Kulturë
Mejdi Asllani: Nga skëterra përmes luftës në krenari (XXII)
E hene, 28.03.2011, 07:59 PM
Nga skëterra përmes luftës në krenari (XXII)
Nga Mejdi Asllani
Po në këtë kohë erdh tek unë në zyre zotëri Sokol Braha nga Vushtrria, me një letër të nënshkruar nga të gjithë anëtarët e kryesisë së nëndegës së LDK-ës në Vushtrri, duke më thënë se duhet të ia japë në dorë Dr. Rugovës. Pasi ma dha dhe e lexova, kuptova se me atë kërkohej, që të largoheshin dy persona, nga kryesia qendrore, për shkak të dyshimit, se ata qenkan bashkëpunëtor të UDB-ës. Njëri ishte Inspektor i arsimit dhe tjetri avokat, i cili edhe financonte lëvizjet e dr. Rugovës jashtë shtetit. Që të dy nga Vushtrria. Bashkë shkuam në Institutin albanologjik dhe kërkuam kontaktin me Dr. Rugovën. Me që dr. Rugovën nuk e gjetëm në institut. Shkuam në kabinetin e Dr. Pajazit Nushit dhe atij ia dhamë atë letër në formë peticioni, me porosinë për të ia dorëzuar Dr. Rugovës. Shfrytëzuam rastin dhe e vizituam edhe Prof. Dr. Anton Çetën, me të cilin zhvilluam një bisedë shumë të frytshme, në kabinetin e tij. Me që edhe pas dy jave nuk ju dha përgjigjja asaj kërkese, komplet kryesia e nëndegës së Vushtrrisë dha dorëheqje nga LDK-ja. Kurse personat për të cilët ishte kërkuar largimi, mbetën dhe vazhduan të jenë pran Dr. Rugovës.
Kursi politik ndryshoi rrënjësisht. Tani për ta larguar popullin nga rruga, që përmes demonstratave dhe protestave. Të shkohet drejt realizimit të idealit kombëtar, për liri dhe bashkim kombëtare, njëkohësisht duke i bërë rezistencë diktaturës Millosheviqjane. E cila për çdo ditë e më shumë, bënte gabime. Që shkonin në favor të popullit Shqiptar. Nga se e tepronte me represion. Popullit ju imponua një metodë tjetër, metoda e durimit pa kusht. Sepse tani, ka kush të merret me Serbinë dhe ti realizoj të drejtat e Shqiptarëve të Kosovës. Megjithatë, nëse do ndërhyhej në ndonjë familje, asaj i lejohej të bënte rezistencë. Që për mua ishte një absurd i kohës, si të i kundërvihej një familje një shteti. Kur popullit i bëhej apel, të mos bien në provokime. Këtë metodë aspak pacifiste, sepse pacifiste ishin demonstratat. Njerëzit dilnin në to, të pa armatosur. Aspak Gandiste, sepse Mahatma Gandi ishte gjithnjë në ballë të demonstratave, kudo nëpër Indinë e madhe, e që shuheshin me gjak. Aspak e Martin Lluter Kingut, sepse Kingu gjithmonë ishte në ballë të demonstratave që i mbushnin rrugët e Njujorkut e të Uashingtonit me njerëz të racës së tij etj. Si dhe në mitingje ku edhe qe vrarë. Kurse ky i yni mbahej larg nga populli. Atë mund ta shihje vetëm përmes ekranit televiziv, duke e përsëritur të njëjtin refren, në rast të ndonjë konference për shtyp, me kërkesën për një shtet të pavarur demokratik të hapur për Serbinë dhe Shqipërinë dhe me një administrim ndërkombëtar. E që dikur kaloi në monotoni. Thjesht nuk krahasohej me asgjë. Megjithatë më që popullin e kishte lëshuar euforia sepse ishte lodhur. E përqafuan këtë metodë politike pa diskutim. Thjesht nuk donin ta lodhnin mendjen, thoninë: Na ka premtuar Rugova se do të na e zgjidh çështjen dhe na do të shkojmë pas tij. Përsëritja e këtyre refreneve aq monotone edhe mua më shkonin në nerva, sepse Dr. Rugovën e njihja si një orator të guximshëm që kritikonte veprimtaritë kriminale të policisë serbe pa hezituar. Për çka merrte apllauz nga gjithë ne. Në mbledhjet si i mbanim në amfiteatrin e madh të Fakultetit filozofik. Tani i u ishte mbyllur goja, nuk e dija pse. Një shok më informoi se, në një takim të Dr. Rugovës me drejtorin e shtëpisë botuese “Rilindja” zotëri Agim Zatriqin, ishte zhvilluar pikërisht kjo bisedë. Në pyetjen e Agimit, Dr. Rugova ishte përgjigjur, duke i nxjerrë nga valigjëja e vet dy fletë letre të shkruara.- Jashtë këtyre dy faqeve nuk guxojmë të flasim tjetër. Ashtu janë instruksionet. Tani mua personalisht, mu bë e qartë, se situatën politike të popullit të Kosovës e paska marrë në dorë dikush tjetër.
Këtë ma patë thënë edhe i ndjeri prof. Dr. Eshref Ademi në vitin l994. nga se kur u kthye nga Gjermania, ku patë shkuar për intervenim mjekësor për sëmundjen e tij. E pata pyetur se çfarë thonë bashkatdhetarët tonë në diasporë? Ai më patë thënë shkurt dhe pa fare disponim: Jemi nisur pas kësaj elite dhe duhet të vazhdojmë, s’kemi rrugë tjetër. Thënë shkurt prej formimit të LDK-ës gjer në vitin l994. populli Shqiptar brenda Kosovës, në asnjë çast nuk kishte dilema në politikën e LDK-së të udhëhequr nga DR: Rugova, se vërtet kjo politik me strategjinë e saj do ta çlironte Kosovën në mënyrën më të lehtë të mundshme. Por pas 1994. filluan të paraqitën dilemat te një pjesë jo e vogël e popullit, sepse tani, disa veprime më shumë e qonin ujin në mulli të Beogradit se sa të Kosovës. Si për shembull Takimet e mëshehta në Brezovicë të Dr. Rugovës me Millosheviqin, mos përgjigjja në thirrjet e Mesiqit dhe Alija Izetbegoviqit, për një luftë të përbashkët kundër Serbisë, marrëveshja e nënshkruar, Slobodan Milosheviq - Dr. Ibrahim Rugova, ( i pari si president i Jugosllavisë së mbetur, kurse i dyti vetëm me titull akademik Dr. Ibrahim Rugova) për rihapjen e shkollave dhe fakulteteve shqipe. Shihej qartë se e gjithë kjo ishte vetëm sa për të ia zbutë sado pak embargon dhe sanksionet ndërkombëtare Serbisë. Se për hapjen e tyre as që kishte shans, me që pikërisht këto institucione Serbia i konsideronte si bastion e nacionalizmit Shqiptarë dhe ju kishte dashtë shumë punë për ti mbyllë.
Nga kjo metodë përfituan vetëm policia Serbe dhe tregtarët e dajakut. Nga policët e ardhur nga viset tjera të Serbisë, doli fjala; Kot na kanë thënë se Shqiptarët janë të rrezikshëm, po të ia fusësh çizmen në gojë, Shqiptari nuk lëviz. Në bazë të kësaj edhe u shfrenuan dhe pos rrahjeve në rrugë, filluan edhe të ndërhyjnë në shtëpia e familje. Pos maltretimeve fizike kishte edhe raste të vrasjes së ndonjë anëtari të familjes, para syve të fëmijëve të tyre. Si që ishte rasti në Pollatë të Llapit, ku u pushkatuan dy djem të ri para syve të familjes. Pastaj ndërhyrja në Shtimje, Bellopojë të Llapit në Prekaz te Jasharajt, Bardhaniq të Gjakovës e shumë vende tjera. QIK-u i LDK-ës dilte me informatë në media e që në atë kohë, në Kosovë funksiononte vetëm gazeta “Bujku”. Se është ndërhy në familje të filanit, me qëllim të kërkimit të armëve. Me çka në start e arsyetonin ndërhyrjen, sepse në gjithë botën lejohen ndërhyrjet, për të kërkuar armë pa leje. Ose si në rastin e familjes time në vitin 1996. ku thuhet se, supozohet se policët kanë qenë të dehur, andaj e kanë maltretuar familjen. Duke kërkuar të tregojnë se ku janë Mejdi Asllani dhe i biri Bekimi. Njerëzit rriheshin në rrugë dhe nuk bënin kurfar rezistence. Fëmijët druajtshin me shkua në shkollë, as çantat e librave nuk guxonin ti venin në shpinë. Por me vetëm një fletore të mëshehur nën këmishë, ose në gjep të pantallonave. Nënshtrimi dhe frika nga policët vinte duke u rritë gradualisht. Mjaftonte që një polic ta qojë dorën te Pendreku apo revolja dhe të zbrazet tregu duke ikur popullata Shqiptare. Në një intervistë të dhënë gazetarëve në atë kohë, Baca Osman Zhitia, i ati i Heroit të kombit Afrim Zhitisë patë thënë: Më parë, për ta sunduar Llapin, është nevojit një batalion, kurse tani po e tmerrojnë vetëm shtat polic të Serbisë.
Po në këtë kohë u paraqitën edhe shqipëfolsat si tregtar të dajakut, të cilët përfitonin nga fatkeqësitë e individëve. Këta “njerëz” duke u rekrutua në partin “Juli”, në krye të së cilës ishte vet bashkëshortja e Sllobodan Millosheviqit, i siguruan vetit, pos posteve edhe përfitime tjera materiale, sepse po ta kuptonin se ndokush ka të holla, nga se i punonte ndonjë familjar në perëndim. Ia ndërsenin policinë, e cila e rafte në vend publik gjer në alivanosje dhe pasi e këndellnin me ujë, ia dhënkëshin sinjalin se kush mund ta shpëtoj. Ai person pa shkuar në shtëpi, me vrap shkonte te shpëtimtari. I cili ia kërkonte sasinë e të hollave në marka gjermane. Disa për veti e disa për policët. I rrahuri nuk kursehej për ta shpëtuar jetën. Këta persona kishin emër dhe mbiemër, janë shumë, por unë po i përmend vetëm disa. Tefik Llugiqi, Faik Jashari nga Gjilani, Basri Pllana , Murat Ajvazi nga Prishtina dhe një këmbëthyer nga Ajvalia të cilit ia kam harruar emrin, e shumë të tjerë anekënd Kosovës.
2.
Viti l992. prognozohej nga shumica e popullatës, si vit kur do të radikalizohej situata politike dhe se do të hyhej në luftë kundër Serbisë së bashku me Republikat tjera, si Kroacia dhe Bosnja. Dhe se me përfundimin e luftës Kosova do të fitonte po atë, çfarë do të fitonin ato. Andaj, stërshitësit e armëve filluan të fusin armë në Kosovë. Vinin kamionët me sonë dhe në të Kallashnikovi me mjaft municion. Vinin kryesisht nga Peshteri dhe Novi Pazari dhe shiteshin për çmim të volitshëm, njëmijë marka Gjermane, sana të mbetej falë, sepse vetëm Kallashnikovi kushtonte aq. Kjo stërshitje ndodhi në fund të 1991. dhe fillim të 1992.
Shërbimi informativ i LDK-ës, kishte marrë informata për këtë metodë të armatosjes së Shqiptarëve të Kosovës. Prandaj Kryesia e LDK-ës, e hodhi në popull propagandën mashtruese, se gjoja armët janë të furnizuara dhe kur të vij koha çdo kujt do ti trokitej në derë, për ta zgjedhur armën me të cilën do të luftoja. Prandaj nuk ka nevojë të blihen armët dhe të shpenzohen parat.
Kjo ishte në kundërshtim me apelin e liderëve të viteve l944-45. kur apelohej, “shite Lopën, blejë pushkën”. Megjithatë, populli Shqiptar i Kosovës e gëlltiti këtë porosi dhe ndaloi të blejë armë në këtë mënyrë. Tani stërshitësit nga Peshteri kalonin nëpër Kosovë dhe i shitshin në viset Shqiptare në Maqedoni. Unë personalisht dyshoja se armët vërtet janë të furnizuara në atë sasi. Me që Kosova ishte në një rrethim të hekurt nga forcat serbe dhe në një kontroll të rreptë policor. Nuk besoja se ato janë dhe mundë të ruhen të mëshehura në Kosovë. Andaj, një ditë, duke biseduar në kabinetin e Prof dr. Xhyltekin Shehut, ku ishte prezent edhe Prof. Dr. Shefki Sejdiu e shpalosa brengën time duke thënë. Jam i brengosur se Kryesia janë duke e mashtruar popullin sa për ta lënë duarthatë, për të ia mbrojtur shpinën Serbisë, gjer sa ajo po lufton në një fron të gjerë. Prof. Xhyltekini më tha: këtë breng mund me ta hjekë Z. Shefkiu, sepse ky e ka një të vetin në Kryesi. Unë i thashë, kishte qenë më se mirë, ta bëje këtë, sepse unë nuk dyshoj në Dr. Ibrahim Rugovën, por në ata për rreth tij.
Të nesërmen, Prof. Xhyltekini e kishte dërguar një student dhe më ftoi në kabinetin e tij. Aty e gjeta edhe Prof. Shefkiun. Me tu ulur ma thanë se ma kanë kryer amanetin,
-Ani? e pyeta. Profesor Shefkiun-
-Armët ishin të furnizuara!
-E sigurt?
-Po, po e sigurt, ashtu më tha ai njeriu i imë.
-Eh sa shumë u gëzova, ma ke hjekë një breng të madhe profesor, ta paça borq.
Nuk ia bëra pyetjen se kush na qenka ai i Kryesisë, me që e dija mirë se ai ishte Prof. Fatmir Sejdiu, nipi i Prof Shefkiut, por unë bëhesha gjoja se nuk po e dijë. Duke u bazuar në seriozitetin dhe çiltërsinë shpirtërore të profesor Shefkiut, unë i besova plotësisht sa që as vet nuk u furnizova me Kallashnikov, por edhe nuk brengosesha më për atë punë.
Nga ana tjetër, politika serbe për ta bërë më të gëlltitshme propagandën e kryesisë së LDK-ës. Për ekzistimin e Armëve. Ndërmori një aksion të kërkimit, nëpër shpella e male të Çyqavicës, gjoja për ti gjetur armët e fshehura, të pa ekzistuara.
3.
Po në këtë vit doli nga shtypi libri i një ish Masoni me shtetësi Turke. Në të cilin bindshëm pohonte se Sllobodan Millosheviqi, është anëtar i Masonerisë Franceze, dhe se i takon rendit të IV, baras me Fransoa Miteranin. Presidentin e Francës dhe se bosi i asaj masonerie është i Vëllai i Fransoas, Zhan Pjer Miterani.
Takimet e mëshehta si i bënte Dr. Ibrahim Rugova Me Millosheviqin, si në Brezovicë e tjerat, gjithherë të aranzhuara nga Z. Baton Haxhiu e që me këmbëngulje i mohonte LDK-ja. Si dhe tentimi për shkuarje për në Beograd të Hydajet Hysenit dhe Xhavit Ahmetit, si përfaqësues të kryesisë së LDK-së. Me ç’rast në ndeshje humbi jetën prof. Xhavit Ahmeti, dhe u bë shkas për tu bërë publike. Kryesia e LDK-s doli me informatën se kanë pasur termin me Ambasadën Amerikane në Beograd. Kurse Ambasada doli me deklaratë se nuk kanë pasur kurfar termini. Me këta dy përfaqësues Shqiptar. Nuk më kujtohet të jen prononcua dikush, duke dhënë shpjegime bindëse për këtë rast, prandaj e konsideroj ende si enigmatik.
Edhe pse pjesa dërmuese e popullit besonin verbërisht në ato çfarë servirte elita udhëheqëse e asaj koje. Kishte edhe të tillë si unë, që mendonim se i tërë bota është duke e ditur se çfarë po ndodhë me ne. Vetëm ne Shqiptarët e Kosovës, nuk po e dimë, sepse asgjë nuk na u tregoje drejt, thjesht ishte krijuar një kolaps informativ i tmerrshëm.
Kur të lexohen këta reshta dikush do të mendoja se janë tendencioz. Por unë nuk kam kurfar tendence ndaj as edhe një partie apo lideri të sajë. Por jam i betuar se nuk do të ia mohoj veprën e mirë as kujt. Por ama as veprën e keqe nuk do të ia fsheh. Personat si i kam përmendur, për fat shumica janë të gjallë dhe nëse nuk i ka lëshuar kujtesa, mund të i dëshmonin ato si u thanë më lartë. Ndërsa fanatikëve partiak, si të zezës i thonë të bardhë dhe të kundërtën. U them ashtu si më thotë mua mbesa e vogël; Gjysh flejë, flejë. Se kështu u konvenon Renacakve dhe matrapazëve, që për interesa të veta dhe të familjeve të tyre, duke shfrytëzuar gjithçka. Pa çarë kokën për hallet e popullit i cili verbërisht, ua zgjatë jetën duke ua dhënë votën e vet, mjerisht. Aq më keq që duke u vu në mbrojtje të këtyre farë liderëve kanë ndodhur shumë hasmëri edhe përbrenda anëtarëve të një familje, por edhe disa vrasje pas fjalosjeve, si që ishte rasti në Recuns të Zvicrës.