E hene, 11.11.2024, 04:08 PM (GMT)

Mendime

Çlirim Uça: Dashunia e kafshëve tona

E shtune, 11.06.2011, 07:00 PM


Dashunia e kafshëve tona

 

Mahia asht mahi dhe e vërteta e vërtetë: Gjithçka asht në vendin e vet. Kafshët dashuninë e kanë të tynen, ashtu si edhe na urrejtjen.

 

Nga Çlirim Uça

 

Një ditë gazeta "Shekulli" njoftoi një sensacion në shkallë ballkanike: Në stallën e një fshatari shqiptar jetonin në marëdhanje miqësore një gomar dhe një ujk. Disa biologë të rrethit, apo ma mirë me thanë, do ngatrrestarë, të acaruem nga kjo mënyrë paqësore e jetesës në mes dy kafshëve, kishin protestue dhe madje edhe denoncue në polici fshatarin e shkretë, si fajtor që kishte detyrue këto dy kafshë të bashkëjetonin në një mënyrë të panatyrëshme.

Policia shqiptare, si gjithherë e zellshme për punë, paqë dhe siguri, tue qenë së edhe nuk kishte as edhe një punë tjetër pa ba, sa kishte dëgjue për rastin, kishte shkue dhe arrestue fshatarin zëmërmirë, që me mundime po kujdesej për mirëqenjen e këtyne dy kafshëve. Madje ky veprim ishte ba pa i pyetë as kafshët, nëse ishin për arrestimin, apo kundër arrestimit të zotnisë së tyne.

 

E njëjta gazetë, një herë tjetër pat njoftue edhe për një rast të ngjashëm bashkëjetese, ashtu në mënyrë të panatyrëshme: një dhelpne dhe pule.

Një ditë, derisa po shikoja një emision për kafshë në Kohavizion, nuk mbeta pa u mrekullue kur pashë të kishte nisë nga puna një stallë e kultivimit të kuajve sportivë, dikund në një fshat të Gjilanit. Mbresëlanës ishte edhe përkushtimi i puntorëve i shprehun në dashuni dhe kujdes për kafshën e bekueme: kalin sportiv. Hiç ma pak mbresëlanëse ishin edhe njohunit e tyne për ato kafshë, tue u nisë nga origjina, përparësitë dhe specifikat e tyne.

Do të të mjaftonte vetëm të shihje objektin ku ishin vendosë kuajt, sidhe përkushtimin e personelit kujdestar, e të ndiheshe krenar që edhe na dimë të adhurojmë gjana të bukura. Përqeshësit tanë nuk do të kishin goje të thonin: Shqiptarët nuk kanë kulturë trajtimi të kafshëve.

Por për mue shumë interesant ishte edhe çasti kur një punëtor filloi të përshkruente kuajt e ndryshëm që ishin në stallë, ashtu sikur po e pyeste gazetari. Në një rast ai tha: Ky kali këtu asht një kal kosovar, me veçori dalluese si kafshë shumë e dashtun për njeriun. Sa e dëgjova shpjegimin e stallierit, mendja me shkoj menjëherë tek dilema aq kundërthanëse për sa i përket çashtjes së identitetit tonë të ri. Gjithësesi, pa e ditë nëse ishte ky stallieri apo jo pjesëtar i atij klubi të identitetit të ri, përgjegjja e tij m’u duk të ishte ma konkrete së e shumë ideologëve të tjerë në za, si: Halil Matoshi, Nexhmedin Spahiu, Migjen Kelmendi, Bardhyl Metaj, etj..

 

I thelluem në atë përshtypjen që më bani thanja e stallirit për kalin, që: asht shumë i dashtun, m’u kujtue edhe Qeni i Malit të Sharit, dashunija dhe besniknia e të cilit tashma asht e ngritun deri në mit. Tue mendue me mburrje për cilësitë dalluese të këtyne dy kafshëve tona, po dhe ato të kafshëve për të cilat pat shkrue edhe gazeta “Shekulli”, nuk e pata të vështirë të nxirja përfundimin: në mes kafshëve tona dhe nesh duhet të këtë pasë një shkëmbim të ndjenjave të dashunisë dhe urrejtjes. Tue lypë kohën dhe rrethanat e këtij shkëmbimi, mendja me tha të kishte ndodhë kjo në kohët e lashta, atëherë kur ishte ba edhe zbutja e kafshëve të egra. Ndoshta, gjatë atij procesi të mundimshëm, të këtë ndodhë të jete ndikue geni i fisniknisë dhe bujarisë së stërgjyshëve tanë, Ilirëve, nga geni i dhimbshunisë për këto kafshë. Kështu që të kenë vendosë t’ua falin virtytin e dashunisë kafshëve dhe si kundërvlerë të kenë marrë urrejtjen prej tyne.

Tash kafshët, tue qenë të lumtura për këtë mirësi, në shenjë nderimi dhe mirënjohje për stërgjyshët tanë, edhe mbas kaq shekujsh nuk kanë harrue dhe po na duen edhe ne.

 

Mahia asht mahi dhe e vërteta e vërtetë: Gjithçka asht në vendin e vet. Kafshët dashuninë e kanë të tyne, ashtu si edhe na urrejtjen.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora