E premte, 25.07.2025, 03:05 AM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Libri im i ri: “Ballkanadolli gjeostrategjik”

E hene, 13.06.2011, 08:03 PM


Libri im i ri: “Ballkanadolli gjeostrategjik”

 

Nga Kastriot Myftaraj

 

Këto ditë, nga Ndërmarrja botuese “Buzuku” në Prishtinë, është botuar libri im i ri “Ballkanadolli gjeostrategjik: një histori e reliteteve strategjike, përplasja mes Neo-Otomanizmit e Neo-Bizantizmit dhe Shqiptarët”.

Fjala “Ballkanadoll”, në sens gjeostrategjik është një neologjizëm imi. Nëse do të këqyret harta e botës, nga pikëpamja e krahasimit të atyre gadishujve që gjenden pranë njëri-tjetrit, do të shihet se në asnjë pjesë të saj nuk ka një raport të tillë mes dy njësive gjeografike, si ai mes Gadishullit të Ballkanit dhe Gadishullit të Anadollit. Kurrkund nuk ka dy njësi të tilla gjeografike, që ndahen dhe bashkohen me kaq shumë nyje. Duket sikur Zoti kur krijoi botën, apo natyra nëse doni, ka qenë në dilemë nëse duhet t’i ndajë apo t’i bashkojë këto dy masa të mëdha tokësore, dhe më në fund ka gjetur një mënyrë të mesme. Ballkani dhe Anadolli ndahen nga dy ngushtina, ajo e Bosforit dhe ajo e Dardaneleve, ndërmjet të cilave është një det, Deti Marmara, kur shikon trajtën e të cilit nuk mund të mos mendosh se, Zoti, apo natyra, si të dëshironi, ka qenë në dilemë nëse duhet ta bënte liqen apo det. Ky det, për nga trajta që ka mund të quhet edhe si liqeni që bashkon Ballkanin dhe Anadollin. Edhe Deti i Zi, i cili aq sa e ndan Ballkanin nga Anadolli, aq edhe i bashkon vendet e Ballkanit lindor me Turqinë anadolliane, ngjan si peng gjeografik i nyjes që lidh Ballkanin me Anadollin, ngushtinave të Detit Marmara. Deti Egje, në jug të ngushtinave, duket sikur është krijuar më tepër për të bashkuar se për të ndarë dy masat e mëdha tokësore. Nuk ka në botë një det tjetër të vogël, si Deti Egje, i cili të gjendet midis dy masave të mëdha tokësore dhe që 10 për qind sipërfaqes së këtij deti të përbëhet nga ishuj të shumtë, të shpërndarë gjithandej, aq sa të krijohet përshtypja e ngjashmërisë mes Egjeut dhe tokës të mbushur me liqene të Finlandës.

Fakti që lumi më i madh i Ballkanit, Danubi, i cili përbën arterien kryesore ujore të Ballkanit, derdhet në Detin e Zi, pra në detin që nga pikëpamja e komunikimit në rrugë ujore bashkon Anadollin dhe Ballkanin, është një tjetër nyje që i lidh këto dy masa të mëdha tokësore. Ballkani dhe Anadolli pra gjenden në një raport të tillë gjeografik, që duket se ata aq sa ç’ndahen, aq edhe përbëjnë një masë të vetme tokësore, për çka në analogji me fjalën “Eurazi”, e lindur nga bashkimi i fjalëve “Europë” dhe “Azi”, për shkak se këto kontinente përbëjnë në fakt një masë të vetme tokësore, është me vend edhe fjala “Ballkanadoll”, në anglisht “Balkanatolia”. Duket sikur edhe emrat e dy masave të mëdha tokësore, janë të tilla që priren kah bashkimi.

Nga raporti krejt i veçantë gjeografik mes Ballkanit dhe Anadollit ka lindur edhe një raport krejt i veçantë gjeostrategjik mes tyre. Që prej kohërave të lashta, Gadishulli i Ballkanit dhe Gadishulli i Anadollit kanë përbërë një zonë të bashkuar strategjike, një zonë unike, e cila mund të quhet edhe Ballkanadolli gjeostrategjik, ku ka ekzistuar një relacion i posaçëm gjeostrategjik mes dy masave të mëdha tokësore. Ky relacion ka për-ftuar një ekuacion strategjik historik, dy anët e të cilit shenjojnë raportin e fuqisë mes dy masave të mëdha tokësore në dy anët e Detit Marmara, përkatësisht Ballkanit dhe Anadollit. Historia, që prej Lashtësisë, ka përcaktuar disa postulate gjeostrategjike me vlerë të tejkohshme, si dhe disa ngjarje - stereotipe gjeostrategjike, të cilat përsëriten në situata të ngjashme, në kohëra të ndryshme, me një rregullsi kurioze. Përgjatë krejt historisë, ka ekzistuar dhe vazhdon që të ekzistojë, në mënyrë të natyrshme, një bosht gjeostrategjik Ballkan-Anadoll, ndryshe ballkanadollian, ku ka ekzistuar dhe ekziston loja e fuqisë, dhe balanca e fuqisë, me kategoritë e saj të ekuilibrit të forcës dhe të supremacisë e inferioritetit të palëve, në dy anët e zonës unike gjeostrategjike. Shtetet e krijuara në secilën anë të zonës së përbashkët gjeostrategjike, në Ballkan apo në Anadoll, janë kërcënuar dhe shkatërruar nëse nuk janë përpjekur, apo nëse nuk ia kanë arritur që të ndërtojnë një brez tokësor sigurie dhe një zonë influence në anën tjetër. Përndryshe, nëse ia kanë arritur që ta bëjnë këtë gjë, atëherë kanë rritur fuqinë e tyre dhe janë zhvilluar deri në imperi botërore. Çdo herë që është krijuar një qendër fuqie e rëndësishme, në çdonjërën nga dy masat e mëdha tokësore të sipërpërmendura, ajo ka bërë përpjekje natyrshëm që të shtrihet së pari në anën tjetër të Detit Marmara, duke e parë zotërimin e një sipërfaqeje sa më të madhe të masës tjetër tokësore, si parakushtin e sigurisë së vet. Kur kanë ekzistuar dy qendra të rëndësishme fuqie, në dy anët e Detit Marmara, secila prej tyre ka bërë përpjekje që së pari të eliminojë tjetrën, para se të ndërmarrë sfida të tjera. Kur njëra palë ka prevaluar, dhe ka kërcënuar që të invadojë, ose e ka invaduar anën tjetër, shtetet e kërcënuara kanë krijuar aleanca për të krijuar një ekuilibër force, që do të bënte të mundur sigurinë e tyre. Prishja e ekuilibrit strategjik në Ballkanadoll ka rezultuar me invadimin dhe pushtimin e njërës apo tjetrës pjesë të këtij areali.

Edhe shtetet, që gjatë historisë janë bërë imperi botërore, dhe që kanë qenë në dy anët e Ballkanadollit, si Roma, apo Persia antike, varësisht afërsisë gjeografike me këtë zonë, e kanë parë zotërimin e kësaj zone strategjike, si prioritet. Roma, e cila gjendej shumë më afër Ballkanadollit se Persia, e pa dominimin e tij si prioritetin e saj, duke e realizuar atë paralel me shkatërrimin e Kartagjenës, që ishte diçka jetike për të. Persia, para Romës, në kohën që kishte krijuar një imperi botërore, nga India në Anadoll, kërkoi që të kontrollonte dhe boshtin strategjik Ballkan-Anadoll. Nuk është një gjë e rastit që imperitë e mëdha, të cilat e shpërfillën zotërimin e këtij boshti, u zhdukën pa lënë gjurmë, fill pas kësaj shkujdesjeje. Kështu, Imperia gjigande tartare e Timurlengut, e cila zotëronte një pjesë të madhe të Eurazisë, u zhduk sikur të mos kishte ekzistuar në faqe të dheut, fill pas vdekjes së Timurlengut në 1405, vetëm tre vite pasiqë ky, kur invadoi Anadollin me një ushtri gjigande, dhe e dërrmoi ushtrinë otomane, nuk kaloi në Ballkan. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për imperinë mongole para saj, më e madhja që ka ekzistuar në histori, e cila u copëtua fill pasiqë shpërfilli Ballkanadollin. Shpërfillja prej tyre e Ballkanadollit ishte një simptomë e brishtësisë së tyre.

Ballkanadolli gjeografik ka përcaktuar dhe ekzistencën e Ballkanadollit gjeopolitik, ashtu që çdo shtet i rëndësishëm, në njërën anë të Ballkanadollit, ka kërkuar që të ndërtojë zonën e tij të influencës, në anën tjetër, si garanci për sigurinë e tij, së pari, por edhe si premisë për projektimin e fuqisë më tutje. Nga kjo pikëpamje janë bërë edhe aleancat gjatë historisë, ndërmjet vendeve të Ballkanadollit. Napoleon Bonaparti, në letrën që i dërgonte Mbretit të Prusisë në 1804 shkruante: “La politique de toutes les puissances est dans leur geographie”. (Politika [e jashtme] e të gjitha fuqive është në gjeografinë e tyre. “Corres-pondence de Napoleon I”, Paris 1862, X, 60, N. 8170.)

Gjeografia Ballkanadolliane ka përcaktuar gjeopolitikën Ballkanadolliane të shteteve të kësaj zone. Prandaj kjo zonë ka një histori të vetën unike gjeostrategjike dhe gjeopolitike. Johan Gottfried Herder ka thënë se historia është gjeografi që ecën. Askund ndoshta kjo thënie nuk është më e vërtetë se në Ballkanadoll. Duke e zhvilluar sentencën e Herder, mund të thuhet se, nëse gjeografia është hapësira, historia është koha, ashtu siç profilohet e kushtëzuar nga kjo hapësirë. Historia e vendeve të Ballkanit dhe Anadollit është histori ballkanadolliane. Nuk është e rastësishme që sot, derisa një shtet kryesisht anadollian, si Turqia, del si kampion i ruajtjes së trashëgimisë kulturore otomano-islame në Ballkan, një shtet ballkanas, si Greqia, del si kampion i ruajtjes së trashëgimisë kulturore bizantino-kristiane në Anadoll. Ndonëse studiuesi turk Ahmet Davutoglu, nuk e përdor konceptin e zonës së vetme gjeostrategjike Ballkan-Anadoll, në librin e vet “Thellësia strategjike: pozita ndërkombëtare e Turqisë”, i cili do të jetë në fokus të analizës në këtë libër timin, ai duket se ka në mendje diçka të ngjashme me konceptin e Ballkanadollit. Thelbi i mendimit të Davutoglu është se realitetet gjeostrategjike, gjeokulturore, gjeoekonomike, gjeopolitike i relativizojnë kufijtë shtetërorë, duke krijuar një dinamikë që sjell realitete komplekse. Ballkanadolli është një zonë ku kufijtë virtualë gjeostrategjikë, gjeokulturorë dhe gjeoekonomikë, gjeopolitikë interferojnë ata shtetërorë, ndoshta si kurrkund tjetër, në një sipërfaqe relativisht të vogël. Historia gjeostrategjike e Ballkanadollit në fakt vërteton teknikisht drejtësinë e paradigmës së Davutoglu, të shprehur në paragrafët e mësipërm. Historia gjeostrategjike e Ballkanadollit është një premisë që nuk mund të mos kon-siderohet kur përpunohen konceptet gjeostrategjike të sigurisë, në vendet e Ballkanadollit. Ahmet Davutoglu, e thotë saktë në librin e vet “Thellësia strategjike: pozita ndërkombë-tare e Turqisë”, kur shkruan se:

“Vetëdija strategjike është e detyruar që të mbështetet në histori, kurse planifikimi strategjik në realitetet e sotme”. (Ahmet Davutoglu: “Thellësia strategjike: pozita ndërkombëtare e Turqisë”, Shtëpia botuese Logos-A, Shkup 2010, f. 89)

Kur shikon ngjarjet e së shkuarës së afërt, dhe të sotme, nuk mund të mos të bëjë përshtypje fakti se bëhet fjalë për stereotipe që përsëritin vetveten, për shkak se gjeografia imponon të njëjtat veprime për shtetet, në situata të ngjashme, në kohëra të ndryshme, që prej Lashtësisë dhe deri më sot. Nuk ka arsye që të besohet se, në ardhmëri gjërat do të shkojnë ndryshe.

Vendeve të vogla dhe nacioneve të vogla, si ai shqiptar, shpesh u ndodh që të befasohen nga historia, se duke qenë më tepër situata gjeostrategjike dhe gjeopolitike, se sa aktorë gjestrategjikë dhe gjeopolitikë, nuk e kanë të zhvilluar kujtesën historike dhe vetëdijen se e tashmja dhe e ardhmja, më tepër se ngjarje të reja, ofrojnë përsëritje të situatave stereotipe historike, për shkak të asaj që mund të quhet si forca e rëndesës e gjeografisë dhe faktorëve të tjerë që ka prodhuar ajo. Për vendet e vogla si Shqipëria, dhe për nacionet e vogla si ai shqiptar, të gjendur në një zonë tektonike gjeostrategjike dhe gjeopolitike, vlen ajo që shkruan George Friedman në librin e vet “The next 100 years: A forecast for the 21-st century” paralajmëron: “Parimi themelor i planifikimit strategjik: shpreso për më të mirën, planifiko më të keqen”. Gjeografia është një nga faktorët që e bëjnë historinë që të priret kah përsëritja e situatave në kohëra të ndryshme, kur shtetet janë të detyruara që në pajtim me vendndodhjen e tyre, të veprojnë sipas stereotipeve gjeostrategjike të së shkuarës.

Libri im ka 380 faqe dhe është i ndarë në dy pjesë. Pjesa e parë mban titullin: “Një histori gjeostrategjike e Ballkanadollit”. Pjesa e parë përmban këta kapituj: 1) Ballkanadolli gjeografik, gjeostrategjik dhe gjeopolitik; 2) Nga Lufta e Trojës, Luftrat Greko-Persiane, Imperitë Athinase dhe Spartane, Aleksandri i Madh, luftërat e diadokëve, deri tek Roma; 3) Nga Bizanti, mbretëritë gote, Imperia Bullgare, Imperia Latine Lindore, dhe Imperia Serbe; 4) Ballkanadolli otoman: nga ekuilibri tek supremacia otomane; 5) Lufta e Skënderbeut në gjeostrategjinë e Ballkanadollit; 6) Paralelogrami otoman i forcës në Ballkanadoll, plani Ballkanadollian i Katerinës së Madhe, strategjia ballkanadolliane e Napoleonit, Kriza Lindore si stereotip strategjik Ballkanadollian; 7) Ballkanadolli në Weltpolitik të Gjermanisë wilhelmiane, dhe ekuilibri i forcës në Ballkanadoll, si parakushti i fillimit të Luftës së Parë Botërore; 8) Shqiptarët dhe disfata otomane në Ballkan, në 1912; 9) Ballkanadolli në Luftën e Parë Botërore, deja vu e Kryqatës së Katërt, dhe aleanca ballkanadolliane ndërmjet dy luftërave; 10) Ballkanadolli midis drapërit nazist (swastikës) e çekanit sovjetik, dhe inkurajimi i Neo-Otomanizmit nga Britania e Madhe dhe Franca; 11) Ekuilibri në Ballkanadoll në Luftën e Ftohtë, boshti i munguar ballkanadollian i NATO-s, dhe epoka e re e luftës për Ballkanadollin pas përfundimit të Luftës së Ftohtë.

Në këta kapituj unë nuk bëj historinë e Ballkanit dhe të Anadollit, por historinë e zhvillimeve gjeostrategjike. Faktet historike të njohura sillen në libër vetëm në këtë funksion dhe kontekst. Për aq sa më është dashur ta sjell në libër lëndën historike, atë e kam bërë për të ilustruar ecurinë e stereotipeve gjeostrategjike. Prandaj besoj se kjo nuk do ta mërzisë lexuesin që e njeh historinë e Ballkanit dhe të Anadollit, se do të ketë mundësinë që ta shohë atë në një dritë të re.

Pjesa e dytë mban titullin “Përballja e Neo-Otomanizmit me Neo-Bizantizmin” dhe përmban këta kapituj: 1) Neo-Otomanizmi në Ballkan dhe shqiptarët; 2) Turqia neo-otomane në rivalitetin Bashkim Europian-SHBA; 3)Neo-Bizantizmi dhe Neo-Otomanizmi: bashkëpunimi për ndërtimin e Doomsday device; 4) Rusia dhe Neo-Otomanizmi në Ballkan: Loja e Vogël brenda Lojës së Madhe; 5) Thalasokracia neo-otomane; 6) Neo-Otomanizmi nuklear, si bir ilegjitim i Sherifit bërthamor amerikan dhe Europës Neo-Bizantine; 7) Ekuivalenti i Memorandumit “Crowe” për Neo-Otomanizmin në kryeqytetet ballkanike; 8)Futurologjia e Neo-Otomanizmit dhe Neo-Bizantizmit; 9) Reagimi shqiptar ndaj Doktrinës “Davutoglu: Ismail Kadare, Arber Xhaferi, Piro Misha, Veton Surroi”.

Libri tim është fokusuar në kritikën e librit të studiuesit dhe shtetarit turk, Ahmet Davutoglu, “Thellësia strategjike: pozita ndërkombëtare e Turqisë”, i cili libër tashmë ka reputacionin e të qenit elaborat i Neo-Otomanizmit. Në librin tim hetoj rrënjët e Neo-Otomanizmit në realitetet gjeostrategjike historike, dhe bëj përpjekje për të bërë futurologjinë e Neo-Otomanizmit në Ballkan. Unë nuk pretendoj se e kam ezauruar në mënyrë shteruese temën që kam zgjedhur të trajtoj në këtë libër, por një gjë e pretendoj pa hezitim. Ky është libri i parë i këtij lloji në Ballkan, apo edhe në Ballkanadoll. Nuk ekziston një libër i ngjashëm i shkruar nga studiues ballkanas dhe turq. Madje nuk ekziston as edhe një libër tjetër i këtij lloji i shkruar nga studiues jashtëballkanas apo edhe joturq.

Botuesi, Abdullah Zeneli, thotë në paraqitjen që i bën librit në kapakun e pasmë të tij: “Kastriot Myftarajt, përballë nocionit (kompozitës) Ballkanadoll dhe derivimeve që sjell në planin gjeostrategjik aktual, i intereson jetësisht fati i nacionit shqiptar, gjasat dhe perspektivat në shekullin gjithë rrëmujë në të cilin kemi hyrë”. Në fakt ky është qëllimi për të cilin i hyra punës për të shkruar këtë libër, dhe ashtu siç ndodh shpesh që kur e kemi të qartë në mendjen qëllimin për të cilin i kemi hyrë një pune, nuk e artikulojmë atë, mua më mbetet që të them se këto fjalë të Zenelit, janë artikulimi më i saktë i asaj që kisha unë në mendje. Por nuk mund të them se Abdullah Zeneli më ka befasuar në këtë rast. Ai që më ka befasuar vërtet me talentin e vet është Artan Zeneli, që bëri artin grafik dhe ballinën e librit, i cili e ka paraqitur idenë e librit në një figurë tejet të gjetur, një hartë ku Ballkani dhe Anadolli paraqiten si ngrehina të përbëra prej tullash, diçka si ato lojërat formuese të fëmijëve. Në fakt kjo është paraqitja më e gjetur e realiteteve gjeostrategjike të ndryshueshme që dalin nga loja e fuqisë. Ideja që përçon kjo figurë është se realitetet gjeopolitike, gjeostrategjike në Ballkanadoll kanë qenë një lojë e hapur gjatë krejt historisë dhe janë një lojë e hapur edhe në shekullin XXI. Çështja është se sa do të dimë ne shqiptarët të luajmë ashtu si duhet në këtë lojë, që të ndërtojmë sa më mirë këndin tonë të kësaj hapësire dhe ngrehina të mos shembet mbi ne siç ka ndodhur shpesh gjatë historisë.



(Vota: 8 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx