E enjte, 01.05.2025, 11:50 AM (GMT+1)

Mendime

Çlirim Uça: Bujqit e idesë së kombit të sorrave

E shtune, 25.06.2011, 07:59 PM


Bujqit e idesë së kombit të sorrave

 

Nga Çlirim Uça

 

''Gjithkush korrë ç’ mbjell''. Kështu thotë populli, sepse vetë jeta e ka mësue kështu.

 

Por kështu nuk duen të mendojnë e veprojnë disa antikombëtarë tanë, të cilët po duen te korrin një farë kombi të ashtuquajtun ,, Komb Kosovar”, pa e pasë farë të mbjellun kund. Mendja më shkoj menjëherë tek sorrat, që si ata, pa mbjellë farë kund, porsa të ngjizet djersa e punëtorit, fluturojnë në ara dhe çokisin frytin e bujkut punëtor. Me një fjale: korrin pa mbjellë farë.

 

Me gjasë, tue qenë të bazuam në këtë parim, kështu duen të veprojnë edhe disa nga bashkëkombësit tanë, të cilët madje kane zgjedhë edhe emnin që i përafrohet kësaj shpeze, e sa për veprim s`duhet folë fare: korr sorra e korr kosovari. Aq identik në veprime janë, sa mund të jetë edhe emëntimi: Kombi Kosovar, ose Kombi i Sorrave.

 

Të ngrituna peshë nga vera dhe vjeshta e bereqetëshme, ato po ia marrin korit të tyne të lemerishëm, krrraaa, krraa, krraaa, sa, për ide të shpëtimit të kokës dhe trupit, gati sa nuk me asht mbushë mendja t’i pres fare veshët e mi tepër të ndjeshëm.

 

I deshpruem si mos me keq nga këto thirrje, thash t’i drejtohem pak fuqisë logjike e të arsyesë, kuptohet, jo në times, po të popullit tonë, që nga përvoja dhe ditunija ka lanë atë fjalën e bukur në lidhje me mbjellje-korrjet. Se, thash me vete, këta që po flasin në emën të popullit dhe që po e duen aq shumë popullin, mund të binden edhe ma lehtë simbas logjikës së tij, (dmth., të popullit).

 

Prandaj, jo për irritim të ideologëve të kësaj ideje, por pikërisht për bindjen e tyne sa ma të thellë, jam i detyruem të përdori në këtë shqyrtim edhe ma tej terminologjinë bujqësore. Nga lexuesi kërkoj mirëkuptimin. Fundja , komunikimi asht një vlerë dhe ajo duhet përdorë në krejt dimensionin e saj.

 

Me që mora leje për të hy në këtë shqyrtim, ma parë ideologët e idesë po i kthej në ekspertë bujqësije, apo ma mirë në bujq; ndërsa ndërmarrjen e tyne po e emnoj: Instituti bujqësor , Kombi kosovar asht ardhmënija jone”, thjeshtë për qartësi.

 

Për vetë natyrën e kësaj veprimtarie, bujqit ende të pasprovuem, duhet dijtë që suksesi në këte fushë nënkupton ndërmarrjen e një varg masash dhe parakushtesh, që duhet të kenë parasyshë ata që vendosin t’i fusin kambët në pleh deri në gjunjë.

 

Që në fillim duhet thanë se: ideatorët e kësaj ideje e zotnojnë projekt-planin e këtij biznesi. Ai mund të jetë i hartuem nxitueshëm, ashtu shkel e shko, simbas ndonjë premtimi që mund të kenë marrë ata nga miqtë e tyne.

 

Por një tjetër gja që nuk po duket se dihet prej tyne, e që asht parakushti bazë për ndërmarrjen e kësaj veprimtarie, asht prona. Mjafton vetëm të jesh bujk, i çfarëdo niveli dhe do ta dijsh se: pronë pa bujk e bujk pa pronë nuk ka.

 

Mbasi në këtë çashtje bahet fjalë për prodhimtari përmasash të mëdha, edhe madhësia e pronës duhet të jetë relativisht e madhe; të këte fusha e male pa kufi me të gjitha të mirat e mundëshme. Që të heqim keqkuptimin në krye të herës, u duhet thanë këtyne bujqve se arat, oborret dhe taracat e shtëpive, si ato në zotnim të tyne, apo si prona të baballarëve të tyne, nuk e përmbushin asnjë parakusht për nisje të veprimtarisë.

 

Thash, duhet të jetë fushë e mal, e që mbasandaj me një kosto shumë të naltë të kthehet në arë për mbjellje, se arat e hapuna deri me tash janë mbjellë me kohë me farën e kombeve të baballarëve që i kanë hapë ato. Të shpresosh që do të mundë të gjendet ndonjë budalla që të japë arën e gatëshme për të mbjellë farën e kombit tand të ri, siç thuhet në të gatshëm, pa pasë nevojë të kalosh sikletin dhe gazepin e kthimit të parcelës mal, në parcelë arë, kjo asht mos seriozitet i natyrës allashqiptarçe. Pra, bujqit e kësaj ideje duhet ta dijnë që kjo ndërmarrje kushton shumë djersë, mund dhe mbase edhe ndonjë sakrificë edhe ma të madhe . Por që ajo punë bahet, kjo nuk do diskutim: Asht provue me qinda herë deri më tash.

 

Mirëpo, ajo që asht e sigurtë si mungesë, asht mungesa e pronës. Me sa di unë, tash kanë mbetë jashtë një mase kontrolli vetëm edhe do rezervate me kafshë të egra në Afrikë, si dhe disa pjesë të Antartikut, ku zotnuesit e atyne vendeve vështirë që të pajtohen me kërkesat e këtyne tanëve. Madje as te flasin me ju!

 

Tue qenë se as në aspektin bujqësor kombi nuk do të ishte një kulturë njëvjeçare, këta bujq duhet të orientohen në fushën e vneshtarisë (me falni së këtu ja futa kot, se ata e dinë këte gja, madje e kanë të siguruem edhe fidanin). Po po, në vneshtari, se vetëm ashtu ata mund t`ia dokumentojnë botës ekzistencën e kombit të tyne nëpër plantacione, për stinë e për vjet.

 

Para së të përcaktoheshin për këtë veprimtari bujqësore, do të duhej të banin edhe një studim të fushës së leverdisë ekonomike, në mënyrë që kombi i mbjellë të ishte sa me rentabël në prodhimtari, sa ma cilësor, si në pamje, ashtu edhe përmbajtje; në veçori sa ma i dallueshëm, por dhe të jetë sa ma i kërkuem në tregun rajonal, se për tjetër as që bahet fjalë.

 

Po ashtu, do te duhej të merrej parasyshë edhe koha e gjatë e shterpësisë dhe shpenzimet e lidhuna me këte periudhë, mbasi vneshtaria nuk asht si puna e kultivimit të dredhëzave që, mbasi të jenë mbjellë, duen vetëm edhe pak diell dhe një reshje shi e shporta të mbushet plotë.

 

E sa për fidanin që e zotnoni, nuk keni pse të mburreni dhe as ne nuk e kemi ndërmend t’u përgëzojmë, mbasi nuk asht as ide dhe as mund i juej, por thjesht donacion serb, i eksperimentuem tash e 100 vjet.

 

Por, megjithatë, nëse jeni te vendosun t’i përvesheni punës, tue iu përmbajtë procedurës së tregueme, bir nane nuk do të dalë t’jua ndalojë kultivimin e kulturës së dëshirueme. Jo se jemi tash në kohën demokratike: mbill çfarë të duesh!. Po deshtë, mbill edhe hashash: përfitimin e ke ma të madh se burgun.

 

U mbetet të shihni vetëm për pronën!

 

Nëse keni mendue të shfrytëzoni djerrinat anë e kand fushave të Dardanisë, këtë ujë mos e vini fare në zjarr, se mbill aty çfarë të duesh, prap të vjen shqiptari, se me gjakun e tij asht mbjellë e ujitë ajo fushë qëkur nuk mbahet mend.

 

Nëse keni mendue të bani ndonjë komplot, si bie fjala, këte çashtje ta maskoni nën krahët e sorrave dhe ashtu përmes tyne të na sillni nën pullazet tona, ju paralajmroj që tjetër zgjidhje nuk kemi, pos të lëshohemi edhe na në hajni si politikanëtë tanë dhe të ndërtojmë shtëpi me pullaze të mbylluna. Kjo mund të jetë edhe si e vetmja mbrojtje nga ju dhe simboli juaj shpirtënor.

 

Ky nuk do të ishte ma pak se fundi juej.



(Vota: 4 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx