Mendime
Fadil Lushi: Maratonistët e dopinguar
E hene, 11.07.2011, 07:59 PM
MARATONISTËT E DOPINGUAR
Nga Fadil LUSHI
Dikur baba im, i udhëhequr nga shprehjet proverbiale shqiptare, shpesh thoshte se “djali i shehrit burrë nuk bëhet dhe viçi i qytetit nuk bëhet dem me brirë”! Duke iu referuar kësaj shprehje filozofike të popullit, më vajti mendja te institucionet skajshëm të nëpërkëmbura të Tiranës politike të ashtuquajtura Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Kolegji Zgjedhor, institucione këto që kishin për detyrë që në afat të caktuar të numërojnë votën deliberative të zgjedhjeve vendore në Shqipëri, po në veçanti ato të bashkisë së Tiranës. Analistët politikë mund të thonë se ka kohë që këto institucione janë “divorcuar” nga çdo logjikë e shëndoshë, nga çdo filozofi e demokracisë funksionale, nga çdo afat kohor (tejkalim afatesh), nga çdo perceptim a ndërgjegje juridike e morale, nga çdo procedurë e rregullt e të tjera “divorce”! Këto institucione, kështu siç veprojnë, do ta përjashtojnë çdo mundësi për dialog dhe maturi mes partive politike që janë involvuar në procesin zgjedhor. Pas këtij “divorci” këto institucione të lënë përshtypjen se i përngjajnë “aga babës”, të cilit që prej ditës që i ka vdekur plaka, është ulur këmbëkryq në kryeminderin e rehatshëm të mëhallës sonë. “Gojëkëqijtë”, mbase do të thonë se ai kryeminder është i mbushur plot e përplot me lecka “evgjitësh” si dhe me lesh arapi!?
Historianët thonë sot se luftëtari grek Filipidi kishte vrapuar Fushën e Maratonës me të vetmin qëllim, që qytetarëve të Athinës t’ua sillte haberin e fitores së ushtrisë greke mbi atë persiane. Ai e kishte ruajtur frymën e vet të fundit për t’u thënë athinasve: “Ju qytetarë, gëzohuni, ne triumfuam”! Një fushë e tillë Maratone ekziston edhe në Shqipërinë politike. Në atë fushë nuk do duket luftëtari grek, Filipidi. Ata që janë në krah të Partisë Socialiste dhe të kandidaturës së kryeparit të asaj partie do të thonë se në “Fushën e Maratonës së zgjedhjeve vendore të Tiranës” gjithsesi se garuan maratonistët e dopinguar: kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani dhe kryetarja e Kolegjit Zgjedhor, zonja Sashenka Jonuzi. Fatkeqësisht, (sipas socialistëve) të lartpërmendurit lëre që këtë proces e skandalizuan dhe e zvarritën pa fund, por edhe nuk arritën që këtë “maratonë” ta përfundojnë me nder!? Ndoshta “kishin të drejtë”, pasi gjatë gjithë kësaj “maratone” u ballafaquan me një mijë e një pengesa, si procedurale, njashtu edhe të kurdisura. Socialistët, ndoshta me të drejtë ose edhe pa të drejtë, këto institucione që duhet të jenë autoritare sot, do t’i perceptojnë si institucione autokrate!??.
Të nderuar lexues, në veçanti ju të Shqipërisë politike, unë në këtë shkrim nuk do të mëtoj që t’i bëj analizë a kritikë procesit së numërimit të votës së dalë nga zgjedhjet vendore, nuk do të mëtoj të marr taraf, nuk do të mëtoj që me (pa) të drejtë të hetoj gjymtimet morale a procedurale, po përkundrazi, do të bëj përpjekje që kësaj tenxhereje me veshë, t’ia gjej kapakun. Nëse nuk e gjej dot atë “kapak”, atëherë do të kërkoj ndjesë për paragjykimet dhe parafrazimet e mia gazetareske!??
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sipas procedurave, që në fillim kishte për detyrë që në afat optimal t’i numërojë votat. Aq shumë u stërzgjat e u zvarrit ky proces numërimi, saqë në fund i doli boja dhe ngeli pa din e pa iman. Ndoshta meritoi të shndërrohet në muze, ose madje edhe në kështjellë të Rozafatit. Nëse ky proces i numërimit të votës do të vazhdonte edhe më tutje të mos ndërronte “adresën e vendbanimit politik”, atëherë me këtë institucion jabanxhinjtë, po edhe vendorët kureshtarë, një ditë do të zgërdhiheshin. Dhe, nëse një ditë demokracia shqiptare do të avancohej dhe do bëhej funksionale, atëherë ciceroni (i “muzeut ku rruhen marrëzitë e dala nga procesi i numërimit” të votës) ndoshta nuk do ketë nevojë që vizitorëve t’ua shpjegojë atë telenovelë të bezdisshme dhe pa kurrfarë përmbajtje. Si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, njashtu edhe Kolegji Zgjedhor, pas përfundimit të zgjedhjeve vendore nuk bënë asnjë përpjekje serioze sa i përket respektimit të afateve në lidhje me (mos) shqyrtimit të ankimimit të Partisë Socialiste të dorëzuar kushedi për të satën herë në lidhje me (pa) vlefshmërinë e zgjedhjeve vendore të organizuara kohë më parë në Tiranë!? Shprehjet më të absolvuara në kuadër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e të Kolegjit Zgjedhor (detyra e të cilëve ishte vendimmarrja e drejtë dhe në kohë, me qëllim që palëve të mos u krijojnë hapësirë për të dyshuar për mungesën e aspekteve racionale dhe parimore) dhe të opinionit publik tiranas do të jenë: rivlerësim-i, pavlefshmëri-a, kërkesa, ankimim-i, abuzimi, vjedhja, dhuna, korrupsion-i. Natyrisht, pa harruara dhe atë deklaratën e Komisionit Qendror Zgjedhor për Tiranën, ku, pos të tjerash, thuhej: “Duke filluar nga e hëna (aludohej në datën 9 majit 2011-nënvizim ynë) ne mund të kemi edhe ndonjë rezultat paraprak, (shprehja “zyrtare” përjashtohet) për kryetarin e bashkisë së kryeqytetit... !??”. Po ja që këto deklarata ishin vetëm “perceptime të zbehta të njerëzve të Komisionit në fjalë dhe exit poll-eve të afërt me ta.
Nëse “grekët e hëngrën ekonominë e dovletit të tyre të korruptuar”, atëherë pse shqiptarëve u duhet që me çdo kusht t’i nëpërkëmbin edhe ato pak parime të moralit të procesit të numërimit të votave vendore.
Që të mos i zvarritim pafund mendimet tona në kuadër të këtij vështrimi gazetaresk (si ajo zvarritja e numërimit të votës), po e përfundojmë me atë se ç’ishte ajo e (pa) rëndësishmja e këtij procesi të numërimit, po edhe e kontestimit të votës për kryetar të bashkisë së Tiranës. Për vështrimin a edhe për opinionin tonë është me rëndësi pyetja pse gjithë kjo zvarritje e vendimmarrjes dhe mandej vendosje sa i përket shpalljes së rezultatit pavarësisht se kujt ajo do t’i dedikohet. Pse gjithë këto akrobacione procedurale e të tjerë akrobacione politike. Pse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, po edhe Kolegji Zgjedhor për këto zvarritje nuk dha asnjë provë po edhe as një argument (ndonëse ato prova dhe argumente i kishte me bollëk). A mos vallë ato prova i “administroi” gabimisht dhe me hile. A mos vallë kjo stërzgjatje idiotike nuk e masakroi edhe atë pak moral që i kishte ngelur Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. A mos vallë nuk u kërcënuan gjykatësit e Kolegjit Zgjedhor (edhe kjo ka pak rëndësi), a mos vallë këto dy institucione juridike morën tarafin e një partie politike. Edhe kjo provë ka pak rëndësi. Demokratët do të thonë se është pak e rëndësishme edhe prova: “pse” Kolegji Zgjedhor me datë 8 korrik 2011 përfundimisht e rrëzoi ankimimin e Partisë Socialiste për pavlefshmëri të zgjedhjeve vendore të organizuara me datë 8 maj 2011!? Shih këtë qëndrim mospërfillës e nënvlerë-
sues të afateve.
Për ne është me rëndësi prapavija e çështjes së vonesës së vendimmarrjes, me rëndësi është se e gjithë kjo katrahurë e numërimit të votës vendore sot e kësaj dite do të ndodhë në Shqipërinë politike gjegjësisht në godinën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e më pastaj në atë sivëlla të Kolegjit Zgjedhor. Dhe tani parashtrohet pyetja se a mos vallë hapësirat territoriale (politike) shqiptare janë jashtë gjeografisë politike të Gadishullit Ilirik, siç do të thoshte Ali Podrimja, a mos vallë filozofia e të bërit politikë shqiptare është “jashtë” Evropës..., a mos vallë shqiptarët nuk arrijnë dot që njëherë e përgjithmonë të dalin jashtë avllisë së inateve të tyre histerike, a mos vallë nuk heqin lëkurën e dufit të tyre shekullor dhe çka jo tjetër!? Nëse shqiptarët e Shqipërisë politike nuk do të arrijnë që institucioneve të lartpërmendura t’ua heqin nga trupi lëkurën e ujkut, atëherë do të duhet të ndërtojnë një histori të re dhe krejt tjetër fare, nëse nuk duam që këtë që e kemi sot të na tjetërsohet.
Kjo katrahurë nuk ndodhi në Evropë, po as nuk ndodhi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni, të datës 5 qershor 2011. Nuk ishin vetëm maqedonasit që votuan. Votuan edhe “shqiptarët maqedoncë” (të cilët kohë pas kohe do të jenë të papërfillshëm nga Nëna Shqipëri) dhe këta, në mesnatën e ditës së votimit, vetë i shpallën rezultatet, ata edhe ia uruan fitoren partisë simotër. Kjo nuk ndodhi as në Republikën e Kosovës, po as edhe në Republikën “anadollake” të Turqisë, ku me datë 12 qershor 2011, në zgjedhjet parlamentare votuan jo më pak se 50 milionë prej gjithsej 73 milionë turqve, prej të cilëve edhe afro pesë milionë shtetas turq me prejardhje shqiptare. Në “akshamin” e 12 qershorit 2011, edhe ata i shpallën rezultatet, pa asnjë kontestim! Mediet elektronike turke, gjatë gjithë ditës së votimit, lakonin përqindjet e pjesëmarrjes së votuesve në vendvotime si dhe të arriturat e partive politike. Mos vallë e gjithë kjo eksperiencë e shteteve të lartpërmendura, (nuk) mund të jetë një shembull a edhe një leksion i mirë në veçanti për Kodin Zgjedhor të shqiptarëve të Republikës së Shqipërisë!?? Ku ta dijë njeri. Edhe ne nuk e dimë. Nëse e gjithë kjo që u tha më lartë, nuk do të ishte e vërtetë, atëherë duhet të jetë një shaka e radhës e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kolegjit Zgjedhor, e protagonistëve siç janë Sali bej Berisha, Lulzim Basha, Edvin Kristaq Rama si dhe një shaka e skenografit dhe humoristit, z. Arben Ristani!??
Kur vendimet (pavarësisht si do jenë) e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Kolegjit Zgjedhor nuk do shkojnë në favor të cilës do qoftë parti politike, atëherë ato do të pështyjnë paturpësisht mbi to, siç bëja dikur, kur isha adoleshent, pështyja (fshehurazi) në gotën me ujë dedikuar kushëririt të dajës tim. Këtë e bëja nga inati sepse nuk e kisha takatin a mundësinë për t’ia kthyer llafin. Ishte një burrë (ndjesë pastë) shumë i drejtë, por ama i sertë. Këtë vaki ia tregova pas dyzet vjetësh.
Sot, edhe fëmijët do të thonë se Kosova shumë më shpejt e shpalli mëvetësinë e saj në krahasim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, që stërzgjati shpalljen e rezultateve përfundimtare për kryetar të bashkisë së Tiranës.