Mendime
Halit Bogaj: Po lypë Edita pushtet
E diele, 19.06.2011, 07:56 PM
PO LYPË EDHE EDITA PUSHTET
Shkruar tri vjet më parë
Nga Halit Bogaj
Edita Tahiri e ngratë, pasiqë nuk mundi të zinte më askund vend, ambiciet e saj janë shtuar edhe për diçka tjetër.Ajo dëshiron të marrë pjesë në Grupin negociator për statusin final të Kosovës!Se sa është’’e përkushtuar’’ për Kosovën, këto ditë doli haptazi në qëllimet e veta transparente të cilat kanë të bëjnë me dëshirën e madhe dhe të ëmbël për pushtet.E mësuar që të ledhatohej dikur nga LDK-ja dhe e shashtrisur që nuk fitoi më tepër se një grusht votash, ajo dhe shoqja e saj e jetës dhe e idealit/Edi Shukriu/ e patën formuar një Parti në vete duke menduar se Kosova vërtet ishte sakat pa këto dy zonja të përçudshme, emri i të cilave do të mbetet i shkruar me faqe të zezë dhe me tradhti ndaj Partisë së tyre të mëparshme e cila u dha ‘’të hanin, të pinin dhe të shëtisnin’’ kudo që ua donte qejfi, madje ajo për të cilën e kemi fjalën thonë se edhe kishte doktoruar në SHBA me paratë e shtetit të Kosovës për të cilin po i vajton zemra , me ç’ rast po përpiqet që me mish e me shpirt të merr pjesë në ekipin Negociator!!!E shkreta është dalldisur nga inati që ka mbetur në periferi të ngjarjeve politike kosovare dhe doemos dëshiron që të ngjitet në hierarkinë e tyre dhe hiç më pak se të merr pjesë në Ekipin negociator , i cili do ta përcaktojë fatin e Kosovës dhe historinë e saj të ardhshme..E mjera ajo për mendët e veta ngase ka mundur të rrinte aty ku ishte dhe sigurisht se do të merrte pjesë, ashtu siç kishte marrë pjesë para luftës në një qytet gjerman kur debatohej për të ardhmen e Kosovës.Por tani është bërë vonë për të dhe për të ledhatuarën e saj Edi Shukriun të cilat, natyrisht me fajin e tyre të madh, kanë mbetur si lecka të shtrydhura pa përdorim të mëtejmë.Natyrisht se u ka mbetur merak i madh për të qenë në ballë të oxhakut por për besë nuk mund të shkojnë në Vjenë me orientimet e tyre të dëshmuara antiRugovë, ku njëra prej tyre edhe ka pasë kërkuar haptazi përmes nënshkrimeve sa ishim ne në Maqedoni që Rugova të mos ishte më kryetar i Kosovës!!!Ajo dhe disa ish korba të tjerë të LDK-së, të cilët tanimë kanë mbetur si pulat e nukta, nuk i realizuan qëllimet e tyre të errëta por përkundrazi Partia ua hëngri kokën atyre, ngase punonin pas shpine kundër saj.
Presidenti ynë karizmatik e dinte fare mirë çdo qëllim të passhpinorëve të tillë dhe i vështronte nga Bregu sa herë që paraqisnin rrezik për LDK-në dhe pse jo edhe për Kosovën.Të tilla pra ishin dy nepërkat e LDK-së-Edita Tahiri dhe Edi Shukriu të cilat mtonin pushtet edhe më të madh brenda partisë së tyre, natyrisht duke bashkëpunuar pas perdeve edhe me djallin , çka u pa më vonë edhe haptazi ..
Nga kjo del se pa pjesëmarrjen e tyre në atë ekip, vaj medet për këtë vend, por është çudi e madhe se si nuk po e shohin ato baltakun në të cilin kanë rënë dhe vazhdojnë të bien akoma?Vërtet, ai soj sorollop i tyre nuk e shohin kurrë dhe vazhdojnë të ecin drejt rrugëve të mbrapshta në të cilat janë orientuar pas ikjes nga LDK-ja dhe formimit të partisë së tyre të vockël, e cila ua hoqi maskën para popullit, edhepse vraponin kahmos për të treguar në mënyrë demagogjike se kinse do ta bënin Kosovën parajsë..Është një e mirë e madhe se ky popull nuk mashtrohet lehtë, aq më tepër kur edhe Rexhep Qosja, goxha njëfarë emri, sharroi shumë thellë në greminë dhe nuk mori as më shumë as më pak vota se Edi dhe Edita.Domethënë se i njëjti fat i pafat i Rexhziut i gjeti edhe ato dy dama të pudrosura trashë të cilat përpiqen t’ i fshehin rrudhat e pleqërisë..Domethënë se pa pjesëmarrjen e tyre në negociatat për statusin përfundimtar ky popull nuk ka kurrfarë të ardhme, çka është një absurd i madh që nuk e ha asnjë pazar, sidomos kur dihet se statusi është formal dhe se konturat kryesore të tij i ka bërë njeriu me emrin Ibrahim Rugova dhe të gjithë të tjerët mund t’ia bëjnë vetëm aminin Pavarësisë .Rruga e trasuar nga ajo figurë legjendare e këtij populli është e lidhur me të gjitha të arriturat tona të gjertanishme që i përkasin Epokës së tij të lavdishme të cilën po e pranon mbarë bota.Prandaj çka të themi tjetër për Editën e mjerë e cila ka rënë në fund të pusit me dëshirën e saj të sëmurë për të marrë pjesë në pushtet dhe në histori, anispes nuk e ka fituar asnjë vend në Parlament nga elektorati i saj i irituar i cili ia shpërbleu në mënyrë të denjë dhe të drejtë veprimet e saj të ndërmarra antiRugovë.Në këtë kontekst mund të themi se mallkimi i popullit për dikend mund të jetë bombastik, siç ndodhi me ato dy krijesa të pispillosura të ish LDK-së.Pra ato përpiqen kot edhepse e dinë fare mirë, se Pavarësia e Kosovës është vulosur nga personaliteti i shenjtë i këtij populli të cilin vdekja e rrëmbeu në vigjilje të pranimit formal të Pavarësisë, siç shprehej në çdo rast ai, por për fat të keq të cilin filluan ta anashkalojnë tani edhe disa passhpinorë të tjerë Lëdëkëistë, të cilët në këtë kohë shumë të vështirë për Kosovën po krijojnë kriza institucionale dhe hiç më larg se një muaj e gjysmë pas vdekjes së Presidentit.A mos do të thotë kjo se urithë të tillë si dy zonjat ka akoma në LDK?Unë për një të tillë mund të garantoj.Ai quhet Naim Jerliu i cili, ashtu si edhe Edi Shukriu, kur Rugova i përjetonte çastet më të vështira të jetës së tij në arrestin shtëpiak të Millosheviqit, në Tiranë kërkonte që lideri ynë të mos ishte më President!!!Domethënë ky farë Naim Jerliu i irituar mbijetoi deri sot në LDK të cilin vetë Presidenti është dashur që ta shkarkonte me dekret, por ne të gjithë e dimë se ai kishte sens të jashtëzakonshëm në situata të ngjashme, duke na e përkujtuar atë mallkimin e Naim Frashërit’’Bukë e mëmëdheut i zëntë tradhtarët e pabesë’’, çka është dëshmuar në disa raste me të gjithë ata që kanë dalur nga LDK-ja dhe kanë mbetur askund, sikur thneglat nën sofër.
Ne nuk jemi kundër pjesëmarrjes së femrave në Ekipin negociator, por atje duhet të shkojnë ato që janë zgjedhur me votën e popullit dhe falë Zotit se kemi femra të tilla të cilat mund të bisedojnë në çfardo niveli, e jo asosh të dështuara /dhe pa kurrfarë besimi/.Pra tani, pa fije turpi, por turp nuk kishin pasur asnjëherë, por edhe në koalicion me forcat nëntokësore antiRugovë ato përpiqen ta lëpijnë ndonjë asht të mbetur nga pushteti kosovar të cilin e kanë provuar disa vite nëpër karrigat e buta.
Siç thamë, njëra shkonte jashtë Kosovës kurse tjetra si ministre e kulturës dhe pastaj zgjidhej në dofarë komisionesh, ku e kishte futur për botim edhe librin e babait të saj-Muhamet Shukriut.
E tani kur gati gjithçka është definuar rreth statusit final të Kosovës, ato hiena përpiqen të marrin pjesë atje ku më së paku e kanë vendin.Por historia shqiptare mjerisht pati edhe personazhe të tilla të bollshme, të cilat kësaj radhe nuk mund të dalin në skenë ngase dikush tjetër ua cakton vendin e duhur.Ato edhe mëtej vetëm munden që ta trashin çoroditjen e tyre evidente me të cilën janë mësuar që nga ditët e para kur ia vunë thikën në shpinë LDK-së.
Një ditë kur e pashë në TV se edhe femrat kishin shprehur dëshirën për të marrë pjesë në Negociata, thashë, le të merr dikush prej tyre, por shumë shpejt u pa qëllimi dhe personat që donin të merrnin pjesë!Ajo ishte Edita Tahiri me të shoqen dhe thashë:A edhe këtu i paska futur hundët a?