Mendime
Faik Krasniqi: Bashkimi Kombëtar është i pashmangshëm
E merkure, 22.06.2011, 07:58 PM
Bashkimi Kombëtar është i pashmangshëm
Nga Faik Krasniqi
Bashkimi Evropian nuk është bashkim i qytetarëve, por i kombeve. Ky bashkim është bashkëveprim i koordinuar në relacionet mes kombeve dhe shteteve, por jo heqje kufinjësh nacionale.
Po nuk pat bashkim të shqiptarëve nuk do të ketë stabilitet as paqe në Ballkan, sepse gjendemi përreth fqinjëve me shovinist në botë, të cilët me përpjekje të palodhshme përpiqen që në mënyrë historike, mashtrime dhe intriga ta legjitimojnë zhdukjen dhe përndjekjen e shqiptarëve. Kjo është teoria e tyre e vazhdueshme, shekullore dhe që ka gjetur zbatim kohë pas kohe. Nëse ka popull në Evropë që seriozisht është i kërcënuar, atëherë ata janë shqiptarët. Dhe ky është preteksti më i madh i mundshëm që mund të zgjoj vetëdijen e një shqiptari se nuk ka shpëtim pa veprim të përbashkët dhe bashkim kombëtar.
Sepse nëse je i pushtuar dhe nën trysni të vazhdueshme të shteteve shoviniste fqinjë atëherë nuk do të kesh kohë as mundësi t'i japësh të drejta gruas dhe as punësim, nuk do të kesh kohë as mundësi të zhvillosh pronën private, nuk do të kesh kohë as mundësi të krijosh qeveri apo gjyqësi të ndershme, nuk do të kesh kohë as mundësi të mënjanosh vëllavrasjen dhe as të zhvillosh kulturën dhe shkollimin (shih Kosovën). Shoqëria shqiptare nuk është patriarkale sepse ''jemi njerëz të xhunglës'' (sipas fqinjëve) por sepse patriarkalizmin e kanë kushtëzuar shumë zhvillime historike që kanë ndodhur dhe vazhdojnë të ndodhin në këtë shoqëri, e njëri ndër to është pushtimi i kohë pas kohshëm i fqinjëve dhe trysnia e vazhdueshme e tyre që pengojnë zhvillimin tonë. Kur t'i kemi parasysh këto fakte atëherë e kuptojmë fortë mirë se është e vështirë të instalohen "funksione shoqërore dhe shtetërore" të shoqërive me zhvillim të lartë ekonomik dhe traditë të paqes dhe rehatllëkut.
(Autori është publicist i pavarur nga Prishtina)