Mendime
Shefik Shkodra: Aventurizmi i ‘’gjalit’’ të Gjilanit
E merkure, 13.07.2011, 07:59 PM
Post festum
AVENTURIZMI I “GJALIT” TË GJILANIT
NGA SHEFIK SHKODRA
Thonë, “e ka kryet bosh”, “e ka kryet qiteli”. Që të dyja: njeriu që nuk di është edhe inatçi e si teneqe. Por, edhe servil e shumë i interesit personal. Nuk e di cila prej këtyre komponentëve është më kryesorja për dikë. Ndoshta, vetëm njëra, apo që të gjitha, njëra pas tjetrës. Më shkurt, nuk është njeri që mund të merresh vesh me të. Sa më shumë që i thua, mos ashtu se nuk bën. Ndale veten e kujtohu pak...! Atij, kjo thirrje i duket sikur i thua, vazhdo se shumë mirë e ke! Pata shkruar në vitet 2007/08, për disa organizime kulturore që i bënin në Gjilan dy-tre individ, me emër e mbiemër dhe pata thënë se, nuk do të merrem më me ta, ngase krejt rrjedha nuk më ka pëlqyer asnjëherë. Megjithatë, për keqardhje, nuk qëndrova në fjalë (veç sa azdiseshin këta tipa) dhe shkrova sërish nja tre artikuj lidhur me këtë çështje te e përditshmja “Kosova sot”, gjatë muajit qershor të këtij viti: Censorët e postmonizmit, Ruaju nga tërbimet, Fërshëllima në vijim e kasabasë. Nuk kam përmendur emrin e askujt, duke e trajtuar ngjarjen si imagjinuese. Me qëllim që rrëfimet të merren vesh vetëm nga një shtresë që i përcjell këto punë (sipas interesimit), bie fjala si ‘kasta e Sabit Rrustemit’, për të cilin flitet, ngase aludimi ka qenë i qartë. Kam gabuar ndoshta, që këta artikuj i kam letrarizuar më shumë se që duhet. E, njeriu që s’ka ndërgjegje nuk do ta pranojë figurativisht, se, është personazhi kryesor, si Don Kishoti i Mançës, në rastin tonë i Anamoravës.
Një retrospektivë e shkurtër
Kur vepron me “hile” rrenat të dalin për fushë. Kulturën e zhvillojnë njerëz të ngritur, pa pasione të sëmuara egoiste. Sabit Rrustemi, pasi ka shkruar do përmbledhje poezish e ndonjë tregim, nisi të ‘rritet’ si shpejt, e nuk mund ta dish, më shumë ia ka ënda të ushtroj profesionin e një monarku e tirani në fushën e politikës, apo të bëhet një krijues letrar në zenit. Shihet se ka dëshirë edhe...edhe...bashkë me dy vetë të tjerë e prishi Klubin letrar me emrin “Rexhep Elmazi”, të themeluar në vitet e nëntëdhjeta nga disa dashamirës të krijimtarisë letrare. Ky dhe kolegët ‘ekspertë’ e vendosin figurën e Elmazit në një shkallë me ngjyrime më shumë politike (nuk mohohet se ky poet ishte i burgosur politik, etj.) se sa letrare. Duke pas minimizuar veprimtarinë e tij letrare, këta minimizuan edhe veprimtarinë katër-pesë vjeçare të atij Klubi me emrin e këtij poeti. Pra, S. Rrustemi nuk e donte këtë klub, meqë tjetër kush e udhëhiqte e jo si dëshironte ai. Nuk vonoi dhe po ky Sabiti, shkrimtar e “organizator” (si e pëlqen ta quan veten) i kulturës në këtë qytet me rrethinë, e mori “Flakën e Janarit”, manifestim në kujtim të tre dëshmorëve (K. Zeka, J. e B. Gërvalla) dhe një revistë vjetore letrare (si pronë private), enkas për këtë manifestim, tashmë që ka bërë traditë të gjatë, financuar nga Kuvendi komunal.
Nga vera e sivjetme
Në qershor të këtij viti, S. Rr. kishte vendosur që të “lëvizë” me një orë letrare, diku në male, për shënimin e çlirimit të qytetit. Pritëm se do të na thërret, por disa fare nuk i thirri, kështu si herët tjera. Nuk jam i informuar si dhe çka e me kënd e kreu atë farë pikniku. Pas kësaj, në vazhdën e “iniciativës” si maratonist, më 23/24 të po këtij muaji merr drejtimin dhe organizimin e shënimit të pesëmbëdhjetë vjetorit të vdekjes së shkrimtarit gjilanas, Beqir Musliu. Njëra pjesë e manifestimit, veç tjerash, të bëhet për ndarjen e një shpërblimi një shkrimtari tonë tjetër. Ndërsa pjesa e dytë, një simpozium për veprimtarinë e B. Musliut. U mor vesh, lexuesit që kanë pasur rastin t’i lexojnë artikujt e lartë shënuar, ky është ai S. Rrustemi, maratonist si sportist e shkrimtar që dëshiron me çdo kusht të jetë në qendër të vëmendjes për opinionin provincial. Sipas tij, nuk bën t’i marrë tjetër kush këto punë. Qëllimi i tij, përveç lëvdatës, është të përfitoj diç ngjashëm si me ata tenderët për punë tjera. Me këtë rast, fjala është për dorëshkrimet e B. Musliut, që propozohen të botohen në të ardhmen, me financim nga kryetari i komunës (buxheti komunal).
Organizimin e 15 vjetorit të vdekjes së shkrimtarit tonë e bëri me një pompë, por edhe me një klasifikim të të pranishmëve, duke i pas ftuar që nga Shqipëria, Maqedonia e vende të tjera, si dhe, duke pas refuzuar në një mënyrë pjesën tjetër nga vendi.
Kur s’e joshë askush, këndon si di vetë
Për krejt këtë, “organizatori” ka pritur që dikush t’i thuret lavde e ta shoh bota se çka bën ky gjeni, por jo, kjo nuk piku prej askujt. Prandaj, këto ditë, rastësisht e lexova një artikull te rev. elektronike “Zemra shqiptare”, i shkruar nga vetë S. Rrustemi, duke i dhënë madhështinë e “organizatorit” për ndodhitë kulturore të provincës. Natyrisht, duke potencuar edhe shumë ofendime e të shara. Po ta shohim pak shkrimin e tij teknikisht e logjikisht i përsëritshëm e si i dhunshëm. Me plot lajthitje jo veç teknike, por edhe logjike. Gabime bëjmë gati të gjithë për çdo ditë, në të folur e në të shkruar, por ato kapitale nuk lejohen. Lexuesit s’i duhet shumë koment se si shkruan ky njeri. Teksti i shkrimtarit nis me titullin, “Shëndritja e Beqir Mualiur”...çfarë poetizimi! E shihni si e shkruan ‘shndritja’? po mirë, lëreni, ky është një variant i një dijetari gjuhe. Në vijim do ta shohim si na ‘grishë’ stilistika e shkenca që del nga ky autor: “Beqir Musliu, post – mortum u shpall Qytetar Nderi i Gjilanit”. E shihni ju këtë ‘post – mortum’, ku e ka mësuar kështu!? Kur nuk e di fjalën, pse e shkruan hiç? Ndoshta mendon se të tjerët nuk marrin vesh, apo nuk mund t’ia prishin ‘ekspertit’, se ai çka thotë e shkruan krejt është në rregull, etj. A del edhe një tjetër ta shkruaj këtë fjalë kështu? Nëse emrin latin të lak. të tretë, mors, mortis, me parafjalën post nuk e di se është në kallxoren e njëjësit, atëherë konsultoje ndonjë fjalor së paku se si shkruhet! Kjo shprehje është mjaft e popullarizuar. Se çfarë aftësie ka krijuesi i letërsisë nga provinca, me stilin, por edhe me propagandën më shumë politike se sa kulturore e artistike, të shohim edhe të tjera copë nga artikulli në fjalë: “Organizatori i këtij përvjetori, Ars Clubi ‘Beqir Musliu’ (lexo: S. Rrustemi), i mbështetur dhe nga institucionet komunale, [...] për këtë figurë të shquar të letrave shqipe, përveç tjerash, organizoi dhe Simpoziumin letrar..., nën titullin ‘Beqir Musliu – emblemë e modernitetit shqiptar në letërsi, i pari i këtij lloji në Gjilan që kur mbahet mend, një eveniment me premisa të mirëfillta shkencore.” Jemi habitur kur kemi dëgjuar për këtë “eveniment”, kjo s’ka ndodhur as në kohën e romakëve, as të bizantine e as në atë të osmanlinjve. S’e mban mend kush! As kur u themelua ky qytet...hiç! Gjithnjë sipas tij: “...ku u shpalos, u shtjellua dhe u vlerësua krijimtaria e tij në poezi, në prozë, dramë dhe publicistikë...” Nuk e dimë! Ishim jashtë Klubit të Sabitit. Por që ishte “i mbështetur” e kemi marrë vesh, se përherë e ka pasur këtë privilegj. Herë në një parti e herë në tjetrën – shumë i përzhdredhtë! Edhe ky veprim është njëfarë arti!
Politikë e kulturë
Si duket nuk e ka aq për kulturë poeti jonë i sotëm. Në shkrimin e tij, tash niset të himnizoj të tjerët, ata që ia çojnë qefin. U thur ode atyre që ua “sheh hajrin”: “vazhdon...me dhënien e Çmimit Letrar ‘Beqir Musliu’...” E pastaj, pak elozhe për persona nga politika: “Këtë përvjetor më domethënës e bëri dhe i pari i komunës...z. Qemajl Mustafa...” Si e bëri “më domethënës i pari...” Cili është shkaku, çka solli të re që të dukej ky përvjetor më impozant? Me parulla don ta rritësh imazhin e veprimtarisë letrare. Nuk jemi në kundërshtim me politiën. Politika e ndihmon kulturën dhe anasjelltas. Po nuk mbetet mangut aspak vlera e krijuesve nëse politika nuk e përcjell.
Jo transparencë, veç sikur vjedh
“Shënimi i këtij përvjetori që ishte paralajmëruar dhe transparent për të gjithë të interesuarit, dëshmon se emrat e mëdhenj nuk i ka mbuluar harresa. Se ata nuk i zvetënon në asnjë mënyrë injoranca dhe zilia provinciale...” Çka ka dashur të thotë dhe kush e merr vesh! E di një se, ky përpiqet të mbahet në të dy anët. Në atë të frymës humane, të krijuesit letrar dhe në atë anën që bën tregti. Mua dhe kolegëve tjerë na intereson më së shumti, pse nuk i fton disa, derisa bën njëfarë çervishi e pompoziteti me të ftuarit tjerë. Ai shkruan si arsyetim, se paska ftuar kësaj radhe “njerëz me grada të larta shkencore dhe njerëzore, nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova (përfshirë këtu dhe Gjilanin)...” Grada shkencore e di se cilët mund të jenë, po me “grada të larta njerëzore” nuk e kam të qartë se kush mund të jenë. Nga ky qytet e di se nuk kanë qenë të pranishëm: prof. dr. Begzad Baliu, prof. dr. Selim Sylejmani, prof. dr. Faik Shkodra, prof. dr. Baftjar Kryeziu, mr. Sabri Beqiri, prof. Nuhi Ismajli, prof. Shefik Shkodra, prof. Mehmetali Rexhepi, Beqir Buzuku, etj. që të gjithë merren me studime gjuhësore, por edhe me studime letrare. Ndonjëri edhe me studimin e veprave të Beqir Musliut. Nuk dua t’i nënçmoj ekspertët e vërtetë që kanë qenë të pranishëm, as ta cenoj kontributin e tyre. Por, ka pasur edhe njerëz pa kompetencë që, as s’e kanë njohur shkrimtarin, po as veprat e tij nuk mund t’i vlerësojnë aq lehtë. Si thotë autori i manifestimit dhe artikullshkruesi se, “po dëshmohet edhe një pjekuri vepruese institucionale, profesionale e intelektuale të vetë Gjilanit...por edhe t’jua mbyllë gojën gjithë atyre smirëzinjve që ende nuk janë mësuar t’i shohin veprat e mira që bëhen...” Hë! S’është smirëzi askush për vepra të mira “që bëhen”. Edhe më pak se ti injorant të tjerët, po nuk i ke përfillë o organizator, poet e politikan i çervishit. Kush ka mbetur të na i tregoj “veprat e mira”! Kush kujt ia “mbyllë gojën”? Moralisht duhet të kesh kujdes! Ti ke tremë, prandaj nuk i thërret disa njerëz në ato veprimet tua “drithemiell”. Po nuk ke hall që t’i injorosh kë ta merr mendja e vocërr!