Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Dy vorre në Shkodër...
E diele, 19.06.2011, 06:59 PM
DY VORRE NË SHKODER…
Nga Fritz RADOVANI
Qershor 1956. Po përgatiteshim për provimet e maturës bashkë me shokun tim të shkollës e të jetës, Injac Deden, në shtëpinë e Gjyzepina Shirokës, përballë Poliklinikës së vjetër, pranë Shtëpisë së Kulturës në Shkodër. Si zakonisht, edhe atë ditë mbasdreke Nana e nderueme e Gjyzepinës, zonja Augustina. na solli kafet... Ishte rreth orës 16... kur trokiti dera dhe hyni Dr. Kazika, një burrë i moshuem, i mbajtun, me flokë shumë dhe gjithnjë me gjyslykë dielli, me trup mesatar dhe pak i krrusun...Ishte me origjinë greke, po as sot nuk e di sesi kishte mbetë në Shqipni i vetem, mbasi familjen flitej se e kishte në Athinë... Ai banonte me qera në shtëpinë e Shirokajve, pra aty ku ishim tue studjue edhe na.
Porsa hyni në dhomë, na tha: “Ç’ bëni këtu, çohuni dhe shikoni se si kanë ardhur tek shtëpia e Shtjefen Ingrizit dreqnit, që dje i morën shpirtin e sot po i marrin edhe trupin!..” Atypëraty u qeshëm, por, me të vertetë, nga dritarja e korridorit vrejtem shumë njerëz, që kishin ardhë me e shti në dhé Shtjefnin, i cili njihej në Shkodër ndër ateistët e parë, qysh në vitet
U pat vorrosë në Vorrezat e Deshmorëve, pranë Spitalit Civil. Mbas dy tri ditësh, më pat tregue Don Mark Hasi, se një komshi i Shtjefnit kishte shkue në Argjipeshkvi dhe i kishte kërkue Don Markut me shkue me vojue Shtjefnin, se ishte shumë i smuet, e Don Marku, i shoqnuem nga komshija i tij, kishte shkue aty. Kanë trokitë në derë dhe porsa Don Marku kishte veshë këmishen e bardhë, asht ndigjue një za i mekun: “Hajde, hajde..!” Porsa Shtjefni ka pa priftin me këmishën e bardhë, asht kujtue, dhe pa pritë asnjë minut, i asht drejtue Don Markut: “Dil jashtë...ik jashtë, se nuk due prift!”, por Don Marku ka kambngulë me i ba shërbimet e shpirtit tue i thanë se je i sëmuet randë e mundesh me vdekë pa krye rrëfimin e fundit... Ai ka përsëritë: “Dil jashtë po t’ them!” Don Marku, si humbi durimin, ia kishte kthye: “Gjithë jetën ke punue me të marrë dreqi shpirtin, unë erdha e tash po iki e po ia lëshoj vendin atij të mallkuemit, që nuk ka me vonue e ka me të pasë atje në fund të Ferrit, ku e ke vendin ti edhe ai!” - dhe ka dalë.
Aso kohe kjo sjellje e Shtjefnit pat ba përshtypje në familjet e qytarëve shkodranë.
Pak vite ma vonë vdiq edhe Dr. Kazika. Shkueme me e shti në dhé... Kishte mjaft njerëz edhe pse ishte i pakërkend dhe i huej në Shkodër. Shumë vetë tregonin shpirtin e Doktorit human, që shpesh nuk pranonte shpërblimin e vizitës: “Ik ore, bleju kalamajve ndonjë gjë me këto parà, nuk dua shpërblim, ti e bërë tënden, falemnderit!...”
Shkuem mbas atij arkivoli dhe vorrimi u ba ndër Vorrezat e vjetra të Ortodoksëve, edhe këto pak mbas Spitalit Civil. Gjthsecili tregonte diçka nga kujtimet e mira të Tijat!
Aty nga vitët 1986-87, kishin vdekë dy të njohun të mijtë, që vorroseshin në një ditë, njeni aty nga ora 15, ndersa tjetri mbas një ore, pra nga ora 16 ose 16.30. Vendosa mbas vorrimit të parë me qendrue ndër vorret e Qytetit, që ishin në Stom Golem. Fillova nga vorri i parë tek dera e daljes dhe me rradhë tue lexue emnat, tue pa fotot dhe tue folë edhe me “Ata” edhe me vete... Papritmas u gjeta para një vorri të “harruem”, që kishte një pllakë çimentoje tek koka të shkrueme fare pakujdes: “Dr. KAZIKA”... – Po Ky, këtu!?... U nisa e shkova tek puntori i vorrezave i shtymë nga kurjoziteti dhe e pyeta nëse dinte me më shpjegue se kush e solli Dr. Kaziken ndër ata vorre, kur u prishën vorret Ortodokse? Edhe ai e dinte sakt si ka ngja. Kur ishin prishë vorrezat Ortodokse, familjarët kanë bajtë të vdekunit e fisit të vet me mjetet e komunales...Personi që rregjistronte lëvizjet, i thonte një puntori: “Kaloje, hap këte vorrin tjeter!” - dhe puntori fare kot, e pyet: “Po Ky që po kalojmë vorri i kujt asht, nuk ka familjarë?” – Jo, i përgjegjet nëpunësi i komunales – asht vorri i një mjekut grek, po nuk ka njeri këtu, i kanë thanë emnit Dr. Kazika, po ma gjatë nuk di as unë për té... – Si the, i thotë puntori – Dr. Kazika?... Këte do ta bajmë prej këtu dhe shpenzimet e bajtjes do t’i paguej vetë, i thotë puntori, mbasi kur kam pasë njëherë djalin e smuet, nuk pranoi me më marrë asnjë lek për vizitën...Sot po kam rasen me ia pague e po ia paguej rrugën, që mos t’i humbi Vorri i Tij!
Kështu, Vorri i Dr. Kazikës ishte ndër vorret e qytetit të Shkodres...
Menjëherë mendja më shkoj në ngjarjen e Qershorit të vitit 1956...
Kur u bajten Vorrezat e Deshmorëve, vorri i ateistit Shtjefen Ingrizi humbi...
Ndërsa Dr. Kazika, pa asnjë njeri, nuk humbi..!
Nga kjo histori e “Dy vorreve në Shkodër!” ndoshta ka “dishka” me mësue!..