E enjte, 01.05.2025, 05:57 PM (GMT+1)

Mendime

Faik Krasniqi: Liria është jetë, jeta është liri!

E hene, 06.06.2011, 07:58 PM


Liria është jetë, jeta është liri!

 

Nga FAIK KRASNIQI

 

Koncepti i lirisë bëhet disi i komplikuar kur jetohet në një komunitet ose shoqëri, ku shumë persona janë të bindur që "të tjerët" përfaqësojnë kundërshtarë me të cilët duhen matur forcat. Dhe kështu mendohet që jeta është një sfidë e vazhdueshme, në vend të bashkëpunimit. Për ata nuk ekziston ideja që duke bashkuar forcat, njerëzit mund të jetojnë mirë njësoj dhe të arrijnë atë që duan. Mbi të gjitha në një komunitet heterogjen, ku shpesh bie në kontrast me konceptin e tolerancës, respektin e lirisë së tjetrit, që na kujton që duhet edhe të impenjohemi për të respektuar kufijtë bazë. Fjala liri ka kuptimin të bëj atë që dua, atë që mendoj, megjithëse është për mua një fjalë utopike.

 

Liri absolute 100 për qind nuk ekziston,je i lirë në mendim por jo 100% në veprim.Për lirinë nuk flasin njerëzit e lirë!

 

''Për dashuri japi jetën, për atdhe edhe dashurinë'' (Shandor Petefi, poet hungarez).

 

Liria në kuptimin më të gjerë është e drejta e njeriut të veprojë dhe të mendojë në autonomi të plotë, është kushti i atij/asaj që të sillet sipas zgjedhjeve të tij/saj, në disa raste dhe për shkak të një pushteti specifik është e njohur nga ligji. Liria është negative ose pozitive. Kuptohet me jo ndërhyrjen e një fuqie të jashtme (liria negative), ose në kuptimin më të gjerë si liri për të bërë gjëra të përcaktuara (liria pozitive).

Mund të thuhet se kush kryen një veprim është i lirë, kur ka mundësinë e zgjedhjes, dhe veprimi vetë është,inteligjent,spontan. Liria është vërtetë një temë sa universale aq edhe personale, sa e diskutueshme aq edhe absolute dhe akoma më shumë, sa më e dobishme aq edhe potencialisht e keq-shfrytëzueshme. Personalisht më pëlqen të mendoj se jam i lirë kur mendimin tim e artikuloj me fjalët "Unë mendoj" dhe jo "Unë them!", ky është snobizëm pastaj dhe jo liri. Liria është aftësia e njeriut për të bërë zgjedhje arbitrare. Thonë se liria është mundësia e njeriut për tu shprehur, për të vepruar, etj, por në fakt kjo është thjesht një anë. Njeriu i lirë duhet të ketë mundësinë të zgjedh çfarë të shprehi, nëse do ta shprehi, pjesërisht apo plotësisht, në cilën formë, etj (vlen edhe për veprimin). Besoj se në një botë ku ndeshemi me kufizime nga të gjitha anët (ligji, shoqëria, rrethanat, etj), kjo është një nga format e vetme dhe më të pastra të lirisë që ngelen. Liria është relative, e kurrë absolute, përndryshe nuk do kishte: burg, polici, ushtri, rend publik, shtet, pasaportë, kufij etj. - po kur cenohet edhe liria relative? Liri, lirim e çlirim - si komentohet fjala - çlirim? u lirua - u çlirua - u lirua buka - u çlirua atdheu.

Po ndër këto dy të këqija, cilën do ta zgjidhni: lirinë në burg, apo burgun në liri - një liri të burgosur, apo një burg të lirë ? Lirinë që ta fal njeriu - derdh ujë në të!

 

Liria është diçka shumë e shtrenjtë, prandaj njerëzimit ja japin me pikatore. Liria është e vetmja gjë që nuk ka çmim, por shumica nuk ja dinë vlerën!

 

Liria nuk përbëhet prej privilegjesh por prej detyrimesh. Liria është të jesh vetja,të bësh atë që ndjen, dhe të thuash atë që mendon. Liria është e rëndësishme dhe ka vlerë të madhe nëse mundohemi ta respektojmë lirinë dhe fjalën liri, pa liri as jeta nuk ka kuptim.

 

Liria është frymëmarrje, liria është si oksigjeni që thithim është kaq e domosdoshme për qenien njeri, liria është personalitet ,nuk mund të shfaqesh personalitetin nëse s'je i lirë, liria është jetë, liria është gjëja më e shtrenjtë e njeriut Liria është gjendje, ajër, është e kundërta e atyre gjërave që na mbysin përditë, është respekt për veten dhe për të tjerët, është përgjegjësi, është vendimmarrje në lidhje me veten, është çlirim nga komplekset dhe normat idiote vendosur kushedi nga kush por që ndërhyjnë dhunshëm tek ne.

 

Liria ka dhe kufizime o të bësh mirë o të bësh keq. Mbi të gjitha është ndërgjegjja ajo që na bën të aftë të vendosim për të marrë vendime të mira ose të këqija qofshin.

 

Liria është vështirë të shkruhet me fjalë, ajo duhet të përjetohet! Liria është tjetërsimi i komplekseve në gjendje të kulluar, dhe rivendosja e qenies në origjinën e lirisë së tij të patjetërsuar. Liria është respektim i të drejtave njerëzore!Nëse ato cenohen, nuk ka liri!

 

Është e drejta e njeriut që të jetë i lirë në mendim në rradhë të parë, por gjithashtu dhe në veprim,më vjen keq që disa se kanë deri diku lirinë, dhe janë të poshtëruar dhe të sunduar. Liria është mbi të gjitha, është aq e vlefshme sa që njerëzit sakrifikojnë edhe jetën e tyre për ta shijuar lirinë e një individi shoqëror. Liria është trumcaku që nuk ka kufi për të lëvizur e as përgjegjësi për të jetuar. Por ai është trumcak! E kundërta, njeriu aq sa ka liri aq ka edhe përgjegjësi. Vetëm e vetëm për liri jepet jeta, andaj për njeriun liria është jetë, po edhe jeta është liri.

 

(Autori është publicist i pavarur nga Prishtina)



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx