Mendime
Sulejman Abazi: Kush e ka mizën nën kësulë?!
E diele, 29.05.2011, 04:23 PM
Kush
/09. 01. 2011/
Nga Dr. Sulejman Abazi (NESHAJ)
Në gjuhën e hidhur ezopike: Rrëfejnë se dikur në një fshat u vodh një cjap. U mblodhën burrat e fashatit dhe u hap debati mbi vjedhjen. Pasi harxhuan shumë fjalë kot, më në fund e mori fjalën një plak i urtë, i cili tha: “Unë e di kush e ka marrë cjapin - duke drejtuar gishtin nga turma. Cjapin e ka marrë ai që ka mizën nën kësulë”. Instiktivisht hajduti vuri dorën në kokë duke parë majtas e djathtas.
Në këtë situatë të zhurmëshme, shqiptarëve u është imponuar një “martesë e detyruar”. Pa kërkesën e shqiptarëve, bisedimet e tyre me Serbinë janë kërkuar nga faktori ndërkombëtar. Kjo situatë ka sjellë një problem për këta të fundit.
Më çfarë statusi do të ulen të dy palët në bisedime, njëra fitimtare dhe tjetra e humbur, apo do të ulen të ballancuar në përgjegjësitë e tyre?!
Nëse serbët akuzohen për gjenocid dhe masakra mbi popullsinë shqiptare në Kosovë, atëherë dhe UÇK-ja duhet të akuzohet po aq rëndë sipas raportit të Dik Martin, kush e kërkon këtë?!
Sipas këtyre zotërinjve edhe shqiptarët do të ulen në bisedime “të çfryrë”. Duke i vënë të gjiitha ngjarjet në sfondin e tyre të përbashkët politik, arrijmë në përfundimin se, për të gjitha këto pasoja, u përgatit një skenar, për hir të së vërtetës, jo shumë kualitativ, i vetdemaskueshëm.
Së pari, u synua që në tavolinë të mos jenë përballë në dialog me serbët zyrtarë të dalë nga UÇK-ja, sepse sipas tyre, kjo i “lëndon” serbët. Atëherë u fut në lojë skenari i zgjedhjeve të parakohëshme, me shpresën se të gjitha akuzat e bëra kundër PDK-së dhe Hashim Thaçit në mandatin e tyre qeverisës, ai do të mund t’i humbiste zgjedhjet dhe kështu krijohej mundësia që qeverisja e parashikuar të formohej nga LDK-ja dhe koalicionistët dhe të ishte më e pranueshme për përballjen me palën serbe.
Në mënyrë foshnjarake dhe dilettante në këtë skenar u përfshi ish presidenti Sejdiu, i cili pas tre vitesh u kujtuar se, kishte “shkelur Kushtetutën” duke mbajtur dhe postin e kryetarit të LDK-së. Ajo që është për të qarë dhe për të qeshur dhe që vetë Sejdiu duhet ta shpjegojë për opinionin shqiptar, është problemi tashmë i hapur, pse ai nuk dha dorëheqjen nga posti ikryetarit të partisë, por dorëzoi presidencën?! Për mendimin tonë, kjo ishte e imponuar nga faktori ndërkombëtar ose me detyrim, ai është pjesë e kësaj loje të dyshimtë politike. Ai duhet të japë shpjegime, në të kundërt tërë jetën këtë problem do ta ketë mbi kurriz.
Së dyti, e paparë dhe e padëgjuar ndonjëherë në jetën politike parlamentare ishte sjellja e PDK-së, e cila votoi plotësisht për të rrëzuar qeverinë e saj(!) Kjo tregon se, faktikisht sot Kosova përjeton një realitet më pak se “Protektorat”. Inskenime të tilla kanë ndodhur dhe ndodhin vetëm në “qevritë e bananeve”, por ja që ndodhka edhe në mes të Evropës.
Meqë Dik Martin sulmoi dhe akuzoi deri për “trafik organesh”, një akuzë kjo e përbindëshme, e pabazuar dhe e pamundur për t’u realizuar në Republikën e Shqipërisë, kur këtu realisht nuk ka mundësi realizimi të procesit të transplanteve për shkak të mungesës së bazës teknike dhë përvojës, atëherë shtrohet pyetja: Ku bazohet ky kasnec i Serbisë në këto akuza monstruoze?
Atëherë, logjikisht duhet pranuar realiteti se, nëse bisedimet nisin pa u sqaruar akuzat, pa u vërtetuar ato me fakte, pozitat e delegacionit shqiptar në këto bisedime do të jenë shumë të dobëta. Në këto pozita që e ka futur politika evropiane Kosovën, ajo nuk fiton asgjë nga këto bisedime, përveçse të dalë e humbur.
Çfarë prêt të fitojë Kosova kur Serbia me kokëfortësi ende deklaron ndërkombëtarisht se, “nuk ka për ta njohur kurrë Kosovën”?- çfarë prêt të fitojë Kosova, kur Serbia ende sot e kësaj dite nuk jep shpjegime për fatin e mbi 2700 të zhdukurve shqiptarë në kohën e luftës? Çfarë prêt të fitojë Kosova, kur ende Serbia, humbësja e luftës, nuk ka kërkuar falje ndërkombëtarisht për gjenoncid mbi popujt e Ballkanit? Vlera e këtyre bisedimeve do të qëndronte në faktin, nëse deri tani do të kishte marrëdhënie normale midis Serbisë dhe Kosovës dhe kjo e fundit do të njihej prej saj.
Propaganda në Republikën e Shqipërisë dhe në Kosovë ka qenë e çekuilibruar mendërisht, në natyrën e një proteste apriori, duke i hedhur poshtë akuzat në formë emocionale dhe nuk ka pasur durimin dhe gjakftohtësinë, të pranojnë në të gjitha nivelet një inspektim dhe hetim të gjithanëshëm të institucioneve evropiane mbi akuzat. Kjo mënyrë reagimi dhe ky qëndrim, nuk janë të rastësishëm. Frika, se duke inspektuar për trafik organesh, mund të zbulohen veprimtari të tjera korruptive e antiligjore të trafiqeve dhe të pastrimit të parave, po bëhen shkak i pengesave që faktori ndërkombëtar të inspekjtojë normalisht.
Për ZSH- Kadri Mani