E hene, 13.05.2024, 11:44 PM (GMT+1)

Kulturë

Kostaq Duka: Në rrugën e rritjes së një romancieri

E premte, 27.05.2011, 07:58 PM


Në rrugën e rritjes së një romancieri

 

-"Syri i Ritës".  Pjesa e parë e trilogjisë " Hidhësia e puthjes" shkruar nga Kristaq Turtulli

 

Nga Kostaq Duka

 

    Nëse  shikon me vëmendje rrugën e botimeve të prozatorit korçar,  tashmë të njohur Kristaq Turtulli vë re se  tashmë nga dalja para lexuesit të librit të parë, novelës "Nëna" në vitin 1981 e deri më sot kanë kaluar 30 vjet. Kristaqi kur trokiti në dyert e rënda të prozës i pohonte vetes por edhe ne miqve të tij se   këto dyer do ti hapte tej e tej duke mos mbetur një  pasionant i thjeshtë i letërsisë , poezisë e prozës por një krijues që lexuesve do tu flase jo me zë minor por me zë të plotë. Pas novelës "Nëna" ai do ti përkushtohej me seriozitet letërsisë për fëmijë duke na sjellë në vitin 1988 vëllimin me tregime "Aventurat e arushit topik" në vitin 1988 dhe pas një viti më 1989 vëllimin " zogjtë" ku veç tregimeve përfshihej edhe një novelë.  Letërsia për fëmijë u mirëprit nga lexuesit, u vlerësua nga kritika e kohës dhe meritoi çmime vlerësuese. Në këtë rrugë në vitin 1989 nxorri novelën "Ana"  E megjithatë një ëndërr e madhe do të lindëte e do të bëhej shtysë e fortë për një punë më me pretendime krijuese. Ai donte të shpaloste aftësitë e tij si prozator në arkitekturën dhe  ndërtimin e "kështjellës" së prozës, romanin.

     Dhe  ja 7 vjet pas noveles Ana, brenda dy vitesh ai nxjerr dy romane " Hija e ariut" dhe " Hani me dy porta ". Ky i fundit, pa dritën e botimit dhe në gjuhën angleze  në SHBA në vitin 2009 duke u vlerësuar si një  arritje e shënuar e autorit edhe nga të huaj.  Këto romane si të thuash u bënë platformë për ngjitje të mëtejshme në gjininë e romanit duke sjellë vepra të reja me tematikë të ndryshme si "Ç'është jeta e një njeriu" 2003, "Vetmia e zërave" 2007, "Dëgjo  floriri im" 2009 , "Në trenin e linjës 16" 2010. Në gjuhën angleze përveç romanit "Hanit me dy porta" " The inn with two doors" ka botuar dhe novelën për fëmijë "Friends".

     Rruga e romancierit Kristaq Turtulli, tashmë është e hapur. Në këtë rrugë  një ndërmarrje e guximëshme dhe pretenduese. Tani në vitin e 15-të si romancier ai porsa ka dhënë për lexuesit romanin " Syri i Ritës" që është pjesa e parë e trilogjisë " Hidhësia e puthjes" . Pjesa e parë do të pasohet edhe nga "Tulipani i Koresë" dhe " Në rrugët e Greqisë"

     Siç shihet edhe nga vetë titujt e romaneve që përbëjnë këtë trilogji  autori e sheh fatin e personazheve në një hartë të madhe gjeografike. " Syri i Ritës" zë fill  me të ashtuquajturin fshat të ri socialist Hoxharë qe siç thotë autori u ndërtua "nxitimthi brenda dy javësh në buzë të ish kënetes me ca parafabrikate si kërpudha të bardha pas shiut". Më tej do te  fokusohet në qytetin juglindor, ku lexuesi e ndjen se ka të bëjë me Korçën, dhe do sjellë ngjyrime e motive nga bregdeti, diku pranë amfiteatrit të Butrintit e për një kohë lexuesi do të  ecë edhe shkretëtirës në Egjypt dhe rrugëve e kafeneve të Kajros. Sikurse edhe në romanet e mëparëshëm edhe në "Syri i Ritës" autori merret me fatin e njeriut, kryesisht të dramave e tragjedive të tij.

   Autori  në mënyrën e vet që po shkon drejt një profilizimi origjinal, zhbiron në shpirtin  njerëzor, unin e subkoshiencën. Ai thellohet në motivet psikologjike, në të fshehtat e shpirtit njerëzor, butësinë e egërsinë, urrejtjen e dashurinë. Sigurisht rreth 40 personazhet kryesore e të dorës së dytë që veprojnë në roman u përkasin kategorive të caktuara sociale, janë pjesë e mjedisit social por për autorin pak rëndësi ka shpalosja e tablove të përgjithëshme, masive të shoqërisë, plagët e vërteta të saj, shpjegimi i shkaqeve etj.Syri i tij, thellohet në individët dhe marrëdheniet mes tyre, duke i dhënë rolin e një sfondi ambientit social. Lexuesi faqe pas faqe ndjek fatin e personazheve nëpërmjet situatave me dramacitet.

   Një dashuri që shndrrohet shpejt në tragjedi. Genti Tanushi djaloshi  nga jugu dhe Dile Oka shtatderdhur nga fshatrat e malësisë  bien në dashuri duke qënë të dy vullnetarë në Hoxharë. Fryt i kësaj dashurie Rezearta. Mes tyre një i tretë,  një i ri nga bregdeti. Marrëdhëniet tronditen. Kulmi arrin kur Genti bëhet deshmitar i tradhëtisë së gruas së vet. Një fund tragjik i çiftit. Hedhja më pas në dallgët e jetës e Rezeartës e cila pëson fatin e hidhur të jetimes.

   Në këtë pjesë të parë të Trilogjisë, Rezearta është heroi kryesor i romanit. Do ta shohim atë  në mjediset, përshkruar me tone të errëta të shtëpisë së fëmijës, në mes përbuzjes e keqtrajtimit. I vetmi ngushëllim ishte pylli dhe lëndinat pranë. Ngjarje të shumta do ta shoqëronin, rritjen e kësaj vajze disi të egër nga vetë rrethanat por që trashëgonte bukurinë e nënës së vet. Humb vajzërinë, në një aventurë  të ndjellë si pa dashur me rojtarin e pyllit e shohim më tej në kërkim të një mbështetjeje njerëzore në krahët e një peshkatari të martuar por me grua të paralizuar, nxjerr mësime nga jeta dhe vetpërmbahet deri në ekstrem,  lakmohet nga zyrtarë të pështirë por nuk bie më në kthetra,  u tregon vendin vajzave me moral të shthurur duke kërkuar pavarësi e dinjitet. Fati i Rezeartës bashkohet me fatin e Mane Memës edhe ky mbetur jetim në moshë të vogël e rritur me dashuri prej nëne të vërtetë nga Rita, gruaja e dytë e babait të tij ish fotografit Jetnor me nofkën Lecka. Në momentin e ndarjes nga jeta  Rita i beson Manes syrin artificial prej fildishi, që me shumë mundime e kishte sjellë babai i saj  tutje nga Egjypti i largët. Peripecitë e gjetjes së syrit zënë një vend jo të vogël në roman.

   Siç e përmendëm në roman  ndërthuren në veprime një galeri e madhe personazhesh. Merita e Kristaqit është që çdonjëri prej tyre ka profilin e vet pak a shumë origjinal, çka krijon kontraste e ngjyrime të forta. Kështu veç Rezeartës, Mane Memës,Ritës, Jetnor Leckës, Koçi Trokos, Fredo Gjolit zilepunues babai i Ritës shohim të vizatuara bukur edhe personazhe si përgjegjësja e turnit në shtëpinë e femijës Eli Begolli, roja i konviktit të shkollës profesionale në bregdet Nebiu, përgjegjësi i ofiçinës së parkut të tregtisë Lame Zdrypi, Rehita, plaka në Kajro që i fali Fredos copën prej fildishi etj.

   Rezearta së fundi gjeti strehën e ngrohtë familjare në shtëpinë e vjetër të Mane Memës. A do të jetë e bukur jeta e tyre ? Këtë sigurisht do ta mësojmë në pjesët në vazhdim të trilogjisë " Hidhësia e puthjes", në romanet që vijojnë "Tulipani i Koresë" dhe "Në rrugët e Greqisë"



(Vota: 6 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora