E enjte, 01.05.2025, 01:32 AM (GMT+1)

Mendime

Alfred Papuçiu: Shoqëria shqiptare dhe tranzicioni

E merkure, 08.06.2011, 07:59 PM


 

Shoqëria shqiptare dhe tranzicioni

 

Nga Alfred Papuçiu

 

Gjithçka që do shpreh më poshtë janë mendime personale, modeste, pa mllef, pa nerva, pa prapamendime, të prira nga dëshira e mirë që shoqëria shqiptare të futet shpejt në Europën e Brukselit. Kjo i përket asaj de facto dhe shpejt, nëse të gjitha forcat politike në Shqipëri, të çdo kahu, do të mendojnë për popullin e shumëvuajtur dhe jo për interesa personale, Shqipëria do të ketë vendin e saj « de jure » në Bashkimin Europian. Le të kujtojmë fjalët e të madhit Viktor Hygo. shumë dekada më parë: « Do të vijë një ditë kur bombat do të zëvëndësohen …nga një arbitrazh i nderuar i një Senati të madh sovran që do të jetë Europa, njëlloj si Asambleja Ligjvënëse është në Francë… ». Ai Viktor Hygo i madh që ne të « Europës tjetër » e kujtojmë me respekt drejtoi në vitin 1849 « Kongresin e Miqve të Paqes » ku u bë thirrje për « Shtetet e Bashkuara të Europës ».

 

Në vend që të denigrojmë Shqipërinë apo njeri tjetrin, duke i shkuar për hosh atyre, qofshin dhe të paktë, që nuk na duan, le të ngrejmë edhe ne nga një dolli për Shqipërinë në NATO dhe së shpejti në Bashkimin Europian, të jemi solidarë dhe në unison për çështjet e kombit, parlamentarë, pozitarë dhe opozitarë, si gjithë kombet e tjera të qytetëruara, si Zvicra që e mendonin Shqipërinë “rilindasit” tanë, që brezat e ardhshëm të mos na mallkojnë dhe të na fusin në kallëpet e atij “qoftëlargut” që shkon  nga e majta apo e djathta kur fryn era e ngrohtë për të dhe familjen e tij të ngushtë. Shqiptarët meritojnë më tepër se Karaburuni ku humbën jetën dhjetra njerëz të pafajshëm vetëm se donin të shihnin diçka tjetër në Europë. Europa është edhe Shqipëria, edhe Kosova, edhe vendet e tjera të Ballkanit, edhe ata popuj që ëndërrojnë të „kalojnë qoftë edhe njëherë kufirin në Evropë“. Jemi në epokën kur muri famëkeq  i Berlinit është kthyer vetëm në një relike për ata që janë koleksionistë …

 

A i ka mbushur kushtet shoqëria shqiptare për të bërë një hap përpara drejt familjes së madhe europiane ? Personalisht që e kam studjuar historinë e Europës, problemet rajonale, juridike, ekonomike, mendoj me një “PO” të madhe. Le të jap disa shembuj. Qysh kur hyn në aeroportin « Nënë Tereza » ke përshtypjen se je në një vend europian.  Autostrada është moderne, ndërtesa shumëkatëshe dhe të bukura, kudo Banka, shkolla, spitale, hotele, restorante dhe kafené moderne. Tregu është plot me mallra nga më të ndryshmet që as mund t’i mendoje në kohën e merhumit, kur duhej të zije radhën për një litër qumësht, apo ai fshatari na lutej t’i blinim një bukë të bardhë (ai s’kishte të drejtë ?!) për ta shoqëruar me bukën e misrit. Natyrisht, çmimet janë disi të larta në krahasim me nivelin e jetesës së Shqipërisë. Por po të shkosh tek lokali i Ervisit, një kafe, një gotë fërnet apo raki, një krikëll birrë kushton vetëm 50 lekë, në një kohë që në Perendim kushton të paktën pesëfishi.

 

A ka mangësi ? Edhe vendet me një demokraci shekullore kanë probleme. Për shembull, të bën përshtypje se në një kryeqytet perendimor dëgjon akoma psalljen me megafon të hoxhës nga xhamia e madhe afër Sahatit. Para se të shkosh tek Spitali amerikan II, ngjitur me Fakultetin e Mjekësisë gjen një pusetë të madhe hapur që siç duket nuk i ka rënë në sy Bashkisë së Tiranës (!?).  Cdo mëngjez gjen me dhjetra gazeta me çmime që nisin nga 10 lekë (gazeta “Sot”)  dhe që shkojnë maksimumi deri në 50 lekë, në një kohë që në vendet e Bashkimit Europian një gazetë e zakonëshme kushton minimum 2 euro. Vetëm se të bën përshtypje se shpesh gazetat ditore vendin kryesor e zënë njoftimet sensacionale. Nuk e di a do t’I rezistojë Zonja Roshi atyre dhjetra artikujve, versioneve nga më të ndryshmet të aktit të saj, natyrisht të dënueshëm, por edhe deri diku të justifikuar, për arsye personale. Ashtu sin ë disa vende perendimore ku armata e madhe e psikiatrëve dhe psikologëve “fërkojnë” duart për raste të tilla, këtu kemi të bëjmë me një dramë familjare të një femre të re që nuk duhet denigruar, por duhet mbajtur afër, për ta nxjerrë nga depresioni i thellë që ndoshta e ka kapur këto ditë.

 

Të duket se ky problem personal i dhimshëm, i shkaktuar ndoshta jo për fajin e saj, përbën strumbullarin e shqetësimeve të shoqërisë shqiptare në tranzicion, në një kohë që jeta vazhdon dhe ai biznesmeni i vogël sheh vetëm interesin e tij që të shtojë biznesin, ai fshatari të shesë frutat dhe perimet e kopshtit të tij,  ai mjeku, infermierja, personeli i sherbimit tek spitali amerikan, duke përfshirë edhe Jonin simpatik që shërben në kafenenë e tij, të bëjnë t’u heqësh kapelen dhe të kesh respekt për ta. Ajo pronare e librarisë , Silva, pranë Poliklikës Qëndrore të dikurshme, të shërbe me culture. Punonjëset e bankave qofshin ato të shtetit apo private përsëri të shërbejnë me kulture. Përsëri duke e pare me syrin e shqiptarit që jeton prej vitesh jashtë dhe me dëshirën e mire që vendi im Shqipëria të jetë i respektuar në arenën ndërkombëtare, mendoj se politika e jashtme duhet të synojë në ekuilibrin e marrëdhënieve midis fqinjëve, me të gjitha vendet europiane dhe më tej.  Ta kemi mire me grekun, turkun, italianin, bullgarin, çekun, qipriotin, maqedonasin, me popullin serb, por edhe me gjermanin, zviceranin, britanikun, me vendet arabe e më tej. Por politikës antishqiptare të ndonjë fqinji, kleriku të tij, apo diplomati, duhet t’I përgjigjemi ashpër duke mbrojtur integritetin, të drejtat tona të ligjshme. Ashtu, siç duhet të mbrojmë edhe të drejtat e mohuara të popullit çam në Greqi, pa pasur luhatje, për arsye të interesave ekonomike që na lidhin me atë shtet. Fundi I fundit, shqiptarët në Greqi u bëjnë nder grekërve, pasi bëjnë punët më të vështira dhe paguhen vetëm sa për të mbajtur frymën.

 

Botuesit tanë “te bredhur” në panairet ndërkombëtare, të mos synojnë vetëm tek Danielle Steel, apo autorë vetëm perendimorë, por t’u japin vend edhe autorëve shqiptarë të talentuar, autorëve që i afrojnë popujt, apo mbajnë gjallë me tregimet apo poezitë e tyre traditat e bukura shqiptare, gjuhën shqipe. Të bën përshtypje që mjeku diabetolog kërkon një libër të ish ministrit të jashtëm turk me zë. Apo një librar “kokëshkretë” ngre më tepër Pamukun, për të cilin kam respekt të veçantë se Kadarenë që njihet më tepër se një president  i një vendi qoftë edhe I madh, në botë.

 

 Kolegë të nderuar gazetarë, pa dashur t’u fyej, pasi nuk e kam në karakter,theksoj shkruani për problemet e mprehta të shoqërise shqiptare, apo argumentoni të mirat që do të ketë populli shqiptar  nëse futet në Europë; shkruani për ata shqiptarë që kanë bërë emër kudo ku janë vendosur, për ata shqiptarë që shkojnë si turistë apo tek të afërmit e tyre dhe pas tre muajsh kthehen në vatrat e tyre. Ata i dallon fisnikëria, karakteri i shëndoshë, burrëria, tipare të shqiptarëve fisnikë. Tipare diametralisht të kundërta me serbët apo popuj të tjerë që për një arsye apo tjetër e kanë shkelur ligjshmërinë e vendosur nga Bashkimi Europian.

 

Kam përshtypjen, ndoshta të gabuar, se ambasadorët e huaj sikur “i fusin hundët” më tepër se sa u takon në proçeset e zhvillimit të Shqipërisë në tranzicion. E kuptoj se shpesh ata që vendosin për fatet e Shqipërisë janë vetë shqiptarët, por ndërhyrjet e tepërta, si dhe marrja për krahu duhen shmangur tek Shqipëria dhe zyrtarët e saj.  Nuk dua ë kthehet koha e merhumit që “demaskonte” të gjithë të huajt për “ndërhyrje në punët e brëndëshme”, por ndërhyrja e sotme në kushtet e evoluimit të shoqërisë shqiptare, duhet të jetë më e matur. Nuk  kam lexuar ndonjëherë në shtypin e vendeve europiane që një ambassador I një vendi të “ndërhyjë” dhe të jape mesazhe të prera se si duhet të ecë francezi,  italiani, spanjolli, si duhet të hajë, të pijë dhe si duhet të votojë, apo…Ai përfaqëson vendin e tij në shtetin mik dhe duhet t’i përmbahet statusit të tij diplomatik. Vetëm kryetari i shtetit të tij, gjatë kontakteve me homologë të tij, mund të bëjë vërejtje, të cilat shpesh mbeten  në kuadrin e bisedimeve  me dyer të mbyllura.

 

Theksoj edhe njëherë: Nuk i perkas asnje partie politike, por si shqiptar i thjeshte, si ish diplomat, dhe funksionar i pavarur ne disa organizma nderkombetare per rreth 25 vjet, dhe me pjesemarrjen time ne shume konferenca nderkombetare, kam dashur dhe dua të jap një mesazh modest për lexuesin shqiptar dhe miqtë tanë zviceranë apo europianë, të Evropës që përfaqësohet në Bruksel. Gjithcka qe shpreh eshte personale dhe nuk perben  ndonje qendrim te ndonje grupimi politik, apo të një krahine të Shqipërisë apo Kosovës

 

Kam ngritur, jo pa qëllim në librin tim: „Meditim për shqiptarët, Europën dhe Kombet e Bashkuara“ (Toena), problemin e përkatësisë europiane apo në Aleancën Atlantike, të kombit shqiptar. Argumentat kanë qënë dhe janë të shumta për të bindur bashkëbiseduesit e shumtë për praninë e Shqipërisë „de jure“ dhe „de facto“në Evropë dhe në NATO prej kohësh: qysh në fillimet e demokracisë së brishtë. Nuk ka nevojë të bëhet shumë filozofi lidhur me këtë problem. Nuk kanë qënë shqiptarët më pak se qytetarë të kombeve të tjerë paqedashës, liridashës, mikpritës, bujarë, punëtorë, vendet e të cilëve janë pranuar shumë më parë në NATO, pas rrëzimit të diktaturave të tyre. Po nuk i dhe dorë një vendi të ri, s’ka si ai të përparojë. Kështu është vepruar me Greqinë, Spanjën, Portugalinë apo edhe me vende të Europës Lindore. Diznivelet do egzistojnë, por nuk mund të vazhdohet përjetësisht të pengohen vende që i përkasin Europës apo NATO-s dhe të mbahen jashtë tyre.Këtë duhet ta vënë vath në vesh jo vetëm ata parlamentarë europianë që i shohin me size të zeza zhvillimet në Shqipëri apo Ballkan, por edhe ata që vendosin për fatet e Shqipërisë, apo Ballkanit në përgjithësi.  Ata duhet me mature, me arsyetim, duke bashkuar në një emërues të përbashkët palët për çështjen europiane, të ndikojnë për të mirën e gjithë bashkësisë europiane. Taksapaguesit shqiptarë që punojnë në vendet europiane apo edhe drejtpëdrejt në Bruksel, paguajnë edhe për rrogën apo dietat e atyre parlamentarëve apo funksionarëve të instancave të larta europiane. Dhe ata duan një minimum considerate për djersën që derdhin.  Por fatmirësisht sot Shqipëria është pranuar në familjen e madhe paqëdashëse të Aleancës Atlantike, si rezultat sidomos i dashamirësisë së autoriteteve amerikane. Shqipëria e meriton një çmim  të tillë, pasi ajo është një partnere shumë e rëndësishme e paqes në Europë, e zhdukjes njëherë e përgjithmonë të nofkës famëkeqe të „ballkanizimit“, e vëllazërisë midis popujve. Ajo është një faktor i rëndësishëm i lirisë së ëndërruar edhe nga paraardhësit tanë që e mbrojtën me gjak tokën e tyre amtare, që e ruajtën të pastër gjuhën shqipe.

 

Eshtë kënaqësi e veçantë kur dal për shëtitje me familjen, pas punës së lodhshme të ditës. Buzë liqenit Leman, ajri ështe tepër i pastër dhe në fytyrë vjen flladi i freskët dhe çlodhës. Pranë hotel "Presidentit", ndodhet dhe ndërtesa e madhe e te Drejtave të Njeriut, ose siç quhet ndryshe Pallati Uillson. Thomas Uillson ka qënë presidenti i SHBA- së për dhjetë vite rresht, rektor i Universitetit të Princëtounit dhe guvernator i Nju Xhersit, strehë prej dekadash e shumë shqiptarëve të ndershem. Mendimi për krijimin e Lidhjes së Kombeve është meritë e këtij burri të madh shteti, amerikan. Uillson, mëse njëherë ka mbrojtur pavarësinë dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë. Shpesh hidhem në kujtime të largëta. Në ato vite, kur ishim të detyruar dhe « të ndaluar » që të bisedonim me përfaqësuesit e « imperializmit amerikan » në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, Gjenevë apo gjetiu. Natyrisht, kultura politike e një pjese të përfaqësuesve realistë të Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara, si dhe lidhjet me përfaqësues të vendeve mike të Bashkimit Europian, apo të NATO-s, sillnin si rezultat që disa prej tyre, shpesh e kapërcenin rrezen e ngushtë të politikës së atëhershme, megjithëse ndeshnin me « rodhen »  e nomenklaturës që nxihej dhe skuqej në fytyrë. Ata diplomat të aftë, si Shaban Murati , Ksenofon Krisafi , Artur Kuko, me shokë sot, përçonindhe përçojnë  ndjenjat e popullit shqiptar për një jetë më të mirë, krahas NATO-s, Amerikës, Europës, lirisë, të drejtës, apo parimeve të Kombeve të Bashkuara. Pra edhe « Europa tjeter », ku bën pjesë Shqipëria, edhe për pak kohë jashtë « Bashkimit Europian », si rezultat i presioneve dhe bëmave të disa antieuropianëve pa cipë, po luan edhe ajo rolin e saj si ndërmjetësues dhe shtet me të drejta të barabarta, si vendet e tjera Anëtare të NATO-s, për të ardhmen e Kosovës, të Ballkanit apo edhe më tej, të Europës. Gjeografia, kultura dhe politika kanë bërë që edhe kombe që më parë kanë qënë vetëm objekt i historisë, tani janë bërë subjekt i saj dhe nuk janë më jashtë ndërgjegjes europiane.

 

Edhe atij « qoftëlargut », ish diplomat me një dhëmb floriri, apo edhe pa dhëmb të tillë, pasi e ka mbuluar, që është strukur  diku atje në apartamentin e tij në Gjenevë, pas pranimit të Shqipërisë në NATO, i sygjeroj të mos bëjë më “gam gam” kundër vendit të tij , edhe pse në tranzicion dhe njerëzve që e përbëjnë atë.  Ashtu, si edhe funksionarë ndërkombëtarë, qofshin këta të nivelit të lartë apo edhe në drejtoritë përkatëse që merren me « Europën tjetër », apo NATO-n, konsultohen me funksionarët shqiptarë, sado të paktë që të jenë ata. Kam  pasur dhe kam respekt të veçantë për gjithë ata kolegë të kombeve të ndryshme që në një çast apo një tjetër merrnin edhe mendimin tim për çështje që kishin të bënin me Shqipërinë, por edhe rajonin rreth saj, Kosovën dhe viset, Maqedoninë, e cila më 8 prill 1993 u pranua si anëtare e Kombeve të Bashkuara me unanimitet nga 181 vende që e përbëjnë këtë organizatë me prestigj…Kam në dorë një libër rreth 500 faqesh, si dhe të tjera, me dedikim nga zvicerani Basil Shader (Schader), shembull tepër domethënës, larg  lavdeve të dikurshme të m-l  për E.H. , apo edhe nxirrjes së realitetit për shqiptarët nga shtypi dhe botimet e « bulevardit » dhe « kronikat e zeza ». Ai është profesor i Universiteteve të Zyrihut dhe Tiranës. Kur më dërgoi letrën e parë, me një kërkesë për t’i çuar librin tim « Nxënësja e etur e gjuhës romanshë », me një shqipe të pastër, mendova se ishte ndonjë bashkëkombas ynë nga Kosova. Por kur më dërgoi librat e tij dhe sidomos atë prej 500 faqesh, botuar nën kujdesin e prof. Gjovalin Shkurtaj, u befasova dhe me të vërtetë u emocionova, se kisha të bëja me një zviceran që e di më mirë shqipen letrare dhe të folur, se një pjesë e bashkëatdhetarëve tanë. Prof.Dr. Basil Schader ja u kushton librin e tij të fundit « Shqiptarëve kudo në botë, me shpresën dhe dëshirën që të ruajnë gjuhën e tyre të bukur, kulturën e tyre të lashtë dhe identitetin e tyre si shqiptarë ». Ai në të nuk flet vetëm për gjuhësinë, por edhe për bashkëjetesën 30-të vjeçare midis zviceranëve dhe shqiptarëve ; për Zvicrën në perceptimin e mërgimtarëve shqiptarë ; për shqipen që i përket familjes së gjuhëve indo-europiane, për faktin se atë e flasin rreth 6,5 milionë shqiptarë ; për shqipen që është një prej gjuhëve më të lashta të Ballkanit dhe preardhjen e saj nga gjuha e ilirëve, të cilët kanë ardhur në Ballkan që në fillim të mijëvjeçarit të dytë para e.s. Gjithçka ky zviceran, mik i vërtetë i shqiptarëve e ka të bazuar në fakte historike, jashtë çdo lustre apo nxirrje të realitetit. Siç shprehet në parathënien e librit prof.dr. Gjovalin Shkurtaj : « Prof. Dr Basil Shader është një personalitet i dalluar dhe dashamirës i Shqipërisë dhe shqiptarëve, i cili përveç ndihmesave që jep për shqiptarët në Zvicër, së bashku me gruan e tij, zonjën Erika, ka kontribuar shumë edhe për rindërtimin dhe pajisjen e shkollave të komunës së Balldrenit (Lezhë). Prej disa vjetësh ai është lidhur me mësues dhe drejtues të arsimit të asaj komune dhe ka sjellë ndihma të konsiderueshme financiare për ndërtimin e pajisjen e shkollës fillore të Torovicës dhe asaj tetëvjeçare të Kolajakut, si dhe për pajisjen me mjete mësimore të shkollës së mesme të Balldrenit. Për meritat e ndihmesat e tij të vyera, Këshilli Bashkiak i Balldrenit i ka akorduar prof. Dr. Basil Shaderit dhe bashkëshortes së tij, titullin « Qytetar nderi » në shtator 2002 ». Një shembull i një njeriu fisnik që i respekton shqiptarët, kombin shqiptar, por që edhe ata e respektojnë dhe e pranojnë në gjirin e tyre. Të tillë duhet të ishin dhe ata që shkruajnë « Ligjërata… » apo për « Bulevardin Zogu i Parë », në Tiranë, ku pasi kanë qeshur, por edhe nënqeshur, kanë pirë e ngrënë nga shqiptarët, vjellin vrer dhe përçmojnë bashkëbiseduesin e sinqertë që flet edhe për historinë e kombit të tij, me të vërteta historike, për dëshirën e tij për të qënë në familjen e madhe europiane, si tanin ë Aleancën Atlantike. A është e udhës që ndonjë autore shqiptare, bashkëkombas në Zvicër (sado që përbën minoritetin) apo ndonjë parlamentar « qoftëlarg » me humor therës negativ, të thotë për bashkëkombasit e vet « Jemi në Shqipëri. Këtu nuk bëhet shaka... » Dhe kritikja letrare frankofone, pa e parë Shqipërinë, por duke u nisur nga stili narrativ i tregimtares thotë se një fjalë e urtë shpreh për mrekulli Shqipërinë : « Vis que je te haisse, et meurs, que je te pleure ! » (Jeto që të të urrej, dhe vdis që të të qaj). O Zot deri ku arrin mendja e njeriut për kombin e vet që e ka nxjerrë në dritë, për ata fqinjë të pastër, punëtorë, gazmorë, paçka se ajo dhe ai historiani duan të vënë shenjen e barazimit, me atë diktaturë dhe me « rodhet » e nomenklaturës që shijnë dhe përfitojnë akoma nga demokracia e brishtë. Shkrimtarja shqiptare bën mirë të marrë shembull nga e paharruara, e ndjera shkrimtare zvicerane Liliane Perrin për « Një bashkëshort pa rëndësi » që do shohë shpejt dritën e botimit në shqip. Apo librin e romancieres tjetër zvicerane Anne-Lise Thurler me romanin « Agimi i errët tek fusha e mëllenjave ». Ky roman është shkruar me vërtetësi dhe humanizëm, është si një biografi përfaqësuese e mijra e mijra shqiptarëve nga Kosova, të cilët si rezultat i dhunës dhe torturave të pësuara nga pushtuesit serbë, u detyruan të shkojnë në mërgim për të pasur një jetë më të mirë për familjet e tyre. Selajdin Doli që është edhe bashkëautor i librit, i torturuar dhe i burgosur për vite të tëra më kot, është mirënjohës ndaj shkrimtares zvicerane, pasi ëndra e tij u bë realitet me këtë libër ku shfaqen me realizëm karakteri dhe vuajtjet e një populli martir. Pas leximit të këtij libri, më vijnë ndërmend fjalët e Ismail Kadaresë, në tetor 1992, i cili në parathënien e romanit të Liliane Perrin, ka shkruar ndër të tjera : « Realiteti kafkajan dhe i përditshëm i këtyre të rinjve shqiptarë të Kosovës që përpiqen t’i shpëtojnë me ikje dhe migrim fatit të keq të një populli që nuk duket se mund të imponojë vendin e tij të ligjshëm në hartën e Ballkanit dhe të Europës. I vetmi komb i kontinentit të vjetër i ndarë në dy, që është akoma përballë Golgotës së tij…Nëse këto faqe të shquara janë larg çdo ambicjeje apo zhargoni politik, shprehet Kadaré, ato shkojnë më larg se sa një trillim i thjeshtë, më larg se sa një takim pat ë ardhme ».

 

Mjafton që autorët nihilist, qofshin këta shqiptarucë apo të huaj,  të shohin edhe « jetët e dymbëdhjetë Qezarëve », 12 biografi të ndara në 8 libra për Qezarin, Augustin dhe trashëgimtarët e tyre julio-klaudienë (Tiberin, Kaligulën, Klaudin, Neronin) ; apo për tre perandorët e vitit 69 (Galba, Othoni, Vitelliusi), ato të tre perandorëve të dinastisë flaviane (Vespasienin, Titysin, Domilienin). Në to mëse njëherë përmenden me respekt Ilirët, paraardhësit autoktonë të « shqipëtarëve », « arbanasve », « arbëreshëve », « arvanitasve ». Çfletoj herë pas here, ndër të tjera nga biblioteka ime, edhe librin e Gaston Boissier i Akademisë Franceze « Ciceroni dhe miqtë e tij », studim mbi shoqërinë romake të kohës së Qezarit, botuar nga libraria « Hachette » në 1923. Në të përmenden me simpati dhe shqiptarët. Po t’i kthehem qoftë edhe me dy rreshta librit të profesorit francez Zhorzh Kastelan « Historia e Ballkanit » ke respekt për këtë studjues që i jep vendin që meriton edhe « Europës tjetër », pra ndër ta dhe Shqipërisë dhe librin ja dedikon : « Kolegëve dhe miqve të mi në Shqipëri, Bullgari, Greqi, Rumani, Turqi e ish-Jugosllavi, të cilët gjatë një çerek shekulli më bënë ta kuptoj e ta dua Ballkanin ». Këtyre historianëve duhet t’u jepen në dorë dhe t’u besohen arkivat e shteteve europiane, në mënyrë që e vërteta historike të mos shtrëmbërohet dhe t’i shkojë për hosh keqdashësve të « Europës tjetër » për ta përçarë atë, për të futur pyka midis tyre. Zvicerani Urs Altermatt, profesor i historisë së sotme në Universitetin e Friburgut, dhe Bernës, Zvicër, në prologun e librit të tij « Etnonacionalizmi në Europë », botuar nën kujdesin e Fondacionit PRO HELVETIA në shqip nga « Shtëpia e Librit dhe e Komunikimit », thekson : « Sarajeva nuk është aksident. Kryeqyteti boshnjak qëndron në një radhë të gjatë vendesh që ngrihen në murin e historisë se re europiane si përmendore ndarjesh etnike dhe dëbimesh me motive raciste, kampesh përqëndrimi, luftërash civile dhe genocidesh :Konstandinopoja, Auschwitzi, Katini, Belfasti, Nikozia, Hoyerswerda… »

 

Jam i mendimitsi shumë kolegë të mij të kauzës europiane për Shqipërinë se hendeku midis « Europës tjetër » dhe Europës së 27-tëve nuk duhet të thellohet më. E vërtetë se epoka e E.H. e kishte hequr Shqipërinë nga historia e përgjithshme e civilizimeve europiane, pasi ishte cilësuar një « vend i mbyllur », « hermetik ». Por tani Shqipëria dhe shqiptarët nuk janë më si portugezët kur « flakën » diktaturën në 1964, apo spanjollët që fshinë frankizmin dhe hynë në Europën e Brukselit, megjithë mangësitë që kishin në ato kohë. Shqiptarët nuk janë më si italianët, grekët dhe popuj të tjerë që u detyruan në fillim të shekullit të 20-të, apo edhe më vonë të merrnin rrugën e kurbetit, atje në Amerikën e largët. Është e vërtetë që « arbanasit » kur u larguan nga vitet 1700 nga tokat e tyre amtare, u detyruan nga të tjerët të ndronin emrin, siç u detyruan edhe shqiptarët krishterë në kohën e otomanëve të ndryshonin emrat e tyre për të pasur një punë në administratën e asaj kohe. Megjithatë të vërtetat dhe vlerat e një kombi nuk mjund të shuhen. Është e vërtetë që nga « padija » apo enkas, bashkë me qingjat shqiptarë, u grabitën dhe u shitën për dy kacidhe edhe zbulime arkeologjike, siç ka ndodhur edhe me kombe të tjerë. Por ato nuk mund ta lënë Shqipërinë në një « Europë tjetër » për shumë kohë. Voskopoja, Apollonia, Butrinti, Berati, Ardenica, Gjirokastra, Durrësi, Kruja… janë vlera që i përkasin civilizimit europian…

 

Miku im arkitekti me famë botërore, Franko Marusich (nga familja Marubi), si edhe unë ruajmë si të shenjta pemën gjenealogjike të familjeve tona, si edhe shumë familje në Europën e të 27-tëve. Nxisim edhe fëmijët tanë t’i kenë ato, si dhe fotografi të familjes, gjyshërve dhe gjysheve. Bëri mirë e krishterja Zografë, mbesë nga Kokoneshët e Podradecit që na dërgoi jetëshkrimin e gjyshit dhe gjyshes së saj që të mos e harrojnë brezat e ardhëshëm. Ato do transmetohen brez pas brezi. Është e vërtetë se gjuha jonë dihet se është e folur që në « kohën e Perëndive », por historiografia perendimore i ka anashkaluar disa herë të vërtetat historike të « Europës tjetër », sidomos të Shqipërisë dhe Kosovës. Të jesh në Aleancën Atlantike, në Europën e Brukselit apo edhe jashtë saj, është një mënyrë e përkohshme jetese në të përditshmen e një qytetari europian, për të cilën unë shprehen pa prapamendime…Të gjithë jemi të ndërvarur dhe të lidhur me njeri tjetrin. Sipas mendimit bashkëkohor « Individualiteti » ka kuptim vetëm kur je në një grup dhe kur shkëmben mendime, por edhe kulturën, me të njëjtën barazvlerë. Shumë vende që hynë vite më parë, apo edhe vitet e fundit në Europën e Brukselit dhe u shkëputën nga « Europa tjetër », nuk kishin të njëjtin nivel zhvillimi, siç e kanë sot, pasi kanë marrë subvencione të shumta. Korrupsioni në « Europën tjetër » është i dukshëm dhe në anën e « civilizuar ». Kjo si rezultat i një të vërtetë, pasi njerëzit bëhen të pangopur por disa herë edhe nga xhelozia…Por lexojmë çdo ditë lajme të mira…British Airways, Luftansa, Alitalia, Austrian Airlines dhe shoqëri të tjera ajrore mbulojnë fluturimet në Shqipëri. Urojmë që edhe shoqëri të tjera ajrore europiane, në interes të përfitimit reciprok, ta bëjnë këtë, përveç atyre egzistueseve. Lexojmë se edhe agjenci udhëtimi  në disa vende perendimore organizojnë udhëtime në Shqipëri, siç organizon me efektshmëri dhe me fitimprurje maramendëse Turqia, me zonën turistike të Antalias, Stambollit e gjetiu. Jetojmë në një epokë të jashtezakonshme, plot shpresa dhe shqetësime, një epokë ku zbulimet pasojnë njëra tjetrën, ku qëndrimet e kundërta nuk kursejnë as zakonet dhe as traditat më solide ; një epokë ku problemet që dje nuk viheshin në dyshim : të energjisë, të zhvillimit të vendeve europiane, të strukturave politike të botës së industrializuar, sot përbëjnë një shqetësim për disa ; tani jemi « të pushtuar » nga Televizionet publike dhe private, si dhe gazetat e shumta ; sociologu kanadez, Herbert Marshall McLuhan me analizën e tij të mediave, « revolucionare » për epokën shprehet : « Nga të gjitha anët ne na vjen informacioni me shpejtësi të madhe, me shpejtësi elektronike. Mund të thuhet se ne të gjithë bëjmë pjesë(…) në një fshat botëror »…

 

Ka ndonjë që “në këtë fshat botëror” , siç e theksova edhe më sipër, don të shtyjë hyrjen e Shqipërisë « de jure » në Bruksel pasi u pëlqen fuqia e lirë punëtore shqiptare, mungesa e mbrojtjes së tyre nga « shteti i së drejtës » ku jetojnë…Por ne jetojmë edhe në një epokë të solidaritetit ndërkombëtar, kur i jepet dora njeri tjetrit. Në këtë ndërvartësi të thellë, kufijtë pothuaj fshihen midis njerëzve apo edhe shteteve fqinje. Zvicra dhe Franca në kufijtë e tyre, nuk kanë mure ndarëse, apo tela me gjemba. Por kanë bimësi dhe lule. Natyrisht kontrollet « e lëvizshme » nuk mund të shmangen ndaj keqbërësve.

 

Lexoja këto ditë intervistën e një shkrimtareje, vepra të së cilës i kam lexuar edhe më parë, por që s’njihet nga lexuesi shqiptar. Do t’i kthehem asaj përsëri në shkrimet e mija. Ajo që më bëri përshtypje ishte kjo frazë e saj: « Jeta na punon renga të pabesueshme dhe për aq sa pranojmë dhe që ne mund të veprojmë, mund ta kthejmë çdo situatë në mënyrë pozitive dhe të dobishme, jashtë çdo situate që na ishte propozuar në fillim ». Pra edhe pse « funksionarët jugosllavë » në kufijtë me Shqipërinë u thoshin turistëve dhe vizitorëve të huaj që do shkonin nga ish-Jugosllavia në Shqipëri : » Kur të ktheheni, në rast se kaloni këtej, ne do t’u marrin çdo botim të nxjerrë në Shqipëri…Edhe broshurat turistike dhe librat e artit… ».

 

E njejta gjë ndodhte në 1988 kur shkruan gazetari francez shkruan në « GEO » për Shqipërinë si « vendi më i çuditshëm në Europë » ku ndër të tjera thotë: « Para se të nisesha nga Franca, agjencia e udhëtimit atje kishte shpërndarë një qarkore: « Materiali i shtypur jashtë Shqipërisë nuk është i autorizuar të hyjë në Shqipëri. Veçanërisht, prospektet mbi Jugosllavinë dhe revistat pornografike…Një pensionisti të Metz (qytet në Francë) iu konfiskua një e përjavshme sportive. Kurse një udhëtar tjetër duhet të lërë aty në doganën e Hanit të Hotit disa revista mode… »

 

Këto rregulla të dy vendeve fqinjë të « Europës tjetër » uroj t’i përkasin së kaluarës. Asaj të kaluare kur megjithë mbylljen, izolimin, shqiptarët në Durrës shihnin si para një TV në Amerikë me dhjetra stacione televizive italiane dhe ëndërronin që një ditë deti Adriatik të ngrinte dhe ata të shkonin në këmbë deri atje ; ato i përkasin së kaluarës kur ata qindra shqiptarë të të dy anëve të kufirit shihnin telat me gjemba që kishin ndarë për jetë vëllezër dhe motra të një fshati (si ajo punëtorja shqiptare në korridoret e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork në vitet 80-të), apo kur krismat e pushkëve rrëzonin pa jetë trupat e të rinjve që donin të shihnin dhe të shkonin në Europën e Brukselit për të bërë një jetë më të mirë ; apo kur ai arsimtari atje në bjeshkët tona të bukura, krahas mësimit të letërsisë që u bënte vogëlushëve dhe adoleshentëve malësorë, mësonte dhe vetë një gjuhë të huaj, për të pasur një dritare më vonë në botën tjetër, atë të « parajsës perendimore » ku duhet punë shumë, për t’u argëtuar pastaj me familjen, me shokë e miq të mirë.

 

Më lejoni që këto mendime të mijat t’i përfundoj me disa refleksione të një dite qëndrimi në Tiranë. Ka edhe nota gazmore, por mbi të gjitha janë shënime të sinqerta të një banori të lindur në Tiranë 64 vite më pare, me origjinë nga Voskopoja, por që të parët e tij u detyruan të vendosen në zonën afër bregdetit në Fier në vitet 1700, si reultat i një termeti. Të më falin lexuesit që po u marr kohën dhe pres me kënaqësi vërejtjet dhe sygjerimet e tyre, por jo partiake…

 

Shënime të një dite të lumtur në kryeqytetin shqiptar ku kam lindur

 

2011/6/6 Alfred. Papuciu <alfred_papuciu@sunrise.ch>

Te nderuar miq, Jeta ketu ne Shqiperi eshte e vrulleshme. Mengjezet fillojne bukur me kafen ristreto apo makiato, shoqeruar me fernet apo raki nga Zicishti, nga damixhani qe kemi marre me mikun Luan Kola banues ne Florida, tek vila e Thani Naqo. Pastaj vazhdon dita me dreka dhe darka me te ftuar te shumte. Ka nga ata shqiptare qe qahen, ka nga ata edhe qe qeshin, Ka shkrimtare dhe letrare qe shkruajne dhe qe botojne librat e shumta. Librarite kane libra shumengjyreshe, të autorëve nga Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët në Diasporë, te botuara bukur qe i ka zili dhe Perendimi per estetiken e tyre. Natyrisht, shqiptaret, pervec anëtarëve të Zemrës Shqiptare  dhe te disa websideve ne Londer, SHBA, Kanada, Shqipëri, Kosovë e gjetiu, nuk lexojne shume. U perpoqem te benim promovimin e dy librave te nje mikut tone ne nje "Bistro" me emer ne Tirane, por diten tjeter pronari falimentoi, pasi klientet jo vetem qe nuk blene librat, por edhe i kthyen atij krahet dhe shkuan ne nje kafene tjeter. Vetem Taiwani, Colosseum, Lavoglia dhe kafenete e Bllokut jane plot. Edhe ajo prane viles se ish...E.H. merhumit qe nuk e mendonte se nje dite shqiptaret do te beheshin te ndergjegjeshem se ai i kishte lene shume prapa. Vetem disa nostalgjike shperndajne akoma librat e tij, apo ato shiten tek ura e ndertuar midis Shallvareve dhe Bllokut nga shites ambulante. Siç shiteshin pak kohë më pare orë me fytyrën e E.H. apo çakmakë e ku ta di unë se ç’u pjell mendja “marksistë-leninistëve” të sojit të Mao Ce Dunit. Tirana eshte bere e bukur me pallate me ngjyra, me rruge te rregulluara, paçka se gjen edhe puseta pa kapak tek rruga drejt Spitalit amerikan, prane fakultetit te Mjekesise. Tregu i shumices te kujton tregjet e Singapurit, te Nju Delhit, te Dubait, te Antalias, të çifutëve dhe të rrugës 14-të në Nju Jork, pa harruar Harlemin. Mallrat kineze gjenden kudo. Njerezit jane simpatike dhe shpesh te ofrojne edhe kafen, sic ndodh me turqit ne Pazarin e Antalias qe te ofrojne cajin me aroma te ndryshme. Miku im Luan Kola qe ka ardhur nga Florida ka mbetur i permalluar si edhe une. Vetem se parate po na harxhohen, pasi shoqeria e konsumit e papare ne kohen e Enverit t’ i merr ato pa pyetur fare se mund te mbetesh nje dite pa kafe...

 

Prandaj te nderuar miq, mendoni edhe per ne ketej qe te kalojme dite te lumtura, pa stres (prandaj po perkthej librin e Profesorit te nderuar zviceran Alain Golay " Maigrir sans stress". Pra jo vetem na duhen para per kafe dhe mish qingji e viçi, për raki, verë e birrë, por edhe per botimet tona. Vini doren ne zemer dhe na dergoni ca dollare qofshin amerikane apo kanadeze. Pranojme edhe monedha te tjera, pasi tek rruga e Bankës së Shtetit jane me shumice ata qe i konvertojne ato ne leke. I jemi drejtuar deri tani mikut tone Thani Naqo, xha Miços, por s’ kemi marre pergjigje, prandaj ndikoni tek ai dhe te tjere qe te mendojne edhe per ne ketu...

 

Beme shaka, por te themi te drejten Shqiperia ka ndryshuar per mi qytetarëve që t’i blinim bukë të bardhë për ta shoqëruar me të). Nuk duhet pare ajo me sytë e nostalgjikut, apo atij që ishte mësuar me radhët pafund për të marrë një liter qumësht, djath, gjizë, vezë, bukë (ai fshatari i shkretë hante vetëm bukë misri dhe na lutej nev Natyrisht duhet nje ekuiliber i forcave politike, sidomos atyre parlamentareve qe mendojne vetem te mbushin xhepin e tyre. Ata duhet te mendojne edhe per popullin e shumevuajtur shqiptar, per te cilin rruga europiane eshte e pakthyeshme. Te drejtohet Shqiperia si Zvicra e vogel ku te bejne pjese sebashku forcat politike te se majtes, te mesity dhe te se djathtes. Keshtu do te avancoje edhe Shqiperia, I duhet thene mjaft qarjeve te disa politikaneve te cilet pa dashje e shtyjne futejne Shqiperise ne Europen e Brukselit ne "kalendat greke". Shqiperia ka qene dhe eshte Europe, ashtu sic jane edhe popujt e tjere qe e perbejne ate. Kete duhet ta vere vath ne vesh edhe Parlamenti Europian apo Bashkimi Europian. Shqiptaret s kane me pak se spanjollet, portugezet, italianet, maqedonasit, bullgaret, rumunet etj. E tregon edhe vajtja e tyre ne vendet europiane dhe kthimi pas tre muaj qendrimi ne vendin ame. Shqiperia eshte nje vend me vlera, ka detin, malet, Devollin, Voskopojën, Saranden, Valbonen, Tepelenen, Fierin, Vloren te ciles i kendojne aq bukur anetaret e "Botes se Re". Vangjushi i kendon dashurise, si edhe Papi i Sen Pitit. Thani i kendon dashurise dhe na kujton rinine e hereshme, Raimonda na solli kater libra te bukur dhe presim te vije ne Tirane te promovoje librat e saj. Kezja dhe Qemali sjellin nje pjese te koloritit shqiptar me emisionet e tyre ne TV ne Nju Jork. Kostaqi na sjell Korcen, Vullneti treven e tij, Kristaqi shkruan aq bukur historira ku gershetohet mjedisi shqiptar me ate rus etj, Aleko na sjell jeten jo vetem ne Elbasan por edhe ne France, Alma Gjermanine dhe Shqiperine, Fuati po pergatit dicka per vendin e bukur dhe social Kanadane. Petraqi ka sjell romane dhe tregime nga jeta në Korçë e gjetiu, si dhe tregime për fëmijë apo për kafshët. I kudo ndodhuri, prof. Murat Gecaj merr pjesë në përurime librash dhe në arkivin e tij fotografik ka mbi 10000 fotografi me miq e shokë të cilat mendon t’u a japë pas dhjetë vitesh me çmim të shumëfishuar...Me falni se nuk me le vendi t i permend te gjithe por mesazhet qe jepni ju jane shume domethenese, pasi beni qe brezi i ri edhe ne Amerike, Kanada e Europe te mbaje te paster gjuhen shqipe dhe te mos harroje se nga kane ardhur prinderit e tyre. Gjenealogjia eshte nje shkence e mirefillte qe e pasurojne jo vetem francezet por edhe popuj te kombeve te tjere, edhe shqiptaret...

 

Me falni se ju mbajtja gjate por emocionet i kam te perditeshme dhe nuk e di se si do te bej kur te kthehem ne Gjeneven multietkine ku qendroj prej 24 vitesh. Edhe atje bukur eshte, por nuk ka me te bukur se vatani, miqte e shumte, njerezit e kukturuar dhe fisnike, punetore, packa se disa fqinje te mprapshte na kane vene etiketa te ndyra, per te na zemeruar. Por ne me shkrimet tona, me analizat tona, qofshim profesore letrare apo shkrimtare u japim atyre pergjigjen e merituar. " E dini pse nena folene ne zemrën e saj e ka, sepse bashke me gjirin e saj, dashurine per Atdhene na dha" shkruante dikur im at i paharruar, qe me 3 qershor 2011, kishte pervjetorin e 38 te vdekjes. Vdiq ne Shkoder qe e donte shume dhe kish miq te mire, ashtu sic kishte edhe gjetiu ne gjithe Shqiperine. U largua pa mbushur 53 vjec por me la nje kujtim te bukur, te nje njeriu te thjeshte, dashamires...

 

Respekte per te gjithe ju miq te mire

 

Alfred Papuciu

 

Tirane, me 6 qershor 2011

 

Tek kafja e Ervisit tek Pallatet Shallvare

 



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx