Mendime
Lavdrim Lita: Kundër të mirës
E hene, 27.06.2011, 07:59 PM
Kundër të mirës
Nga Lavdrim Lita
Besoj se shumë pak veta kanë lexuar shkrimin e fundit të Christopher Hitchens - gazetar, historian dhe shkrimtar me famë ndërkombëtare – që në numrin e fundit të revistës prestigjioze amerikane “The Atlantic” ka bërë një analizë kritike të personalitetit të Mahatma Gandit. Dëshira për të zhveshur personazhet që kanë një hije shenjtërie është misioni i këtij ateisti të pandreqshëm. z. Hitchens është 62 vjeç dhe ka lindur në
Për ne ai është i njohur për tentativën e çuditshme për të gërvishtur portretin e të lumnumes Nënës Terezë. Në 1995 z. Hitchens botoi librin “Pozicioni i Misionares”, i cili ishte shumë kritik ndaj disa aspekteve të jetës dhe veprimtarisë së Nënë Terezës, midis te tjerave për suportin ndaj diktatorit të Haitit Duvalier. Më 2002, ai u thirr nga Kisha e Vatikanit për të mbajtur pozicionin “kritik” ndaj lumturimit të Nënë Terezës, me një procedurë të njohur si avokatura e djallit. z. Hitchens argumentonte se “qëllimi i saj nuk ishte ndihmesa e njerëzve” dhe madje ajo i gënjente donatorët rreth përdorimit të kontributeve të tyre. “Pasi fola me të, zbulova dhe ajo më siguroi për këtë, se ajo nuk punonte për të zbutur varfërinë”, tha Hitchens. “Ajo punonte për të rritur numrin e katolikëve”. Ajo tha “Unë nuk jam punëtore sociale. Nuk është kjo arsyeja se pse e bëj. E bëj për Krishtin. E bëj për Kishën”.
Në një intervistë të 1996 për “Fre Inquiry” z. Hitchens vetë-deklarohet: “jam një ateist. Nuk jam neutral ndaj feve, unë jam kundër. Mendoj se ajo është një e keqe, jo vetëm një falsitet. Dhe nuk i referohet vetëm besimeve të organizuara, por jam kundër mendësisë së saj”. Pa dyshim z. Hitchens është një gazetar i bërë i njohur për shkak të origjinalitetit të tij. I nisur nga e majta, revolucionar trockist, doli në të djathtë, duke mbështetur luftërat në Irak e gjithfarësoj pozicionesh për të qenë koherent me shpirtin anti-konformist.
Sidoqoftë një libër biografik, i dalë vetëm pak muaj më parë, dedikuar një personaliteti me famë botërore dhe historike si Gandi, i ka thënë atij mundësinë të kritikojë jo vetën agjiografinë e Gandit, të autorit-fitues i çmimit Pulitzer Joseph Lelyveld, por edhe shansin të portretizojë figurën. Kritika qendrore që i bëhet Gandit – përpos anatemës se letrës shkruar më 1939 Hitlerit, ku e cilësonte në mënyrë naive “miku im” – mbi mënyrën e veprimit të Gandit është përbuzja ndaj botës materiale, e konsideruar si egoiste, e thatë dhe e sëmurë, kurse gjithçka që i përket sferës shpirtërore konsiderohet e pastër dhe altruiste. Hitchens beson se “kjo është një anti-tezë false, e cila është në qendër të çdo fundamentalizmi fetar, dhe për më shumë inkurajon, një përkeqësim të dukshëm të gjendjes së botës “reale”.
Mirëpo z. Hitchens harron se shumë liderë të mëdhenj kanë pasur një vokacion martiri dhe një un të papërcaktuar. Sokrati kërkoi me ndërgjegje martirin e tij, dhe po kështu Jezu Krishti. Pastaj kur miliona persona të japin dashurinë e tyre, është shumë e vështirë të mbash ekuilibrin, që ndoshta s’e kanë pasur kurrë. Sigurisht kjo gjë nuk i heq asnjë presje madhështisë së sakrificës dhe mirësisë së mesazhit që këto figura i japin njerëzimit. Nga ana tjetër heronjtë janë jo vetëm për t’u adhuruar, por edhe për t’i përdorur, sepse tek ata gjendet siguria, identiteti, forca dhe vendimmarrja. Heroi i vërtetë është heroi i vdekur, që largohet përtej botës faktike, në mënyrë që forca e tij të kuptohet në mënyrë proporcionale me dobësinë e njerëzve.