E marte, 06.05.2025, 03:30 AM (GMT+1)

Kulturë

Hysen Matoshi: Libri i simbiozës zhanrore

E diele, 29.05.2011, 04:57 PM


Libri i simbiozës zhanrore

 

Nga Prof. dr. Hysen Matoshi

 

Të shkruash një krijim letrar dhe të shkruash një vepër shkencore këto janë dy punë konceptualisht e metodologjikisht të ndryshme, dy perceptime, dy procedime, dy rezultate, dy lexime, dy interpretime. Aftësia e përtej të mundshmes, e cila e karakterizon imagjinatën, na hyn më shumë në punë në rastin e parë; fuqia argumentuese e mendjes mbizotëron në rastin e dytë. Autori në rastin e parë e krijon realitetin artistik në suaza të imagjinatës së papërsëritshme të individuas; teksa i dyti e zbulon imagjinatën krijuese në trajtën e realitetit të pashmangshëm faktografik.

Po, a mund të bashkohen këto dy lloje shkrimi në një të vetëm? Në esenë si një trajtë transzhanrore të shkrimit, bie fjala. Sigurisht që eseja realizuar mbi bazën e simbiozës letraro-shkencore bëhet gjithnjë më e lakmuar pikërisht për faktin se përpiqet të përafrojë fiksionin me erudicionin, pse synon, sikundër e kemi në rastin e autorit që po përurojmë sot, të zgjidhë enigmën e magjikes. Të pajtosh këto pole të kundërta, t’i bësh të bashkëveprojnë fjalët në kuadër të një kompozite, shpeshherë krejtësisht të parëndomtë, të shkruash për artin shkencërisht dhe për shkencën artistikisht – kjo është çështja që preokupon aftësitë imagjinative dhe mendimtare të Mehmetali Rexhepit, pa pasur drojën se eksperimentimi jo gjithnjë ofron atë që e pret autori i tij, pa lodhur kokën se eksperimentuesit, pavarësisht se të cilës lëmë të veprimtarisë njerëzore janë, kthehen në gjedhe të papërsëritshme të vetvetes.

Në planin strukturor libri Enigma e magjikes i Mehmetali Rexhepit ndahet në shtatë kapituj tematikë që karakterizohen për aspekte homogjene e identifikuese brenda njësive të tyre përbërëse. Kapitulli i parë, i titulluar Përsiatje imagjinare, përmban koncepte teorike letrare të autorit, sikurse edhe përpjekjen për t’i konkretizuar me faktografinë tonë letrare. Synimi për ta lexuar në mënyrë të veçantë këtë realitet, për ta përshkruar me terminologji të veçantë, që, jo një herë, krijohet zorshëm, për ta letrarizuar interpretimin kritik letrar, duke e zhvendosur balancën ndërmjet shkencës dhe letërsisë në të mirë të kësaj fundit, u japin këtyre shkrimeve një dimension të qasjes origjinale, e cila ndonjëherë bën jetë në kufirin moskomunikimit konvencional letrar.   

Diçka më të konkretizuara, jo vetëm në planin e perceptimit të objektit shkrimor, por edhe të interpretimit të tij, dalin shkrimet e kapitullit Përqasje estetike. Në to shpërfaqet kultura e gjerë tejkombëtare letrare e autorit Mehmetali Rexhepi, qoftë kur merret me interpretimin e veçorive të personazhit, qoftë kur merret me përbërës të tjerë strukturorë, gjithnjë në një përqasje të gjerë kontekstuale letrare.

Kompozita treshe artjetëshkrimi përfaqëson konceptin autorial të Mehmetali Rexhepit për skicimin eseistik të jetës dhe të veprës së dy krijuesve tanë, Rexhep Elmazit dhe Beqir Musliut, si përfaqësues të dy prirjeve të ndryshme të poetikave letrare. Duke vënë na pah frymëmarrjen padrejtësisht të ndërprerë të njërit dhe individualitetin krijues të tjetrit, autori Rexhepi, përmes leximit të veçantë biobibliografik, hedh dritë mbi këto personalitete letrare të cilat Gjilani ia fali kombit.

Vëmendja e autorit të librit Enigma e magjikes nga tradita në kapitullin Metafora e dhimbjes zhvendoset në bashkëkohësi. Tani objekt trajtimi bëhen krijime të autorëve aktualë. Gjeografia e autorëve zgjerohet, megjithëse ruhet një dominim i natyrshëm i autorëve të trevës. Gjithsesi, Ramadan Mehmeti, Shefik Shkodra, Sabit Rrustemi, Sarë Gjergji, Nuri Plaku dhe Hasije Selishta në shkrimet e Mehmetali Rexhepit gjejnë një interpretim, në të cilin, përveç veprën e tyre, e gjejnë pashmangshëm edhe interpretuesin.

Kapitulli metakritik, i titulluar si Kureshtje e përmasa të valorizuara, përmbledh kontributet e Mehmetali Rexhepit lidhur me veprat studimore të Shefik Shkodrës, Nuhi Ismajlit, Ilhan Berkut dhe Tahir Arifit.   

Pasi trajton në kuadër të pesë kapitujve letërsinë, autori i librit Enigma e magjikes gamën e interesimit e shtrin në atë që mund të quhet tematikë përtejletrare, saktësisht tematikë kombëtare. Fillimisht kemi një vështrim për librin publicistik-letrar Joplotënia e lirisë të Ismail Sylës, për të vijuar me tri shkrimet për librat e karakterit publicistiko-historik të Selatin Novosellës, përkatësisht për librat Demonstratat e gjashtëdhjetetës (vëllimi i tretë); Rexhep Mala – Anteu i Lëvizjes ilegale dhe një shkrim përgjithësues për veprimtarinë 45-vjeçare të Selatin Novosellës. Pena që trazoi heshtjen është shkrim i Mehmetali Rexhepit që merr në shqyrtim veprën polemizuese të Bislim Pirevës, si një përgjigje adekuate ndaj falsifikimeve të pseudoshkencës serbe, këtë herë të rishfaqura nën emrin e Radomir Trajkoviqit.

Kapitulli i fundit i këtij libri, i titulluar Flijimsublima, është kushtim për vlerat kombëtare, për flijimin e tyre, për ngjarjet madhore që shënuan rrugën e vështirë të lirisë së kombit. Duhet thënë se edhe këtu faktografia, si në shumicën e shkrime të tjera të këtij libri, në pjesën më të madhe, i hap rrugë përshkrimit poetik.

Do të doja të vija theksin tek invariantëzimi dhe kompozitat si dy veçanti të këtij libri.

Së pari, invariantëzimi është një procedim shkrimor i padiskutueshëm i autorit Mehmetali Rexhepi, është përpjekje për ta tejkaluar klishetizimin e strukturave të fjalive dhe shabllonizmin e skajshëm e mbizotërues të shkrimeve tona përgjithësisht. Krijimi i vetëm një mënyre gjykimi, i një mënyre argumentimi, i një qëndrimi ekskluziv herë glorifikues e herë krejt mohues, e varfëron ndjeshëm jetën tonë kulturore. Rrjedhimisht invariantëzimin në këtë kontekst duhet parë edhe si një ikje legjitime e autorit nga ligjërimi i standardizuar.

Së dyti, duke e lexuar këtë libër hasim në një mal kompozitash, veçmas ato që në strukturën e tyre kanë fjalën shkrim. Po zë ngoje vetëm disa: Fatshkruesi, shkrimqëmtuesi, shkrimgatuesi, shkrimkërkushi, shkrimlakmuesi, shkrimkërkimtari, artjetëshkrimi, zbrazmbushje, vlimftohje, shtrigëgjatat,  fatecja, fatngecja, synimcaqet, muzikëmjeshtër, shtresëkuptimësi, mospërtrollisje etj. Kam përshtypjen se shartimet e këtilla, si përpjekje për të krijuar mjete vetjake shprehëse, marrin parasysh vetëm kriterin konceptual të autorit dhe jo gjithnjë tingëllojnë në përputhje me logjikën e krijimit të kompozitave në gjuhën shqipe, por dhe me natyrën e saj.

A e ka zgjidhur me këtë libër enigmën e magjikes Mehmetali Rexhepi është një pyetje krejt normale që mund të shtrohet në fund të kësaj fjale. Përgjigjja më e sigurt, duke pasur parasysh karakterin ezoterik të magjikes, është se ky libër, megjithatë, e ka zgjidhur enigmën e magjikes së Mehmetali Rexhepit.

 

Gjilan, 28 prill 2011



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx