E marte, 30.04.2024, 12:04 AM (GMT+1)

Mendime

Selim Hasanaj: Malësori Zef Mulaj - shkenctar, poet dhe shkrimtar

E premte, 13.05.2011, 07:57 PM


MALËSORI ZEF MULAJ - SHKENCTAR, POET DHE SHKRIMTAR

 

Nga Selim M. Hasanaj

 

Në një mbasdite të nandorit të vitit të kaluem, nësa bisedoja me MSM me mikun tim Xhenc Bezhi, në mes tjerash ai më tregoi se ishte mahnitë nga një roman që porsa e kishte lexue. E pyeta thjeshtë nga kurreshtja se për ç’ roman e kishte fjalën dhe Xhenci më tregoi se autori ishte Zef Mulaj, kurse  romani mbante titullin "IMAZH". Iu luta të më siguronte edhe mue atë liber dhe Xhenci më dha e-postë adresën e z. Zef Mulaj, të cilit i shkrova dhe i kërkova librin. Mbas tri ditëve më vjen një pako nga Porto Recanati i Italisë dhe porsa e hapa pash se z. Zef Mulaj më kishte dërgue romanin "IMAZH", sidhe librin me poezi  "MJEGULLVARUR MBI BALLKAN".

 

Librin me poezi e lexova me një frymë qysh atë mbramje. I lexova me një frymë sepse më dukej sikur do të më zihej fryma po ta ndërprisja leximin e atyne vargjeve xhevahir që kishin dalë vrullshëm porsi bari e lulet e blerimit pranveror, që dalin nga toka mbas acarit dimnor; ashtu vargjet e Zef Mulajt kishin dalë nga zemra e gurit, ishin akumulue në oborrin e kullës së tij të lindjes në Qeresh të Tropojës ku Zefi fëmijë e i ri kishte soditë bjeshkët dhe malet e Alpeve shqiptare, ndërsa tash, burr i pjekun, i shperndan ato në letër dhe thurë vargje të mrekullueshme.

 

" Mbi gurë e shkëmbinj fjalen time kamë mbjellë

 

E udhëve do të eci, do të eci

 

Perherë do ta mbaj atë kujtim. "

 

Zefi,  mërgimtar në Itali, sado që ka arrijtë majat ma të nalta të shkencës dhe asht ba shkencëtar, ai nuk harron të thotë se fjalët i ka mbjellë mbi gur e shkambinj dhe se kujtimin për to e per vendlindjen e tij do t’i ruejë përherë.

Vargjet e Zefit janë të thjeshta, por edhe poaq të forta: ata, sa ia miklojnë zemren lexuesit, aq ia mbushin me emocione dhe mall. Mall që ka mërgimtari për vendlindjen dhe për Atdheun. Po Zefi nuk e ka vetem këtë shqetësim. Ai vargon strofat për një pjesë të popullit të tij të pushtuem e të vujtun, që përpiqet për liri e mvetësi. Ka shumë vargje që poeti i thurë Dardanisë e dardanve dhe prej këtu, padyshim, edhe del titulli i librit " MJEGULLVARUR MBI BALLKAN".

 

Nata më shkoj deri vonë me vargjet e Zef Mulajt. Ai, së bashku me librin, më kishte dërgue edhe një letër që e lexova disa herë. Në fund të letrës shkruente: të fala nga miku-vëllau yt Zefi. Më njeh, vallë, Zefi e më thotë mik?! E njoh unë atë dhe e kam mik?! Jo, as nuk e njoh, as nuk më njeh, nuk jemi pa kurrë, por ndërsa lexoj vargjet e Zefit, ndërsa mbaj në dorë romanin e Zefit dhe lexoj këtë letër të shkrueme me dorën e Zefit, bindem se shqiptarët e mirë gjithmonë janë vëllazen mes veti dhe ata edhe kurrë mos u takofshin fizikisht, me zemer e shpirt jetojnë pranë e pranë njeni tjetrit. Janë vëllazen.

Mbaja letrën në dorë dhe sytë i kisha te fotografia e shtepisë ku kishte lindë autori. Shikoja atë KULLË guri dhe ato pamje përrreth saj, ato pamje mahnitëse të Alpeve Shqiptare. Nga këto pamje kuptova pse Zef Mulaj më thotë: të kam mik dhe vëlla. Shpreh bujari malësori, ky burr Tropoje.

 

Nuk do të shkruej shumë për poezitë e Zef Mulajt të përfshime në librin “MJEGULLVARUR MBI BALLKAN”, po për vetë Zefin e për romanin "IMAZH".

Zef Mulja u lind në Qeresh të Tropojes me 13.02.1953. Ka krye Fakultetin e Mjeksisë, dega farmaci, në Universitetin e Tiranës.

 

Mbasi punoi disa vjet në fshatrat e vendlindjes, gjatë kësaj kohe ai kreu studimin e florës mjeksore dhe mjeksisë tradicionale të zonës.

 

Prej vitit 1994 jeton në Itali ku ka krye studimet e nalta në Universitetit e CAMERINO dhe ka mbrojtë titullin "Doktor në shkencat farmaceutike" me temen: "BIMËT MJEKSORE TË ALPEVE SHQIPTARE".

 

Asht antar i shoqatës së farmacistëve italianë dhe i shoqatës së Filioterapisë së Republikës së Italisë.

 

Ka botue librat me poezi "EMNI QË LIND DIELLIN", "MJEGULLVARUR MBI BALLKAN" dhe romanin "IMAZH".

 

Të nesërme fillova tä lexoja romanin. Titulli jo fortë tërheqës i romanit gati sa nuk më shtyu që ta lija për ta lexue ma vonë, ndoshta gjatë kohës së pushimeve verore. Mirëpo, porsa fillova të lexoja faqen e parë, kuptova se libri ishte specifik dhe nuk bante të ndërpritej leximi. Imazh. I kujt të jetë vallë imazhi? I Gjergjit, kryepersonazhit të romanit? I viktimave, dy vajzave të mituna e një djaloshit të ri? I klandestinve që banditet trafikantë pa mëshirë i hedhin në det porsa nuhatin policinë roje të italianëve? Tash ata, në terrin e natës, për t’i shpëtue vdekjes, duhet të luftonin me valet e egra të detit dhe ujin e ftohttë të Adriatikut. Imazh i vajzës së mitun, që “u harrue" në bregun e detit, ashtu e pandjenja, kufoma e së cilës u gjet shumë ma vonë? Imazh i vajzës së paemen, i Bertit kitaristit, që luen rrolin e detektivit për të ndihmue mikun e vet Gjergjin për të ra në gjurmë të krimit e për të zbulue fatin e femijëve të humbun? Imazh për fatin e vetë Gjergjit, i cili, si i ri, kishte tentue të ikte nga Atdheu, dhe mbasi humb njeriun ma të dashtun, nanën, vendos të studjojë dhe bahet polic, me mendimin që të luftojë krimin? Rasti i Vitorisë, Safisë e Martinit e tronditin ate dhe ai, në perpjekjet për ta mësue fatin e tyne, bie në gjurmë të kriminelëve, e këto gjurmë e çojnë tek deputet e ministra. Kjo bahet shkak që ta largojnë dhe dëgradohet në polic i thjeshtë kufitar.

 

Mbasi bie në kontakt dhe fiton përkrahjen e mikut të tij të vjetër Robert kitaristit, Gjergji len me zemër të plasun babën plak dhe largohet për në Greqi. Atje qendron disa kohë, ku ban punët ma të randa fizike. Shpesh herë as nuk paguhet nga padronët e pashpirt grekë, kështuqë vendos të kalojë në Itali. Imazh i kujt pra mund të jetë libri i Zef Mulajt?! I të gjithë këtyne fatzinjve, viktima të grykësisë së barkmdhenjve me kollare rreth qafe, apo i faktit se shkaku i “zingjinëve të rijë”, shqiptari ik kah sytë kambët me shpresën për një jetë ma të mirë. Mirëpo shumicën e tyne rrugës i përbijnë valët dhe thellësitë e Adriatikut. Vajzave e grave të reja që bien viktima të prostitucionit, të detyrueme nga ndërmjetësuesit matrapazë, që i mashtrojnë se do t’u gjejnë punë, do të martohen me to etj. Imazh i popullit shqiptar do jetë ky, vallë, apo imazh i kriminelëve? Unë mendoj se autori Zef Mulaj, me nji mjeshtri të pashoqe, trajton këte temë të dhimbëshme, poaq e rrezikshme, sepse shkon kryet lehtë me trajtue tema të tilla.

 

Kriminelëve që ditën kërkojnë votat e popullit e natën janë mysafirë të bordeleve e kazinove gjithandej vendit, apo edhe jashtë vendit, nuk u shkojnë shkrime të tilla.

 

Romanin e Zef Mulajt e kam lexue para disa muejsh. Nga ajo kohë, pothuej çdo ditë, kam mendue si ta baj një shkrim të vogël, si përshtypje personale, mirëpo, aq shumë më  goditi ngjarja e shtjellueme mjeshtrisht në roman, sa nuk kisha guxim të shkrueja për të. Nuk asht lehtë të merrish barrën e një vepre madhore, siç asht romani “IMAZH” i Zef Mulaj.

 

Përgëzimet e mia, Zef Mulaj. I bashkohem urimit tand që ti pëcjell si mesazh te lexuesi me romanin tand që “IMAZH”  shqiptar të mos jenë veprimtaria kriminele, as fati i zi i emigrantit shqiptar në plantacionet e perimeve e pemtoreve të Greqisë, as ato vajza që nëper semaforë të metropoleve të Europës presin  klientët e përjargun për të shfrye epshet në trupin e tyne, por të jetë Gjergji, shqiptari shpirtmirë e entuziast, trim e atdhetar, që ban dy fakultete.

 

Sarpsborg-Norvegji: 11.05.2011.



(Vota: 21 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora