Mendime
Kastriot Myftaraj: Aleanca e Shqiponjës së Bardhë dhe Shqiponjës së Zezë...
E hene, 30.05.2011, 07:58 PM
Aleanca e Shqiponjës së Bardhë dhe Shqiponjës së Zezë që nis me flijimin e mullenjës: Serbia, Shqipëria dhe ndarja e Kosovës (1)
Nga Kastriot MYFTARAJ
Kur Presidenti i Serbisë Tadiç propozoi ndarjen e Kosovës, nuk dihet nëse ai e kishte të qartë se një ndarje e tillë ka sens dhe është e mundur vetëm nëse ndodh pajtimi dhe aleanca e nacionalizmit serb dhe nacionalizmit shqiptar, me ç’rast këta dy nacionalizma do të legjitimohen në rolin e tyre historik si bastione të mbrojtjes së qytetërimit europian. Shumëkujt do t’ i duket e habitshme që të bëhet fjalë për aleancën mes dy nacionalizmave, atij serb dhe atij shqiptar, por kjo nuk është më e habitshme se aleanca franko-gjermane e pas Luftës së Dytë Botërore. Tadiç, qartësisht kërkoi që ta ndajë politikën nga historia kur tha se ai kërkon që të zgjidhë vetëm konfliktet e 100 vjetëve të fundit, dhe ndoshta ai si politikan nuk mund të flasë ndryshe. Por politika, në raste të tilla, ka sukses kur ka si premisë historinë, mësimet e saj. Nëse nuk kuptohet se Kosova është skena e tragjedisë së përbashkët historike të nacionalizmit serb dhe atij shqiptar, e Shqiponjës së Bardhë dhe asaj të Zezë, të cilat janë përleshur atje dhe kanë lënduar njëra tjetrën, për t’ u zvarrisur pastaj në fushëbetejat që u ka imponuar historia, ku kanë humbur bashkërisht, atëherë nuk mund të arrihet një akord shterues serbo-shqiptar për Kosovën.
Nuk është koincidencë që ofertat e përsëritura për ndarjen e Kosovës, nga nivelet më të larta politike të Beogradit, Presidenti Tadiç dhe zëvendëskryeministri Daçiç, erdhën në prag të turit të Presidentit Obama në Europë, në fund të këtij muaji (maj), me ç’ rast u mbajt në Varshavë edhe një takim i presidentit amerikan me krerët e vendeve të Europës Qendrore dhe Ballkanit. Presidenti serb Tadiç, kur foli në Bruksel për ndarjen e Kosovës, në 28 mars, e bëri të qartë se më tepër se Prishtinës, i adresohej Washington-it, kur tha se pas shqiptarëve të Kosovës shikonte influencën e të tjerëve. Momenti i deklarimit të Tadiç ishte e llogaritur që t’ i jepte Washingtonit kohën e nevojshme për të shqyrtuar ofertën serbe dhe për të arritur në një qëndrim amerikan me rastin e vizitës së Obamës në Europë, me ç’ rast pritej një takim i Tadiç me Obamën në Varshavë. Takimi Obama-Tadiç nuk u bë i mundur për shkak të pranisë në takimin e Varshavës të Presidentes së Kosovës, Jahjaga, por Tadiç gjithsesi ia la në tryezë Obamës agjendën serbe për Kosovën. Arrestimi i Mlladiç në prag të takimit të Varshavës, është një tjetër koincidencë që nuk është asfare koincidencë se ishte e llogaritur që të pastronte edhe pengesën e fundit që Washingtoni dhe Beogradi të punonin mbi agjendën e re.
Derisa Tadiç nuk priste që Washingtoni ta pranonte saora ofertën serbe, ai priste dhe ende pret që Obama të shikojë se gjendet në një situatë deja vu me Presidentin Clinton në vitin 1995. Clinton në vitin e parafundit të termit të tij të parë presidencial thirri Konferencën e Dayton-it për Bosnjë-Herzegovinën, me ç’ rast ai arriti një sukses të madh në politikën ndërkombëtare, që rriti profilin e tij në para zgjedhjeve presidenciale amerikane të vitit 1996, në të cilat Clinton kërkoi dhe fitoi termin e dytë presidencial. Në Beograd e dinë mirë se administrata e Obamës është e vetëdijshme që, pas vrasjes së Bin Laden, një sukses i madh në politikën e jashtme në Europë, çka do të ishte arritja e akordit përfundimtar për Kosovën, e cila ka përbërë angazhimin e madh për dy presidentë amerikanë-paraardhës të Obamës, do të përbënte quintia essentia të arritjeve të këtij të fundit në politikën e jashtme. Në 20 vjetët e fundit, tre presidentë amerikanë, njëri pas tjetrit, kanë bërë secili diçka vendimtare për Kosovën, dhe Obama nuk mund të bëjë ndryshe. Bush i Vjetër, në 1991 i vendosi Serbisë të ashtuquajturën vijë të kuqe në Kosovë. Clinton ndërmori fushatën ushtarake për çlirimin e Kosovës. Me Bush-in e Ri erdhi shpallja e pavarësisë së Kosovës. Pra, Obama, në termin e parë presidencial, apo të dytin, nuk mund të mos bëjë diçka vendimtare për Kosovën. Kështu që në Beograd prisnin që Washingtoni ta pranonte ofertën serbe për ndarjen e Kosovës.
Por nga Washington-i erdhi një kundërshtim i prerë për ofertën e Beogradit. Edhe Prishtina, e dirigjuar nga Washington-i u shpreh, me anë të zëvendëskryeministrit Kuqi, kundër idesë së Beogradit. Derisa Washingtoni refuzon ndarjen e Kosovës, në një kohë që Kosova ka hyrë në një rrugë pa krye për shkak të dështimit evident të implementimit të pavarësisë së shpallur dhe të paaftësisë të shtetit të ri dhe mungesës së dëshirës së sponsorëve të tij amerikanë, për ta ndihmuar në masën e duhur që të ushtrojë kontrollin mbi territorin e vet, atëherë kjo nuk do të thotë tjetër përveçse se SHBA-të e duan Kosovën si një qendër destabiliteti në Ballkan, në oborrin e pasëm të Europës, si një lloj aseti në strategjinë amerikane të mbajtjes së Europës si një protektorat amerikan. E gjithë kjo sipas konceptit të Robert Kagan se amerikanët vijnë nga Marsi dhe europianët vijnë nga Venusi, çka më tepër se një shpikje neokonservatore është një postulat universal i mendimit strategjik amerikan. Sipas këtij koncepti, Kosova doli si Venusi nga shkuma e detit, si një krijesë bizarre gjeopolitike, e cila endet në oborrin e pasmë të Europës, nën mbrojtjen e dyshimtë të Marsit amerikan.
Refuzimi i ofertës serbe për ndarjen e Kosovës, do të thotë që Kosova të mbetet edhe për shumë kohë dhe ndoshta përgjithmonë një ersatz-shtet me status të papërcaktuar. Një provë për këtë u dha kur në summit-in e Varshavës, të vendeve të Europës Qendrore dhe Juglindore, që u mbajt në fund të majit, ndonëse u ftua Presidentja e Kosovës, Jahjaga, dhe të gjitha vendet pjesëmarrëse, me përjashtim të njërit, Sllovakisë, e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, Sllovakia arriti që t’ u imponohet të gjithë pjesëmarrësve duke kërkuar që Kosova të mos trajtohej formalisht si një shtet i pavarur, duke mos u përmendur si e tillë. E gjithë kjo tregon se statusi i Kosovës, më tepër ka gjasa që të bëjë pas se para dhe definitivisht do te mbetet në vegjetim.
Ndonëse SHBA-të e kanë refuzuar momentalisht propozimin e Beogradit për ndarjen e Kosovës, ato nuk mund të vazhdojnë që ta refuzojnë për një kohë të gjatë propozimin serb, nëse nuk do të mundin që ta rivendosin tërësinë tokësore të Kosovës dhe të arrijnë që Kosova të fitojë titull të plotë ndërkombëtar, çka nuk ka gjasa që të ndodhë në të ardhmen e largët. Por zvogëlimi i numrit të trupave të KFOR deri në rreth 5500 vetë, ku amerikanët përbëjnë jo më shumë se 10% të tyre, dhe ku britanikët marrin pjesë në mënyrë simbolike me vetëm katër ushtarakë, e bën të domosdoshme që të mos shtyhet gjatë zgjidhja përfundimtare për çështjen e Kosovës. Vetë fakti që website i KFOR nuk është përditësuar që prej nëntorit të vitit të kaluar sa u përket shifrave të kontigjenteve të trupave paqeruajtëse në Kosovë, është simptomë e rënies së efektivitetit të forcës ndërkombëtare në Kosovë. Sipas website të KFOR ky përbëhet ende prej 8500 trupash dhe shifrat e kontigjenteve janë të kësaj faze para zvogëlimit të fundit, i cili ka ndodhur në fillim të marsit! Nëse nuk përditësohet as website i KFOR në fund të majit, me të dhëna të fillimit të marsit, atëherë kjo është një provë e pakundërshtueshme se ndërkombëtarët janë faktor i kaosit që ekziston në Kosovë. Prandaj SHBA-të nuk kanë alternativë tjetër veçse të pranojnë herët ose vonë, dhe pas të gjitha gjasave më mirë herët se vonë, ofertën serbe për ndarjen e Kosovës.
Në Beograd e kanë të qartë se oferta serbe për ndarjen e Kosovës do të thotë që bisedimet të shndërrohen, nga bisedime midis Beogradit dhe Prishtinës, në bisedime midis Beogradit dhe Tiranës. Madje Tadiç aludoi në terma të pagabueshme për këtë, kur u shpreh se Serbia synon që të zgjidhë konfliktin që ekziston prej 100 vjetësh mes serbëve dhe shqiptarëve. Me këtë Tadiç natyrisht se e ka fjalën për konfliktin e krijuar pas Luftës së Parë Ballkanase të viteve 1912-1913 dhe Traktatit të Londrës që e pasoi atë, me ç’ rast u arrit deri tek mbetja jashtë kufijve të shtetit shqiptar të territoreve të gjera të banuara nga shqiptarët. Arsyeja kryesore për të cilën palët në ndarjen e Kosovës duhet të jenë Serbia dhe Shqipëria është se, Kosova, e cila është krijuar si shtet i pavarur mbi bazën e principit shumëetnik, mund të ekzistojë si shtet i pavarur vetëm nëse kufijtë e saj nuk ndryshojnë mbi baza etnike. Në rast se ndodh një ndryshim i tillë, atëherë Kosova do të shndërrohej në një shtet të dytë etnik shqiptar, çka e bën të pakuptimtë ekzistencën e saj si shtet i pavarur. Tekefundit, Kosova është konceptuar si shtet shumëetnik që të pranohet nga serbët, jo për t’ u pëlqyer turqve dhe boshnjakëve. Nëse serbët nuk e pëlqejnë atë, humb kuptimi i ekzistencës së Kosovës si shtet shumëetnik dhe me këtë edhe i Kosovës si shtet i pavarur.
Tadiç në deklaratën e përmendur më lart, dha të kuptojë se nëse Serbisë i njihet e drejta që të aneksojë pjesën veriore të Kosovës, atëherë pjesa tjetër e Kosovës mund të bëjë çka të dojë, të qëndrojë si shtet i pavarur ose të bashkohet me Shqipërinë. Serbia kërkon katër komunat me shumicë serbe në Kosovën veriore, me një sipërfaqe prej rreth 1200 km², ndryshe 11% e territorit të Kosovës. Pas shkëputjes së këtij territori, Kosova mbetet me 9600 km² dhe nëse kompensohet me territore në Luginën e Preshevës, siç duhet pritur, do të dalë nga ky operacion me sipërfaqen që sot e ka vetëm në letër. Natyrisht se Tadiç pret, ndonëse nuk e deklaron tash, që pas ndarjes së Kosovës, të shkohet deri tek ndarja e Bosnjë-Herzegovinës dhe bashkimi me Serbinë i Republikës Serbe të atjeshme. Bosnjë-Herzegovina nuk mund të mbijetojë pas ndarjes së Kosovës. Kështu, Serbia do të dalë nga ky proces si një shtet me sipërfaqe 102 000 km² dhe 8.7 milion banorë. Në këtë rast Tadiç do të mund të thoshte me krenari se ky është shteti më i madh serb që ka ekzistuar ndonjëherë që pas krijimit të shtetit serb në shekullin XIX.
Derisa Serbia është e vetëdijshme se plani i saj për ndarjen e Kosovës nuk mund të kryhet pa bashkëpunimin e Shqipërisë, ajo duhet ta ketë të qartë se në rast të uljes në tryezë përballë Shqipërisë duhet të bëjë koncesione që do t’ i mundësojnë Shqipërisë që të marrë pjesë në ndarjen e Kosovës. Nga ndarja e Kosovës pritet që të krijohen situata që sjellin implikime juridike që ndryshojnë rrënjësisht statusin e tashëm të shtetit shqiptar. Së pari, është çështja e statusit që ka Kisha Serbe e Kosovës, sipas Pakos Ahtisaari dhe Kushtetutës së tashme të Kosovës, në pjesën e territorit të Kosovës, që nuk do t’ i bashkëngjitet Serbisë po Shqipërisë. Me Planin “Ahtisaari”, pikat e të cilit tashmë janë shndërruar në ligje nga Kuvendi i Kosovës, Kisha Serbe e Kosovës fiton praktikisht statusin e një shteti derisa ajo ka sovranitet mbi territore të gjera, të vendeve të shenjta kishtare në Kosovë, dhe në një territor përreth tyre. Gjithashtu Kisha Serbe e Kosovës ka fituar dhe atribute të tjera që i mundësojnë të sillet si shtet, ndër të cilat privilegje doganore dhe tatimore, të drejtën për të eksportuar dhe importuar mallra me privilegje të tilla, çka është arsyetuar me atë se Kisha Serbe e Kosovës duhet të ushtrojë veprimtari ekonomike për të mbajtur veten. Kisha Serbe në Kosovë ushtron sovranitetin mbi 42 vende, të quajtura zona të mbrojtura, dhe që janë të përhapura gjithandej Kosovës dhe pjesa më e madhe e të cilave do të mbeten jashtë territorit të Serbisë, pas ndarjes së Kosovës.
Është e tepërt të thuhet, Shqipëria nuk mund të pranojë një detyrim të tillë juridik që veç të tjerash do të hapte rrugën për zhvillime të ngjashme në pjesën tjetër të territorit të shtetit shqiptar. Kështu, Kisha Greke do të kërkonte një regjim juridiko-kishtar të ngjashëm për vendet e trashëgimisë së saj kulturore dhe do të kushtëzonte me këtë dhënien e miratimit nga ana e Greqisë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kisha e Serbisë, në anën tjetër, do të kërkonte që arkipelagun e monumenteve të trashëgimisë së saj kulturore ta zgjeronte edhe në pjesën tjetër të territorit të shtetit shqiptar, me vende të supozuara të trashëgimisë kishtare serbe. Asnjë shtetar shqiptar nuk do të guxojë që të nënshkruajë marrëveshje të tilla dhe asnjë parlament shqiptar nuk do të guxojë që t’ i ratifikojë ato, se do të përballet me reagime të hapura ekstremisht të dhunshme, të cilat do të jenë krejt legjitime. Nëse Shqipëria së cilës i është bashkëngjitur Kosova, do të marrë përsipër detyrimet juridike të planit të kësaj të fundit ndaj Kishës së Serbisë, atëherë bashkimi nacional shqiptar do të indeksohet me agjendën e hershme serbo-greke për shpërbërjen e shtetit shqiptar. Prandaj Serbia duhet të jetë e vetëdijshme se regjimi juridik i trashëgimisë kulturore serbe në Kosovë, pas ndarjes, do të jetë i ndryshëm nga ai që është vendosur me Pakon “Ahtisaari”.
Shqipëria gjithashtu nuk mund të pranojë që të vazhdojë të njohë minoritetet turk dhe bosnjak në Kosovë, aq më tepër kur Turqia nuk njeh reciprokisht minoritetin shqiptar dhe kur Bosnjë-Herzegovina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Të ashtuquajturit turq dhe bosnjakë të Kosovës duhet ta kenë të qartë se festa mbaron me bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe nëse u pëlqen mund të rrinë në shtetin e bashkuar shqiptar, ndryshe le të shkojnë ku të duan. Ky nuk do të jetë spastrim etnik por reciprocitet. Por problemi që paraqesin boshnjakët dhe turqit e Kosovës është shumë më i thjeshtë se ai që paraqesin serbët dhe trashëgimia kulturore serbe në pjesën e territorit kosovar që do t’ i bashkëngjitet Shqipërisë. Por kjo nuk është një çështje mes Serbisë dhe Shqipërisë.
Vijon...