E shtune, 05.10.2024, 01:51 AM (GMT+1)

Mendime » Xharra

Fahri Xharra: “Kombi-shteti” si dhe “Kombi e shteti”

E shtune, 21.05.2011, 07:57 PM


“Kombi-shteti” si dhe “Kombi e shteti”

 

Nga Fahri Xharra

 

“Kombi-shteti” është së pari shteti që rastësis me një komb, do të thotë rastësis (e jo e rastit) mes ndjenjës së një grupi që është kombi dhe një nocioni të rregullës juridike, ekzistenca e një suvereniteti dhe institucioneve politike dhe administrative që e ushtrojnë atë shtet. Rasti i Shqipërisë.

 

Për Francën, “kombi” është një “dëshirë“ që të rrojnë së bashku të gjithë, pa marrë parasysh ndryshimet mes vete (francezët dhe kombet tjera që jetojnë aty). Kurse sipas mendimit gjerman, “kombi“ është para së gjithash një kohezion i një kulture, historie dhe gjuhe të përbashkët. Rast i Shqipërisë.

 

Por, në përgjithësi nuk duhet përzier “shtetin“ dhe “kombin”:

 

- Një komb i caktuar nuk mundet gjithmonë të formojë një shtet të caktuar (kurdët në Turqi).

 

- Një shtet mund të ngërthejë shumë kombe. Ngërthimi i shumë kombeve në një shtet ishte rasti i Austro-Hungarisë,ku nuk kishte komb austrohungarez, rasti Mbretërisë së Bashkuar,ku kombe të ndryshme e formojnë mbretërinë e nuk ka komb britanik. Në Kosovë shumica shqiptare dhe minoritetet në të e formojnë shtetin e Kosovës, por jo edhe kombin kosovar.

 

- Një shtet mund të qëndrojë pa u konsideruar si një komb. Rasti i tillë zakonisht shprehet në shtetet e federuara duke formuar një federatë. Shembujt më të mirë janë kantonet në Zvicër, federatë e kombeve të ndryshme pa e sajuar kombin zviceran.

 

Kërkesa për të krijuar” kombin kosovar” i ngjet përgjithësimit dhe mohimit të vetvetes për sajimin e diçkaje të paqëndrueshme. Kjo është e përafërt me teorinë e thatë marksiste. Për marksistët ,ndjenja e identitetit të kombit nuk gjendet në gjirin e tij por në gjirin e humanitetit në përgjithësi. (Marksi: “Unë jam qytetar i botës“). Teoria marksiste e priste zhdukjen e kombeve dhe shteteve të shprehura në solidaritetin e përhershëm ndërkombëtar...

 

Ku jemi ne? Për hir të kujt duhet të bëjmë një krijesë veçuese: “Kombin kosovar”?

 

Nëse ne shqiptarët rrojmë në dy shtete e që për momentin është e mbërrime e madhe historike, formimi i dy shteteve shqiptare në botë, pse duhet që ne shqiptarët (popull shumicë në Kosovë), të mohojmë identitetin tonë shqiptar dhe të bëjmë një komb artificial, atë kosovar, i cili nuk ka ekzistuar kurrë? Anatemimi i kombit është një pasojë që futet në përdorim e do të vazhdojë të funksionojë dhe do të marrë kah deri në asgjësimin dhe mohimin pa kthim të vetvetes.

 

Për Kosovën po thuhet se është një shtet shumetnik edhe pse shqiptarët janë përbërësit kryesor të saj (mbi 90%). Nga kjo mund të ngrehim pyetjet:

 

- A thua serbët dhe turqit do të pranonin mohimin e tyre për hire të kosovarizmit? Jo.

 

Ata nuk janë aq naivë që të pranojnë këtë propozim,por një gjë është e sigurt që edhe qendrat e tyre të vendosjes nuk do ta kishin lejuar këtë kombmohim.

 

Duhet bërë një dallim mes mes kombit, shtetit dhe shtetësisë: Unë jam shqiptar i shtetit të Kosovës dhe kam një shtetësi të vetme, atë të Kosovës.

 

Në kohën e Bashkimit Sovjetik, aty ishin në mënyrë federative 18 shtete, por në atë kohë as Stalinit famëkeq nuk i shkonte mendja të formonte kombin sovjetik. Shqiptarët dikur në Federatën jugosllave nuk e patën pranuar apo nuk ishin mashtruar të deklaroheshin si “jugosllavë”, që ishte një lloj mashtrimi në mënyre që “pakicat” (e edhe ne me ta) të zhdukeshim në jugosllavizëm.

 

Nëse mendohet, kur them mendohet,mendoj në atë se po shkruhet që me krijimin e kombit kosovar i ndihmojmë shqiptarizmit, them se jo, por po punojmë në zhbërjen e 2 milionë shqiptarëve të Kosovës. Kosova është emërtim gjeografik i një territori shqiptar. Është emërtim i një shteti të ri që banorët e tij e kanë shtetësinë e Kosovës.

 

Të shikojmë nga të tjerët, nga ata që vendosin vetë për veten dhe vendin e tyre: një shtetas zviceran gjermanofolës kurrë nuk e pranon të mohojë identitetin e tij gjerman,gjë e cila nuk i imponohet e as nuk pranon të vetëmohohet. Mendojmë ne, që një francezi të Zvicrës t`i themi se nuk je francez, por je vetëm një zviceran me gjuhë zvicerane, do ta pranonte këtë? Jo.

 

Si po mendojmë që Kosova e bëri shtetin dhe e bëri kombin kosovar e ka më lehtë të...?

 

Çka më lehtë? Më lehtë drejt humbjes së identitetit shqiptar,më lehtë drejt shlyerjes së historisë shqiptare, apo më lehtë drejt humbjes në gjithësinë e kombeve të padefinuara?

 

Kombi është një shpirt i vetëm ,në të janë dy gjëra që në të vërtetë e bëjnë një: njëra është e kaluara dhe tjetra është e ardhmja. Njëra është prona e përbashkët e së kaluarës dhe tjetra është bashkëndjenja e tashme, dëshira për të jetuar së bashku, dëshira për të bërë trashëgimi për pasardhësit, të cilën e morëm nga të parët tanë.

 

Kombi është kulmim i një të kaluare të gjatë, i një flijimi të gjatë për të jetuar e mbijetuar. Kulti i të parëve është gjithmonë legjitim, të parët na kanë bërë atë që sot jemi. Lindja dhe rritja e kombit është një proces natyror. Kombi nuk ka afat qëndrueshmërie edhe pse është i vjetër me shekuj dhe mileniume. Kombi është një e kaluar heroike dhe historike e njerëzve tanë të mëdhenj. Ky është kapitali shoqëror mbi të cilin mbështetet kombëtarja. Duke pasur një të kaluar të përbashkët e kemi edhe një vullnet të përbashkët për të tanishmen, të krijuarat e përbashkëta , dhe dëshira e obligimi për të krijuar një të ardhme për ata që vijnë.

 

Në fund, sipas të drejtës ndërkombëtare, që të dy termat juridike “Jus soli” (lat. e drejta mbi tokën) si dhe Jus sanguinis (lat. e drejta e gjakut), që të dy të drejtat ne shqiptarët i kemi mbi Kosovën.

 



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora