Mendime
Lavdrim Lita: Një kurth për Kolegjin Zgjedhor
E enjte, 02.06.2011, 07:59 PM
Një kurth për Kolegjin Zgjedhor
Nga Lavdrim Lita
Në fushën e minuar të drejtësisë është në zhvillim e sipër një strategji trysnie sa politike aq dhe mediatike. Network-u mediatik i Edi Ramës ka filluar diktimin e realitetit, me atë që Lance Bennett, strategu i marketingut politik, e quante “politika e iluzioneve”. Bëhet fjalë për të zhvendosur nga një skenë kryesore, në një skenë tjetër, të gjithë sytë e publikut për një tjetër shfaqje dramatike. Nëse më parë skena kryesore ishte oborri i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në të cilën u dha shfaqja dramatike e shkeljes me këmbë të policëve nga ana e deputetëve socialistë; kësaj radhe skena tjetër është salla e Kolegjit Zgjedhor. Aty është përqendruar e gjithë bateria politike e mediatike socialiste. Ka ca ditë që ka nisur një operacion i paprecedentë mediatik për të kushtëzuar vendimin e Kolegjit Zgjedhor mbi numërimin e fletëve të kontestuara (vota të vlefshme të hedhura në kutinë jo të duhur, si ajo e Presidentit Topi) nga ana e KQZ-së.
Forca që ushtrohet kundrejt Kolegjit përbëhet nga shkrime të ndryshme në shtypin e majtë, të cilët shkruajnë se “Kolegji ka frikë”, kurse në eter përcillen, me zë dhe figurë, kronika që “I njëjti kolegj ka dhënë vendim kundra hapjes së kutive në 2009”, sikurse biografi të imta në revista apo/dhe thashetheme ditarësh on-line. I gjithë ky investim propagandistik, që në pamje duket se janë iniciativa të pavarura të ndoca mediave, në të vërtetë lidhet nga fija e ushkurëve të Ramës dhe interesave të përbashkëta. Këto media me këtë surplus prodhimtar po duan të japin idenë se Kolegji është përballë Ditës së Gjykimit.
Është një operacion që në pamje të parë të duket sikur lind nga etja për të vënë pak “rregull” dhe “drejtësi” të paktën një ditë, por që në të vërtetë fsheh një mënyrë shtinjake për të bërë presion ndaj trupës së Kolegjit Zgjedhor. Kombinati mediatik i Ramës kërkon të kompleksojë 8 anëtarët e Kolegjit Zgjedhor, duke u thirrur me emër dhe mbiemër, duke u amplifikuar rëndësinë e vendimit sikur të ishte “beteja e të gjitha betejave” për drejtësi dhe të gjitha padrejtësive në këtë vend tenton të japë mesazhin fals të korruptimit të sistemin në rast se nuk merret parasysh padia socialiste. Është një strategji shumë e rafinuar presioni, e cila kërkon të kushtëzojë publikisht me thirrje publike ndikuese tetë anëtarëve të Kolegjit zgjedhor, të cilëve iu është bërë një biografia sikur të ishim ende në regjimin e kaluar. Kjo formë presioni është shumë e shëmtuar, sepse bazohet në premisa thellësisht të gabuara. Premisë e gabuar është dhënia e idesë se KQZ-ja ka gabuar dhe Kolegji duhet të bëjë Drejtësi, se përndryshe i gjithë sistemi është i kompromentuar. Nuk ka asgjë më të pasaktë se premisa që KQZ-ja ka gabuar përpara se të vendosë Kolegji. Mënyra shtinjake për t’u thënë atyre se keni përgjegjësi të mëdha, se kanë në dorë të gjithë sistemin e drejtësisë me këtë vendim, do të thotë se më për para këta Gjykatës s’kanë qenë të përgjegjshëm dhe s’kanë pasur integritet, dhe në qoftë se e duan këtë integritet mund ta marrin me një vendim pro-Ramës. Zyrtarisht Partia Socialiste e ka prodhuar presionin në formën e një mosbesimi gati fiziologjik ndaj të gjitha institucioneve të shtetit shqiptar. Loja për të kushtëzuar psikologjikisht vendimin e trupës së Gjykatësve me shkrime dhe kronika ku u skanohet jetëshkrimi profesional e emocional të tipit "Kolegji ka frikë" apo thirrje për “Sens përgjegjësie”, është atentati më i dukshëm që i bëhet sistemit të Drejtësisë në vend. Edhe deklarata e djeshme e Blendi Klosit se Partia Socialiste mirëpret propozimin e ndërkombëtarëve për përfshirjen e Komisionit të Venecias në përpjekje për të shpëtuar zgjedhjet e 8 majit, pasi kështu do të “jepej një opinion i kualifikuar dhe i pakorruptuar”, s’është gjë tjetër veçse një mënyrë tjetër presioni ndaj Kolegjit Zgjedhor duke i delegjitimuar. Adetet e përhershme të Ramës me rikthimin e bojkotit Parlamentar, me bllokimin e rrugëve me “revolta popullore”, si dhe kërcënimi për lënie mandati të të gjithë të zgjedhurit socialistë ka veç një synim të përgatisë sa më mirë dhe më thellë terrenin e konfliktit për të dy vitet e ardhshme. Burimi i Pushteti të Ramës vjen prej konfliktit. Një studim jo zyrtar psiko-analitik mbi Edi Ramës thotë se atij i mungon kontakti fizik aq shumë saqë për t’u ndjerë i gjallë kërkon me çdo kusht përplasjen dhe konfliktin për të kuptuar prezencën publike.