E diele, 02.06.2024, 05:12 PM (GMT+1)

Mendime

Fatos Lubonja: Pashë fotot me plumb në ballë të 3 miqve të pushkatuar

E shtune, 18.06.2011, 07:12 PM


Ka parë me sytë e tij fotografitë e tre të pushkatuarve, që u dënuan me vdekje, vetëm pse i shkruan udhëheqjes së PPSH-së disa letra për ndryshimin e kursit politik të Shqipërisë, pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën.Nën terror psikologjik, por edhe fizik, në Burgun e Spaçit, në fund të majit 1979, Fatos Lubonjës i janë vendosur përpara 5 fotografi, 2 të mëdha dhe 3 të vogla. Ishin imazhet e tre intelektualëve Vangjel Lezho, Fadil Kokomani, Xhelal Koprëncka, të cilët fillimisht u dënuan me nga 10 vjet burg, ndërsa më pas dikush dha urdhër dhe me një proces të dytë u pushkatuan. “Te fotoja e parë, e madhe, ishin ata të tre, diku në një ledh, natën, në natyrë, të lidhur me një litar, që shikonin pa dyshim të frikësuar, të tmerruar kamerën e atij fotografit që po i fotografonte në momentin para pushkatimit. Pra, ishin gjallë. Dhe çuditërisht ishte ajo që më tërhoqi më shumë… Që më ngelën sytë… Që sikur ishin gjallë dhe më panë e i pashë… Pastaj fotografia ngjitur, e madhe prapë, ishin që të tre, por tashmë të shtrirë, të vdekur. Ndërsa në të tria fotot e vogla, ishte secili më vete, me plumbin në ballë…”, rrëfeu shkrimtari Fatos Lubonja në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut në Tv Klan, dëshmitë e të cilit janë zbardhur këtë javë edhe nga gazeta “Panorama”, në dy numra. Sot, vijon pjesa e tretë dhe e fundit e kësaj dëshmie. Rrëfimi i Lubonjës ka nisur që nga njohja e tij me 3 të burgosurit në Spaç, të akuzuar se kishin formuar dy organizata konspirative që punonin kundër Republikës Popullore të Shqipërisë, njëra me orientim nga Bashkimi Sovjetik me frymë hrushoviane dhe tjetra proamerikane. Më pas, ai na njohu me kushtet në qeli, frika, terrori, përmbajtja e letrave, procesi i parë i dënimit me burg dhe më pas ai i dyti, për dënimin me vdekje të Lezhos, Kokomanit dhe Koprënckës. Frikë dhe dyshim, luftë psikike për jetë a vdekje, viktima dhe xhelatë, Fatos Lubonja sjell pjesën e fundit të dëshmisë për 3 të dënuarit me vdekje, por edhe për veten. Një ditë, ai “u gdhi papritmas anëtar i një organizate revizioniste”, një proces i inskenuar, që rrezikoi ta çonte edhe atë drejt plumbave në ballë, ashtu siç i pa në fotot e Lezhos, Kokomanit dhe Koprënckës…
Fevziu: Ju e pranuat vetë që ishit pjesëtar i organizatës?
Lubonja: Jo, për fat, nuk e kam pranuar.
Fevziu: Por edhe mund ta pranoje nën dhunë?
Lubonja: Tjetër gjë është që ta pranosh ti, meqë të futën nën dhunë dhe tjetër gjë është që të vish ti dhe të dëshmosh që më ka thënë ky një gjë të rreme, kur nuk të thotë njeri asgjë.
Fevziu: Pse thoni që gjyqet e para kanë qenë më dinjitoze, ato në mes dhe në fund të viteve ’40?
Lubonja: Fadili është një person i jashtëzakonshëm në gjyq dhe për mua është vërtet i tillë, po të kesh parasysh dhe klimën. Ideja ime është kjo: Nga moment kur komunistët vijnë në pushtet, deri në momentin kur është bërë ky gjyq (1979), ka një proces terrori që vjen e bëhet gjithnjë e më shumë terror psikologjik. Pra, ndryshe terrori psikologjik dhe ndryshe terrori fizik, që ishte më parë. Fillimisht, komunistët sapo kishin marrë pushtetin dhe kishin nevojë të ushtronin terror për të konsoliduar vetveten, për të vrarë, për të eliminuar kundërshtarin. Mos harroni që ata ishin disa djem të rinj që deri dje x, y i kishte pasur në lagje, nuk i kishte marrë seriozisht, i njihte se çfarë ishin dhe kur ballafaqoheshin me atë në hetuesi apo në gjyq, e ruanin atë njohje. Dhe tjetër gjë janë këto figurat e tjera që ndërtojnë një kult të tyre, një mekanizëm dhune, paprekshmëri, gjithëpushtetshmëri, që vjen duke u rritur gjithnjë e më shumë në vite, sidomos rreth figurës së diktatorit. Në 30 vjet, nëse në fillim njerëzit janë përplasur, kanë thënë të vërtetën, janë vrarë, më pas gjithnjë e më shumë njerëzit u mësuan që të mbyllin gojën, gjithnjë e më shumë që të bëjnë një jetë të dyfishtë, ta fshehin të vërtetën dhe familja thoshte “Kujdes këtu e kujdes atje”. Pra, ishte një terror i futur, që ishte mekanizëm shumë i rëndësishëm për ata që të mbanin pushtetin. Edhe instrumenti ishte i tillë. Mos harroni një thënie të Enver Hoxhës që e kam përmendur dhe herë tjetër, që ne e lexonim të shkruar atje: “Kush ngre gishtin, i presim dorën. Kush ngre dorën, i presim kokën”. Imagjinoni se çfarë frike të ngjall kjo.
Ideja pra që mund të dilje në një gjyq dhe të thoshe pikëpamjet e tua, të denoncoje, ishte një ide që erdhi duke u përjashtuar. Maksimumi që mund të bëje përgjithësisht, nga përvoja që kam unë, ishte që ta mohoje akuzën: S’është e vërtetë kjo që po thoni. Por, që të arrije deri në momentin që mund të akuzohesh për gjithçka, ishte vetëvrasje. Dhe e tregon rasti. Për një letër të dërguar nga burgu u dënuan me vdekje. U pushkatuan 3 persona. Prandaj, dua të them që futja e një terrori psikologjik në popull që ka filluar që në vitin 1944-1945, madje që pati një rënie në vitet ’50 sepse pas goditjes së Stalinit pati një lloj lulëzimi vendi, që mund të thuhet se në një lloj mënyre kishte akoma ndonjë shpresë, por sidomos edhe pas prishjes prapë me Bashkimin Sovjetik, ruajtja e stalizinizmit si linjë dhe gjyqet e Teme Sejkos e dënimeve të tjera, gjithë kjo periudhë… pastaj vitet ’70 janë komplet vite paranoje, kur ai arriti të godasë dhe të vrasë me akuza false. Kush besonte se Beqir Balluku do të bënte puç, Mehmet Shehu pastaj doli në fund fare kryetar i gjithë këtyre në një komplot, kur ai nuk kishte asnjë lloj fuqie. Si ka mundësi pra? Ishin gjithë këto procese paranojake. Frika ndaj irracionalitetit të një regjimi po bëhej gjithnjë e më absurde, ishte gjithnjë e më e madhe dhe kjo shpjegon gjithë çfarë thashë më parë.
Fevziu: Ju besoj keni biseduar pas vitit 1991, kur u liruat nga burgu me Ramiz Alinë. E keni pyetur ndonjëherë për këtë rast?
Lubonja: Jo, nuk e kam pyetur. As e kam pyetur dhe madje as që e kam menduar ta pyes, sepse e di që nuk do të më japë asnjë lloj përgjigjeje. Përgjithësisht ideja ime është kjo që, këta, udhëheqja, e cila një farë mënyre mbeti udhëheqje deri në fund, por jo vetëm… Unë kam vënë re që edhe një pjesë e udhëheqjes nga ata që erdhën në fund në burg, pra që në një farë mënyre u bënë vetë viktima, e pësuan në kohën e Mehmet Shehut. Pra, ajo që kam vënë re unë, është kjo: sa më herët kanë ardhur në burg, aq më të kthjellët kanë qenë këta, pjesa e udhëheqjes. Dhe sa më shumë kanë ndenjur në pushtet, sa më vonë kanë ardhur në burg, kanë qenë e kundërta.
Fevziu: Nuk ju qëllonte që këta persona që kanë ardhur në burg, kryesisht nga fundi, ish-drejtues të udhëheqjes komuniste, mendonin që vetë ishin të pafajshëm, por ata që ishin dënuar para tyre, qoftë edhe disa vjet më parë, ishin fajtorë? Apo e dinin që ishin të gjitha produkte të një mekanizmi kriminal?
Lubonja: është e njëjta gjë. Këtu përsëri vijmë te koha. Sigurisht që unë nuk është se kam pasur një numër shumë të madh…
Fevziu: Ata që keni kontaktuar…
Lubonja: Ata që janë dënuar deri në periudhën tonë, 73-74, me ushtarakët, që kam folur me një pjesë të tyre, ishin të vetëdijshëm që kishin bërë krime, padrejtësi, dënime, por secili kishte mekanizmin e tij për të justifikuar vetveten, si p.sh. nuk kishte se çfarë të bënte, e njërën, e tjetrën… Ndoshta grupi i fundit ka qenë më i indoktrinuari, më i mbylluri. Kur flas për këtë grup, kam parasysh kryesisht ata që u dënuan me Mehmet Shehun, që ishin Mihallaq Ziçishti, Nesti Nase etj, që të paktën nuk prononcoheshin ndonjëherë kundër ndonjë gjëje në burg. Domethënë, dukej sikur bënin të njëjtën jetë që kishin bërë jashtë. Ndoshta nga terrori i madh që kishin kaluar nëpër hetuesi, frika irracionale etj. Kujtoj tani të ndjerin Bardhyl Belishova, vëllain e Lirisë, i cili Mihallaqin e kishte pasur në qeli kur kishte ardhur. Dhe kur i thoshte që “A të kujtohet Mihallaq kur më erdhe në qeli atëherë?”, ai përgjigjej ‘Jo, nuk më kujtohet”. Nuk ishte pra as ai raporti i bisedës që, e di, por ja që erdha, kështu ndodhën punët, u ndodha dhe unë me ty këtu… Dhe kjo më ka bërë të mendoj që një pjesë nga këta njerëz, ose ruajnë të vërteta brenda që nuk ia thonë askujt, ose nuk kanë asgjë brenda. Është bosh, sepse ata kanë bërë rimocion, siç thotë psikanaliza. I kanë ndrydhur. Ndaj edhe them që Ramiz Alinë është vështirë ta pyesësh sot për disa gjëra dhe të të japë ndonjë përgjigje nga ato që mund të presësh ti, irracionale. Qoftë edhe: Ore, si u vranë gjithë këta njerëz? Po ti çfarë ke menduar në kohën që u vranë këta shokët tuaj? Kishe ndonjë mendim kundër Enver Hoxhës apo nuk kishe? Nuk e di se si do të jap përgjigje. Ju si gazetar mundet mbase t’ia bëni, unë nuk kam pasur rastin t’ia bëj.
Fevziu: Zoti Lubonja, në maj të vitit 1979, Vangjel Lezho, Fadil Kokomani dhe Xhelal Koprëncka, u pushkatuan. Ju nuk e dini datën e saktë se kur u pushkatuan?
Lubonja: Jo, unë besoj se e di ekzakt datën. Edhe e kam shkruar diku, sepse lidhet me një moment të jetës sime njëkohësisht. Pra, ishte dhënë dënimi me vdekje i tyre, kemi momentin kur u ndamë me shikim me ta, të cilin e kam përshkruar në libër. Ne u ndamë me shikim me ta, sepse ata i mbajtën aty, të lidhur, ndërsa ne na hoqën. Po flas për Fadilin dhe Vangjelin, sepse Xhelalin unë nuk e kisha në grup.
Fevziu: Kishit një shpresë që mund t’i falnin?
Lubonja: Kisha një shpresë për Vangjelin, meqë ishte i dyti në grupin tonë. Kisha një shpresë, deri vonë madje.
Fevziu: Po për të parin menduat se do të vritej?
Lubonja: Për Fadilin e kisha të sigurt. Të sigurt, hmmm.
Fevziu: Kishit një bindje?
Lubonja: Po, tani derisa ishte ndërtuar gjithë ai proces, nuk ishte ndërtuar për 25 vjet apo për ta falur. Ndonëse mund të ndodhte çdo gjë, por shpresa ishte minimale për Fadilin, vetëm për Vangjelin kishte një lloj shprese. Ne ishim një grup që na morën një ditë të hënë, pasi kishte mbaruar procesi. Mendoj se ka qenë data 28 maj dhe na çuan në Burgun e Spaçit. Në momentin që arrijmë në Spaç me autoburg, po prisnim që të zbrisnim e të na fusnin brenda, por çuditërisht na hipën sërish në makinë dhe na kthyen mbrapsht.
Fevziu: Kë kthyen mbrapsht?
Lubonja: Vetëm ne, vetëm ne që ishim të dënuarit e atij grupi (revizionist), jo pjesa tjetër. Autoburgu sillte të gjithë të burgosurit e tjerë, por vetëm ne na kthyen. Befas, ne që ishim të dënuarit, na mbajtën. Po befas niset autoburgu përsëri dhe përsëri bëjmë rrugën mbrapsht dhe përsëri nuk e dinim se ku do të shkojnim. Po mendonim se do të shkojmë në Burrel, se mos ju është ndërruar mendja, por në fund na çojnë përsëri në qelitë ku ishim.
Fevziu: U tmerruat besoj?
Lubonja: Pa dyshim. Menduam se u është ndërruar mendja e thonë “t’i vrasim dhe këta”. Ideja e parë ishte kjo, ndoshta edhe paranojë, por ishte normale. Dhe një ditë, dy ditë, tri ditë, qëndrojmë atje, pa ditur asgjë, secili në qelinë e tij. Derisa hapet dera, të lidhin hekurat, të çojnë në hetuesi dhe unë e kam përshkruar momentin kur shikoj një letër A4 në cep të një tryeze dhe dy veta që më qëndrojnë në këmbë. Pasi mblidhen ata, fillon biseda. U  kisha thënë dhe ca fjalë në gjyq për Fadilin, ca fjalë që atyre u kishin djegur dhe në momentin kur më thanë: “Ti të na thuash ne se do ta kem mikun më të ngushtë, Fadil Kokomanin”.
“Po ça të them unë”, ia ktheva. “Ja ku e ke mikun tënd më të ngushtë”, më tha dhe tërhoqi letrën. Poshtë letrës ishin fotografitë.
Fevziu: Çfarë fotografish?
Lubonja: Ishin 5 fotografi. Dy të mëdha lart dhe 3 më të vogla poshtë. Te fotoja e parë, e madhe, ishin ata të tre, diku në një ledh, natën, në natyrë, të lidhur me një litar, që shikonin pa dyshim të frikësuar, të tmerruar kamerën e atij fotografit që po i fotografonte në momentin para pushkatimit. Pra, ishin gjallë. Dhe çuditërisht ishte ajo që më tërhoqi më shumë. Që më ngelën sytë. Që sikur ishin gjallë dhe më panë e i pashë. Pastaj fotografia ngjitur, e madhe prapë, ishin që të tre, por tashmë të shtrirë, të vdekur. Ndërsa në të tria fotot e vogla, ishte secili më vete, me plumbin në ballë…
Fevziu: Plumbi i fundit…
Lubonja: Plumbi i fundit. Mbaj mend që Fadili kishte atë rrjedhën e gjakut… e kam përshkruar në libër. Ndërkohë që, ky ulërinte “Këtu e ke vendin, po erdhe prapë në këtë derë… Merreni, qërrojeni”.
Fevziu: Pra, pse ju kthyen?
Lubonja: Ne na kishin kthyer thjesht për të na treguar fotografitë. Për të na bërë këtë akt të fundit terrorizimi, sepse nuk ndodhi më asgjë. Na mbajtën edhe 2-3 ditë dhe të hënën tjetër, pa ndodhur asnjë gjë tjetër, të njëjtin grup na kthyen për Spaç.
Fevziu: Pas vitit 1991, tentuat që t’i gjenit më këto foto ose dosjen e procesit?
Lubonja: E kam kërkuar indirekt, kam pasur edhe disa përpjekje edhe më personale, për arsye një arsye shumë të thjeshtë se Spartak Poçi, që e njihni, ish-ministri i Brendshëm, për disa kohë, e kishte dajë Fadil Kokomanin. I kam kërkuar atij përgjigje, pra edhe kur u bë ministër i Brendshëm, për varrin kryesisht. Fotografitë janë zhdukur, nuk dihet se ku janë. Akti i pushkatimit është zhdukur po ashtu, nuk ekziston. Nuk është në proces, që duhej të ishte në fakt akti i fundit dhe ai më ka thënë një gjë të tmerrshme. Më tha që më duket se po i gjej dhe ishin disa që i merrnin për forcim zemre.
Fevziu: Çfarë domethënë forcim zemre?
Lubonja: Forcim zemre domethënë që, kur pushkatoheshin disa, duket se përgatiteshin xhelatët e tjerë, që t’u forcohej zemra për të pushkatuar, që merrnin pjesë në pushkatim, por pa pushkatuar, pa gjuajtur.
Fevziu: Thjesht për të parë?
Lubonja: Po, thjesht për të parë, që t’u forcohej zemra, që nesër pasnesër të vrisnin të tjerë. E imagjinoni? E tmerrshme. Ndoshta nuk ka qenë kështu, por dikush nga këta i kishte dhënë një indikacionin, diku andej nga Linza. Pastaj nuk e di se si, por ky kërkim nuk u thellua më. Mendimi im është që shoqëria shqiptare është shumë indiferente, është ai muri që të thashë, që ndan dy pjesët.
Fevziu: Edhe sot janë pa varr, pa pllakë?
Lubonja: Janë pa varr, pa pllakë, pa gjë.
Fevziu: Askush nuk ka folur të paktën për varrin?
Lubonja: Pikërisht këtu është problemi pra. Ai muri që thashë, që ndan xhelatët nga viktimat, që nuk komunikojnë, është një traumë për shoqërinë – një traumë që do ta trashëgojnë edhe fëmijët e këtyre. Janë bërë studime për këto, që si fëmijët tanë, edhe të atyre i trashëgojnë. Do të vijojë të jetë një shoqëri e traumatizuar kjo jona. Nuk është bërë asnjë hap para. Unë mendoj se duhet të kishte një diçka më institucionale për të bërë këtë hap, jo duke pritur diçka nga spontaniteti e të x-it dhe y-it. Mund të kishte veprime edhe ligjore për të kërkuar. Normalisht, rasti ynë është i tillë që, është një gjyq i inskenuar që mund të provohet. Edhe me ligjet e asaj kohe është e dënueshme ajo çfarë kanë bërë ata, sepse kanë inskenuar një proces. Nuk është se ishte e vërtetë. Sepse, po të kishte qenë e vërtetë, të ishte krijuar një organizatë, kishe nenin 10 vjet burg deri në kaq e në fund ta dhashë me vdekje dënimin. Por nuk ishte një organizatë. Nuk ekzistonte. U bë me dëshmi të rreme, me dhunë, me terror, me gjyq fals, me gjyq pa avokat. Pra, janë shumë gjëra që e bëjnë shumë të dënueshëm këtë krim, por që nuk është i vetmi, të kuptohemi. Ky është një nga shumë dënimet e padrejta që janë dhënë me vdekje, se nuk po flasim për të tjerat. Kjo shoqëri ruan vetëm dukjen, fasadën e këtyre gjërave, por gjithkush e nxjerr nga vetja të keqen. Dhe duket se gjithçka të keqe e ka bërë Enver Hoxha, ai ka vdekur dhe ja, u mbyll historia.
Fevziu: Si është pritur libri në perëndim?
Lubonja: Përgjithësisht bota njeh shumë nga këto raste. Reagimet më të shumta më kanë ardhur nga ata të huaj që e njohin Shqipërinë. Më emocionuesi që kam pasur nga këto reagime, kanë qenë ai i Robert Elsie që, kur e ka lexuar, ka shprehur atë tronditjen e madhe që ka ndier, se çfarë kanë hequr këta njerëz. Dikush thotë se është si Kafka, por real. Sepse Kafka ka ato pjesët e tmerreve, të fantazisë, por kur mendon diçka kafkiane, por reale, është e paimagjinueshme.
Fevziu: Ju falënderoj për këtë intervistë dhe për rikthimin e kësaj historie që, herë pas herë rikthehet në shtypin shqiptar, sidomos kur ka fushata për të dënuar ata që janë përgjegjës apo ndonjëherë për të kujtuar ata që kanë qenë viktima, por që asnjëherë nuk ka qenë kaq e ftohtë dhe e kthjellët.



(Vota: 5 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora