E enjte, 01.05.2025, 01:49 PM (GMT+1)

Mendime

Gjergj Meta: Letër familjes

E premte, 17.06.2011, 07:57 PM


Letër familjes

 

Nga Gjergj Meta

 

Cilës familje? Pa pikë dyshimi, asaj të themeluar mbi martesën ndërmjet një burri dhe një gruaje, dhe ndërmjet vetëm një burri dhe vetëm një gruaje, dhe një burri e një gruaje për gjithë jetën, e vetmja e mundshme për t’u quajtur familje. Po! Një letër e hapur asaj që është e pandashmja, e paprekshmja, e shenjta. Kur në krye të kohërave filloi të ekzistonte… njeriu, ai filloi të ekzistonte burrë dhe grua së bashku. E para pas Fjalës qe Familja. Familje e dashur, të dua shumë, sepse aty u linda edhe vetë, aty u rrita, u edukova e mësova të thërras ata dy njerëz të shtrenjtë që quhen babë e nanë e të tjerë, vëlla e motër. Por të dua edhe në emër të atyre që nuk mundën të të kenë kurrë dhe vetëm ata e dinë se sa do të kishin dashur. Të dua edhe në emër të atyre që të kanë, por nuk ia kuptojnë rëndësinë (janë të cekët, të papjekur apo egoistë), e gjithashtu në emër të atyre që të kanë humbur dhe e kanë të vështirë apo të pamundur të kthen mbrapsht.

Dua të të them se të shoh të plagosur rëndë, të shtrirë përdhe dhe të dhunuar keqas. Shpesh je e dhunuar nga dukuri të kobshme: alkool, drogë, lojëra fati, prostitucion, dhunë, pornografi. Herë të tjera plagët e tua janë më të fshehura, janë plagë të kohës, janë edhe me “kore” juridike e filozofike: divorci, martesat homoseksuale, poligamia, poliandria, “liria” e jetës, karriera. Ti je e plagosur dhe e përdhosur nga modele telenovelash e reality show–sh që duhet të ishin penalisht të dënueshme jo në emër të moralizimit, por thjesht sepse prishin rendin publik.

Ti je e plagosur, e dashur familje, dhe problemi është se askush nuk ta vë veshin. Në plan të parë është individi me nevojat dhe dëshirat e tij e më pas ti, e cila je kthyer në një hotel të individit, në funksion të tij. Ky po që është një revolucion kopernikan. Individi nuk kënaqet kurrë me atë çka ka pikërisht sepse kënaqësia e ambicia janë të vetmet mjete dhe qëllime të tij, themeli i ekzistencës së tij, e këto janë të pangopshme, të afta për të sakrifikuar gjithçka vetëm që të realizohen. E kjo do të thotë që flijimi i kënaqësisë dhe i ambicies nuk mund të jetë një rrugë për të shpëtuar familjen, por flijimi i familjes kthehet në një rrugë për të shpëtuar vetveten, d.m.th. kënaqësinë dhe ambicien.

Ti je e braktisur nga shteti, politika dhe ligjvënësit, që për ty kujdesen vetëm kur u duhen votat (mundësisht familjare), nga rendet ligjore për të cilat tashmë, në emër të mosdiskriminimit, mund të jesh e barasvlershme edhe me një kontratë të përkohshme ndërmjet dy individëve me sekse të kundërta apo edhe me sekse të njëjta. Nga sistemet e mendimit që me relativizmin e tyre të barazojnë me çdo lloj tjetër forme sociologjike. Ti je jo vetëm e plagosur, por edhe e çnatyruar, e përçudnuar dhe shpërfytyruar.

Ti je viktima e parë e hiçit, e sundimit dhe e diktaturës së tij, ti je synimi i tij, sepse duke të hequr ty nga ekzistenca, kjo e fundit i hiqet edhe individit, i cili mbetet tmerrësisht vetëm, d.m.th. asgjësohet. Ti je viktima e hiçit sepse horizontet e tua janë zhveshur nga dëshira e së përtejmes që u jep kuptim dhe qëndrueshmëri absolute të gjitha gjërave. Hiçi është krenia, mëtimi se jetën time mund ta administroj vetë, pa pasur nevojë të mbështetem diku.

Po, sepse edhe individi brenda teje nuk është më person. Individ (in-dividuum) do të thotë fizikisht i pandashëm, pra ekzistencialisht i vetmuar. Person do të thotë relacion dhe i pari relacion në rrafshin horizontal është ai familjar. Rënia e këtij relacioni shkakton rënien e të gjitha relacioneve. Ti je ajo leva arkimediane që mund të ngrinte gjithë botën, por fatkeqësisht të kanë përkulur rëndë. Ti je vatra e parë e një fëmije që ngjizet, bota e parë e një fëmije që lind, rrugët e para të një njeriu që rritet, shtrati i ngrohtë i një njeriu që vdes. Por, të gjitha këto, po t’i mohojnë në emër të një moderniteti nihilist që disa vlera i ka klasifikuar si të papërshtatshme për zhvillimin e që dalëngadalë po u bën nekrologjinë, pasi ka dhënë verdiktin e një dënimi me vdekje.

Më vjen keq, e dashur familje, që ti nuk je më ajo çka ke të shkruar qysh në etimologjinë e fjalës: familja që shpreh shumësinë e famulus, shërbyes, shërbëtor. Nuk do të abuzoja me termin dhe domethënien e tij nëse do ta quaja familjen atë bashkësi ku gjymtyrët janë shërbëtorë të njëri-tjetrit dhe jo të vetvetes. Kush e preferon sot fjalën shërbëtor, kush e beson më? Ajo ka një inflacion të jashtëzakonshëm. Nuk është më e besueshme, sepse nuk ka kush ta veshë e t’i japë një trup. Një trup, i cili flijohet në emër të diçkaje më të madhe. Dhe familja është ajo gjë për të cilën ia vlen.

Gjithsesi, e dashur familje, e plagosur nuk do të thotë e vdekur! Dhe kjo është shpresa jote nëse do të dish të zgjedhësh mjekët dhe mjekimin e duhur. Ekzistojnë ato oaze plot burra e gra, edhe pse gjithnjë e më të pakët, që ende besojnë në ty dhe të ruajnë si sytë e ballit, megjithëse u duhet të vuajnë, të përpiqen ditë e natë, të heqin dorë nga tekat e tyre, të dinë të buzëqeshin edhe kur jeta i trondit rëndë, të dinë të falin edhe kur janë prekur thellë në gjërat e tyre më të shtrenjta. Ti mos u dorëzo, se ke ende rojtarë që nuk do të lënë të japësh frymën e fundit.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx