Mendime » Xharra
Fahri Xharra: Kultura e Komanit
E marte, 31.05.2011, 07:58 PM
Kultura e Komanit
Nga
Fahri Xharra
Të
shpjegosh rrënjët autoktone dhe prejardhjen ilire-shqiptare në të njëjtën kohë
e bën më të lehtë kuptimin e orientimit tonë pro perëndimor. Ne kemi mbirë mbi
këto troje pellazge-ilire, shumë shekuj më herët sesa të vinin në Gadishullin Ballkanik
grekët, romakët, hunët e gotët, sllavët e së fundi në shekullin e XV-të edhe
osmanët.
Në
Gajtan të Shkodrës janë gjetur vendbanime të vjetra 6000 vjet p.e.s, ndërsa në
Xarë të Sarandës 10 000 vjet p.e.s. Gjuha e jonë është pjesë e trungut të gjuhëve
indoevropiane në cilësinë e degës shqipe, pra shumë e hershme e që na ka afruar
më herët se popujt tjerë të perëndimit. Albert Dymo thotë se ”nuk ka racë më të
vjetër se shqiptarët në Evropë”. Ilirët gjendeshin në qendrën e saj para se të
lindte nocioni i Evropës.
Milan
Shuflay, George Hahn, Çabej, Mayeri, Jokli e të tjerë e vërtetojnë duke e
krahasuar me një lis vigan me rrathët e tij vjetorë si rritjen e kësaj bote të
lashtë ballkanike,
Kultura
e Komanit është një kulturë e hershme e Arbërisë, që e vazhdon kulturën ilire,
që do të thotë se bartësit e saj arbërit janë shqiptarë të hershëm, pasardhës
të ilirëve. Zbulimet e bëra në Delmace të Komanit i hapën rrugë një rindërtimi
arkeologjik dhe historik duke u bërë një pikë reference për mënyrën e zhvillimit
të Ballkanit Perëndimor në shekujt VI-XIII pas Krishtit.
Gërmimet
arkeologjike në Koman janë bërë fillimisht në vitin 1898 nga Konsulli i Francës
në Shkodër, Degrand. Nga ato gërmime u gjetën varrezat e mesjetës së hershme,
mbi të cilin u bë ndërtim shkencor i njohur si Kultura e Komanit, që e bënte
lidhjen e shqiptarëve si pasardhës të arbërve dhe ilirëve. Për më se një
shekull,varrezat e Delmacës kanë qenë në qendër të vëmendjes së arkeologëve të
huaj dhe atyre shqiptarë.
Në
Evropën Perëndimore gjetjet në këto varreza u bënë të njohura me emrin “Kultura
e Komanit”, përderisa sllavët dhe osmanët e kishin rrënuar dhe humbur atë
kulturë shumë herët. Delmace është një fshat i Komanit në një lartësi mbidetare
568 metra. Kështjella e Delmacës dhe Kisha e Shën Kollit shikuar kalimthi dhe
si zbulim i rëndësishëm për historinë tonë janë lënë përgjysmë për 50 vjetët e
kaluara. Delmace me rrethinë është shumë mahnitëse me fshehtësinë e vet ende jo
krejt të zbuluar.
Emrin
Delmace e gjejmë kryesisht në shkrime ku i njohuri për ne studiuesi Hahn e
krahason me shqipen dele, delmer, bari delesh. Emri Delmace bashkë me gjetjet
arkeologjike në varreza e dëshmojnë vazhdimësinë ilire-arbërore në malet e
Dukagjinit, si Pukë- Iballë-Spas. A. Dhima e sheh vazhdimësinë edhe në tiparet
antropologjike të arbërve të shek. VI-VIII, në banorët e Pukës në masën mbi 70
për qind.
Hulumtuesit
kanë studiuar në fushën e toponimeve të Delmacës e sipas Xhemal Meqit,
dallohen: Varrezat e Delmacës, mbi një rrafshinë në jug të kështjellës, Qafa e
Delmacës në mes të Kodër Varrezë te Majës së Cungut të shkëmbit të kalasë,
Kështjella e Delmaces 4 km në lindje të Komanit, Kroni i Delmacës i humbur mes
gurësh, ana perëndimore e Kodër Varrezës e njohur si Masdelmace, Gryka e
Delmaces në veriperëndim të Masdelmaces.
Delmace,
duke qenë një vend malor, kur rrethanat ishin të favorshme historike të shek.
VI-VIII u bë një qendër me përmasat e një “kulture qytetare” (H. Spahiu “Gjetja
e Delmaces” 1971)
Sipas
arkeologes Etleva Nalbani, kërkimet shkencore për jetën e Mesjetës së hershme
në Kalanë e Delmaces shtrihen në një sipërfaqe prej 2 500 metrash katrorë. Aty
janë të vendosura në forma tarracash mbi 35 banesa prej guri. Zbulime të
rëndësishme e me vlerë janë edhe ato të 300 varreve e që japin shenja edhe për
njëmijë varre tjera të pa hapura në atë lartësi mbidetare. Zbulimet e tilla e
klasifikojnë Komanin edhe si qendër të referencës së mësimit në të gjithë
Ballkanin.
Komani
si i tillë i banuar nga popullata ilire ka qenë një nga metropolet e Ballkanit
Perëndimor. Në kalanë e Delmaces gjenden toponimet e katër kishave si ajo e
Shën Kollit, Shën Gjergjit, Sën Mëhillit si dhe Kisha e Zonjës së Mirë. E
gjithë kjo tregon se sa e madhe ishte shtrirja e këtij qytetërimi të hershëm
por edhe më rëndësi kishtare e kulturore të Krahinës së Pultit të Sipërm. Zona
e epërme e Pultit së bashku me kalanë e Delmacës në bazë të shënimeve dhe
fakteve, toponimeve të mbledhura kanë qenë qendrat më të mëdha të krishterimit
në këtë rajon.
Për
Kishën e Shën Kollit kemi të dhëna shumë me vlerë nga Gjergj Bardhi,1634,
arqipeshkëv i Tivarit dhe ipeshkvi i Sapës, Frang Bardhi më 1637. Sipas tyre,
famullia e Shën Kollit ishte për tre fshatrat në Koman, Bytyç (Mtyçi Buzhalës),
Qerreti i vogël dhe Delmace. Gjergj Bardhi shkruan me 1634 se “ në Shën Koll
janë shenjat se përpara kishte qenë vend i dalluem...,ndërsa Frang Bardhi
vazhdon ”me sa kuptohet, këto shenja janë gjurmë të një zhvillimi të hershëm që
dalloheshin ndër vendet tjera të Maleve të Pukës, Iballes dhe Spasit. Me gjithë
ekspeditat ndëshkues osmane në këto male, në Shënkoll kishte ende begati të
dukshme...”
Të
shkelësh për herë të parë në këtë vend është vështirë të bësh lidhjen në mes të
pamjes mahnitëse ku përpara ke Shurdhanë, Danjen dhe Rozafën dhe shkel mbi
qytetërimin e Mesjetës së hershme që ka shumë për të na rrëfyer.
Dikur
flitej për varrezat misterioze të veriut, por më 6 janar 1898 konsulli Degrand
e dha njoftimin i pari për Kulturën e Komanit por edhe vjedhjen e 130 objekteve
arkeologjike që i dërgoi në muzetë e Parisit. Historiani gjerman Treger, në
vitin 1900 i hapi 10 varre dhe gjetjet i çoi në Berlin.
Me
1924, arkeologu Italian Ugolini i hapi disa varre tjera dhe “i mori do
materiale për studime të mëtutjeshme“. Studiuesja me e madhe shqiptare ka qenë
Hana Spahiu me punën e së cilës u formua teza e Komanit si kulturë më vete.
Fakti i një vendbanimi i provuar në mënyrë shkencore nga arkeologët tanë se
populli që dikur rronte në kala, rrënjët e tij i ka të thella që arrijnë deri
tek ilirët e hershem. Fakti që vendbanimi ishte prej guri, faktet që përdorej
metali, ndërtimi i shumë kishave, varrimet e të vdekurve që bëheshin me rrobe e
stoli flasin qartë për zhvillimin ekonomik tejet të lulëzuar në kohën e të
parëve tanë.
Sipas
Aleksandër Stipçeviqit, “kultura e Komanit është kultura e një populli që në
shek. VI-VIII ishte një kapërcyell i të dy epokave, nga ajo e vonë antike, në
periudhën e hershme mesjetare. Tipologjia e varreve, orientimi i tyre,
inventari i armëve, i veglave të punës dhe i stolive, me praninë e shumtë të
simbolikës ilire, e lidhin “Kulturën e Komanit” me të kaluarën ilire të këtyre
trojeve dhe me banorët e lashtë të tyre, ilirët”.
Duhet të mburremi jo vetëm me zbulimin e varrezave por të mburremi edhe me krenarinë për një qytetërim të hershëm që të tjerët na e kanë zili. Kultura e Komanit pasqyron shumë bukur mbijetesën pagane dhe atë të krishterë të të parëve tanë.