjen e barijëve të tyne. Kanë sigurisht rol, por duhet ta ushtrojnë ma fuqishëm. Shpesh asht një rol pasiv. Ka pasë epoka në historinë e Kishës në të cilat pjesëmarrja aktive e bashkësive kristiane ishte shumë ma e dendun. Kur fola parë për një indiferentizëm shumë të përhapun, mendoja pëkërisht për këtë aspekt të jetës së krishtenë. Këtu ka një boshllek, një rrjedhje të heshtun veçanarisht në shoqninë europiane e në ate italiane.
Pyetje: E keni fjalën për ndjekjen e sakramenteve, të meshës, të vokacionit?
Përgjegje: Këto janë aspekte të jashtme, jo thelbësorë. Thelbi asht dhimbshunia, pikëpamja mbi të mirën e përbashkët e lumtuninë e përbashkët. Lumtuni jo vetëm për ne, po edhe për të tjerët, e jo vetëm për të tashmen, por edhe për fëmijtë e nipat, breznitë që do të vijnë.
Pyetje: Kisha si institucion a ban mjaft në këtë drejtim?
Përgjegje: Ban shumë, por duhet të bajë shumë ma shumë.
Pyetje: Cila do të ishte tema e një Koncili të mundshëm të ardhëshëm?
Përgjegje: Marëdhanjet e Kishës me të divorcuemit. Ka të bajë me shumë persona e me shumë familje e fatkeqësisht ky nymur ka të ngjamë të shtohet. Asht një problem që duhet të shtrohet me urtësi. Por asht edhe një tjetër argument që Koncili i mundshëm i ardhëshëm do të duhej t’i bante ballë: ai që ka të bajë me pendesën në jetën e besimtarit. Rrëfimi asht një sakrament ekstremisht i randësishëm, tashma në zbehje. Janë gjithnjë e ma të paktë ata që e praktikojnë e sidomos ushtrimi i tij asht ba pothuej monotoni: rrëfehet ndonjë mëkat, merret falja, thuhet ndonjë uratë dhe mbaron këtu. Përfundon në asgja ose pothuej asgja. Duhet me i ridhanë rrëfimit një karakter që të jetë me të vërtetë shejtnues, një vijimsi pendimi e një program jete, një ballafaqim konstant me udhëheqësin e vet shpirtnor, pra një drejtim shpirtnor.
Ngrihemi. Më thotë se ka lexue librin tim të fundit “Njeriu që nuk besonte Zotin” e se kishte gjetë në të disa përkime me pikëpamjet e tij për të mirën e përbashkët. E falnderova. Unë ju jam shumë afër, i thash, por nuk besoj tek Zoti e këte e them me qetësi të plotë shpirtnore.
«E di, por nuk shqetësohem për ju. Nga ndonjë herë jo besimtarët janë edhe ma afër nesh se sa shumë besimtarë të devotshëm fallso. Ju nuk e dini, por Zoti po».
Përktheu: Daniel Gàzulli