E merkure, 30.04.2025, 03:45 PM (GMT+1)

Mendime

Intervistë me Grid Rrojin, themelues dhe drejtues i Forumit Shqiptaro Amerikan për Demokraci

E enjte, 07.07.2011, 08:59 PM


Intervistoi Ruben Avxhiu

 

Forumi shqiptaro-amerikan për demokracinë ka qenë një nga organizatat më aktive në komunitetin shqiptar gjatë këtij viti. Si themelues dhe drejtues i tij, a mund të më tregoni se si lindi ideja e krijimit të tij dhe pse menduat se ishte i nevojshëm ky forum në jetën e komunitetit?

 

Së pari, më lejoni t’ju falenderoj ju dhe gazetën Illyria për këtë intervistë. Komuniteti shqiptaro amerikan është shumë mirënjohës juve dhe botuesin e gazetës Illyria z. Vehbi Bajrami për punën e shkëlqyer që bëni.

Forumi Shqiptaro Amerikan për Demokraci është një organizatë jo partiake e cila synon të ndikojë në forcimin e demokracisë, konsolidimin e vlerave demokratike dhe krijimin e një hapësire ku hidhen dhe rrihen ide mbi të tashmen dhe të ardhmen e të gjitha viseve ku jetojnë shqiptarët.

Shqiptarët kanë traditë të lashtë të tolerancës, diskutimeve demokratike në kuvende, dhe gjetjes së kompromisit për zgjidhjen e problemeve , gjë e cila jo vetëm ka garantuar një bashkëjetesë paqësore të të gjitha komuniteteve fetare brenda hapësirës shqiptare por ka qenë edhe themeli i realizimit të aspiratave të kombit shqiptar. Në pikat kyçe të historisë së tyre qysh nga Lidhja e Prizrenit e deri tek Lëvizja Studentore e Dhjetorit shqiptarët i kanë përqafuar vlerat demokratike dhe lirinë si vlera themelore të kombit shqiptar.

Forumi është një nismë jopartiake e cila bashkon profesionistë të rinj dhe studentë për të kontribuar në forcimin e demokracisë në trevat shqiptare. Ne shqiptarët jemi një komb i vogël dhe nuk e kemi luksin të mënjanojmë apo shpërdorojmë energjitë njërëzore dhe intelektuale të diasporës, sidomos të një komuniteti aq të gjallë dhe të suksesshëm sa ai shqiptaro amerikan.

Duke qenë se sistemi demokratik i qeverisjes është dëshmuar si më i përshtatshmi për garantimin e lirive themelore për të gjithë qytetarët, ne mendojmë se konsolidimi i vlerave demokratike ka rëndësi jetike për të arritur aspiratat e qytetarëve shqitparë. Realizimi i këtij objektivi është i lidhur ngushtësisht me forcimin e shtetit, konsolidimin e vlerave demokratike në sistemin politik dhe kërkesën e llogarisë dhe mbajtjen e përgjegjësisë së politikës ndaj qytetarit.

Ne fokusohemi veçanërisht tek problemet e funksionimit të shtetit,sundimi i shtetit të së drejtës, mbajtja e përgjegjësisë nga politika kundrejt qytetarit, ruajtja e lirisë së shprehjes dhe aksesi në hapësirën politike për qytetarin dhe përparimi i interesave kombëtare. Forumi synon të krijojë hapësira dhe platforma për të shprehur ide, trajtuar tema dhe probleme aktuale të hapësirës shqiptare si dhe për tu angazhuar drejpërdrejt në debatet aktuale të shoqërisë shqiptare.

Ne si shqiptaro amerikanë ndjejmë nevojën por edhe detyrimin për të kontribuar drejtpërdrejt në konsolidimin e vlerave demokratike sepse këto vlera janë themelet e suksesit të kombit shqiptar në të ardhmen. Po ashtu, si qytetarë të Shqipërisë dhe Kosovës ne jemi të interesuar në mbarëvajtjen e sistemit politik dhe raportet midis politikës dhe qytetarit.

Me eksperiencën tonë në një nga demokracitë më të konsoliduar siç është ajo amerikane, ne kemi mundësinë të krijojmë hapësira për një diskutim të informuar dhe për të propozuar zgjidhje afatgjata e në interes të qytetarëve. Ne jemi të angazhuar në mënyrë aktive për të kontribuar në krijimin e një klime politike demokratike në Shqipëri, Kosove e kudo që jetojnë shqiptarët.

 

Kush merr pjesë në këtë forum? Si është i organizuar dhe si funksionon ai?

 

Pamje nga një prej veprimtarive të shumta të Forumit Shqiptaro Amerikan për Demokraci
Pamje nga një prej veprimtarive të shumta të Forumit Shqiptaro Amerikan për Demokraci
Ne jemi një organizatë të rinjsh profesionistë dhe studentësh me ndjeshmëri të ndryshme politike, të cilët i bashkon dëshira për të krijuar sisteme të qëndrueshme dhe demokraci funksionuese në trevat shqiptare. Krijimi i frymës së një debati të informuar e racional, dhe zhvillimi i demokracisë si një cështje jetike për interesat kombëtare janë pikat kryesore të veprimit tonë.

Ne jemi krenarë që komuniteti shqiptaro amerikan përfaqësohet nga organizata prestigjioze e me traditë si Vatra, NAAC apo Liga Qytetare Shqiptaro Amerikane të cilat kanë një kontribut shumë të hershëm dhe tejet të rëndësishëm për çështjen shqiptare. Synimi ynë është të kontribuojmë në krijimin e një bashkimi energjish dhe forcash drejt konsolidimit të vlerave demokratike në hapësirën shqiptare si një objektiv kyç që i shërben çdo shqiptari.

Kam nderin dhe kënaqësinë t’ju them se formimi i këtij forumi është pritur me ngrohtësi dhe mbështetur nga të gjitha organizatat e komunitetit shqiptaro amerikan. Disa nga anëtarët më të shquar e aktivë të komunitetit si Sami Repishti, Richard Lukaj, Cafo Boga, Shpend Haxhaj, Mark Gjonaj, Agron Alibali, Zef Balaj, Ahmet Xhafo, Ilir Hysa, Qemal dhe Kozeta Zylo etj. na kanë dhënë ndihmesë dhe mbështetje të jashtëzakonshme. Gjithashtu, aktiviteti i Forumit i detyrohet angazhimit dhe energjisë së shpenzuar nga grupi nismëtar i cili përbëhet nga Ilia Sejdho, Gusti Daija, Inid Spahiu, Blerim Katroshi,Mars e Jehona Podvorica, Filloreta Mengri, Jona Repishti, Eva Milo Burkazie, Rubin Bakalli, Arbi Rizo, Enkel Daljani, Drilon Gashi, Behar Xharra, Pleurat Halili, Oliana Gegprifti, Genc Xhaferraj dhe Xheni Alonso, pa kontributin e të cilëve nuk do kishte qenë e mundur ta vinim në jetë këtë ide. Megjithëse kemi përcaktuar një ndarje formale të detyrave, të gjithë kemi gjetur mënyrën për të kontribuar në të gjitha aspektet e veprimtarisë së Forumit.

Dua të theksoj se kemi gjetur fatmirësisht mbështetje edhe nga komunitetet akademike amerikane me studiues amerikane dhe shqiptare si Prof. Shinasi Rama nga NYU, Prof.John Paul Jones nga Universiteti i Virxhinias Richmond, Prof. Julie Mostov nga Temple University, ish vëzhguesi zgjedhor amerikan dhe i OSBE-së Andral Bratton, Prof. Mirela Bogdani nga Universiteti Marin Barleti në Tiranë, docent Mithat Gashi nga Lehman College etj. të cilët kanë kontribuar me këshilla profesionale dhe akademike. Megjithatë, ky është vetëm fillimi dhe do të vazhdojmë ta zgjerojmë aktivitetin tonë. Forumi mirëpret bashkëpunimin e të gjithë personave dhe organizatave të cilat dëshirojnë të kontribuojnë në arritjen e objektivave tona.

Përveç aktiviteteve që organizojmë ne kemi krijuar një faqe interneti (forumishqiptaroamerikanperdemokraci.org), botojmë një buletin, si dhe kemi një faqe ne facebook që quhet Demokracia Shqiptare, duke krijuar kësisoj platforma për të gjithë ata që duan të angazhohen në debatin publik dhe të shprehin mendimin e tyre. Gjithashtu ne bashkëpunojmë ngushtë me shtypin shqiptar dhe platforma të tjera serioze të informimit në internet si shqiperia.com.

 

Takimet që keni mbajtur rregullisht në NYU kanë qenë të larmishme për nga tematika. Si i zgjidhni temat dhe personat që ftoni? Nga se niseni dhe çfarë mendoni se arrijnë dhe çfarë vlere këto takime?

 

Ne e kemi konceptuar Forumin si një farkëtore idesh dhe mendimesh të bazuara në vëzhgime serioze e profesionale, ku hidhen dhe debatohen ide mbi problemet që hasen në sferën publike shqiptare. Njëherazi, Forumi është një platformë aktive e cila shërben si nismëtare për ti aktivizuar dhe shfrytëzuar burimet e shkëlqyera të komunitetit shqiptaro amerikan në shërbim të qytetarëve.

Përzgjedhja e tematikës së takimeve dhe seminareve të organizuara nga Forumi buron nga programi ynë të cilin mund ta gjeni në internet së bashku me të gjitha informacionet e tjera mbi aktivitetin tonë tek forumishqiptaroamerikanperdemokraci.org. Kemi organizuar disa aktivitete për tema interesante ndër të cilat do veçoja aktivitetin mbi regjistrimin mr bazë etnike, zgjedhjet lokale në Shqipëri dhe seminarin për Çamërinë. Siç e thashë edhe më sipër, ne fokusohemi tek tema të cilat kanë të bëjne me zhvillimet demokratike shqiptare dhe me konsolidimin e shtetit dhe të sistemit demokratik. Gjithashtu, ne i kemi trajtuar këto tema nga pikëvështrimi i marrëdhënies së këtyre ccështjeve me zhvillimet demokratike.

Prezantuesit e deritanishëm kanë CV të pasur si në fushën akademike ashtu edhe në planin e zbatimit të politikave, ndër të cilët do veçoja, Agron Alibalin, Ilir Hysën, Enkel Daljanin, dhe Andral Bratton.

Për shembull, ne kemi organizuar një debat të hapur për regjistrimin mbi bazë etnike i cili shërbeu për të sqaruar veçoritë e këtij projektligji të qeverisë shqiptare, evidentuar defektet dhe paqartësitë si dhe krahasuar me praktikat ndërkombëtare. Në përfundim të prezantimit të Prof. Agron Alibalit dhe të aktivistit të njohur Ilir Hysa i cili ka eksperiencë të gjerë me censusin amerikan, arritëm të qartësojmë bazën konceptuale ligjore të problemit si dhe efektet praktike mbi qytetarët dhe kombin shqiptar. Bazuar në informacionin e diskutuar gjatë takimit kemi tashmë një kuadër më të qartë të problemit dhe unë personalisht kam bindjen që regjistrimi me bazë etnike dhe fetare nuk është as i nevojshëm, as i detyruar nga bashkësia ndërkombëtare e as i vlefshëm praktikisht.

 

Më flisni pak për shembull për takimin e fundit që organizuat, me rastin e 67-vjetorit të tragjedisë çame. Si u organizua ky takim, çfarë vlerash pati dhe çfarë mbresash ju ka lënë?

 

Seminari “Çamëria dje dhe sot, çështja çame në shekullin XXI” u organizua në bashkëpunim me Shoqatën Çame në SHBA dhe me ndihmën e disa aktivistëve të njohur të çështjes çame si Sami Repishti, Agron Alibali, Sali Bollati, Ahmet Xhafo dhe Shinasi Rama. Është e rëndësishme që çështja çame të mbahet në vëmendje dhe të mos harrohen vuajtjet e mëdha dhe gjenocidi kundër popullsisë çame. Nga ana tjetër, seminari arriti ta çonte edhe një hap më tutje këtë qasje përkujtimore dhe të analizonte rrethanat aktuale, problemet që ekzistojnë dhe rrugët e mundshme për zgjidhjen e tyre si dhe angazhimin e çamëve në jetën politike shqiptare.

Z. Sali Bollati bëri një prezantim rrënqethës të terrorit të përjetuar nga ai dhe familja e tij, si një simbol i vuajtjeve të të gjithë popullit çam. Gjithashtu ai bëri një prezantim historik të terrorit grek të ushtruar mbi çamët ndër vite.

Gjithaq, unë mendoj që ishte shumë e rëndësishme që në këtë seminar nuk morën pjese vetëm shqiptarë me prejardhje nga Çamëria por nga të gjitha viset shqiptare. Mesazhi qendror që u dha ishte se Çamëria nuk është çështje e çamëve apo shkodranëve, kosovarëve apo anamalasve, është çështje e të gjithë shqitparëve nga zgjidhja e drejtë e së cilës varet stabiliteti dhe mirëqenia e rajonit. Më tej, seminari evidentoi në gjykimin tim me shumë efikasitet se çështja çamë është një çështje e të drejtave të njeriut dhe kjo është qasja më frytdhënëse në rrafshin ndërkombëtar.

Në këtë këndvështrim, mendoj se ky ishte një fillim tepër i mbarë dhe në të ardhmen do të mund të organizojmë aktivitete të tjera të këtij lloji duke përfshirë edhe ekspertë ndërkombëtarë të të drejtave të njeriut dhe politikave etnike.

 

Faleminderit Grid, së fundi, çfarë duhet të presim nga forumi në të ardhmen? Cilat janë synimet që keni, si dhe çfarë prisni ju vetë në raport me shqiptaro-amerikanët?

 

Ne kemi besim se do të arrijmë ta ruajmë këtë ritëm të ngjeshur aktivitetesh mbi tema të ndryshme me interes për komunitetin dhe për kombin. Ne i ftojmë të gjithë bashkëatdhetarët por veçanërisht profesionistët dhe studentët e rinj të angazhohen në mënyrë aktive e të marrin pjesë në mënyrë që të gjithë së bashku të kontribuojmë në zhvillimin demokratik të shqiptarëve. Ne mendojmë se Forumi është një hapësirë e shkëlqyer për tu angazhuar drejtpërdrejt dhe për të gjetur një platformë shprehjeje për të gjithë pa dallime partiake. Interesi jonë i përbashkët është forcimi i rendit demokratik dhe konsolidimi i kulturës demokratike të cilat përbëjnë aktualisht probleme jetike për të ardhmen e shqiptarëve. Edhe një herë ju falenderoj ju dhe gazetën Illyria për mundësinë që na jepni për të parashtruar idetë tona.



(Vota: 3 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx