Kulturë
Parathënia e librit të ri dy gjuhësh « Me zemër të pastër” të Alfred Papuçiut
E shtune, 02.04.2011, 06:56 PM
Pas 10 librave të botuar më parë, Alfred Papuçiu del përpara lexuesit, me përmbledhjen dygjuhëshe: shqip dhe frëngjisht ”Me zemër të pastër”, përmes së cilës sjell informacion të pasur, dituri dhe kulturë nga dhe për shumë fusha të jetës. Falë formimit shumëplanësh letrar, artistik, historik, filozofik e publicistik, si dhe përvojës shumëvjeçare, sidomos në gazetari e diplomaci, autori, tashmë i mirënjohur edhe në qarqet intelektuale në Gjenevë dhe tej Zvicrës kap, trajton një varg temash që kanë të bëjnë me diplomacinë, me politikën, me historinë, me gjuhësinë, me kulturën, me artet, me shkencën, me shëndetësinë etj. Kësisoj, do të thosha, se libri ka natyrë e karakter enciklopedik. Merita e autorit është se këtë problematikë të gjerë synon dhe e e shtjellon në rrafsh shoqëror, çka duket edhe nga mënyra se si komunikon me lexuesin, duke iu drejtuar atij, sikur ta kishte pranë e përballë në një bashkëbisedim të çlirtë dhe të hapur. Stili bisedor, i zgjedhur dhe realizuar natyrshëm, i krijon mundësi lexuesit të hyjë në përmbajtjen e problemeve dhe të aspekteve të ndryshme jetësore, në faktet dhe dukurit që evidenton.
Lexuesi njihet me karaktere e tipa shoqërorë, personalitete si shkrimtari e mendimtari i shquar, Nonda Bulka, si e mirënjohura ”Artiste e Popullit” Vaçe Zela, linguisti Robert d’Angely, si arkitekti Franko nga familja e dëgjuar Marubi apo doktoresha zvicerane Marinette Wyss etj; ndjen mallin për atdheun, vendlindjen e autorit, krenarinë për babain e tij, të ndjerin, gazetarin e shkrimtarin Tuni Papuçiu; hynë në botën e shkencave shëndetësore, duke u ndalur gjerësisht në sëmundjen e Talasemisë; mëson se si luftohet ajo; ndjek me interes gjendjen shpirtërore të autorit, kur me krenari flet për mësimin e gjuhës amtare në Zvicër, kur mban qendrim për manipulimet që bën media shqiptare, duke harruar misionin e saj si mbrojtëse e të drejtave të individit, të lirisë, qytetarisë dhe të demokracisë; përjeton situata dhe ngjarje që pasqyrohen në këtë përmbledhje, qoftë edhe në formën e një meditimi, një ese-je apo të një artikulli.
Në tërësi libri përfaqëson kujtime, përjetime, analiza dhe opinione të autorit Alfred Papuçiu, paraqitur, pasqyruar dhe shtruar me thjeshtësi, modesti dhe natyrshëm.
Prof. Dr. HAMIT BORIÇI