Kulturë
Skënder R. Hoxha: Haiku i Dushkajës
E diele, 29.05.2011, 04:52 PM
SKËNDER R. HOXHA
HAIKU I DUSHKAJËS (I)
E ruaj nga fjalë të pleqve
Në traditë në harta të vjetra
Dushkaja tridhjetë katunde…
Emrin e ka nga bimësia
Me male e pyje me dushk
Shqip – emri Dushkajë.
Me një territor të gjerë
Autokton shqiptar –
Dushkaja e Kosovës
Atje fluturojnë shqipet
Skifterët dhe pëllumbat
Për armikun plumbat…
Suka e Cërmjanit midis Dushkaje
E kohës ilire – fortifikatë
Krenohet në lartësi.
Kjo Sukë afër Gërgocit,
Ndërsa ku kryqëzohen ca rrugë –
I thonë Kryqi i Rakocit.
Sipas traditës së lashtë
Bëhen dasmë e dekë
Bujaria - krenari…
Përroje e prroska
Gjarpërojnë luginave
Bistrica e Drini kufij natyrorë
Përroje, Bistricë, Drini i Bardhë
Herë të kthjellta herë të turbullta
Freskoheshim verës në to.
Pranverave turbullohen ujërat
Drini i Bardhë i mbledh të gjitha
Në lumthin Shushica nxinim peshq.
Në fusha e male
Kullosin bagëtia
Dëgjohen kënga e fyelli.
Livadhet me kullosa
Në mrize bagëtia
Bukolikë e ëmbël…
Bujqit e kostarët
Në ara e livadhe djersiten
I këndojnë punës…
Kultura materiale
Dhe ajo shpirtërore
Ruhen gjithandej.
Në Sukë sheha e dërvishë
Rrinin kohë pas kohe
Rruhej kultura shpirtërore.
Në Bec Tyrbe, Kishë e Xhami
Kishë e Tyrbe në Doblibare
Me predikime shqiptare.
Në Sukë për festa maji
Mbledheshim të rinj e të reja
Me lule të para mbuloheshim…
Ka edhe sukëza e kodra
Shpate e shullaje –
I krijoi natyra…
Në veri të Dushkajës
Është vendlindja ime
Jabllanica – tash Shqiponja.