ÇENSORËT E POSTMONIZMIT
NGA SHEFIK SHKODRA
Në ndeja popullore, tradicionale, me njerëz të zejeve të ndryshme, mëson aq gjëra të bukura në jetë sa nuk do t’i gjesh në çfarëdo mësonjëtore evropiane e botërore. Shkurt, më mirë se me disa intelektualë – tregtarë të mallit kulturorë. E ka thënë dikush përafërsisht kështu diçka, para meje, nuk më kujtohet sinqerisht kush kur. Njëra prej thënieve e dëgjuar është edhe kjo: “- nuk ta blejnë mallin, mjeshtërinë po, ata që ende nuk e kanë mësuar!” Nuk ka sa duhet ‘myshteri’ edhe sot për krijimtarinë letrare artistike. Nuk ka subvencionime. Nuk ka vlerësues real dhe objektiv për këtë zeje. Është përzier politika me letërsinë e degë të tjera të artit e të kulturës. Barazimi është shprehur krejt me para. Edhe krijimtaria letrare. Këto faje i bartin disa njerëz që udhëheqin kulturën, por edhe disa që merren me këtë zanat drejtpërdrejt. Ata që e quajnë veten kompetentë – krijues të paprekshëm. Ata (disa) dëshirojnë t’i shohin veç hundët e veta, duke pas përfituar diç nga lidhjet konfidenciale e tepër sekrete, me mundësi për të abstrahuar çdo gjë tjetër përreth tyre. Askush nuk dëshiron t’ia thotë të metat e dobësitë askujt. Mirë, ka thënë ai me përvojë (ndoshta, Ramiz Kelmendi): “ka njerëz që më shumë kanë shkruar libra sesa që kanë lexuar!”
Njëherë ishte censurë nga diktatura e monizmit shtetërorë. Tash, në emër të një liberalizmi e demokracie u mbushën vitrinat me emra letrarësh. Dhe jo veç ata që vërtet kanë prirje për këtë zeje, por edhe ata që veç e kanë mësuar alfabetin. Po, mirë, le të shkruaj e botojë kush si të dojë, sado që kjo veprimtari e padefinuar te ne po i shkakton dëm krijimtarisë serioze e të mirëfilltë. Kjo farë euforie e diletantizmi ka ndodhur edhe te shoqëritë tjera të më hershme dhe kjo tashmë ka kaluar dhe janë gjetur forma të përshtatshme për tregun e tyre.
Sikur të ishte krejt e vërtetë
E bukura artistike sikur dhunohet e dirigjohet nga mekanikët e komercialistët. Po, herë-herë edhe nga egoistë e përçarës (si ndonjë poet mëhalle e oborri) që po bëjnë grupime selektive sipas tekeve dhe interesit individual. Sikur kur del në natyrë për vikende të lira me familjarë e miq. Sikur ata janë financues e patron kapitalistësh...
Kur dëshiron të tregosh se je i përkushtuar krijimtarisë letrare, s’ke nevojë t’i shash të tjerët. Të rrahësh gjoks e të bësh lavde për vete. Si fërfëllon këndesi krahët dhe kërlesh pendlat përreth ndonjë pule të pehatshme para mashkullit, njësoj përpjekja jote, të thërrasësh miletin se, vetëm ti je kompetent në këtë anë për këtë punë. Sikur vetëm ty Zoti ta fali dhuntinë artistike me përvojën paralindëse dhe atë tash e mban në dorë. Kujt të duash t’ia hapësh derën, këndo e lë jashtë ceremonisë. Fantazi e shtjerrë dhe e sëmurë! Është e pajustifikueshme të thuhet se, vetëm një është me nja dy-tre vetë në Anamoravë. Këta dy-tre i mbështetë sa për nevoja tuat, në realitet egoja jote as këta nuk do t’i përfillte në do rrethana tjera. Po jashtë këtyre, të tjerë nuk ka! Janë të pallogaritshëm në këtë vend. I nderuar, bën ndarje shumë të ngushta. Veç provincialistë e mëhallaxhinj dalim para botës. Apriori, me çfarë aftësie del me “ky është krijues letrar, ky tjetri jo!” Shpirti i poetit nuk është aq i ngrysur e aq i ngushtë, duke pas caktuar masë aq të padhimbshme për të tjerët. Dhe shumë inkompetent! Shfrytëzon burime financiare legale e më shumë ilegale, por jo për të gjithë. Jo për qëllim uniteti prej etikes poetike e edhe kombëtare. Shkon e merr njerëz më larg që të thuash para vendasve, “ja, unë jam këtu, unë bëj letërsi dhe unë qerasi kë dua!” Mëkatit nuk i ndruhet dikush asnjëherë. Merr vesh, ti njeri i kalemit dhe frymëqitës i “shenjtë”, me të cilën i përvëlon njerëzit pas shpine. Apo, ndoshta fryma jote edhe e ndonjërit si ty është frymë qelbanikësh. Si ua merr mendja lexues i nderuar? Lavdëraçi a ka brirë? Jo! Çka thotë? Rrah gjoks. Duke i urryer të tjerët, e bën vetën qesharak para botës. Kësi çartafelli është vështirë ta gjesh, jo veç në nahi, por në krejt vendin. Është shprehje jo poetike, por egoiste e narcizoide. Narcis, aq shumë je i dashuruar në vetvete me ‘dëshmi’ se ke tejkaluar provën aretiniane, pa e njohur kush ishte Aretini dhe veprat e tij, bile edhe atdhedashurinë e hedh në sprova nëpër kohë. Nuk mund ta quan kush tipin e tillë në emër të vet, pos – Ftigan! Është emër i gjinisë mashkullore, kur dikush tërbohet dhe thyen e prish çdo gjë për teke të tij personale, të tjerët i gënjen se po ndërton.
Dilema për gjendjen shpirtërore
E merr disi shumë të formuar (mos jemi keqkuptuar ndonjë herë), madje ia shtrëngon dorën kur e përshëndet, që ta rrëmbej me zemër gjithashtu. Po mendja i ikë te smira, pastaj te uzurpimet, duke mbiçmuar vetën si vlerë të pakontestueshme e tej mase. Po si ke për ta ndryshuar botën?! Nëse veç mendon diç të tillë, mbetesh i marrë. Bota është rrethi yt, në të djathtë e në të majtë, para e mbrapa. Nga personalitete që del herë-herë diçka e bukur e e dashur si rrjedhë lumi. Njerëzorja që të ngazëllen. Tek të del para si një kreator i vërtetë që lëshon rreze e frymë me mbresa të amshueshme. Një imazh që të veton në mendje ngjyra-ngjyra e me një nuancë të një hullie në sfondin e rimtë. Me fjalët e tij si qenie profetike. Shenjti qoftë! Thua, për të mirë!...e preksha si magjinë që jep forcë në mendje të intelektualit. Kërshëria të mbush me lezet njeriu para se gjithash, nga një botë pa diktime e ardhur, njëkohësisht edhe e pa njohur deri në atë çast. Do të thotë, sikur është e vërtetë, me prejardhje të veçantë. Fët! Si hije e një trupi të padimensione, si ëndërr që të merr në ankth. Të trishton e nuk e merr shumë të rrezikshëm. Po ngadalë, ta zë frymën hija e zezë.
S’bëhet krijues askush me titujt të varguar
Asnjëherë s’më ka shqetësuar puna e askujt. E atyre që i njoh më gëzon kurdoherë. Nuk kam dashur që ta ngacmoj për çfarëdo rasti askënd. Ti mua e askënd s’e bën krijues. Vargu i titujve të librave, herë herë është më shumë reklamë ambicioze. Kujt i thua se vetëm ti je i gjallë me këngën tënde propaganduese politike. I mashtron oborrtarët, po nuk ke krijuar gjë të re. I di kush ishin poetët dhe shkrimtarët botëror, të shkon mendja të mos e prekësh penën më me dorë. Ëndërr e mirë, si në shtrat me më të dashurën hyjneshë – kredhje e zgjim për diç të gjallimit dhe diç që e ruan me xhelozi deri në lindjen e frytit.
Epilogu poetik
Goma e përqyrravtë fshin e të lë pa zë, pa këngë, të vetmen e jetës reale që ke pasur. Vetvetes ia qet zërin e zi. Po ku e ke atë fryt që ke krijuar e do t’ia dhurosh njerëzimit: kur ishe në zez’ditë, a në ëmbëlsirat e aristokracisë. Panlaver! Kur dhe ku të mori harresa dhe nata e vetmisë me dhjetëra kilometra largësi, i përbaltur dhe i humbur në oborr pranë shtëpisë. Po, kur e pe vdekjen me sy? Sa herë dhe kur u ktheve në këtë botë pas vdekjes? A ishe syçelë e i gjithmonshëm, në dritë të hënës kur mbarove rrokjet më të dashura të jetës? Cila ishte dashnorja më e bukur e më e dashur që të la gjithë vjetët varur në hurin e hiçit? A e kishe ronitur kokën tënde ndonjëherë nëpër tryeza zdralesh nga thyerja e zemrës? Të ka përvëluar zëri i këngëtares me raki nga dhimbja e pamatshme e në pamundësi të rrëfehet te injoranca?! Sigurisht, qeshesh se, ke mësuar edhe pak politikë. Lindjen e ke ushtruar nëpër sokake, kudo e ke hedhur frytin në mbeturina nëpër kantanjerë. Arti për artistin është dhimbja më e vështirë në lindje! Ti ditën bën lojë artistike e palaçoje për elitat e përkohshme, natën atë të shtrigave. Pragmatist i peshatshëm! Të ndërzen ndonjë thadrim në rast përmjerrje dhe ngul grafite pa...çfarë krijon...? rrenë! Si ta merr mendja, i lirë je. Veç, të gjithë i fut në strajcën tënde, enkas të goditur aty për aty. Ndryshe mbetesh ngordhavec. Po dhe pa forcë, s’ke kthetra t’i qërosh aq të tjerët.
Prandaj, vijon edhe me krijimtarinë e dredhive, kurrë i korrigjuar!