Mendime
Selim Hasanaj: Krijimtaria popullore shqiptare sa asht në realitet shqiptare?
E premte, 10.06.2011, 07:22 PM
KRIJIMTARIA POPULLORE SHQIPTARE SA ASHT NË REALITET SHQIPTARE ?
Nga Selim M. Hasanaj*
Më ra në dorë këto ditë libri "RIZA BLLACA" në dy vëllime, botue nga INSTITUTI ALBANOLOGJIK I PRISHTINËS, viti 1997, Dega e Folklorit, botime të veçanta përgatitë nga: Dr. Rrustem Berisha, Dr. Sadri Fetiu dhe Mr. Jahir Ahmeti.
Meqenëse jam i pasionuem mbas folklorit tonë, sepse edhe vetë di disa dhjetra kangë folklorike, zakonisht ato me temë nga koha e artë e historisë sonë, "LIDHJES SË PRIZRENIT", të cilat, me çiftelinë si instrument shoqnues, i kam këndue dhe i kendoj ato prej dekadash nëpër ndeja miqësore, familjare e gëzime të ndryshme bashkë me rapsodët e njohun të Dukagjinit: Bajrush Doda, Rifat Berisha, Enver Moluka, Kadri Mani, Sali Sadiku - Morina, Osman Shaban Lajçi, Xhemajl Zeqiraj etj, etj. Pra, kur pash librin me titull emnin e rapsodit në za të Rrafshit të Dardanisë, RIZA BLLACA, mezi prita të ulem dhe ta shpalos.
Lexova së pari parathanjen që kishte ba Dr. Sadri Fetiu dhe që në rreshtat e parë të saj pash se entuziazmi im nga rreshti në rresht binte. Ndjeva se nuk do kisha durim t’i lexoja kangët e mbeldhuna dhe të shkrueme aty, kangë këto që me sharki i kishte këndue me dekada nëpër oda shqiptare Riza Bllaca.
Poezia popullore padyshim se asht vlerë e një populli, që asht trashegue tue u ruejtë e zhvillue nga brezi në brez nëpër shekuj. Por kjo poezi, mendoj unë, asht dhe duhet të jetë popullore vetëm për atë popull të cilit i kushtohet. Të jem ma konkret. Poezia popullore asht e tillë vetem kur i kushtohet me vlerat e veta kulturës, traditës, dokeve e zakoneve të një populli. Vetëm kur i kushtohet veprave dhe trimnive të atij populli, bukurive të natyrës dhe fenomeneve të tjera shoqnore të një territorit të caktuem ku jeton ai popull etj, etj. Pra, për mos me u zgjatë, unë po dal direkt te librat në fjalë, dhe sado që nuk ndjehem kompetent për të ba analiza të gjinive letrare apo të krijimtarive të ndryshme të artit të shkruem, megjithate ndjehem i aftë të baj një vështrim kritik dhe të demaskoj "vleren" artistike, "vleren" historike, "vleren" kulturore të kangëve të mbledhuna dhe të radhituna në këta libra nga tre studjues, dy nga ta me titullin e naltë shkencor DR, e tjetri atë MR.
Aspak nuk due të flas per rapsodin Riza Bllaca të cilin e kam pa vetëm një herë gjatë jetës sime në një dasëm diku në një fshat të Drenicës, ku ai këndonte në duet me Ibish Brojen. Aty u zhgënjeva në melosin dhe sjelljet e tij. Kënduen kangen e BEC SINANIT dhe Riza Bllaca ia thotë pa kompleks në një vend te strofa: ..." A T’KA NGUC KUSH E LUMJA NANË, DAL TASH NGJYS TNATES E JA Q.. ATË NANË..." Injoranca e krushqëve prezent pat shpërthye në të qeshuna dhe zgërdhimje, por ka pasë edhe të tjerë që, nga neveria, dolën jashtë, në ajër të pastër, sepse ajri i odës ishte i ndytë jo vetem nga pimja e duhanit, por tash ishte ndye edhe me fjalorin e kangëve që i kendoi rapsodi.
Pra, unë nuk flas per rapsodin Riza Bllaca, sepse jam i vetëdijshëm se ai ka qenë vetëm një talent me mbajtë mend kangët që i ka dëgjue nga ma të vjetrit që i kanë kendue, se për ndryshe ai vetë ka qenë analfabet, për mos me thanë edhe injorant.
Unë tehun e kritikes time e drejtoj te bashkautoret e librit " RIZA BLLACA ". Para se me fillue me disa pyetje për dy Dr. dhe Mr., autor të librit, unë do të përshkruej disa vargje të kangëve të rapsodit Riza Bllaca, të cilin këta tre autor: Dr. Rrustem Berisha, Dr. Sadri Fetiu dhe Mr. Jahir Ahmeti e paskan ngritë në piedestal artisti, sa po kam frikë se brezat e ri do të mendojnë se Nexhmie Pagarusha në krahasim me Riza Bllacen nuk paska qenë asgja. Për Nexhmijen, sado që e shpallem legjendë, sado që e meritoi titullin BILBILI I KANGES, deri sot për te nuk u shkrue asnjë liber, ndersa për Riza Bllacen, dy Dr. shkencash e një Mr i shkencave kanë ba dy libra me gjithsej 600 faqe.
Libri II. kanga I.
MUJI I LIRON SHOKET NGA BURGU I ZADRANIT
O,lum e lum, per zotin, atlumin!
Heret çue, oh, Muja m’ish kanun,
o, po i merr, tha, gjygym e legen,
o,i avdes të paq e kish marrun,
o, me vakt, po sabahin e fali.
Në radhë të parë kundershtoj idenë e gojdhanës gjithëshqiptare që u pranue edhe nga "shkenctarët" mjeranë e injorantë të shumtë shqiptarë, të cilët në një anë mbrojnë teorinë se figura e legjendes së kreshnikve Muji apo Muja ka qenë shqiptar, ndërsa në anen tjeter ata, përmes gojes së rapsodëve të shumtë analfabetë e dëgjojnë dhe e pranojnë këtë figurë kreshnike si islamist, si musliman, i cili tanë luftat e tij i ka zhvillue me kryqali, me qafira.
Mue më banë pershtypje kjo per faktin se vetë shkenca na meson se kangët dhe personalitetet e kreshnikve janë legjenda, çka do thotë se ata edhe mund të mos ken egzistue fare, por janë pjellë e imagjinatës të ndonjë krijuesi nga kohnat e lashta e edhe parahistorike. Mirëpo Muji dhe Halili janë dy personazhe të legendave kreshnike të cilat janë pjesë e pandashme e krijimtarisë popullore të shqiptarëve dhe të boshnjakëve.
Diku në vitin 1996, nëse kam mbajtë mend drejt, pata ba një replikë me Prof. Rushit Ramabaja në shkrimin e tij të botue në të përditshmen "RILINDJA", edicioni në Zvicerr; " A DO NGRITEN BOSHNJAKET POPULL MITIK " dhe atë qendrim timin nga ajo kohë e përsëris edhe tash. Muji, nëse nisemi nga fakti se historia thotë për të se asht përpjekja e fundit kundër zhganit sllav, atëhere Ai asesi nuk ka mujtë të jetë as boshnjak, sikur pretendojnë ish bashkështetasit e dardanëve, dhe aq ma pak të jetë i besimit islam-musliman. Kjo do thotë se rreshtat në strofat e pothuej të të gjitha kangëve të këndueme nga Riza Bllaca dhe nga pothuej të gjithë rapsodet e Rrafshit të Dardanisë, të Llapushes dhe të Drenices, por jo edhe të Dukagjinit, se si : Muji u zgjue heret, mori avdes, fali namazin etj., etj., janë pjellë e primitivizmit të rapsodve të viseve që i ceka, pra janë ata që kanë futë rreshta shtesë në kanget që janë përcjellë nëpër breza dhe kurrë jo vargje burimore nga koha kur personazhi Muji ka veprue e luftue.
Boshnjakët e kanë përvetësue për të tynin kreshnikun Muji, ashtu sikur kanë ba maqedonasit me Aleksandrin Madh. Pra ata e përvetësojnë dhe thonë se ka qenë figurë e tyne historike për shkakun se në kangët e thuruna nga populli hapsina gjeografike e veprimeve dhe luftimeve të Mujit asht Klladusha, sot një qytet ky në veripërendim të Bosnjes. Për mue, që nuk jam shkenctarë fare dhe nuk kam titull shkencor si Sadri Fetiu e shokët e tij në këtë liber, asht pikërisht fakti që e pranojnë edhe boshnjakët se Muji ka veprue në Klladush, Dobojë, Cazin etj., që vërteton kryekëput teorinë tjetër që asht në favor të shqiptarëve. Pra verteton se Muji vërtetë ka qenë përpjekja e fundit e rezistencës kundër zhganit sllav dhe invadimit të tij në trojet ilire, në ILIRI. E them këte per faktin se poashtu historia tashma e ka provue se fiset ilire ma heret shtriheshin deri në Vjenë, por në kohen kur filloi invadimi barbar i sllaveve të jugut kufijtë e ILIRISË ishin nëpër lumin Sava e deri në Emona (Lubjana), Petovija (Ptuj), Ilirska Bistrica (Lumbardhi Ilir) etj., etj. Klladusha dhe Doboj përkojnë me kufinin verior të ILIRISË.
Për të mos hy ma thellë në faktet e tjera historike, unë do të baj tash disa pyetje për të tre zotnitë Fetiu, Berisha dhe Ahmeti.
1. Ju jeni shkenctarë me tituj shkencorë apo jo. A ka, pra, mundësi që ju nuk i dini këto fakte, nuk e dini se koha kur Muji ka luftue në Klladushë e Doboj nuk ka pasë mundësi që njerëzit e atyne trojeve të kenë pasë besimin - fenë islame, pra as vetë Muji nuk ka dijtë çka asht as avdesi, as namazi? Simbas historisë ishte rreth vitit 990 dhe përpjekjet e fundit të ilirëve kundër zhganit sllav. Bile ashtu nga mbamendja e them (kam dijtë vitin kur ka fillue të perdoret kafja në Europë, por nuk po më kujtohet tash) se koha kur Muji ka jetue e veprue, nuk ka pasë as kafe, as xhezve e filxhana.
2. A keni mundësi të kuptoni se rreshtat e kangës që ka këndue Riza Bllaca dhe që i ka këndue edhe para tij Sefë Mleqani, Adem Borovci etj., etj., nuk janë asgja tjetër pos "MALLTERISANJE NA BOSHNJAÇKI NAQIN" (Bllatosje në mënyren boshnjake) për ta islamizue ngjarjen, legjenden dhe personazhin e saj, kreshnikun Muji. Si ju, tre shkenctarë, nuk e kuptoni se me figurat e kreshnikëve asht shkue aq larg nga injoranca shqiptare deri në ditet e sotme, sa edhe vëllajt të Mujit i asht ndrrue emni. Ai nga islamistët rapsodë shqiptarë, ashtu sikur nga pseudopatriotet e pseudoshkenctaret boshnjakë të Bosnjes thirret me emnin Halil, e jo si ai e kishte emnin, Sokol. Kjo nuk asht ba rastësisht, sepse dihet se emni Sokol asht emen i zakonshem shqiptar, tek shqiptarët e besimit të krishtenë (ma vonë edhe tek ata me besim musliman) dhe boshnjaket, per ta ba Mujin dhe Sokolin figura të veta epike historike, ata Sokolin e shëndrruen në Halil (Halile në gjuhen serboboshnjake). Këte hajni të tyne me dekada e kanë përshendetë edhe rapsodet si Ky analfabeti Riza Bllaca e të tjerë analfabetë me sharkija e karadyzena turqish në prehen. Unë e perseris se aspak nuk due ta trajtoj asnjë rapsod këtu dhe kerkoj falje pse në disa raste po duhet medomos t’i përmend; unë ju sulmoj ju "shkencëtarëve" dhe shkrimi im u drejtohet juve.
3.Pa shkue ma tej me fakte, ju baj pyetjen: A i dini ju këto fakte per personazhet e kangëve epike të kreshnikëve, per Mujin dhe Sokolin (Halilin sipas jush)?! Nëse i dini, si nuk ju ka ardhë "siklet" e të mundoheni të bani dy libra me 600 faqe shkrime të maskarallaqeve, pa asnjë vlerë artistike, pa asnjë vlerë kulturore, pa asnjë vlerë etnike, pa asnjë vlerë historike, maskarallaqe këto të ruejtuna neper breza tek shtresat e gjana popullore, apo thanë troç, tek injoranca e popullit? Them kështu sepse shtresat e intelegjencës së asnjë populli, dhe padyshim as të popullit shqiptar, kurrë nuk do mbanin mend as nuk do botonin diçka të tillë.
4.Po i drejtohem direkt Sadri Fetiut: Ti, "shkencëtar", në parathanjen e librit II, në faqen 13, rreshti 23, në vazhden e fjalëve miradije, tue e ngritë në piedestal rapsodin Riza Bllaca, shkruen: "Riza Bllaca fare rrallë kishte kenduar këngë që u kushtoheshin ngjarjeve të Luftës së Dytë Botrore dhe pas saj......."
A nuk sheh se ti këtu ban dy gabime: 1) zbulon shpirtin tand të lig të përbaltun nga kryet te kambët me ideologji moniste, ideologji të cilen tash e kamuflon tue u paraqitë patriot Sadri Fetiu, sepse historia e saktë asht vetem ajo që e trumbetoni ju, disa enverostalinstet e mjerë, shpirtshitun, të Dardanisë, fakte këto që veç të tjerash, ti i ke ba publike edhe me qendrimet e tueja kundër liderit shpirtnor e kombtar të shqiptarëve, babajt të shtetit Dardani, Dr. Ibrahim Rugovës. Dhe 2) Pa e pyetë fare, në vallen e kokboshëve injorantë si ti, e futë edhe rapsodin Riza Bllaca.
5. Si në librin e parë ashtu edhe në ate të dytin asnjë kangë nuk dallon me strofen e parë. Të gjitha fillojnë me zgjuemjen e Mujit, me avdesin e namazin e tij, me kafet dhe xhezvet e filxhanat. Të gjitha ngjarjet, përgaditjet para dueleve dhe luftimeve, fillojnë me BISMILAHI RRAHMANI RRAHIM. A nuk i keni pa ju shkenctarët e Institutit Albanologjikë të Prishtines këto maskarallaqe, këto përseritje monotone të rapsodit nga vargu në varg? A nuk ju vjen keq per titujt shkencorë që i mbani derisa injorancen dhe grumbullin e primitivizmit popullor ju e bani veper - liber me 600 faqe?
Unë po perfundoj këtë shkrim, por mendoj se me tema të tilla duhet të mirren dijetarë e shkenctarë kompetentë dhe ata ta pastrojnë letersinë tonë shqipe nga këto mbeturina shkrimesh, kangesh, recensionesh e kritikash.
Duhet të bahet kjo sepse nese njeriu ka kohë vetem dy ditë, ai do të shehë se epika jonë popullore asht mjerim, dhe per mendimin tim, ajo gati tersisht duhet të zhduket. Jemi i vetmi popull që si duket kemi shkue në ekstreme banale dhe sa per të mos ndejë duerkryq, kemi mbledh mbeturina tekstesh të kangve, pa ua vu veshin asnjanes, pa ua lëshue synin asnjanes, kemi ba grumbuj vargjesh të perserituna e të riperserituna nga disa dhetjra herë per ta ba sasinë, e aspak nuk na ka shkue mendja te vlera dhe cilësia. Shembull per këto asht libri RIZA BLLACA, dy vëllime. Nuk ka asnjë popull ashtu si na që merr për vlerë, per art, krijime tekstesh të familjarëve, që i thurin njani tjetrit per t’i hymnizue ata. Pothuej gati të gjitha kangët tona epike folklorike janë me tekste që aspak nuk perkojnë me realitetin. Ashtu sikur që ka shumë nga ato që u janë thurë nga i afermi edhe një krimineli e mizori, hajni e dhunuesi. Përderisa shkenctarët e mirfilltë heshtin dhe besa sikur këta këtu: Sadri Fetiu, Rrustem Berisha dhe Jahir Ahmeti, bajnë edhe libra me mbeturina të tilla, kam frikë se edhe populli do rritet në rrenat dhe ngulfatjet e mbeturinave e do të bahet grumbull mbeturine.
Faji per këtë asht i kompetentve, të cilët heshtin e disa edhe bahen pjesë e mbeturinave.
Sarpsborg - Norvegji: 08.06.2011
*Redaktor, Revista Drini