E shtune, 18.05.2024, 05:17 PM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Sokrat Habilaj

E merkure, 30.03.2011, 07:56 PM


Sokrat Habilaj

 

 

ATA  QË MA  SHANË ATDHEUN

 

Ma shanë atdheun, ma shanë nga nëna,

Në një bar, mbushur me të bardhë e negër...

Shtrëngova dhëmbët të mos më çahej zëmra,

E mbi ta të lëshohej si bishë e egër...

 

Ma shanë atdheun buzë detit Egje.

Si m'u mbyll goja e nuk volla mallkime!?

Po për kë t'i shaja!? Ata s'kishin atdhe...

Ma shanë atdheun, në gjuhën time.

 

 

FUNDI I NJË LOJE...

 

Kur duheshim ne, ndryshe dukej se ish' gjithçka,

Dhe të gjithë na donin tek na shihnin në krah.

 

Por kur u ndamë, gjithë mëri e urrejtje,

Njerëzit u hutuan dhe ikën në heshtje.

 

Veç sa shfaqesha unë dhe i shihja në sy,

Ata më donin mua dhe të urrenin ty.

 

Ndërsa kur shfaqeshe ti, në një tjetër vend,

Ata urrenin mua dhe donin shpirtin tënd.

 

Atëherë kohës, ndal këtu, i thirra me zë,

Dhe vet humba larg, humba...Nuk u shfaqa më...

 

 

TË KISHA THËNË PËR LOTIN...

 

Të kisha thënë se loti që rrjedh në faqe,

është shpirt i vrarë që humbet për pak çaste...

 

Të kisha thënë, loti është  një funeral,

Kur kalon ai, veç trishtimi s'bindet të ndalë...

 

Të kisha thënë, edhe kur sheh diku një lot,

ndalu, përule kokën, hesht, nëse s'loton dot.

 

Të kisha thënë...Kot të kam thënë gjithsesi,

se s'bëre asgjë për të ndalur lotët e mi...

 

 

KUJTIM I LARGËT

 

Ishte ashtu, si në një baladë të vjetër,

E donim dy atë, unë dhe një tjetër...

 

Po ajo qeshte e thoshte gjithë dritë në sy:

''Çfarë t'u jap!? Unë jam një e ju jeni dy...!''

 

Dhe nuk ndodhi si në baladë, s'kish sesi.

Unë s'e rrëmbeva, s'e rrëmbeu as ai...

 

Ajo iku larg dhe tha: Shpirtin tim po ju lë,

Është i madh, mos u grindni për të!

...

 

Ishte ashtu, si në një baladë të vjetër,

Atë e donim ne, ajo mori një tjetër...

 

 

KUR TË DESHA UNË...

 

Ti ishe si një pikë loti e pastër,

kur unë të desha ty,

Pastaj më rrëshqite mbi faqen e ashpër,

për në të tjerë sy...

 

Kur të desha unë, e pa prekshme ishe,

si një lot i ndritur...

Mbase more plagë apo thjesht gërvishtje,

nga unë duke ikur...

 

Ti ishe e mirë, po s'di si ke mbetur...

Unë? Pak egoist...

Veç, s'ka faj  as loti kur rrëshqet i heshtur,

as sytë natyrisht...

 

 

TI DOJE TË BISEDOJE ME YJET...

 

Ti më kërkove të rrije vetëm, pak kohë,

''Do të bisedoj me yjet më the, sy më sy''

E unë natyrisht s'ta prisha po të thashë shko,

Veç ktheu shpejt, se s'mund të rri dot gjatë pa ty!

 

Dhe ike ti për tek ata në një tjetër vend,

(Unë them në një bar a lulishte diku...)

Ndërsa rri e pres, meraku për ty  po më tremb,

Si s'të thashë, biseduesit ku i prisje, ku?

 

Ti the, s'vonohem po më prit, patjetër më prit,

(Yjet të pëlqyen, që vonuan ardhjen tënde?!)

Është vonë, po mbyllen baret, birraritë,

E stolat në park po lahen në dritë hëne.

 

Ti the, takimi është si takimet e tjerë,

(Unë të besova por si s'mendova atë çast!?)

Se yjet nga qielli s'zbresin asnjëherë...

Duan që të flasin me dikë? E marrin lart...

 

 

EDHE NJËHERË PËR MOTRËN

 

Në telefon, zëri yt më vjen nga larg,

Po s'di ç'të them se një lëmsh malli më djeg në gji,

Veç di se nëna ime do jetojë gjatë,

Sepse do jetojë sa kohë do të jetosh ti !

 

Gruaja lë punën në mes, që tej në skaj,

Krahët hap drejt meje, si qiell i kthjellët,

Ç'më pëshpëritë në vesh, si e zënë në faj:

''Ah, që s'e bëra një motër për djemtë!''

 

 

KUR MË MUNGON TI

 

Do më mungosh një javë këto ditë të nxehta,

Mbi supe një flutur e trishtuar më ulet,

Në ikje, ca fjalë të thjeshta, vërtet të thjeshta:

''Sa herë që të më kujtosh, vadit lulet!''

 

Do më mungosh shtatë ditë e shtatë net,

E mbase aty larg ty nuk të tundon vetmia?

Por kur ti të kthehesh, të lutem mos qesh,

Ou, lulet po kalben krejt...nga lagështia.

 

 

NËSE TË MËRZITA

 

Të mërzita? Ik nga unë për pak kohë.

Mbase diku tjetër do të gjesh qetësi.

Po unë, s'mund të isha ndryshe, apo jo,

Në këtë botë të mbushur gjithë mërzi.

 

Megjithatë, ik, madje më merr inat.

Dhe në ndjehesh mirë, këtu më mos  u kthe.

Harromë fytyrën si një degë të thatë,

Në pllajën e vetmisë të mbështjell me re.

 

Larg meje, ti kryeneçe le të më rrish,

pa më shtrirë dorën nëse gjendesh ngushtë.

Po unë, që vij nga bota e mërzisë,

Do ta kuptoj në çast kur ke rënë në kurth.

 

Dhe do të vij pranë, me pamje krejt ndryshe,

Të mos më njohësh që jam ai i pari.

E dashur, kjo botë, është e mërzitshme,

Nëse të thash ik, s’ta prisha thjesht nga malli.

 

Kur të ndjesh të  ftohtë, të dridhesh në acar,

Do të vij ngrohtësi në vatër të të ndez.

Dhe ti, duke afruar duart në zjarr,

Do të shohësh pranë teje një eskimez.

 

Kur nga  zhegu, të përvëlohet kurmi yt,

Një grusht uji burimi, do të sjell s'largu.

E ti do të qeshësh, duke larë sytë,

Se do të shfaqet një fytyrë zezaku.

 

Unë nuk e di, kur të më shohësh ndryshe,

Nëse do ta  shtysh tutje, ujin a zjarrin.

Kjo botë që gjithçka bëri të mërzitshme,

Nuk di a mundi ta mërzis edhe mallin?

 

...Po kur buzët të të tundohen për  puthje,

Kë do të kërkosh ti në dallgë dashurish?

Buzët e mia, do t’i gjakos me ndukje,

Veç me fytyrë tjetër, s'të shfaqem ta dish!

 

 

EDHE UNË,  SI TË TJERËT

 

Duke i zgjedhur fjalë një e nga një

Gabova, (si të tjerët) rashë në gracka.

Në kohën që duhet të flisja tjetër gjë

(Si të tjerët) dhe unë, të bëra lajka.

 

Të premtova ty një qytet aq të bukur,

Ku neonet pikojnë parfum si vesë.

Në vend të zgjatja dorën për të këputur,

Vetëm një yll, dhe ta ndanim të dy në mes.

 

Të premtova ty edhe një pallat atje,

Ku ti të shkelje mbi sixhade persie.

Në vend që të ndërtoja, thjesht një strehë,

Mbuluar me degë molle, a lajthie.

 

Tani më shumë se mall, për ty ndjej trishtim,

(Veç nuk qaj. Duhet që të qaja më herët)

Po e di ç’mendon kur ti kujton emrin tim,

Eh! I mirë, i mirë ish! (Si të tjerët!)

 

 

BOTË E VOGËL

 

I ngushtë djepi, tamam si bujashkë,

Rrugët dhe stacionet në pritje,

Të ngushta shkallët për t'u ngjitur lart,

A radhët ku blen bukën e përditshme.

 

E shkurtër kafja që pi në mëngjes,

Gjysmake  puthja, dhënë te dera,

Merë në telefon, pritet në mes,

Pip...pip...pip. Bli ca fjalë të tjera!

 

I ngushtë dhe qielli fshehur në re,

Dhe hëna e rrudhur si një gogël,

I ngushtë dhe varri mbuluar me dhé...

Gjithçka me pakicë! Botë e vogël!

 

 

NJË ATDHE TEPËR

 

Dal nga bulevardi, në udhë të trishta,

Si gur i shkëputur, rastësisht nga shkrepat.

E desha atdheun, për njerëzit vdisja,

Po vetëm si kam dashur sa duhet shefat.

 

Iu binda fatit me shtrëngatë e re,

Dhe shpirtin tim, unë s’mund ta merrja inat.

Sepse brenda tij, unë kisha një atdhe,

Përzier me lot, ngjizur me afsh e baltë.

 

Duke besuar se do më falte gjithçka,

Atdheun, kurrë se ndërrova me asgjë.

I besova, si dashurive të mëdha,

Dhe shpirtin e ngjiza përjetësisht me të

 

...Eh Atdheu...! Atdheun s’e pyet kush veç.

Me që për gjithçka pyetet diku tjetër.

I dhanë udhët një njeriu kryeneç,

Dhe vendosën të nxjerrin një atdhe tepër.

 

 

DY GJYSMA DASHURISH

 

Asgjë s’mund të jetë siç ishte më parë,

Sepse kemi brenda vetes diçka tepër.

Një gjysmë dashurie nga ty e vrarë,

Dhe atë që ruaj unë, gjysma tjetër.

 

Por sot të ndara janë ato, veç e veç,

Ashtu siç jemi të ndarë unë dhe ti.

Tek njeri rri ajo që nuk di të vdesë,

Dhe e vdekura pa një varr tek tjetri rri.

 

Ndodh rrallë të shihemi në sy të heshtur,

Mbështjellë me urrejtje, mbështjellë me mall.

Unë që s’vrava kam pjesën tënde të vdekur,

Ti që vrave ke pjesën time të gjallë.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora