Mendime
Kalosh Çeliku: Shtrigani i allahut
E merkure, 13.07.2011, 08:01 PM
SHTRIGANI I ALLAHUT
Nga: KALOSH ÇELIKU
Turma e halldupëve që m’u ndërsye pas shpine dhe më shtynte para nga të gjitha anët drejtë Xhehenemit, s’di as vetë se si m’i ndali këmbët para disa shpalljeve pas dere, ku prisnin në rend sorrat e zeza. Halldupët me ferexhet hedhur krahëve, në vend të strukeve, tirqve me gajtana, xhamadanëve me sumbulla dhe kësulave të bardha. Haxhuxhet, me kësulëpartallat në kokë, shamitë e zeza që i kanë lidhur nyje për fyti, që mezi u dukeshin sytë e përgjakur në errësirë. Dhe, desha – s’desha isha i detyruar t’i dëgjoj ato krrokama sorrash që e kanë mbyllur veten në Kafaz. E di edhe këtë se, nga to nuk kam kurrnjëfarë dobie, po ma thotë mendja se, nuk do të kem edhe farë dëmi. Vërejtjen ma tërhoqi “xhihadi” i këshillit të halldupëve, i cili anëtarët e vet i bënte me dije se mu sot, në ora dymbëdhjetë, do të mbante një takim debativ “humanitar”, ku në mes pikave të tjera aktuale, do të lexonte një punim të gjatë shkencor edhe Sorraku i kësaj organizate me tre fakultete të “kryer” brenda tre vjetëve (???!!!...) në botën e jashtme: Shtrigani i Allahut, i cili merrej edhe me risi të modës të falsifikimeve shkencore antishqiptare. Pak më lartë, një listë me emra halldupësh, sigurisht këtu bëhej fjalë për ndonjë kredi të “organizatave humanitare” ndërkombëtare. Në të djathtë arrita të lexoj se, Sorraku i Shtëpisë Publike në një ekspozitë ndërkombëtare për novatorizëm e kishte marrë shpërblimin e parë për “flijime shkencore” antishqiptare. Diku nga fundi, nuk u shpëtoi syve as edhe “haxhillëku” që pritej të bënte kjo “organizatë humanitare” me karakter të propagandës ekonomike antishqiptare ndërkombëtare.
Imzot! Përderisa qëndroja gur më këmbë me sy nga muri, sa çel e mëshel sytë m’u parafytyrua koha e studimeve, në Prishtinë. Fakulteti Filologjik në të cilin studioja Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe. Profesori im i nderuar Anton Çetta, i cili në atë kohë na ligjëronte lëndën e Letërsisë së vjetër shqipe. Edhe, mes të tjerave me plot zell e dashuri na ligjëronte për Pjetër Bogdanin.
Rrëmujë më ishte para derës së Bankës Komerciale kur unë erdha në vete, i hapa sytë mes atyre “kursimtarëve” me librezat e kursimit në duar. Njëherit i mblodha forcat të kthehem prapë, por kot, grupi i tyre më shtynte me dhunë drejt atyre dollapëve të xhamit. Herë-herë më shtrydhte, më shtrëngonte në grusht sikur Dexhalli. Më kot ndonjëherë i përpëlitja edhe këmbët në ajër, kërkoja ndihmë, të ik përtej këtyre mureve, çdo gjë më ishte e kotë se nuk më dëgjonte njeri. Halldupi m’i kishte vënë krahët pas shpine dhe më shtynte përpara me gjithë forcë. Më dhimbte kurrizi, më ndalej fryma dhe në çdo moment e pritja fundin, të më derdhen eshtrat si vjetërsira në tokë. Po, mu kur e prisja shkatërrimin tim, rrëmuja që tërhiqej si një zinxhir hekuri herë para, herë mbrapa, më hodhi nga rreshti buthekrye mu në mes të korridorit. Shkak ky, që më detyroi ta përqafoj fenë e Vaso Pashë Shkodranit: SHQIPTARINË.
- A u vrave? – Dikushi më rroku për krahësh duke më ngitur më këmbë.
- Jo. – mezi arrita t’i përgjigjem duke i mbajtur bythët me duar.
- Nuk më njeh, jam njëra nga ato Tri Zanat e tua që të prijnë para për në Baba Tomorr. E dy të tjerat të mbajnë për krahu. Mos të merren mendtë, do pak ujë?
- Jo, - arrita t’i përgjigjem edhe kësaj pyetje profetike, dhe vetëm tani arrita të shoh se ishte Vjollca Rrapi.
- Po, ç’deshe në atë rrëmujë të halldupëve, që i luten Zotit jo në xhami, po në mes të rrugës? Nuk e sheh se çdo gjë sillet lëmsh si në kontejnerët e bërllokut?
- Asgjë, Vjollcë. Turma e halldupëve më gjeti rrugës për në Baba Tomorr. Po, ti nga dole në Shtëpinë Publike?!...
- Erdha të deponoj nja shtatë mijë euro në bankë…
- Domethënë, edhe ti paske librezë kursimi me deviza?!
- Po, jam kursimtare e kësaj banke qe disa vite.
- E, a ke kursyer deri më tashti ndonjë euro?
- Ja, shihe librezën!
E mora librezën në dorë dhe nisa ta shfletoj që nga faqja e parë. O Imzot, ç’më panë sytë! Libreza e Vjollca Rrapit ishte me fotografi, rast i rrallë ky i kësaj banke komerciale në kursimin e devizave. E hapa edhe një faqe, shtatë mijë euro të deponuara. Edhe një faqe: tetë mijë… Edhe një faqe: nëntë mijë… Edhe një faqe: dhjetë mijë…
Vetëm tani e pata të qartë se ç’ishte ajo rrëmujë halldupësh që më shtynte me dhunë para, nuk mundesha ta ndal hapin, po më shtrydhte aq fort saqë më kërcisnin eshtrat. Përpak, kur e mora veten nga një pakuptimtësi e tillë, desh ia thashë këngës: Çka po i thotë Dema Kadrisë/ a ia di, o rendin burrnisë... U shkunda nga pluhuri, e drejtova veten në këmbë, ngrita kokën lartë dhe mora lirisht frymë. Dhe, s’do mend, për herë të parë e ndjeva veten të lumtur, dhe më erdhi mirë që nuk isha kursimtar i kësaj banke komerciale në Shtëpinë Publike…
Kur eca edhe disa hapa korridorit, i pata ikur më larg rrëmujës të halldupëve, hetova se hap pas hapi më ndiqte një hije. Njëherit, desha ta vazhdoj rrugën, t’i ik nga sytë-këmbët pas shkallëve tutje kthinave të Shtëpisë Publike, por kur e pashë se ajo hije halldupi më ndiqte mes rreshtave se ç’më pane sytë! Dhurata e Zotit: e kam vështirë t’i hedh aq besnikërisht në letër ato shigjeta, ato fluturime, atë bukuri. Aq më keq, më erdhi çudi, se kurrë deri më sot nuk e kisha hetuar aq thellë paaftësinë time si njeri i lapsit. Unë kisha lënë gjurmë mbi letër, kisha lëruar thellë me pllug, po ç’e do kur nuk kisha ditur si ta hedh farën mes ugareve në arë, rrëzë Çukës. Kjo më frikësonte, m’i shtinte ethet në palcë, se mos mes këtyre fletëve të bardha nuk do të mbinte asgjë, qoftë edhe një ferrë murrizi. O Imzot, ç’do të thotë ta ndiesh veten të pafuqi para kësaj krijese të pafajshme, të mos jesh në gjendje ta hapësh gojën, t’i thuash sy më sy edhe një fjalë. Këto ishin ato momente që të shtynin t’i këpusish pullat e këmishës me oja, ta hapësh gjoksin të të qëllojnë shigjetat e halldupëve, të shtinë rrufetë…
Po, a mund të mposhtet dot një gjoks i këtillë leshatuk që kishte ecur përpara me vite e vite nëpër furtunë për në Baba Tomorr? Qoftë Dimër, qoftë Verë. Jo. E them këtë se, nuk dua ta turpëroj veten mes këtyre rreshtave, juve t’ju lidh me zinxhirë këmbeduar. Apo, ruana Zot, t’ua them emrin e mbiemrin, t’ju pështyj në fytyrë. Shtatë herë me radhë t’ju këndoj ninulla duke ju përkundur në djep te pragu i Shtëpisë, dhe shtatë herë me radhë me kamxhik t’ju zgjoj nga gjumi. E, po nëse nuk jeni në gjendje edhe kësaj radhe të më dëgjoni, e paçit veten në qafë…
- Eja në vete i dashur, sa nuk të ka vrarë Bukuria! – Më shkundi me të dyja duart sa mundi Vjollca Rrapi.
- Zonjushë, kahdo që ik shoh mure… Mure… Sorra të zeza… Halldupë… Derë, s’di a pati për dalje kjo Shtëpi Publike?
- Edhe derë ka i dashur, edhe dritare… Vetëm nuk e di si do t’i gjejsh nëpër errësirë… Hoxha thërret në minare…
- E kam një fener. Por, bie shi, fryn era, shtinë rrufetë…
- Ti një ditë do t’i gjunjëzosh edhe rrufetë, por ec ta pimë nga një verë të kuqe!
- Më gjithë dëshirë, Zonjushë. E ndiej veten të lodhur… Kam nevojë edhe për pushim… Njerëz… Gjakun e azreti Isait, që fluturoi në qiell nga minarja e xhamisë…
Dhe, ashtu duke më mbajtur për krahësh, Vjollca Rrapi më shtiu në Kafe-Bar duke më ulur në karrige, pranë një tavoline, ndërsa vetë shkoi pas gotave të verës. Sa u ula e pashë se veten e lehtësova nga një barrë e rëndë mbi shpinë, që të thuash më kishte hyrë edhe nën lëkurë deri në palcë. Njëherit, edhe u tremba nga kërsitja e këtij thesi plot eshtra, mos derdhen si rraqe të vjetra nën tavolinë. Po, për fat të mirë nuk ndodhi kjo, se këto kishin përballuar ditë edhe më të vështira dhe ishin mësuar me barrën mbi shpinë.
- Mirëdita, Zoti Shkrimtar!
- Mirëdita! – Iu përgjigja zërit pa e ngritur kokën.
- Si duket, kohën e fundit keni filluar ta vizitoni edhe Kafe-Barin e Shtëpisë Publike në Qytetin e qyqeve?
- Ashtu duket. Dhe, tani kur e ngrita kokën, vërejta se ajo ishte Arta e Rrezikshme.
- A është e lirë? –Më pyeti për karrigen Arta e Rrezikshme me një buzëqeshje në fytyrë, që këtë e kishte në vend të grepit.
- Po, - iu përgjigja me gjysmë zëri, duke iu trembur shikimit të saj, që desh më përpiu të gjallë me gjithë tesha…
Mu kur e përfundova fjalën e fundit, Vjollca Rrapi erdhi me gotat e verës, ma vuri mua timen përpara, ndërsa me të veten u ul në karrige. E shikoi një herë Artën e Rrezikshme, pastaj mua… Edhe një herë Artën e Rrezikshme… Çdo gjë nuk donte analizë, e pata të qartë se pa fare mundi arrita t’ia lexoj në sy, në fytyrë. E kisha ndjekur një shkollë të rrugëve disa vite me radhë, për të cilën edhe mora diplomë nate. Mos të vijë kjo këtu si lëvdatë, në disa provime kisha marrë edhe dhjetëshe. Dhe, derisa unë pija verë dhe thellohesha në mendime, Vjollca Rrapi e piu të veten, kërkoi falje se duhet të blejë diçka në Çarshi dhe u ngrit nga tavolina. Edhe këtë hap e pata të qartë, deshi të më hakmerret duke më lënë në duart e Artës së Rrezikshme…
- A doni edhe një verë të kuqe? – E prishi qetësinë Arta e Rrezikshme.
- Po, iu përgjigja me zë të pakët, duke e ditur se Arta e Rrezikshme ia kishte qëlluar pikës sime të dobët si shkrimtar.
Arta e Rrezikshme u ngrit ngadal, duke më shikuar mua me bisht të syrit se, a jam i gatshëm t’ia shikoj vlerat e pasurisë së tundshme me të cilat ajo krenohej si e pakapërcyeshme në shtrat. Por, kur pa se unë nuk isha aty me sy e mëndje, nuk nguli këmbë, iku duke u përdredhur, shkundur e tundur pas verës kuqe. Çdo gjë dija për Artën e Rrezikshme sesi sillet në shtrat, një herë në një bisedë tavoline unë e rrita aq shumë, sa thashë se ajo, kur bënë dashuri e dridh si tërmet edhe pallatin. E dija edhe atë se Arta e Rrezikshme ndizet zjarr, rebelohet dhe di të të kafshojë si pelë e egër. Atëherë e ke vështirë ta urtësosh, t’ia shuash zjarrin, ta sjellësh në vete edhe po ndejte me të në shtrat pa i zbritur plot një javë…
- Gëzuar! E cakrroi me mua ende pa u ulur gotën e verës Arta e Rrezikshme.
- Gëzuar! – E ngrita edhe unë me fund.
Arta e Rrezikshme menjëherë e mori shtambën me verë të kuqe dhe ma mbushi edhe një gotë me grykë. Dikur, u ngrit dhe pas pak kohe u kthye me një tepsi me mish të pjekur viçi. Edhe atë, e vendosi mbi tavolinë. Një gjë duhet pranuar, Arta e Rrezikshme ia dinte rendin burrënisë, verës së kuqe edhe shtratit. Me këtë donte të ta bëjë me dije se, ajo është e gjithanshme, di ta hedhë grepin edhe në ujë të pastër. Ajo kur donte, kot mundoheshe t’i ikësh ferrave, më mirë e kishe t’i dorëzohesh vetë pa luftë, se të zente edhe pa krimb.
- I sheh ata që janë ulur në atë tavolinë? – më pyeti Arta e Rrezikshme.
- Po.
- Ai është Shtrigani Allahut i Shtëpisë Publike. Tjetri pranë tij, Gungaçi, shitës i ferexheve të zeza. Ndërsa, ai në të djathtë me një torbë taxhi përqafe është Hoxha i Halldupit. Menjëherë, ai tjetri pranë tij është Shejtani i Allahut… Kurse, ata tre të tjerët me mustaqe a pa to, janë praktikantë në Shtëpinë Publike…
E tha këtë Arta e Rrezikshme duke qeshur ëmbël dhe duke ma shti dorën për krahu. Unë vetëm e hëngra me sy këmbekokë, ngase e dija se: betejat e përgjakshme kërkojnë heronj lufte. Ajo dikur u ngrit nga tavolina duke më tërhequr për dore pas nga dera e korridorit. Ta them të vërtetën, nuk e kundërshtova, por ecja pas saj sikur më shpiente mes luleve, në Xhehnet. Ajo pas disa hapave e hapi një derë, duke më tërhequr pas vetes, vetëm tani edhe unë arrita të lexoj në ballë të saj se shkruante: WC. E mbylli derën dy herë me çelës, i lëshoi brekët në fund të këmbëve dhe e ngriti lartë ferexhenë. Unë vetëm tani arrita me të dy duart ta tërheq sa mundesha nga unë, vetja duke e pështetur fortë për muri. Ndërsa, Arta e Rrezikshme duke u rrokur me një dorë për litari të kazanit të WC –së, i ngiti hopa lartë të dyja këmbët duke m’i ngatërruar për mjedisi aq fortë, sa që përpak desh ma nxori shpirtin. Gjatë gjithë kohës sa zgjati kjo luftë, unë nuk kam dëgjuar gjë përveç zhurmës së ujit të WC –së që është lëshuar shtatë herë me radhë…