E marte, 03.12.2024, 01:50 AM (GMT)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Kur po dekorohet ''Nderi i Kombit'' Ponsi Pilat..?

E enjte, 21.04.2011, 07:01 PM


KUR PO DEKOROHET “NDERI I KOMBIT” PONSI PILAT..?

 

Nga  Fritz RADOVANI

 

Afrohet e Premtja e Zezë apo e Premtja e Madhe…Edhe pse kanë kalue plot 52 vjet nga Prilli i vitit 1959, si sot kujtoj thanjen e Trimit të Selcës, Don Dedë Malaj, në gjyqin e organizuem në Kinema “Republika” të qytetit të Shkodrës: “E Premtja e Zezë në Shqipni ka fillue më 29 nandor 1944, dhe ka me vazhdue derisa të mbarojë  komunizmi”. Dhe mbi këte thanje profetike historia vazhdon...

            Asht pikërisht kjo vepër arti, që nuk na le me harrue se e Premtja e Zezë vazhdon në një nga shtetet ma të vjetra të Europës, dhe tragjedia e Shqiptarëve nuk jep asnjë shpresë ndryshimi në zhvillimet monotone politike. Thuhet se asnjë Popull nuk asht i zgjedhun me vuejtë!

Ashtu kjoftë!

            Këte dishron gjithkush i thotë vetes Shqiptar. Rrokullisen vitët njeni mbas tjetrit, ndërsa në Shqipni gjithshka të duket e amullët, e pashpresë dhe pa asnjë shenjë në qiellin e zymtë të saj. Klasat politike ngjajnë me një rrugë fshati pa asnjë shenjë drite, ku qenët kërkojnë me shkye sa  njena palë palen tjeter...mu në mesin e një nate të pafund. Shikon fotografitë e përsonave që priten me u votue, dhe porsa kërkon me dijtë kush janë “ata”, të krijohet ideja se je në zgjedhjet e vitit 1945, pa asnjë alternativë ndryshimesh në vijën politike të Frontit Demokratik, por me ndryshim të ekonomisë së kandidatëve që konkurrojnë njeni tjetrin me miljonat e eurove, të cilat, pa asnjë përjashtim, janë grumbullue në mënyrë të paligjëshme, si frut i korrupsionit galopant në të gjitha hallkat, skutat e labirintet e shtetit feudalo – komunist të drejtuem nga kapitalistët modernë, që pa pikë turpi shpërdorojnë ligjin, vjedhin, organizojnë krimin, vrasin natën për hanë e ditën për diell, tue kerkue vrasësit me adresa të “padituna”, krijojnë klane dhe grupe terroriste tue mbjellë frikë e pasiguri për qytetarët, mashtrojnë shtresat e vorfuna e të përsekutueme me premtime gjoja kthimi pronash e shpërblime të vitëve që u kanë grabitë me dhunë e prangosje

ndër burgje...apo, çka nuk mund të mendojnë njeriu se ndodhë, tue përvetsue edhe fondet e Komunitetit Europjan...

Një rresht i shkruem se shqiptarët janë popull i ndjeshem ndaj drejtësisë, më ka shty me u ulë e me kërkue në shpirtin e këtij populli, kush asht Juda dhe cili asht Pilati, që tallet me sedren dhe nderin e nëpërkambun të Shqiptarëve, kur Shteti përditë shkon drejt rrenimit e poshtnimit?

Shqiptarët kanë plot 66 vjet që nuk dijnë se çka asht “drejtësia” dhe parimet e një Shteti Demokratik, mbasi gjithnjë ka sundue diktatura dhe vazhdon me kenë i pranguem pa asnjë shpresë nga trashigimtarët e pasuesit e klaneve të tiranëve komunistë të shekullit të shkuem.

Përballë njeni-tjetrit nuk sheh asnjë fëtyrë të panjohun... Plot 20 vjet që kur rruga e hapun në vendet ish-komuniste ngjalli shpresa të mëdha edhe tek Shqiptarët. Plot 20 vjet që mbizotnon në çdo shtëpi Atdhetari pesimizmi. Nuk shihet asnjë element i ri se ka përfundue studimet dhe asht kthye në Atdhe me  dhanë ndihmesën e vet për të miren dhe përparimin e vendit...Asnjë kuadër i naltë mbi 30 vjeç nuk di me mendue për një variant të ri qeverisje, një organizim të një grupi apo një partie të tipit europjan...Në TV sheh vetem fëtyrat e “drogueme” nga marksizëm – leninizmi apo nënshkrimet në dosjet e pista të sigurimit që u janë ba si fantazma, dhe, që sa fillojnë me folë, vrahen e përçudnohen tue mendue se çka duhet me rrejtë apo me genjye, me mëshef... siç, i thonë ata “zotnijë” ndër kuvendet e tyne zyrtare. Shqiptarët po përjetojnë edhe njëherë në jeten e tyne politike dhe ekonomike Gjetsemanin e vjeter...Juda vazhdon në krye të tavolinave ku janë grumbullue qyqet “presidenta”, që janë rreshtue rretherrotull, tue ndigjue leksionet e tradhëtisë së tij deri tek stergjyshat.

Vetem Juda shihet ndër rrugët e Tiranës... Edhe Aranit Çela me ndonjë gjeneral batall vazhdon xhirot e tij tek Pallati i Kulturës, tue i dhanë “direktiva” e porosi sa njenit vrasës tjetrit... Pensionistët e ministrisë së mbrendshme apo të ushtrisë “çlirimtare” vazhdojnë me zellin ma të madh me tregue sesi duhet mbajtë pushteti dhe trashigue ai nga njeni brez në tjetrin. ...Shpesh i sheh të kapun për krahësh dhe të ngjeshun sikur në funeralin e Enver Hoxhës, “grusht çeliku” rreth partisë, por pak të krrusun nga dekoratat që u shndrisin ndër gjokse. Fantazinë ua prish ndonjë nga kalimtarët, që vite ma parë asht torturue prej tyne ose dënue me sa vite burg e prap gjallë se gjallë... “ende nuk ka ngordhur qeni...bëri sa vite në minjera e tharje kënetash dhe prap jeton...i lirë, gabuam që nuk i shqymë me dhembë, ashtu siç vepronte Nevzat Haznedari, Hilmi Seiti, Ali Xhunga, Zoji Themeli..., apo siç thonte Kadri Hazbiu, “torturojini pa pikë mëshire deri sa t’ju ngordhin në dorë!” Gjykata e Naltë asht e vetmja që vazhdon me krye detyrat e PPSh.

            “Ore, ku t’u kujtuan zanatçijtë e atyre Lleshrave e Prengëve...o derzi?” thonte një prej tyne para sa vitesh...E biseda vazhdonte me masakrat e bame në birucat e Shkodrës...

            Kujtojnë torturat... kujtojnë hetuesitë, kujtojnë rrahjet, kujtojnë shkapetjet nga korrenti elektrik, kujtojnë gratë e nanat e tyne tek dyert e sigurimit... kujtojnë gjyqet e montueme ashtu si i porosiste partia...kujtojnë sesi vllau nuk njihte vllanë kur ballafaqoheshin, apo miku mikun, e shpesh bisedat nuk kanë fund kur duen me tregue sesi formoheshin grupet “antiparti”, apo sesi, vritnin njerëzit në Malësi dhe i tretnin ndër prroje e pyje...ku ushqeheshin kafshët e egra... Kujtonin me dhimbje edhe  projektuesit e atyne veprave makabre, “herojt e popullit” Enver Hoxhen, Ramiz Alinë, Mehmetin, Kadriun, Fiqreten e Nexhmijen, apo “herojtë e heshtun” të sigurimit shtetit, që masakronin klerin katolik...apo përqafimet me Haxhi Lleshin e deputetët e kuvendit popullor... kur aprovonin dënimet me vdekje dhe heqjen e së drejtës së votimit për 15 vjet mbas pushkatimit ...përveç priftënve që nuk kishin të drejtë me votue kurrë ma!! Pak kanë mbetë nga kriminelët e vjeter, po edhe ata vazhdojnë me kenë në zyret e nalta të gjykatave e prokurorive, dekorohen sot sikur deri dje nuk kanë krye asnjë vepër terrori e krimi. Presidenti rrethohet e këshillohet me sa e sa nga këto bisha, që janë ushqye me mish njeriu, si Skender Breca, Njazi Jaho apo Fatmira Laskaj, që ka firmue dënimin me varje të Martirit Hafzi Nela...

A ka mundësi që edhe ai kënaqet tue ndigjue sesi këta kafshë të sigurimit komunist kanë torturue e vra të pafajshëm kur donin me krye porositë e komitetit qendror të PPSh, frontit “demokratik” dhe sigurimit, që punonin pa u lodhë me sigurue kulltukun e Enver Hoxhës, Ramiz Alisë dhe trashigimtarëve të tyne?!

            Sot trashigimia komuniste ka marrë tiparet e qeverisjes mbretnore...prandej edhe bajnë koalicione me “filialet” e PPSh-së, të cilat ruejnë emnat e partive të “vjetra”, që janë mekë...e fikë!

Këtë vit Presidenti i Republikës së Shqipnisë, në vazhdën e “dekorimeve” të hetuesëve të sigurimit, prokurorëve dhe gjykatësve, apo të oficerëve të ministrisë së mbrendëshme, të cilët kanë masakrue dhe zhdukë Klerin Katolik Shqiptar, me propozim të deputetëve të kuvendit popullor, si dhe të veteranëve kriminelë që vazhdojnë me pasë në gjokset e tyne dekoratat e dhana nga Enver Hoxha e Ramiz Alia (Juda i Popullit Shqiptar), e që i gëzojnë ato dekorata edhe këta vetë prap sot, për qejfin e tyne, por edhe të vetin, asht e kuptueshme, që Presidenti do të dekorojnë “në këto ditë” edhe Ponsin Pilat me dekoraten “Nderi i kombit”...

            Aspak mos u çuditni!

            Ponsi Pilat asht dashtë dekorue përnjëherë me Enver Hoxhen me 1 korrik 1946, kur Tito e shpalli “hero i popujve të Jugosllavisë” si tradhëtar i Trojeve Shqiptare...

 

Juda vazhdon me mendue...për trashigimtarët e fronit të vet!...

           



(Vota: 19 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora