Mendime
Fadil Lushi: ''Të vërtetën përgjysmë mos e ndaj...''
E marte, 05.07.2011, 08:00 PM
“TË VËRTETËN PËRGJYSMË MOS E NDAJ...”
Nga Fadil LUSHI
Kritikët letrar shqiptarë thonë sot se Azem Shkreli ishte një njeri i cili u ngjit natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqiptare. Ai një herë, pos të tjerash, kishte thënë: “Të vërtetën përgjysmë mos e ndaj, se njëra gjysmë komploton kundër saj”. Ky përgjysmim i së vërtetës shkreliane, pa fije dyshimi, sot e gjithë ditën e Perëndisë, do gjejë shprehje te mediet e shkruara dhe ato elektronike (pro, kundër dhe të “pavarur”) të Shqipërisë politike dhe të Republikës së Kosovës. Nuk do mend se ky “komplot” vihet re brenda shkrimeve, opinioneve, kolumneve, analizave politike, editorialeve a komenteve redaksionale dhe debateve televizive, të gjitha këto të ndërtuara nga opinionbërësit e njohur shqiptarë të Tiranës dhe gjithandej Shqipërisë politike. Të gjitha këto “produkte” gazetash dhe debatesh televizive padyshim se do të gjejnë shprehje sidomos gjatë fushatës zgjedhore dhe pas saj (qofshin ato të jenë zgjedhje parlamentare, presidenciale a edhe vendore).
Edhe pas dy deceniesh, nga rënia e kështjellës së diktaturës mediatike në Shqipëri, sot e kësaj dite nuk duket a nuk hetohet sa duhet ajo liria e fjalës autonome të cilitdo qoftë opinionist gazete dhe shtëpie televizive. E gjithë kjo “falë” pushtetmbajtësve aktualë, të cilët mëtojnë që në vend të themeleve të kështjellës së ashtuquajtur diktaturë mediatike, të ndërtojnë “kalanë” e kontrollimit të medieve. Ky kontroll bëhet me qëllime të caktuara e djallëzore! Këto mediume tradicionalisht kanë reflektuar vetëm “anët pozitive” të pushtetmbajtësit, ndërkaq anët e shëmtuara (detyrimisht) përgjithmonë janë lënë mënjanë.
Në kuadër dhe rreth burimeve të këtyre analizave, opinioneve a edhe debateve televizive hetohet prezenca e dy lloj censurash: e para: censura sistematike shtetërore dhe e dyta: censura e liderishipit të cilësdo qoftë partie politike, e asaj në pushtet a në opozitë!? Si e para censurë, njashtu edhe e dyta, ka për detyrë ta kontrollojë, ta“vlerësojë”, ta përgjysmojë dhe më pastaj ta shtrembërojë e ta përdhosë edhe atë pak fjalë të vërtetë dhe të lirë të kundërshtarit politik!?
Në atë “kolektivitet mediatik” hetohen edhe të atillë ”opinionistë” të cilët, duke iu bërë bisht i partive të caktuara politike dhe lidershipëve të tyre, do të bëjnë punë me bishta, thjesht do të ndërtojnë opinione emocionale, jo objektive dhe krejt të porositura, opinione, ku do të hetohen informacione për gjëra të vogla, joqenësore dhe të pavërteta. Në ballinat dhe kryerreshtat e shkrimeve, analizave dhe editorialeve a komenteve redaksionale, “padrejtësisht dhe në vijimësi do të defilojnë” parti politike dhe personalitete me karaktere të papërcaktuara, gjegjësisht opinione që kanë për qëllim të përcjellin mesazhe në kohë dhe rrethana të caktuara, qofshin ato ekonomike a edhe politike. Grupi i opinionistëve në fjalë përfundimisht duke e çoroditur lajmin, detyrohen që autonominë e të menduarit të tyre ta shndërrojnë në mendje skllavi. Së fundi, këto opinione emocionale dhe kryekëput me tarafe, te lexuesit, lëre që do tëkrijojnë huti dhe frustracione, por njëkohësisht edhe do t’ua largojnë vëmendjen. Të gjithë ata që nuk i nënshtrohen kësaj censure detyrohen t’u nënshtrohen sanksioneve pavarësisht se deri në momentin e ndëshkimit kanë shërbyer me devotshmëri. Për ta përmbyllur këtë paragraf që u dedikohet “opinionbërësve” me tarafe, më duhet të them se “letërshkruesit” që verbërisht u përgjigjen nënshtrimeve të panatyrshme të partive politike, mediumin ku ata veprojnë e transformojnë në “medium makiavelist”, në diktaturë mediatike, në medium mëhallësh, principatash dhe në zëdhënës (pa pare) të subjekteve politike dhe lidershipëve të tyre. Ky “makiavelizëm mediatik”, ka kampionët gjegjësisht bosët e saj të cilët, në mungesë të zbatimit të ligjit, do të krijojnë hapësirë për të menaxhuar me “biznes mafien mediatike”, qoftë ajo e shkruar a elektronike!? Dhe kur këta “zëdhënës të politikave djallëzore” do të futen në krizë (të thellë) morale dhe institucionale, atëherë do të detyrohen që njëherë e përgjithmonë “... të jetojnë në skemën e burgut mendor”, siç do të thotë një analist nga Shqipëria. E përbashkëta e këtyre gazetarëve dhe analistëve politikë qëndron në faktin se (ata) gjithmonë hetojnë vetëm gjymtimet e një vakie dhe meseleje dhe mandej këtë vaki të rremë ta bëjnë për të vërtetë. Në instancë të fundit, nuk duhet habitur se pse këtyre “analisteve” u mungojnë preokupimet e sinqerta dhe morale ndaj ndërtimit të gazetarisë si burim i mirëfilltë i informacionit të saktë.
Ekziston edhe një grup tjetër “analistësh” që bëjnë gazetari oportuniste gjegjësisht njerëz, të cilëve duke u munguar parimet e qëndrueshme do të lëkunden herë në një anë e herë në anën tjetër të cilitdo qoftë parti politike. “Opinionbërësit” në fjalë me “gjithë përvojën dhe përgatitjen e tyre gazetareske”, oportunitetin e tyre do ta “justifikojnë” me atë se kinse vendi i punës a edhe gradimi i shpejtë politik i tyre janë nën varësinë dhe nën urdhrat e editorit gjegjësisht të themeluesit të mediumit, të politikës ditore dhe lidershipit. Këta “analistë po edhe kolumnistë” duke qenë të ndërgjegjshëm sa i përket shtrembërimit a përgjysmimit të së vërtetës shkreliniane... lidhur me gjymtimet që hetohen në gazetarinë shqiptare, ata për këtë dhe arsye të tjera, nuk e kanë ndër mend të bëjnë asnjë të vetme përpjekje për përmirësimin e perceptimeve të tyre të gabuara.
Grupi i tretë i opinionbërësve, analistëve politikë dhe kolumnistëve karakterizohet me faktin se ata i takojnë taborit të intelektualëve të mirëfilltë që kanë teserën e të bërit opinione e analiza serioze dhe personale, e para, kurse e dyta asnjëherë nuk mëtojnë të pozicionohen politikisht dhe as të mëtojnë të marrin krahun a anën e ndonjë partie politike, po edhe të asnjë pushteti..., e treta, nuk do t’u shkojë në mendje që të bëjnë gazetari klienteliste dhe të varur politikisht..., e katërta, nuk do të pranojnë të jenë megafonë të partive politike..., e pesta, nuk do të pranojnë që t’u shërbejnë (verbërisht) sherrxhinjve në përcjelljen e mendimeve djallëzore... Ata thjesht do të udhëhiqen prej kodin etik dhe standardeve të avancuara të gazetarisë së paanshme dhe të pavarur. Ky grup opinionistësh, duke e shfrytëzuar forcën, guximin dhe qëndrimin intelektual të tyre, do t’i kundërshtojnë dhe do t’i inatosin urdhrat e pushtetmbajtësit, të atij pushtetmbajtësi i cili në vijimësi mëton t’i heshtë këta intelektualë të padëgjueshëm dhe, në raste të veçanta dhe të jashtëzakonshme, edhe t’i korruptojë. Pushteti në fjalë harron se në këtë dynja nuk ka asi monedhe me të cilën do t’ua blejë mendjen e tyre. Fatkeqësisht, opinionistë të tillë në Shqipëri, ka pak.
Të gjitha institucionet mediatike të shkruara dhe elektronike tok me gazetarët e tyre që nuk do t’i shkojnë përshtati, gjegjësisht nuk do të marrin tarafin e pushtetit dhe partive politike, realisht do të duhet të hanë kokën e tyre dhe njëkohësisht do t’i vihet çelësi institucionit ku veprojnë..., sidomos tani, kur nuk mbrohen nga ligji.
Pas gjithë kësaj katrahure, lexuesve të nderuar u mbetet të frymojnë mes inatit të pushtetmbajtësit, censurës, editorit dhe lajmit të kontrolluar, të shtrembëruar dhe me tarafe!??
Sot shqiptarët, me gjithë atë numër të madh të medieve të shkruara dhe elektronike, nuk gjejnë dot një të vetmen gazetë “serioze” dhe pa tarafe. Do të thonë se ka kohë që i ka marrë malli ta thonë atë se ja: kësaj here, më në fund më ra në dorë gazeta “X”, gazetë ku do gjej rehatinë shpirtërore, po edhe atë mendore. Burrështetasi amerikan, Benxhamin Franklini, do të thotë: “Të vetmet gjëra të sigurta në këtë Botë, janë vdekja dhe taksat”! A mos vallë në gazetarinë e Shqipërisë politike, nuk ka të vërteta, po qofshin ato të jenë “përgjysmë”, sipas Azem Shkrelit!