E shtune, 26.07.2025, 06:12 AM (GMT+1)

Kulturë

Kostaq Duka: Horoskopi i qytetit

E hene, 30.05.2011, 07:50 PM


Kostaq Duka

 

Thërrime jete mbetur në xhepat e kujtesës

 

"Horoskopi i qytetit"

 

-Skicë-

 

    Ai ishte një burrë shtatlartë,kockëmadh, që ecte me hapa të mëdha  me kokën lëshuar përpara. Fytyra e gjërë, lëkurë tendosur,  ku binte në sy hunda e madhe me samar, të dukej pa shprehje, ku s'mund të shihje as gëzim, as trishtim.

    -Është i pagojë, beqar i stazhionuar, zhytur në vetmi - do të thosh për të dikush që e shihte për herë të parë. Por korçarët  e dinin se ajo fytyrë  ekran mbyllur, mund të hapej lehtë e përtej mund të degdiseshe në një botë trillesh nga më të çuditëshmet.

    Ishte i preferuari i kafeneve dhe restoranteve., Ashtu si  tinëzisht u afrohej tavolinave dhe me një të folur konspirative, si prej dedektivi të thosh "Kemi  bajamka, bajamka me kripë!"Mjaftonte një  pohim i lehtë e ai në mënyrë të rrufeshme të zgjaste kaushin prej letre mbushur me bajamka. Këtë shitje "ilegale" e vazhdoi për shumë kohë. Njerëzit shpesh thoshin: “ Si është e mundur të lejohet ?!” Por dikush shtonte se ai  e ka  mirë edhe me të mëdhenjtë e qytetit,  shkon edhe në kthinat ku ulen ata për të ngrënë e për të pirë.

Dhe biseda   davaritej  duke  lënë  të hapur  shtegun për  pandehma të tjera...

    Shpesh klientet e ftonin të ulej  në tavolina me vete ata, kuriozë për të hyrë në botën e  imagjinatës  së tij .Edhe pse  i kishin dëgjuar historitë e treguara e ngacmonin. E ai me një seriozitet proverbial dëshmonte për arkive e bëma. Ndër variantet e fundit ishte                                                               “dëshmia” se ai kishte të bënte edhe me Fan Nolin madje shumë.Te gjithe e dinin se mendja e tij krijonte e  krijonte. Por nga kjo fantazi  s'pritej gjë veç pak argëtim. Shpesh me seriozitet i bëheshin pyetje për të rejat e qytetit, martesa e divorce, vdekje e lindje, histori dashurie etj, etj ....Ai asnjëherë s'thosh s'e di.  Jo për çdo rast në çast e kishte përgjigjen gati. Nëse dikush mërzitej e hakërrohej ai menjëherë çohej  e thosh: " unë po iki." Përhapja e të rejave, parashikimi i rrjedhës së jetës në qytet, duke përfshirë edhe lëvizjet e titullarëve më në zë të qytetit e shndrruan atë në një farë"Horoskopi" aq sa kur  fjala vjen mbetej përkohësisht një institucion pa drejtues thuhej: " Po ai ç'thotë,  për kë mendon?"  Dhe pyetej me seriozitet e ai përgjigjej po me seriozitet se kush do të emërohej. Dhe shpesh  fjala e tij dilte.

    Jo njëherë tavolinave tek rrëkëllehej birrë e konjak shtrohej pyetja enigmë:" Mos ka tru specifik ky njeri?"

    Kësaj pyetje dikush i përgjigjej ndryshe. " Lëre trurin e tij,  çështja është e thjeshtë. Ai di të vjelë nga më i madhi i qytetit." Ky konstatim s'dihej ku u bë fillimisht por u bë e thënë sunduese aq sa ndonjë drejtues në ethe për të ruajtur karrigen apo ambicios në karrierë si rastësisht e pyeste: "më thuaj vetëm kaq. Do të ec lart apo poshtë" duke e shoqeruar këtë me levizjen e pëllëmbës së dorës. Në shumicën e rasteve ai thosh: “ sipër, sipër , do ikësh shpejt edhe nga Korça, do të të marrin në Tiranë.” Por thosh  si me keqardhje edhe “ poshtë, poshtë por mos u mërzit, s'e ke të gjatë." Tjetri, pezmatohej, inatosej e ishte gati ta zinte për fyti, por ai sa e ndjente këtë shkiste, zhdukej nga lokali. Kur lëvizja  lart ose poshtë realizohej, tavolinave përhapej lajmi: " I doli, i doli saktësisht parashikimi."

    Thuhet se këto ethe, atëhere kur lëvizjet poshtë u bënë kërcënuese e zunë edhe më të madhin e qytetit. Në kulmin e zjarrmisë ai e thirri atë në zyrë: “ Çka ndonjë gjë, si thua çdo bëhet me mua”  e ai i paskërka thënë: " Do ta hash,  do të biesh më hundë." Tjetri u inatos dhe e sikterisi nga zyra. Por lajmi mori dhenë. S'kaluan tre ditë dhe bëma ndodhi.....

 Po. Ai ishte "horoskopi i qytetit" ....E kujtoj atë dhe të thënat rreth tij që edhe ato janë të ngjashme  mbase me trillet e tij. E kujtoj Peçi Bajamkën si një të njohur të vjetër, që ri, ri, e më thotë: A e di se.....

 

Prill 2011



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx